Nënkryetari i PD dhe kryetari i komisionit hetimor për implikimin e strukturave policore në trafikun e drogës, Edi Paloka ka kërkuar sot në konferencën e kryetarëve shtyrjen e afatit të hetimeve, pasi institucionet nuk bashkëpunojnë me parlamentin, për dorëzimin e dokumentacionit të kërkuar.

Mazhoranca e ka refuzuar kërkesën, me pretendimin se ajo është bërë jashtë afateve për paraqitjen e kërkesës, por Edi Paloka përsëriti vullnetin e opozitës për të paraqitur një kërkesë për ringritjen e komisionit hetimor, në mënyrë që t’i shkohet deri në fund hetimit të implikimit të drejtuesve të mazhorancës në trafikun e drogës.

DEKLARATA E PLOTË E NËNKRYETARIT TË PD EDI PALOKA

“Kërkuam në konferencën e kryetarëve shtyrjen e afatit të komisionit hetimor “Tahiri”, por kërkesa u hodh poshtë me pretendimin se ka kaluar afati i kërkesës për shtyrjen e tij.

Mazhoranca nuk janë të shqetësuar për zbatimin e kushtetutës, por janë të shqetësuar nga koha kur ne duhet të kishim bërë kërkesën për shtyrjen e komisionit.

Megjithatë, ne jemi të vendosur që do ta ribëjmë kërkesën. Komisioni do të ngrihet dhe kësaj pune do t’i shkojmë deri në fund, sado të përpiqen që ta pengojnë, sepse kuptohet, ka vetëm një qëllim, edhe pse zoti Ruçi sot ju tërhoqi vërejtje formalisht institucioneve dhe ju drejtua të deleguarës së radhës, zonjës Spiropali që të ketë kujdes, që institucionet të zbatojnë kushtetutën dhe ligjin dhe t’i kthenin përgjigje parlamentit.

Jam i bindur se kjo histori do të vazhdojë kështu, sepse nuk mundet që as Rama dhe askush tjetër të vetëdemaksohen për lidhjet që tashmë janë publike dhe i di kushdo, që kjo qeveri ka direkt me krimin, dhe sidomos me trafikun e drogës, gjatë kohës që Saimir Tahiri drejtonte Ministrinë e Brendshme. 

Pyetje: Kur do e ribëni kërkesën për shtyrjen e komisionit hetimor? 

Paloka: Në momentin më të parë që do të përgatitet kërkesa, do ta dërgojmë. 

Pyetje: Bojkoti juaj mendoni se ka ndikuar në zvarritjen e punës së komisionit. A mban një peshë PD për këtë? 

Paloka: Ju bëni një pyetje që e përdori edhe mazhoranca si argument në konferencën e kryetarëve. Unë nuk e di se si mund të ketë lidhje përgjegjësia ligjore e institucioneve, për t’ju përgjigjur komisionit hetimor, me faktin jemi apo s’jemi ne në parlament. Nëse do të kishin ardhur dokumentet, siç e përsëris për të disatën herë, është detyrim kushtetues dhe ligjor i institucioneve, nëse ato do të kishin ardhur dhe nuk do të ishim marrë me to, atëhere që sigurisht kjo do të ishte përgjegjësia jonë. Por përderisa ata nuk i janë përgjigjur kërkesave të komisionit, si mund të ketë përgjegjësi opozita këtu? Pse, zbatimi i ligjit nga Ministria e Brendshme – po themi – varet nga fakti nëse është apo jo opozita në parlament? Është absurde. 

Pyetje: A mendoni se do të jetë e tejkaluar kërkesa juaj për ta ringritur komisionin hetimor për çështjen “Tahiri”, meqenëse opozita gjendet përballë protestave, parlamenti ka reformën zgjedhore, po afrohen zgjedhjet lokale dhe ju keni ngritur akuza për personazhe të tjerë të mazhorancës? Pse po interesoheni për çështjen “Tahiri” kur ka çështje të tjera për të hetuar? 

Paloka: Ky komision ka marrë emrin Tahiri në fakt, por merret me hetimin e lidhjeve të qeverisë, nga Rama e deri tek Taulant Balla, sepse në rreshtin e të akuzuarve është, pavarësisht se fitoi një gjyq për shpifje në mënyrë të shpifur.

Nuk është vetëm Saimir Tahiri. Komisioni ka marrë emrin e Saimir Tahirit, sepse ai ishte në qendër të hetimit, por janë çështje që nuk janë mbyllur. Lidhjet e kësaj qeverie me krimin vazhdojnë të jenë një problem madhor për Shqipërinë dhe sigurisht lidhen me të gjithë qendrimet që ne do të mbajmë. 

Pyetje: Domethënë do të plotësoni kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor, edhe me çështje të tjera, përveç lidhjeve të Tahirit? 

Paloka: Çështja është lidhja e krimit me qeverinë dhe trafiku i drogës. Pavarësisht se po e përsëris se ka emrin e Tahirit, lidhet me fenomenin, dhe sigurisht me emrat që kanë qenë dhe janë sot në qeveri.