·        Pas djegies së mandateve dhe deklarimit ilegjitim të parlamentit, Kryesia e PD vendosi vazhdimin e protestave në të gjithë vendin deri në largimin e Maduros së Ballkanit.

·        Protestat do të ndërthuren me shpalosjen e alternativës së PD me një tur shprese, vizioni dhe programi për Shqipërinë e të nesërmes.

·        Ne kemi besim se Shqipëria do të ketë një të ardhme evropiane, e cila t’i takojë qytetarëve shqiptarë.  

DEKLARATA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA PAS MBLEDHJES SË KRYESISË. 

Kryesia e Partisë Demokratike është mbledhur sot për të marrë vendime të rëndësishme, përsa i përket vazhdimit të aksionit qytetar, pas djegies së mandateve dhe deklarimit ilegjitim të Kuvendit të Shqipërisë dhe produktit të tij kriminal, bandës hajduto-kriminale të Edi Ramës.

Në këtë kuadër, vendimi i parë i kryesisë ka të bëjë me hartimin e një kalendari protestash popullore, të shtrira në të gjithë vendin dhe, natyrisht, protestave kombëtare në Tiranë, për të cilat, në ditët në vijim, Kolegji i Kryetarëve dhe Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike do të marrin vendimet përkatëse të organizimit, të kalendarit, të datave, të mobilizimit mbarëqytetar për të vazhduar protestat mbarëpopullore për largimin e Maduros së Ballkanit.

Po kështu, është marrë një vendim i rëndësishëm për ngritjen e shtabeve politike dhe organizative, në nivel qendror dhe lokal, të cilat, në bashkëpunim me partitë e tjera të opozitës së bashkuar, do të bëjnë të mundur përparimin me këtë kalendar pune, dhe organizimin e protestave të fuqishme mbarëpopullore në të gjithë territorin e vendit.

Njëkohësisht, kryesia ka vendosur për vazhdimin e asaj që kemi nisur tashmë, shpalosjen e alternativës, vizionit dhe programit të Partisë Demokratike me të gjitha grupet e interesit. Kemi bërë shpalosjen e një pjese të programit tonë, programit ekonomik, në prani edhe të miqve tanë europianë dhe gjermanë, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për të gjitha kategoritë e qytetarëve shqiptarë. Ne do t’i japim Shqipërisë vizionin tonë, me besimin dhe bindjen e plotë se Shqipëria do të ketë një të ardhme evropiane, do të ketë një të ardhme, e cila t’i takojë qytetarëve shqiptarë dhe për këtë arsye, bashkë me qytetarët shqiptarë, do të diskutojmë dhe do të marrim vendime mbi mënyrën sesi do të duket kjo e ardhme, sa u përket aspekteve të rëndësishme, siç është arsimi, parashkollor, parauniversitar dhe universitar, sa u përket hapave që do të hidhen për të anuluar koncesionet korruptive në shëndetësi dhe si do të destinohen këto para për të përmirësuar gjendjen e kolapsuar të spitaleve në sistemin shëndetësor, politikat tona për pensionet, politikat tona për biznesin, për sipërmarrjen, që të hapë vende pune dhe të çlirojë energji pozitive në ekonomi, mbi të gjitha, politikat tona për zhvillimin e ekonomisë, për të krijuar oportunitete përmes lirisë, barazisë para ligjit dhe një shteti në krah të njerëzve dhe jo kundër interesave të tyre.

Pra, bëhet fjalë për një aspekt tjetër, për një ndërthurje të këtij turi protestash, me një tur shprese, vizioni dhe programi për Shqipërinë e të nesërmes. Sigurisht, janë marrë edhe vendime të tjera që kanë të bëjnë me fuqizimin e organizimit të Partisë Demokratike, në funksion edhe të synimit tonë, zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe paraqitjes me kandidaturat më të denja të Partisë Demokratike në këto zgjedhje, natyrisht edhe në zgjedhjet e tjera vendore.​