Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në kuadër të turit të tij në të gjithë Shqipërinë, u takua me banorë të Kamzës, te cilët i treguan nga afër sesi qeveria i ka braktisur prej 5 vitesh. Në Valias, problem kryesor ishin pasojat e përmbytjeve, pasi deri tani kanë marrë vetëm mashtrimin e Edi Ramës dhe nuk janë dëmshpërblyer. Kryetari Basha, i cili ka qenë vetë dëshmitar i pasojave të përmbytjes, tha se për Ramën rëndësi ka të vjedhë, jo t’u shërbejë qytetarëve.

“Në kohën e përmbytjeve, kam parë me dhimbje të madhe dhe më është dashur të përmbaja veten,  kur shikoja lot të prindërve sepse i gjithë mundi i jetës së tyre dhe kursimet e fëmijëve nga emigracioni i kishte marrë lumi. Vetëm pas tre apo katër ditësh kur situata u qetësua, por gjendja vazhdonte të mbetej e mjerë, erdhi fantazma. Erdhi dhe lëshoi dy apo tre batuta e barcaleta, u rrahu krahun dy tre punëtorëve të bashkisë që po punonin, dhe i tha kryetarit, do të kesh fondin 700 mijë Euro që të përballosh emergjencën. Natyrisht ishte një tjetër mashtrim. Asnjë kokërr leku nuk iu dha Bashkisë së Kamzës. Asnjë cent dëmshpërblim 700 familjeve të cilët u përmbytën për shkak jo vetëm të motit por paklujdesisë dhe neglizhencës së Edi Ramës”

Basha tha se Edi Rama ka fituar 4 milionë euro vetëm për një ditë, por tallet me shqiptarët.

“Qeverisja e tij përkufizohet “Merri shumicës dhe jepi vetes tënde”! Edi Rama tallet me familjet e përmbytura, sikurse tallet me të gjithë shqiptarët. Ndërsa vetë sipas investigimit të medias, me njërëzit dhe famioljarët e tij, 4 milionë euro ka fituar vetëm për një ditë me ujin e KESH-it. Uji, kthehet në mallkim për njerëzit e thjeshtë dhe kthehet në pasurim për Edi Ramën. Kjo është Shqipëria që ka ndërtuar Edi Rama. Kur vjen fjala tek ekonomia, bujqësia, ndihma sociale, apo tek studentët, shëndetësia, qeverisja e Edi Ramës përcaktohet me një fjali “Merri shumicës dhe jepja vetes tënde”. Kjo nuk është qeverisje, kjo është hajdutëri me ligj.”

Përballë kësaj situate, kreu i opozitës iu tha banorëve të Valiasit se Politikisht është shteruar çdo mjet e çdo zgjidhje e mundshme.

“Kemi shteruar çdo mjet për zgjidhje. Ta zgjidhim siç e zgjidh çdo popull europian. Kemi ardhur t’ju kërkojmë ndihmë, sepse zgjidhja tani nuk është më në duart e një partie politike apo të një aleance opozitare, zgjidhja është në duart e qytetarëve shqiptarë. Ne, Partia Demokratike, kemi dalë përballë betejave, duke pasur mbështetjen e qytetarëve edhe të të majtëve, për dekriminalizimin, për ndarjen e politikës nga krimi, për platformën tonë antimafia, për oligarkinë. Që t’jua marrim lekët kudo që t’i kenë, t’ua marrim paratë që ua kanë marrë shqiptarëve dhe t’ua kthejmë shqiptarëve.

Ne kemi zgjidhje për ti dhënë fund papunësisë, për të hapur vende pune me paga dinjitoze. Ne kemi zgjidhje për shëndetësinë që është në kolapsin e vetë më të keq, nga njëra anë sepse lekët e shëndetësisë i marrin 3-4 oligarkë, dhe nga ana tjetër sepse infermierët dhe mjekët po largohen nga Shqipëria. Por këto zgjidhje nuk mund të zbatohen pa marrë një zgjidhje të madhe për problemin që ka Shqipëria. Shqipëria sot nuk qeveriset por sundohet nga një bandë. Ne politikisht kemi shteruar çdo mjet për ta zgjidhur këtë. Prandaj sot kemi ardhur t’ju kërkojmë ndihmë. Ta zgjidhim siç e zgjidh çdo popull europian. Kemi ardhur t’ju kërkojmë ndihmë, sepse zgjidhja tani nuk është më në duart e një partie politike apo të një aleance opozitare, zgjidhja është në duart e qytetarëve shqiptarë. Ju ftoj që me zgjidhjen në mendjen dhe shpirtin tuaj të vini e të marshoni më 16 shkurt në Tiranë.”

Më pas kryetari Basha vizitoi shtëpitë të cilat janë djegur në një nga lagjet më të populluara në Bathore, lagjia nr 6.

“Ajo që ka ndodhur këtu në këtë lagje është tipike e këtij kryeministri dhe e kësaj qeverie. I ka hequr dritat një familjeje e cila nuk kishte asnjë mundësi t’i paguante sepse kryefamiljarët janë pa punë, u është hequr ndihma ekonomike, dhe në këto kushte, janë detyruar të pjekin bukën me thesin e miellit të dhënë për mëshirë, jo nga shteti, por nga individë privatë, të ndizte zjarrin për të pjekur bukën e fëmijëve. Kjo u kthyen në një fatkeqësi të madhe, sepse bashkë me të, u dogjën edhe 17 shtëpi të tjera”.

Basha tha se ky vend ka zgjidhje se këto familje kanë shpresë, nqse kemi një qeveri që i kthen sytë nga njerëzit dhe fondet nga njerëzit.

“Për ndihmë sociale për ata që nuk kanë të punësuar, për rritje ekonomike që krijon vend pune, për punësim, e në veçanti për punësim për rininë. Por që të kemi një qeveri që i kthen sytë nga ju, duhet të kemi një qeveri që e ka lidhur fatin e saj me fatin tuaj. Duhet të kemi  zgjedhje për atë që ju kërkon, merr votën dhe më pas ju përgjigjet. Partia Demokratike dhe unë do t’ju përgjigjemi! Ne do të rikthejmë ndihmën ekonomike. Nuk do të ketë asnjë familje pa bukë, pa ujë, pa drita në qeverisen tonë.”

Në përfundim të një ecje përgjatë gjithë lagjeve të Bathores, kryetari i PD u ndal edhe në oborrin e një shkolle të harruar nga shteti.

“A e dini përse kam ardhur këtu sot? Kam ardhur sepse Kryetari i Bashkisë më ka thënë që shkolla juaj ka dalë jashtë funksionit. Dhe ju e bëni shkollën me turne. Kjo shkollë duhet të rregullohet patjetër dhe me urgjencë. Duhet bërë me ngrohje, me banga, me laboratorë, me kompiuter, me të gjitha. Sepse ju e meritoni. Por e dini përse kanë ardhur të gjithë këta këtu? Për ju! Që ju ta keni të nesërmen më të mirë e më të sigurt. Prandaj kanë ardhur.  Kaq kisha unë për ju, ju do ikni në shtëpi, se  ne kemi punë të tjera këtu.”

Gjatë këtyre takimeve, Basha dëgjoi edhe shumë shqetësime të qytetarëve të kësaj zone të varfër dhe i ftoi të bashkohen ata në protestën e 16 shkurtit në Tiranë, për ti dhënë fund modelit të grabitjes së qytetetarëve të Edi Ramës dhe për të kthyer modelin e një qeverie që punon e mendon për qytetarët.