- Vendimi qesharak i gjykatësit kundër Lulzim Bashës është marrë nën presionin e procesit të vetingut.
- Gjykata ka asgjesuar dhe zëvendësuar organin e Prokurorisë, duke mos marrë parasysh hetimin e saj, por duke iu bindur policisë së Taulant Ballës.
- Nuk ka gjyqtarë të korruptuar apo të pakorruptuar, me veting për vete apo për gruan në proces që do të na ndalë dot ne t’u themi të vërtetën shqiptarëve.
DEKLARATA E PLOTË E GAZMENT BARDHIT PAS VENDIMIT TË GJYKATËS.
Vendimi i sotëm i gjykatës nuk ka çuditur asnjë shqiptar. Ne kemi prej tre viteve që u kemi provuar çdo ditë qytetarëve shqiptarë që qëllimi i qeverisë është kapja e sistemit të drejtësisë. Ky vendim sot e tregoi.
Nën presionin e procesit të vetingut gjykata ka dhënë një vendim që bën të qeshë çdo njeri që lexon vendimin.
Unë do të citoj për qytetarët shqiptarë vetëm një paragraf të vendimit të gjykatës: “Gjykata ka asgjesuar dhe zëvendësuar organin e Prokurorisë me policinë e Taulant Ballës.”
Mjafton që policia e Taulant Ballës të thotë që Taulant Balla nuk ka përgjegjësinë e milionave eurove të drogës të kapura në Portin e Durrësit dhe nuk ka rëndësi se çfarë hetim po bën Prokuroria e Krimeve të Rënda, në çfarë përfundimi do të dalë Prokuroria e Krimeve të Rënda. Se për gjykatën këtu ka rëndësi çfarë thotë vetë Taulant Balla dhe se çfarë thotë policia e inkriminuar e Taulant Ballës.
Ky është vendimi i sotëm i gjykatës që tentoi në kundërshtim flagrant me çdo të drejtë të opozitës në çdo vend demokratik të tregonte personit të akuzuar se kush ishin burimet e informacionit që informonin opozitën për veprimtarinë kriminale të kësaj qeverie.
Kujtoj këtu për çdo qytetar shqiptar në çdo rast sistemi i drejtësisë i kapur 100% nga Edi Rama dënon personin që akuzon dhe nuk dënon personin e akuzuar.
Kujtoj këtu rastin e komisar Zaganit i cili u dënua edhe ai për shpifje se shpifi ndaj Saimir Tahirit. Besoj se asnjëri prej jush këtu dhe asnjë qytetar shqiptar që na ndjek nëpërmjet jush e ka të qartë se Saimir Tahiri ishte 100% i vërtetë ashtu siç ishte prezantuar nga komisari Zagani.
Sigurisht që ne nuk jemi dakord me vendimin e gjykatës. Vendimin e gjykatës do ta ankimojmë. Ju ishit dëshmitarë të pohimit të gjyqtarit në sallë që sipas Jurisprudencës së Gjykatës së Lartë barrën e provës për të vërtetuar që akuzën e bërë nga z.Basha e ka ai që luan rolin e prokurorit, pra viktima akuzuese dhe ndërkohë barrën e provës kjo gjykatë qesharake ia kaloi Lulzim Bashës.
Lulzim Basha nuk u provua gjatë gjykimit të kryer as për shpifje. Ka informuar ashtu siç kemi bërë gjatë këtyre 6 viteve opinionin publik për fakte kriminale ku janë përfshirë zyrtarët më të lartë të kësaj qeverie.
Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Nuk do të ketë as gjyqtarë të korruptuar apo të pakorruptuar, me veting me vete, për vete apo për gruan në proces që do të na ndalë dot ne të themi të vërtetën e shqiptarëve.
Kjo është situata sot në Shqipëri ku ai që thotë të vërtetën, ai që thotë me fakte akuzat ndaj qeverisë së inkriminuar do të dënohet nga gjyqtarë të kapur dhe të blerë nga pushteti.
Pyetje: Z. Bardhi, ju jeni ish-ministër Drejtësië, keni njohuri në Jurisprudencë, kur drejtësia flet nuk është mirë të mos akuzohet dhe të heshtet? Cila është prova që lidh Taulant Ballën me 3.4 mln euro të “Toyota Yaris”?
Bardhi: E njëjta provë që lidh Saimir Tahirin me trafikun e drogës e njëjta provë lidh Taulant Ballën me 3.4 mlm eurot e kapura në Portin e Durrësit.
Për sa i përket komenteve të vendimeve të gjykatës. Sigurisht që unë nuk do të merrja përsipër të komentoj asnjë vendim gjykate të argumentuar dhe të arsyetuar.
Ky vendim është vendim qesharak për cilindo që e lexon, ka asgjësuar organin e prokurorisë. Vendimi shprehet qartë: Ka folur Policia e Shtetit, Taulant Balla tha gjyqtari nuk ka lidhje me këtë çështje sepse kështu ka thënë Policia e Shtetit e Taulant Ballës.
Ndërkohë që të gjithë ju e dini që ka një institucion që kryen hetimet i cili këtë çështje e ka edhe sot që flasim në proces hetimi. Nuk ka persona të deklaruar fajtorë mbi këtë çështje sepse hetimet vijojnë ende nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Në qoftë se ne jemi kthyer në sistemin ku Policia e Shtetit përcakton kush është i fajshëm, kush është i pafajshëm, kush është i përfshirë në trafik droge, kush nuk është i përfshirë në trafik droge, cila është lidhja e Taulant Ballës me 3.4 mln euro e kapura dhe cila nuk është, atëherë ne jemi kthyer zyrtarisht në diktaturë.
E përsëris, nuk ka gjyqtarë të korruptuar apo të pakorruptuar me veting të vetes apo të gruas në këtë proces që mund të ndalë opozitën të thotë të vërtetën e inkriminimit në palcë të kësaj qeverie.
Faleminderit!