• Me tërheqjen e policisë, Rama tregoi se ka skenar perplasjeje, duke nxjerrë gjendjen jashtë kontrollit!

 

  • Protestuesit erdhën për të protestuar pa dhunë. Policia ka ndêrprerë kontaktin me organizatorët.

 

PRONONCIMI I KRYETARIT LULZIM BASHA

 

Ministri i Brendshëm e di fare mirë që kordoni i policisë ka hapur radhët për të krijuar një skenë të tillë. Siç e shikoni rrinë duarkryq sepse kanë një skenar për të nxitur dhe për të stimuluar dhunë.

 

Ka nisur para katër ditësh me deklarata të papërgjegjshme të Policisë, ka vazhduar gjithë mbrëmjen e djeshme, ditën e sotme, gjatë kohës që kanë qarkulluar protestuesit.

 

Dhe tani ndërkohë që protesta filloi plotësisht në mënyrë paqësore dhe s’kam asgjë me efektivët, se efektivët kanë marrë lule nga ne në fillim të protestës.

 

Ndërkohë me presionin më të vogël të turmës, që natyrisht që janë të irrituar sepse janë banorë të Unazës së Re, kanë shkuar për t’u prishur shtëpitë për t’u vjedhur 18 milionë euro, papritur shohim që hapet kordoni policor.

 

Kjo do të thotë që ka një plan për të nxitur dhunë. Ka një plan për të nxitur dhunën që t’i drejtojë gishtin e akuzës opozitës dhe kjo është e papranueshme.

 

DEKLARATA E DYTË E KRYETARIT LULZIM BASHA

 

Ky që shohim është një skenar. Ju e patë sesi, pas një përpjekjeje fare të lehtë nga një grup banorësh të Unazës, papritur u ça kordoni i policisë, që të përdorej dhuna, të hidhej gazi lotsjellës.

 

Dhe e gjitha kjo që dëgjoni në altoparlant, është pjesë e një skenari kriminal të policisë, të vënë nën urdhrat e Edi Ramës, për të provokuar një gjendje të tillë. Protestuesit kishin ardhur për të demonstruar paqësisht, pa dhunë.

 

Po flisnin qytetarët.

 

Në qendër të sheshit po flisnin qytetarët e Unazës, po flisnin fermerët, studentët, minatorët dhe, për shkak të skenarit të tyre ogurzi, tani gjendja ka dalë jashtë kontrollit dhe nuk duket asnjë polic, askund.

 

Nuk merr kontakt me organizatorët e protestës, por vazhdon t’i fryjë skenarit të përplasjes dhe të dhunës me këto mesazhe idiote. Policia nuk po zbaton ligjin, policia e ka thyer ligjin.

 

DEKLARATA E TRETË E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA.

 

Siç e patë edhe ju, në veçanti ju që e njihni punën  e policisë, patë një hapje të menjëhershme dhe të çuditshme të gardhit të oficerëve të policisë që mbronin perimetrin e kryeministrisë.

 

Kjo është qartësisht pjesë e një plani për të provokuar futjen e protestuesve në selinë e Kryeministrisë, sepse në asnjë rast policia dhe gardhi policor, edhe kur kanë presion shumë më të madh, nuk hapet në këtë mënyrë.

 

Pra ka patur një skenar të mirëmenduar madje të paralajmëruar nga Edi Rama për të çuar në dhunë dhe konfrontim.

Në qëndrojmë në krah të tyre dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të qytetarëve deri në fund.

 

Pyetje:  Protesta është organizuar nga ju, a keni një thirrje që ata të mos kryejnë akte dhune?

 

Basha: Qytetarët janë thirrur nga opozita me një qëllim të qartë politik. Qeveri tranzitore, zgjedhje të parakohshme, t’i japim fund qeverisë, që është kapur në vjedhje tek Unaza, tek Teatri, është kapur në vjedhje të votave, siç BIRN dhe Zëri i Amerikës që, në fakt, kanë meritat, por edhe ju si gazetare investigative (Klodiana Lala), demonstroni përmes fakteve të prokurorisë dhe sistemit të drejtësisë në çdo vend të Europës, kur qeveria kapet në vjedhje, ikën qeveria dhe shkon në burg hajdutët, nuk vuan populli.

 

Populli e ka kuptuar këtë dhe është bashkuar në një protestë më të madhen në këto 30 vite.

Asnjë protestues nuk erdhi për të bërë akte dhune.

 

Ju e dini fare mirë se si organizohen protestat e dhunshme. Asnjë prej protestuesve këtu nuk erdhi për të kryer akte dhune. Ato u provokuan dhe u nxitën  nga një skenar i mirëmenduar i Edi Ramës dhe i ekzekutuar nga një grusht policësh të korruptuar dhe të lidhur me krimin.

 

U bëj thirrje të gjithë efektivëve të policisë të ruajnë qetësinë sikundë, u bëj thirrje qytetarëve të vazhdojnë të rrinë të bashkuar për të drejtat e tyre.

DEKLARATA E KATËRT E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA 

Absolutisht, aktet e dhunës janë shkaktuar si pjesë e një skenari dhunënxitës të Edi Ramës, të zbatuar nga narko-kupola e policisë së Shtetit.

Unë dua të falenderoj ata efektivë që nuk u bënë pjesë e këtij skenari, sikundër dua t’i bëj thirrje çdo efektivi të policisë, që ka për detyrë të mbrojë jetën e qytetarëve, ka për detyrë të garantojë të drejtën e tyre për të protestuar, të mos bëhet vegël e një narko-qeverie dhe një narko-kryeministri, i cili sot është rrëzuar përfundimisht nga ky bashkim i madh i shqiptarëve.

Pyetje: Zoti Basha, sa janë gjasat që protesta të përfundojë sot?

Basha: Keni sot lajme për gjithë ditën, për të gjitha çështjet e tjera do të flasim. Natyrisht që ne do të shqyrtojmë të gjitha hapat për të arritur objektivin e shqiptarëve; një qeveri të pakapur nga krimi, që garanton zgjedhje të lira e të ndershme dhe një parlament të pakapur nga krimi. E gjithë bota e ka parë sesi Edi Rama ka vjedhur zgjedhjet e 2017. Zëri i Amerikës ka publikuar vetëm majën e dosjes 339, një dosje gjyqësore. Janë kapur duke vjedhur pushtetin, janë kapur duke vjedhur paratë e shqiptarëve dhe janë kapur duke dhunuar popullin më të varfër. Ky është reagimi i popullit dhe rruga e zgjidhjes politike është largimi i Edi Ramës, një qeveri tranzitore që ka besimin e palëve për të bërë të gjitha reformat e nevojshme, përfshirë ato që garantojnë dhënien fund të shitblerjes së votës dhe në këtë mënyrë t’i hapim derën Shqipërisë për t’u futur në Evropë. Në Europë nuk shkohet kurrë me një narko-kryeministër, me një qeveri të kapur në vjedhje, kudo në Europë kur ndodh kjo, qeveria largohet dhe hajdutët shkojnë në burg, nuk vuan populli.

Pyetje: Si i komentoni reagimet e kryeministrit Rama, I cilI ju quan një opozitë e dalë boje?

Basha: Unë nuk jam këtu për të komentuar broçkullat e një kryeministri hajdut, të kapur në vjedhje, por jam këtu për të mbështetur aspiratën e të gjithë shqiptarëve, të djathtë e të majtë, për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje. Kështu nuk vazhdohet më dhe kështu nuk do të vazhdohet më. Ky është fillimi i një qëndrese popullore, e cila do të diktojë çdo ndryshim që duan njerëzit. Është në dorën e njerëzve. Proceset politike, të cilat propozuam, përfshirë vetingun e politikanëve, u hodhën poshtë, sepse Edi Rama mendon se është zot i fateve të Shqipërisë. Sot shqiptarët po i tregojnë se kush është zot i fateve të Shqipërisë.​

DEKLARATA E PESTË E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA

 

Zonja dhe zotërinj,

Vëllezër dhe motra, qytetarë dhe qytetare të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë,

Mbarë Shqipëria dhe kombi shqiptar dhe gjithë bota, kanë parë sot bashkimin më të madh të shqiptarëve në 30 vite dhe fundin de facto të kryehajdutit Edi Rama.

Dhe në fakt iku, u fsheh dhe do të vazhdojë të ikë në arrati deri sa të largohet një herë përgjithmonë nga pushteti që ka uzurpuar me duart e krimit, për të vjedhur xhepat e shqiptarëve.

Zonja dhe zotërinj,

“Sot çdo kush e ka parë forcën e qytetarëve të bashkuar, të vendosur për të mos pranuar më asnjë ditë një kryeministër dhe një qeveri të kapur në vjedhje flagrante, në vjedhje të zgjedhjeve, në vjedhje të votave, në vjedhje të taksave, në vjedhje të burimeve pasurore të Shqipërisë, në vjedhjen e të ardhmes së shqiptarëve, në vjedhjen e të ardhmes evropiane të Shqipërisë.

Ndaj, dua sot në emër të opozitës, t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë, qindra e mijëra qytetarëve, që i dhanë zë, për ta dëgjuar gjithë bota, revoltës dhe kryengritjes qytetare. Le të zotohemi sot, se kjo kryengritje qytetare do të vazhdojë deri në përmbysjen përfundimtare të këtij sistemi të kalbur, dhe t’ju ftoj të enjten në orën 10.00, në protestën tjetër, më të bashkuar, më të vendosur se kurrë.

Ne u bashkuam këtu për qëndresë të vendosur, kundër qeverisë hajdute.

Provokimet e Edi Ramës dhe narkopolicëve të tij ishin e vetmja dhunë.

Por, dijeni mirë provokatorë të narkoshtetit, narkoqeverisë i erdhi fundi, derën e kryeministrisë ta bllokojë me duart e tij, dhe nga ajo derë as nuk do të hyjë e as nuk do të dalë më legjitimisht kryehajduti i kapur në vjedhje.

Ndërsa ditën e enjte populli do t’i japë një përgjigje tjetër narkoshtetit, duke marrë fatin në duart e tij dhe duke i dhënë fund një parlamenti të vendosur ngfa vota e drogës dhe jo nga vota e qytetarëve shqiptarë.

Duke ju falenderuar nga zemra për këtë qëndresë të jashtëzakonshme që dëshmuat para botës, të jeni edhe më shumë edhe më të vendosur, edhe më të bashkuar të enjten e javës së ardhshme.

Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Liri!

Demokraci!

Shqipëri si gjithë Europa!