• Basha takon banorët e Tiranës: Biznesi i vogël është detyra e parë e qeverisë sime. Gjithçka do të jetë në funksion të punësimit.

 

  • Kohë të vështira, por po i shoh njerëzit më të vendosur dhe më të qartë se kurrë. Ia vlen të bëjmë gjithçka për ta ndryshuar këtë gjendje.

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua me qytetarë të Tiranës për t’i ftuar, personalisht, të marrin pjesë në protestën e 16 Shkurtit. Zoti Basha përshkroi në këmbë rrugën e Kavajës dhe rrugën Myslym Shyri, ku u përshëndet dhe bisedoi me banorë dhe tregtarë të zonës. Ata i thanë Bashës se, megjithëse janë ndër rrugët kryesore të Tiraës, kanë ngelur të fundit, sepse “puna është copë-copë”. Tregtarët tregojnë se xhiro është ulur ndjeshëm, ndërsa TVSH-ja është një barrë e re për ta, pasi duhet të paguajnë kontabilist, që e llogarisin rreth 500 mijë lekë të vjetra në vit.

 

“Biznesi i vogël shikohet nga qeveria si kriminel. Ka taksuar edhe këpucarët, orëndreqësit, të gjithë. Po shkatërron ekonominë edhe me TVSH-në.”-thanë disa tregtarë të tjerë në një treg perimesh.

 

Basha e njohu çdonjërin prej tyre me alternativën e Partisë Demokratike, e cila, veç të tjerave, garanton anullimin e menjëhershëm të TVSH-së.

 

“Çfarë janë biznese me xhiro nën 140 milionë lek të vjetra në vit, do të hiqen nga TVSH. Do të keni vetëm një tatim, 0.5% e xhiros vjetore, që do t’i shkojë bashkisë dhe jo qeverisë dhe gjithçka tjetër do të anullohet. Taksat e Bashkisë janë 7-10 fishuar në krahasim me 4 vjet më parë, duke shpikur taksë pas takse. Do të keni pullën fiskale në vitrinë dhe asnjë inspektor nuk do të ketë të drejtë të hyjë në biznesin tënd.”- tha Basha.

 

Një nga tregtarët shprehu me pak fjalë atë që thotë çdo njeri me një biznes në Shqipëri: “Po mbajtët biznesin e vogël, keni mbajtur çdo gjë, se po punuam ne, punon gjithë Shqipëria”.

 

Duke e konsideruar biznesin e vogël gjenerator të punësimit, Kryetari Basha theksoi se edhe masat e tjera për heqjen e e taksës Rama mbi karburantin, do ta bëjnë atë 300 lekë më të lirë për çdo litër. Bashkë me uljen e çmimit të energjisë për bizneset dhe për familjarët, lideri i opozitës ka llogaritur që qytetarëve t’u mbeten më shumë para në xhepa, çka përkthehet në më shumë mundësi për investim, më shumë mirëqenie dhe mundësi për hapjen e vendeve të të reja të punës. “Biznesi i vogël është detyra e parë e qeverisë sime. Gjithçka do të jetë në funksion të punësimit”- garantoi Basha tregtarët, nga të cilët mori premtimin se do ta mbështesim me pjesëmarrjen në protestën e 16 Shkurtit.

 

Qytetarët dhe tregtarët e mikpritën ftesën e Kryetarit Basha për protestën e 16 Shkurtit, si dhe shpjegimin  e tij për të fuqizuar biznesin e vogël, për t’u kthyer njerëzve në formën e investimeve, rritjes së pagave dhe pensioneve, të të paktën 2 miliardë taksa që tani ndahen me 3-4 klientë të kryeministrit.

 

Kreu i opozitës pati rast t’i shpjegonte përparësitë e tjera të programit të PD për biznesin, gjatë një bashkëbisedimi me një sipërmarrës Call Center.

 

“Do të keni taksë të sheshtë 9%, tatimi i fitimit dhe taksa e kontributit shoqëror do të jetë 9% për punëdhënësin, 9% për punëmarrësi..  Çmimi i energjisë për biznesin që prodhon ulet me 30-40%, për biznesin e vogël dhe për konsumatorët 20%”-shpjegoi Basha.

 

Kryetari Basha u ul në një bar me një grup pensionistësh, të cilët i kërkuan mbështetje dhe rritje për pensionet, pasi këto vitet e fundit ndjejnë braktisje nga qeveria.

 

“E njoh gjendjen shumë mirë dhe në planin tonë është rritja e pensioneve. Të dy prindrit i kam pensionistë dhe pa ndihmën time, si shumica, e kanë të pamundur të mbyllin muajin. Por kanë shumë që nuk ndihmojnë dot. Është krim që ata të ushqehen vetëm 1 herë në ditë, vetëm se këta të babëzitur duan të marrin gjithçka për vete”- u shpreh kryetari i PD.

 

Një nënë iu ankua për pamundësinë për ta çuar vajzën në universitet, për shkak të tarifave të larta. Po ashtu dy prindër, që kishin në pronësi një dyqan të vogël kishin të njëjtin shqetësim.

 

“Për studentët nga familjet me të ardhura nën 640 mijë lekë, ne do t’i heqim tarifat univeristare, për studentët nga famlljet me mbi 640 mijë lekë në muaj, do t’i përgjysmojmë tarifat. Paratë do t’ua marrim koncesioneve korruptive dhe do t’i çojmë për rininë dhe studentët”- tha Basha, i cili i ftoi prindrit të vijnë bashkë me fëmijët në protest në datën 16.

 

“Kohë të vështira, por po i shoh njerëzit më të vendosur dhe më të qartë se kurrë. Ia vlen të bëjmë gjithçka për ta ndryshuar këtë gjendje, se po e bëjmë për njerëzit tanë, për prindrit, për fëmijët, për të nesërmen e këtij vendi.”- u shpreh Basha duke u dhënë kurajo banorëve të Tiranës për të marrë pjesë në protestën e 16 shkurtit si mundësia më e mirë për ndryshim.