• Kryeautori i vjedhjes së zgjedhjeve me krimin duhet të vijë në Parlament! Nuk mund të bëni sikur nuk ka ndodhur asgjë!
  • Zëri i Amerikës faktoi se gjysma e parlamentit është e zgjedhur nga një grusht kriminelësh me të cilët keni lidhur fatin.
  • Asnjë temë më të rëndësishme sesa si do të zgjidhet nuk ka sot. Ose sipas propozimit për qeveri tranzitore, ose populli do ta pastrojë këtë sallë, që i ështe grabitur.

 

NDERHYRJA E PARË E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA

 

Që në këtë Kuvend ka kohë që ka rënë hija e mortit, është e qartë. Ju nuk dini se çfarë thoni, nuk dini se çfarë bëni, sepse ju nuk e dini se përse jeni këtu.

Gjysma prej jush janë këtu, jo për shkak të votave të socialistëve shqiptarë, kundërshtarëve tanë politikë, për të cilët, ndasitë ideologjike për mënyrën se si duhet qeverisur vendi ndajnë dashurinë për këtë vend, por jeni këtu për shkak të një grushti kriminelësh me të cilët keni lidhur fatin tuaj, që ju kanë kapur prej tirandash dhe ju kanë sjellë këtu për t’i shërbyer interesave të tyre.

Ka 5 vjet që Partia Demokratike denoncon këtë, dhe tani, gjithçka që kemi thënë është faktuar, gjithçka kemi thënë është botuar dhe është transmetuar nga mediat më serioze të vendit dhe të botës, nga Zëri i Amerikës.

Ju pretendoni se s’ka ndodhur asgjë, ndërsa kryeautori i asgjësimit të zgjedhjeve, ai që e ka shndërruar këtë parlament në një kuplara të krimit, nuk denjon as të vijë sot këtu.

Nuk e mbajnë këmbët?

Nuk e mbajnë nervat?

S’ka marrë ilaçet?

S’i bëjnë më fajde ilaçet?

I ka mbaruar pluhuri?

Është problemi i tij.

Ne sot nuk mund të pretendojmë se jemi në një seancë normale, e po ndjekim procedura normale parlamentare.

Ndaj, gjëja e parë që duhet bërë, kjo seancë duhet ndërprerë dhe njeriu që ka përgjegjësinë për shndërrimin e këtij parlamenti nga tempull i demokracisë në një bodrum të krimit, ku kemi deputetë që nuk kanë marrë asnjëherë fjalën, sepse nuk kanë asgjë për të thënë, sepse arsyeja e vetme se përse janë këtu, është marrëdhënia e tyre me Avdylët, me Keçët, Shullazët, Dajtët, Bandën e Lushnjes, Bandën e Vlorës, Bajrët e Shkodrës.

Prandaj hipokrizia merr fund.

Sot nuk kemi temë më të rëndësishme për të diskutuar se sa mënyra se do të zgjidhet kjo krizë: Ose përmes propozimit të opozitës përmes një qeverie kalimtare dhe jo një qeverie kukullash enigmatike për të justifikuar largimin e atyre që duhet të jenë në burg, sipas përgjimeve që janë bërë publike, ose, ndryshe në këtë sallë, mund dhe duhet ta pastrojë ai të cilit kjo sallë i takon, popullit shqiptar!

​·        Organizata e Rilindjes vepron me kod mafioz, si bandë kriminale. Edi Rama dhe deputetët e tij e kanë lidhur fatin me kriminelët dhe nuk duan t’ia dinë për njerëzit e thjeshtë.

·        Detyra jonë këtu është t’i japim vendit zgjidhje me koston më të ulët, nëpërmjet një qeverie kalimtare, që të përgatisë një proces zgjedhor për një parlament të vërtetë, jo një parlament kukull të krimit.

·        Rruga tjetër e zgjidhjes është fshirja e këtij parlament me forcën e sovranit,. Parlamenti është i popullit,  jo i kriminelëve me të cilët bëni pazaret. Thirrini mendjes! Tik-tak po afron ora!

 

NDËRHYRJA E DYTË NË PARLAMENT E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA. 

 

Me makiazh dhe fasadë ju kanë demaskuar publikisht mediat ndërkombëtare. Zëri i Amerikës dje ka treguar se ju jeni hajdutët e votave dhe hajdutët e të ardhmes së shqiptarëve.

Keni zhytur vendin në krizë. Ju veproni me kod mafioz. Ju veproni si bandë kriminale. ju hani e pini me kriminelët, duke filluar nga ky i pari. Vetë e dini apo jo edhe ju ish-ministrat që më shumë rrinte me Ymer Lalën sesa rrinte me vetë Ministrin e Financave, sipas vetë ministrit të Financave, ish-ministrin e Financave.

Flisni këtu për Kod Etike? Ju keni marrë Shqipërinë peng, keni marrë zgjedhjet peng, keni marrë këtë parlament peng, e keni mbushur këtu me kukulla gjoja për te hequr nga vëmendja hajdutët me çizme  të cilët vidhnin për kryehajdutin.

Kryehajduti nuk vjen.

Çfarë po kërkojmë ne?

Të vijë këtu të përballet sot. E ka parë e gjithë bota. E di gjithë bota si e morët pushtetin në 2017. Siç iu thamë prej ditës së parë e morëm me pazaret që keni bërë me krimin.

Dhe kur e lidh fatin me kriminelët nuk ka si të bëhet vonë për shqiptarët e thjeshtë. Kur e lidh fatin me Ymer Lalën nuk të çahet koka për dibranët e thjeshtë.

Kur e lidh fatin me Emiljano Shullazin e me Dritan Dajtin nuk  të bëhet vonë as për banorët e Tiranës, as për pensionistët, as për ata të Astirit, as për ata të Bulevardit të Ri.

Është fare e qartë se çfarë ka ndodhur.

Tani nëse ju mendoni se mund ta shtyni kështu, e keni shumë gabim. Detyra jonë këtu është t’i japim zgjidhje me koston më të ulët vendit. Dhe zgjidhja mund të kalojë vetëm përmes dhënies fund të shfaqjeve të kukullave këtu, se këto janë të gjitha kukulla, enigmat, gjeagjëzat, kukulla, matrioshkat.

Matrioshkat janë ato kukulla ruse, i dinë fëmijët se çfarë janë.

T’i japin fund kësaj dhe një qeveri kalimtare të përgatisë një proces zgjedhor për një parlament të vërtetë, jo një parlament kukull të krimit.

O do të bëhet kjo përmes një zgjidhje politike siç po ua propozon opozita ose rrugë tjetër për ta fshirë këtë parlament me forcën e sovranit, se nuk është i juaji, nuk është as i kriminelëve me të cilët bëni pazaret. Është i popullit ky parlament. Thirrini mendjes! Tik-tak po afron ora! Thirrini mendjes!

Thirreni këtu atë, të vijë të japë përgjigje. Ai është arkitekti, ai është padroni i Vangjush Dakos, e i Damian Gjiknurit e të tjerëve me shokë që dalin të gjithë në dosjet e përgjimet të prokurorisë shqiptare që s’keni lënë gjë pa kapur dhe pa futur nën sundim.

Ndërprit seancën. Të vijë këtu shkaktari i shkatërrimit të zgjedhjeve në Shqipëri.

​·        Në Dibër është prishur thjeshtë pazari, Rama do një Pazar tjetër.  Me kë rrinë kriminelët e Dibrës, dhe kriminelët e Lezhës, dhe kriminelët e Shijakut, e tha dje Zëri i Amerikës.

·        Pazari u prish edhe në unazën e re, u fut një fatkeq në tender dhe dha 5 milion më pak se ai që do e fitonte tenderin.

·        Kapari është paguar dhe ABI Bank është zbuluar. Edi Rama, ABI Bank është zbuluar dhe raportet janë publikuar.

·        Do të shkulim nga ajo karrige, ty të parin, dhe nuk do të ketë asnjë ABI Bank dhe as lobist e propagandist të shpëtojnë lëkurën.

 

NDËRHYRJA E TRETË NË PARLAMENT E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA.

 

Teatër i shëmtuar ky që dëgjuam sot këtu. Del një gjoja deputete dhe bën një gjoja pyetje, dhe flet gjoja e deleguara e Dibrës dhe kthen gjoja përgjigje.

Është thjeshtë prishur pazari!

Dhe ai që ua shtrëngon fijet të dyjave, në veçanti të deleguarës së Dibrës, do një Pazar tjetër. Njësoj siç është prishur pazari sot tek Unaza. E morët vesh besoj, apo jo?

Është futur një fatkeq dhe ka ofruar 5 milion euro më pak, se ai që do të fitonte tenderin, se ishte përcaktuar se do ta merrte “Gjoka”. Sepse kapari është paguar. Kapari është paguar.

Kapari është paguar dhe ABI Bank është zbuluar. Edi Rama (i drejtohet Ramës), ABI Bank është zbuluar dhe raportet janë publikuar.

Tani, se me kë rrinë kriminelët e Dibrës, dhe kriminelët e Lezhës, dhe kriminelët e Shijakut, e tha dje Zëri i Amerikës. E tha dje Zëri i Amerikës! E dinë gjithë shqiptarët. Ju jeni një maxhorancë e ardhur këtu me banditët dhe jeni maxhoranca e banditëve.

Sot, po jua përsëris për herë të tretë, keni shansin që me koston më të vogël për vendin, hapni rrugën për një qeveri kalimtare dhe zgjedhjeve që ti sjellin vëndit një parlament të vërtetë.

Por, nëse nuk e kuptoni se tik-tak, po ju mbaron koha.

Ty të parin do të shkulim nga ajo karrige.

Do të shkulim nga ajo karrige, ty të parin, dhe nuk do të ketë asnjë ABI Bank dhe as lobist e propagandist të shpëtojnë lëkurën.

Prandaj, thirrni mendjes, zbrit nga andej para se të të shkulim nga ajo karrige.