FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË KRUJË

 

Mirëse ju gjej zonja dhe zotërinj, të rinj dhe të reja, qytetarë dhe qytetare të Krujës.

 

Ju falënderoj për këtë mikpritje të jashtëzakonshme në një orar ndoshta të papërshtatshëm, por ju, gjithmonë jeni treguar jashtëzakonisht mikrëpritës, nuk keni pyetur për orare. Edhe sot e shoh që keni mbushur këtë shesh këtu në qendër të qytetit historik.

 

Bashkëbisedova me disa qytetarë dhe pronarë dyqanesh këtu në Krujë. Gjendja, siç e dini, është shumë e vështirë, shumë e rëndë. Nuk pashë një turist apo një blerës, qoftë edhe shqiptar, të trokasë në dyqanet e tyre. Ka vende me klimë shumë më të keqe se Shqipëria, ku sezoni turistik nuk pushon 12 muaj në vit, ndërkohë që këto biznese artizanati, restorantet, kafeteria e qytetit të Krujës, por edhe vendeve të tjera bregdetare mezi presin 2 apo 3 mujor të verës. Por edhe sezoni i kaluar ka qenë i mjerueshëm.

 

Nuk mund ta them më mirë se sa e thanë ata: 6-7 vjet më parë gjysma e klientelës përbëhej nga klientë shqiptarë nga bashkëqytetarë nga Shqipëria, por edhe nga bashkëkombës që vijnë nga Kosova, nga Maqedonia, nga diaspora dhe gjysma tjetër ishin të huaj që vinin me kuriozitet për të vizituar Krujën dhe përbënin konsumatorët kryesore të shërbimeve dhe produkteve të Krujës.

 

Sot situata është krejt ndryshe, jo vetëm që nuk ka turistë, por 1/3 e popullsisë së Krujës është larguar; shumica prej tyre të rinj, shumica prej tyre profesionistë. Kjo është rezultat i një klime tjetër, që nuk ka të bëjë me Zotin, nuk ka të bëjë me motin, ka të bëjë me qeverinë ose më mirë të themi me bandën që sot qeveris.

 

Zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra një pyetje të thjeshtë gjithsecili mund t’ia drejtojë vetes: Për çfarë na duhet shteti? Për çfarë na duhet qeveria? Për çfarë na duhen ligjet?

 

Qëllimi i institucioneve, i ekzistencës së tyre, qëllimi i ekzistencës së qeverisë është të kujdeset për njerëzit, të kujdeset për sigurinë tuaj, të kujdeset për sigurinë e fëmijëve tuaj, të kujdeset për shkollat, të kujdeset për rrogat, që të keni të ardhura të mjaftueshme, të kujdeset për punësimin, për mirëqenien dhe, aty ku nuk ka punësim, të kujdeset për ata të papunë që të mos u mungojë, të paktën, buka, uji dhe dritat.

 

Por a po ndodh kështu me këtë njeri që ka uzurpuar karrigen e kryeministrit dhe bandën e tij?

 

Faktet tregojnë të kundërtën, që kur ka hipur në atë karrige iu ka marrë ju dhe gjithë shqiptarëve 2 miliard euro taksa më shumë se më përpara. Ky që do të ulte taksat për 97% të shqiptarëve iu ka marrë 2 miliardë taksa më shumë. Si i ka marrë? Duke rrit taksat, duke rrit çmimin e naftës, duke rrit çmimin e energjisë.

 

A i ka kthyer këto taksa mbrapsht? A i ka kthyer në investime? A i ka kthyer në shërbime? Absolutisht asnjë kokërr leku. Përkundrazi, ka bërë masakër mbi të pamundurit.

 

Kruja, hyn në qytetet me numrin më numrin më të madh të familjeve në nevojë ekonomike, dhe këtu në vend që të shtohej numri i familjeve me ndihmë ekonomike, të shtohej ndihma ekonomike për të përballuar bukën e gojës, çfarë ka bërë? Ka hequr qindra familje nga ndihma ekonomike, 23 mijë, statistikisht, në të gjithë Shqipërinë. N          ë fakt, ka hequr dyfishin. Me çfarë do të jetojnë këta njerëz?

 

Ja, jua thotë Bashkimi Europian se me çfarë jetojnë! 45 përqind e familjeve shqiptare, jetojnë me më pak se 5 mijë lek të vjetra në ditë. Ku jemi këtu? Në mes të Afrikës?! Në xhungël?!

Jemi në një nga vendet më pjellore të Europës, me mundësi të jashtëzakonëshme. Por, këto 2 miliard euro të taksava tuaja, ju e dini fare mirë pse nuk kanë ardhur tek ju për pensione, për rroga, për spitale, për shkolla. Sepse, këto para i ka vjedhur Edi Rama me bandën e tij të hajdutëve në qeveri dhe me oligarkët.

 

Zonja dhe zotërinj!

 

Ju, besoj e ndoqët ditën e premte, prezantimin që bëmë të alternativës ekonomike të Partisë Demokratike. Në krahun tonë, ishin ekspertët më të mirë europianë, këshilltarët ekonomikë të vendit më të suksesshëm ekonomik në Europë, Gjermanisë, këshilltarët ekonomikë të CDU, partisë sonë simotër, partisë së Kancelares Merkel.

 

Punësimi dhe mirëqenies e shqiptarëve, janë prioriteti numër 1, për Partinë Demokratike dhe për Lulzim Bashën.

 

Ne i kemi zgjidhjet për ju, dhe jemi gati që me votën dhe besimin tuaj t’i vëmë këto zgjidhje në punë. Të funksionojnë e të prodhojnë të mira për ju prej ditës së parë!

  • Ditën tonë të parë, nafta dhe benzina, do të jenë 300 lek më të lira për çdo shqiptar, sepse, ne do ta heqim taksën Rama, mbi naftën.

 

Ne i kemi zgjidhjet për ju. Ato miliarda që sot i marrin 4-5 oligarkë, dhe i ndajmë me Edi Ramën,

 

  • Do t’i çojmë për rritjen e pensioneve.
  • Do t’i çojmë për rritjen e rrogave.
  • Do t’i çojmë për të financuar energjinë, në mënyrë që shqiptarët mos ta paguajnë faturën, më shtrenjtë se çdokush tjetër në Ballkan dhe familjet në ndihmë ekonomike të marrin 200 kiloëatët e parë falas.

 

Ne do të mundësojmë, përmes uljes së taksave, që biznesi, mos të mbyllet me 50 biznese në ditë, siç është sot, shkalla e mbylljes së bizneseve, por të hapet e të sigurojë punësim. Të kemi pra, një valë pozitiviteti, rritje ekonomike.

 

I kemi planet. Planet, jo premtimet! Me ekspertët më të mirë, dy prej të cilëve i kam sot me vete këtu, Florion Mimën dhe Çlirimin Gjatën. Ne kemi vizionin. Ne kemi planin dhe vendosmërinë, që të fillojmë t’ju shërbejmë, që prej ditës së parë, kur të na e besoni me votë, qeverisjen e vendit.

Por, zonja e zotërinj, ju e dini fare mirë, përse jemi mbledhur sot këtu: institucionet janë kapur nga krimi dhe korrupsioni. Prej pesë vitesh e kemi thënë, këtu në këtë shesh. E kemi thënë para bashkisë, që është një monument i kriminalizimit. E kemi thënë kudo, por tani nuk është Partia Demokratike e vetmja që po e thotë. Janë dokumentet zyrtare të  hetimeve të prokurorisë shqiptare, që vërtetojnë se Edi Rama, nuk është kryeministër i qytetarëve shqiptarë, por është kryeministër i votave të vjedhura, kryeministër i bandave. Është kryeministër i oligarkëve.

 

Është Zëri i Amerikës, që ka publikuar këto të dhëna dhe ka kthyer edhe njëherë fjalorin e Enver Hoxhës, në gojën e Edi Ramës, që i thotë Zëri të Amerikës, kazan. E vërteta është se, sot, vendi nuk ka një qeveri dhe një parlament të qytetarëve, por institucione të kapura, nga krimi dhe oligarkët me një synim: që t’ju marrë taksat ju. Të gjitha ligjet bëhen për të zhytur thellë e më thellë, dorën në xhepin e shumicës së shqiptarëve, dhe për të pasuruar një pakicë.

 

Ky është epitafi i Rilindjes. Grabit shumicën e shqiptarëve, që të pasurojë një grusht oligarkësh dhe kriminelësh. Nuk ju përfaqësojnë më.

 

A ndiheni të përfaqësuar nga kjo maxhorancë dhe ky parlament?

 

Qytetarët: Joooo

A ndjeheni të përfaqësuar nga kjo qeveri? A ndjeheni të mbrojtur nga kjo qeveri?

Qytetarët: Jooo

 

Kjo është përgjigja juaj, kjo është përgjigja e çdo shqiptari të ndershëm, demokrat apo socialist. Por ajo që ky ka bërë, me dinakëri, me tinzari, me urrejtjen që ka në shpirt ndaj njerëzve, verbuar nga pasuria marramendëse që ka vënë bashkë me oligarkët dhe kriminelët është përpjekja për të vrarë shpresën, për të thënë: ky vend nuk bëhet, se kështu janë punët në këtë vend, ky vend nuk bëhet, për t’i larguar shqiptarët edhe njëherë nga atdheu i tyre.

 

E pra, këtu nga Kruja, është vendi dhe Kuvendi, për t’ju dhënë një mesazh, jo vetëm për ju burrave dhe grave të Krujës, të rinjve dhe të rejave të Krujës, por gjithë Shqipërisë: 500 vjet më parë, një popull i vogël i qëndroi fuqisë më të madhe ushtarake, politike dhe ekonomike të botës, këtu në Krujë.

Pse i qëndroi?

Se ishin të bashkuar. Se luftonin për kauzën e drejtë dhe kjo u jepte kurajon për të luftuar. Sot, ka ardhur dita ta rimarrim prapë këtë shembull, e t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit, të shohim njëri-tjetrin në sy e të themi: ne e kemi kauzën e drejtë, ne do të luftojmë sëbashku për kauzën e drejtë. Ne do ta shporrim të keqen dhe do ta rikthejmë Shqipërinë, në binarët e zhvillimit normal europian.

 

Alternativa e PD, është një alternative europiane, njësoj si në ato vende, ku shkojnë rinia e Krujës, për të kërkuar fatin. Dhe shumicën e rasteve e gjejnë me punë të ndershme. Këtu në vendin tonë, ne mund të krijojmë kushtet për punësim dhe mirëqenie, që këto miliarda euro, të krijojnë mijëra vende pune me kushte dinjitoze, me paga dinjitoze, me rritje konsumi.

 

Të rikthejmë shpresën dhe besimin, tek shtëpitë tona, tek familjet tona, tek ekonomia jonë, te qyteti ynë, te komuniteti ynë. Por, që ta bëjmë këtë, na duhet ndihma juaj.

 

Alternativat politike, shpalosen përmes institucioneve politike dhe proceseve politike. Por, institucionet i ka kapur krimi. Edhe prokurorinë e ka kapur krimi.  Në vend që të hetojnë dhe të arrestojnë, Vangjush Dakon me shokë, Damian Gjiknurin me shokë, dhe gjithë politikanët e tjerë socialistë që janë kapur në flagrancë duke vjedhur vota, kërcënojnë me ndjekje penale, gazetarët që e shpalosën këtë tek Zëri i Amerikës.

 

Pra, nuk ka më mjete për ta zgjidhur këtë krizë, politikisht. Prandaj jua them, fare qartë; koha e fjalëve ka mbaruar. Ka ardhur koha të merrni në dorë fatin tuaj. Kjo është thirrja, kjo është ftesa.

 

Asnjë qeveri dhe asnjë parlament, nuk është sovran i këtij vendi, ato ekzistojnë thjesht dhe vetëm si rezultat i vullnetit tuaj. Tani, nuk po e thotë vetëm opozita, po e thotë bota, që Edi Rama, qeveria e tij dhe maxhoranca e tij, nuk janë produkt i vullnetit tuaj, por janë produkt i vullnetit të kriminelëve.

 

Ejani, me 16 shkurt ta rrëzojmë këtë regjim banditësh dhe t’i japim vendit rrugëdaljen politike.

 

Zgjidhja politike e opozitës, është kjo: qeveria kalimtare, që të përgatisë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe të zhbllokojë integrimin europian të Shqipërisë e të zhbllokojë mundësitë, për liri dhe punësim, për mirëqënie, për çdo shqiptar.

 

Kjo është ftesa që ju drejtoj sot, në emër të Partisë Demokratike, çdo qytetari e qytetarje krutane, të gjithë atyre që ndjehen të braktisur e të zhgënjyer, dëshpëruar: ngrihuni në këmbë, jepini dorën njëri-tjetrit dhe marshoni të gjithë sëbashku në Tiranë, me shpirtin e bashkimit dhe kurajon historike të krutanëve.

 

Ejani!

 

Demokratë e demokrate, qytetarë të paangazhuar politikisht, socialistë të braktisur e të dhunuar nga kriminelët që u kanë vënë mbi kokë, këtu në Krujë, e në të gjithë Shqipërinë.

 

Ejani, merreni në dorë fatin tuaj. Ta çlirojmë qeverisjen nga pengmarrja kriminale dhe t’i hapim rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme. T’i japim rrugë, Shqipërisë europiane. T’i japim rrugë Shqipërisë së mundësive për ju.

 

Ju garantoj, se prej ditës së parë, që këtë vend do ta çlirojmë nga pengmarrja e Edi Ramës dhe bandave të tij. Një ditë e re do të agojë për këtë vend, dhe gjithësecilin prej jush, dhe ju do të mund të prekni e të shijoni frytet e një qeverie që ju shërben ju, që punon për ju dhe jep rezultate për ju, fëmijët tuaj dhe familjet tuaja.

 

Nuk ka rrugë tjetër, përveç bashkimit. Nuk ka rrugë tjetër, përveç përballjes. Nuk ka rrugë tjetër, përveç popullit.

 

Populli i bashkuar, me 16 shkurt në Tiranë, do ta hapë, do ta zhbllokojë rrugën që ka bllokuar krimi me Edi Ramën dhe do ti japë, prespektiven e merituar vendit, sigurinë, mirëqenien, mundësitë dhe liritë, çdo familje e shqiptari të ndershëm, që nuk kërkon lëmoshë, por kërkon të jetojë me djersën e ballit dhe me dinjitet.

 

Për këtë të bashkohemi me 16 shkurt. Për këtë është ftesa për gjithësecilin prej jush.

 

Ju mirëpres të gjithëve me 16 shkurt në Tiranë.

 

Zoti e bekoftë Krujën!

Zoti i bekoftë familjet tuaja!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

 

 

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË FUSHË KRUJË

Mirë se ju gjej vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, qytetarë dhe qytetarë të Fushë Krujës, faleminderit për këtë pritje të jashtëzakonshme, sot, këtu në qytetin tuaj!

 

Këto ditë kam nisur një tur për takuar qytetarë, për të takuar fermerë, familjarë, të rinj, përfaqësues të sipërmarrjes, të biznesit të vogël apo punëtorë në dyqane, por po e shikoni që po bëhet e pamundur që të jetë një tur bashkëbisedimi, sepse, brenda pak çasteve, sheshet e qyteteve mbushen me njerëz të qartë e të vendosur, të bashkuar dhe plot besim se po vjen një ditë e re.

 

Këtu në Fushë Krujë jam lodhur duke ardhur e duke dëgjuar kujt i plasi tritoli sot, kujt i plasi tritoli dje, kush mbylli dyqanin, kush ka ngelur pa punë; histori të trishta që ma mbushin zemrën me trishtim. Dhe vetëm mund ta imagjinoj si ndihen ata komshinjtë e këtyre që u plas tritoli apo familjarë, ata që ngelën të papunë, ata që ngelen të braktisur, ata që ngelën  të harruar.

 

Kam ardhur sot që t’ju them që mezi po pres që me ndihmën tuaj, me bashkimin tuaj, me bashkimin e të gjithë shqiptarëve dhe me ndihmën e Zotit herën tjetër, kur të vij në Fushë Krujë, të flasim për bizneset që janë hapur, për të rinjtë që gjejnë vende pune, për uljen e çmimit të naftës, për jetën që bëhet pak më e lehtë dhe jo pak më e vështirë, për mundësitë, për punësim dhe për mirëqënie, për familje që jo vetëm e meritojnë ndihmën ekonomike, por edhe e marrin ndihmën ekonomike, për shkolla që nuk mbyllen por që investohen, për klinika dhe spitale, të cilat i ofrojnë të njëjtën shërbim që iu ofrohet qytetarëve të Maqedonisë. Dhe të jeni të bindur se kjo ditë po vjen dhe po afron, se kjo ditë do të vijë shumë më shpejt, sa më shpejt të rrëzojmë këtë qeveri kriminale dhe këtë kryeministër hajdut. Nuk ka asnjë arsye tjetër për pasigurinë që ka pllakosur Fushë Krujën këto vite.  Nuk ka asnjë arsye tjetër për vështirësitë ekonomike në të cilat ndodheni, për papunësinë dhe mungesën e mirëqenies, përveç keqqeverisjes.

 

Taksat e shtuara që ju paguani, çmimi i naftës në stratosferë, çmimi i energjisë elektrike, miliarda euro që ju mbledh qeveria duke ku kruajtur edhe astarin e xhepit, nuk kthehen në investime për Fushë Krujën, nuk kthehen në shërbime, nuk kthehen në spitale dhe shërbim të mirë shëndetësor, nuk kthehen në shkollim. Gjysma e maturantëve të Fushë Krujës nuk do të kenë mundësinë që të shkojnë në universitet, për shkak të tarifave të rritura dhe të pamundësive të familjeve të reja. Kjo duhet të ndryshojë, kjo mund të ndryshojë. Zonja dhe zotërinj, vëllezër e motra kjo do të ndryshojë!

 

Partia Demokratike dhe unë kemi një plan i cili do t’ju vërë ekonominë shqiptare në funksion të qytetarëve shqiptarë, do t’i japë fund trajtimit të vendit si një lopë për t’u mjelur nga kryeministri, 4 oligarkët, dhe 5 banditë.

 

Ne kemi një plan ekonomik të cilin e kemi hartuar jo vetëm me ekspertët më të mirë shqiptarë, por, siç e patë, para disa ditësh, edhe me ndihmën e ekonomistëve më të shquar të Gjermanisë, atyre që këshillojnë ekonominë më të fuqishme, ekonominë gjermane, ekonominë e Evropës. Tonat, nuk janë premtime, janë plane, plane të hartuara me përgjegjësi të madhe ndaj të nesërmes së gjithësecilit prej jush dhe familjeve tuaja.

 

Ulja e taksave, ulja ditën e parë e çmimit të naftës dhe të benzinës me 300 lekë, duke ia hequr taksën Rama mbi karburantin, ulja e çmimit të energjisë janë vetëm 3 nga shtyllat që do të çlirojnë miliona euro në ekonomi, do t’ia heqin lakun nga fyti biznesit, do të rrisin konsumin, do të kthejnë në lëvizje ingranazhet e ekonomisë shqiptare, do të çlirojnë energjinë positive, që sot e ka marrë peng krimi dhe hajdutëria qeveritare.

 

Ne, së bashku do të bëjmë të mundur, që paratë që shkojnë me miliona nëpër kontot bankare sekrete të Arben Ahmetajt, Edi Ramës me shokë, me ato koncesionet e inceneratorëve vidhen 21 milionë euro vetëm këtë vit, po i latë ju, po i lamë ne. Ato para mjaftojnë për të rritur pensionet, mjaftojnë për një politikë tjetër, ku çdo familje që ka nevojë për ndihmë ekonomike ta marrë ndihmën ekonomike, dhe jo lëmoshë, por mjaftueshëm ndihmë ekonomike, që në Shqipëri të mos ketë, sepse s’duhet të ketë, asnjë familje pa bukë, pa ujë, pa drita, asnjë familje që të mbetet pa i çuar fëmijët në universitet për shkak të pamundësive ekonomike. Të gjitha këto janë të mundura. Të gjitha këto janë të mundura, nëse miliardat e taksave nuk i vjedh Edi Rama me një grusht banditësh.

 

Normalisht, kudo që kjo të ndodhte, do të kishte dy zgjidhje: ose populli do ta largonte me votë qeverinë, ose drejtësia do t’i fuste në burg Edi Ramën dhe ministrat e tij të korruptuar. (thirrje të pjesëmarrësve për burg) Patjetër që po. Por, të dy këto procese politike janë aktualisht të bllokuara. Zgjedhjet janë të vjedhura. Nuk e thotë vetëm Partia Demokratike, nuk e thoni vetëm ju, që e dini fare mirë se si u bënë zgjedhjet këtu në Fushë-Krujë, tani e thotë Zëri i Amerikës, e thonë gazetat dhe mediat perëndimore që Edi Rama nuk është kryeministri i zgjedhur i shqiptarëve, por është kryeministri i banditëve dhe i hajdutëve.

 

Normalisht, këtë situatë duhet ta zgjidhte drejtësia, por prokuroria e kapur e Arta Markut dhe Donika Prelës me shokë, në vend që të arrestojë Vangjush Dakon me shokë, hap hetime për nxjerrjen e sekretit hetimor ndaj gazetarëve që e botuan tek Zëri i Amerikës. Këta kanë prekur fundin. Këta i kanë vjedhur shqiptarët, këta i kanë dhunuar shqiptarët, këta i kanë mashtruar shqiptarët, dhe tani me arrogancë dhe me propagandë mendojnë se mund t’ia hedhin, por ora e propagandës së tyre u thye e u bë copë e çikë nga studentët e bashkuar, nga rinia shqiptare.

 

Prandaj, të vëmë në lëvizje procesin politik, që të kemi zgjedhje të lira e të ndershme, ku ju të jeni në gjendje të votoni programin ekonomik që funksionon për ju, që siguron punësim, mirëqenie, mundësi dhe liri për ju, se këto duan banorët e Fushë-Krujës, këto duan krutanët, këto duan shqiptarët. Askush prej jush nuk kërkon lëmoshë. Ju doni liri, ju doni mundësi, për mirëqenie dhe punësim, ky është programi ynë, ky është objektivi numër 1 i Partisë Demokratike dhe i imi.

 

Por që t’i hapim rrugë këtij procesi, zonja dhe zotërinj, kemi nevojë për ndihmën tuaj. Politika është bllokuar nga vjedhja e zgjedhjeve, drejtësia është bllokuar nga kapja e prokurorisë dhe e gjyqtarëve, ka vetëm një forcë që mund ta zhbllokojë, ka vetëm një forcë që mund ta zhbllokojë dhe kjo që po ju them sot tani, është themeli i çdo shoqërie evropiane, ka vetëm një forcë që mund ta zhbllokojë dhe kjo forcë janë shqiptarët e bashkuar me 16 shkurt në Tiranë. Të bashkuar, të qartë dhe të vendosur, për të deklaruar fundin e qeverisë së banditëve.

 

Ne jemi gati t’ju shërbejmë. Unë jam gati t’ju shërbej, me planin tonë, me ekipin tonë, me ekspertë, me njerëz me integritet, njerëz që kanë dhënë kontributin e tyre dhe s’janë përfolur kurrë. Kam nderin që të kem këtu, pjesë të ekipit tim, Florion Mimën, Çlirim Gjatën dhe të tjerë anëtarë të ekipit të Partisë Demokratike, të cilët, së bashku me drejtuesit organizativë lokalë këtu, me Agronin, të cilin e kanë votbesuar, demokratët e Fushë Krujës, të marrim përgjegjësitë tona para shqiptarëve dhe t’i ushtrojmë ato me profesionalizëm dhe përulësi ndaj jush., jo me mendjemadhësi, as me arrogancë, as me hile. Këto meritoni dhe ju jap fjalën se këto do të keni. Qeveria e Partisë Demokratike do të jetë qeveria që do të bëjë gjithçka për punësimin, për mundësitë dhe për lirinë tuaj.

 

Por, para kësaj, na pret beteja. Shumë prej jush e kanë ndjerë në palcë, keqqeverisjen. Ju kanë marrë shpirtin. Ju kanë shkujaruar, ju kanë braktisur. Tani, shikoni njëri-tjetrin në sy, dhe shikoni në sytë e njëri-tjetrit, në sytë e rinisë së Fushë Krujës, në sytë e këtyre fëmijëve: ka shpresë, ka besim, se një ditë e re po vjen, dita, kur fatin tuaj, nuk do ta kenë në dorë banditët, dita kur fatin tuaj, nuk do ta kenë në dorë, oligarkët grabitqarë, dita kur fatin tuaj, nuk do ta kenë politikanë hajdutë dhe mashtrues, dita, kur fatin tuaj, do ta keni në duart tuaja.

 

Ndaj, ju ftoj, që këtij bashkimi spontan sot në Fushë Krujë, t’ia shtoni rradhët me miqtë tuaj, me kolegët tuaj, me vëllezërit dhe motrat tuaja, me bashkëshortët dhe bashkëshortet tuaja dhe, të gjithë së bashku, ta sillni këtë besim për ndryshim në Tiranë me 16 shkurt, ta derdhni në bulevardin kryesor të Tiranës, bashkë me qytetarët e tjerë, nga Shkodra në Vlorë, nga Korça në Durrës.

 

Le të jetë 16 shkurti, dita e historisë së artë e shqiptarëve, dita e parë e ndryshimit. Dita e parë e një demokracie të vërtetë europiane, ku çdokush ta marrë vesh, se në Shqipëri, që këtej e tutje, do të vendosin shqiptarët për fatin e tyre.

 

Faleminderit për këtë pritje të jashtëzakonshme. Ju mirëpres të gjithëve në Tiranë me 16 shkurt. Nuk kam shumë fjalë për t’ju thënë me 16 shkurt. Koha për fjalët ka mbaruar. Merrni fatin në duart tuaja më 16 shkurt në Tiranë!

 

Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!