• Kudo në Shqipëri shoh vendosmëri për të mos pranuar më poshtërimin dhe vjedhjen, vendosmëri për të marrë në dorë fatet tuaja dhe për të mos ia lënë atë në dorë krimit e oligarkëve, që e kanë marrë peng Shqipërinë.
  • Ky sistem i kalbur ka marrë peng bukën e fëmijëve tuaj, paratë me të cilat mund të hapen vende pune, ka marrë peng të drejtat e shqiptarëve, sistemin shëndetësor e arsimor. Ky është grusht shteti, jo nga ushtarakët, por nga kriminelët.
  • Në Shqipëri ka shpresë se, të gjithë bashkë, mund ta zgjidhim problemin që po i detyron shqiptarët të largohen nga vendi, po i varfëron çdo ditë, duke e grabitur shumicën për të pasuruar pakicën, e cila qeveris me Edi Ramën.
  • E vetmja alternativë për të zhvilluar vendin është alternativa evropiane e PD, ku objektivi numër 1 është hapja e vendeve të punës me paga dhe kushte dinjitoze. Kjo është plotësisht e mundur, kur të ndërtojmë një qeveri që u shërben njerëzve.
  • Zëri i Amerikës tregoi se nuk kemi një qeveri të zgjedhur nga vota, por kemi një kryeministër të përcaktuar nga paratë e drogës, që mbron nga drejtësia politikanët e kapur në përgjime se kanë blerë vota me krimin dhe që nuk I hap rrugë një zgjidhjeje politike.
  • Procesi politik ka mbaruar. Zgjedhjet janë asgjësuar nga një grup kriminelësh, të cilët nuk ballafaqohen me drejtësinë. Më 16 shkurt ju ftoj t’i japim fund këtij grushti shteti, ta shembim këtë sistem të kalbur dhe të ndërtojmë një qeveri në shërbim të qytetarëve.
  • Një qeveri e PD do të ulë taksat, do të eliminojë taksën “Rama” mbi karburantet, do të bëjë të mundur një klimë miqësore për biznesin, sepse objektivi ynë numër një është punësimi i qytetarëve. Për të arritur këtë na duhet nje qeveri tranzitore, që të sigurojë zgjedhje të lira e të ndershme.
  • Tani është në dorën tuaj. Më 16 shkurt zëri i vetëm dhe verdikti i vetëm që do të dëgjohet nuk do të jenë fjalimet e politikanëve, zëri i vetëm që do të buçasë, vendimi i vetëm që do të merret dhe do të zbatohet do të jetë vendimi i popullit të bashkuar.

 

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA NË TAKIMIN ME QYTETARË TË MIRDITËS. 

 

Të dashur vëllezër e motra, mirditore e mirditorë,

vëllezër e motra,

zonja e zotërinj,

të rinj e të reja,

 

Faleminderit nga zemra për këtë pritje të jashtëzakonshme.

 

Kudo ku takoj qytetarët e këtij vendi të vuajtur, të nëpërkëmbur e të poshtëruar prej 5 vitesh, shoh vendosmëri për të mos pranuar më asnjë minutë poshtërimin dhe vjedhjen, vendosmëri për t’u ngritur e për t’u bashkuar, vendosmërinë për të marrë në dorë fatet tuaja dhe për të mos ia lënë atë në dorë as krimit, as hajdutëve e as oligarkëve që e kanë marrë peng Mirditën dhe të gjithë Shqipërinë.

 

Së pari dua t’ju them se në çdo dorështrëngim, hall dhe problem që qani, ju dëgjoj me vëmendje dhe ju kuptoj shumë mirë. Ju duhet ta dini fare mirë se problemet tuaja, me të cilat përballeni ditë për ditë, janë problemet e shumicës dërrmuese të shqiptarëve. Se ky sistem i kalbur, që në fakt është një pakicë njerëzish, vjedh nga ju dhe i shërben vetëm një grushti grabitqarësh, të cilët kanë rrënuar ekonominë, kanë shkatërruar sigurinë dhe i kanë vënë kazmën shpresës së shqiptarëve për një jetë më të mirë, duke detyruar shumë prej jush të largohen e shumë prej të tjerëve të mendojnë largimin si rrugën e vetme.

 

Jam këtu për t’ju thënë se duke i dëgjuar e kuptuar këto probleme, të cilat i kemi qarë së bashku për vite me radhë, po kështu shoh se, bashkë me diellin që ka dalë, po kështu,  ka dalë e ka lindur një shpresë e re për ndryshim, një vendosmëri për të mos iu larguar problemit, duke e konsideruar vendin tuaj problem, por për ta zgjidhur të gjithë së bashku problemin.

 

Unë e di se nuk ka gjë më të rëndë se të largohesh nga vendi yt. 18 vjeç jam larguar në kërkim të mundësive dhe e di se nuk ka gjë më të çmuar se vendi yt. Ndaj dua t’ju them, nisur edhe nga përvoja ime personale, se ajo që duhet të bëjmë është një detyrë e shenjtë, jo vetëm për veten tuaj, por, në radhë të parë, për fëmijët tuaj, për të rinjtë e Mirditës dhe për brezat që vijnë.

 

Arsyeja e vetme e ekzistencës së shtetit është t’u japë dorën qytetarëve, t’u shtrijë dorën njerëzve, duke filluar nga më të pamundurit, nga ata që kanë nevojë për ndihmë.

 

Arsyeja kryesore e ekzistencës së shtetit është që t’i mbështesë njerëzit në nevojë ekonomike, arsyeja kryesore e ekzistencës së qeverisë është që të mendojë sesi të hapë vende pune.

 

Arsyeja kryesore e ekzistencës së ligjeve dhe institucioneve është të garantojë sigurinë tuaj, shëndetësinë, arsimin dhe punësimin.

 

Arsyeja kryesore e ekzistencës së shtetit, pra, është kontrata me njerëzit për t’u shërbyer njerëzve, jo për të vjedhur fondet publike me skema korruptive, por për t’i kthyer ato në investime që hapin vende pune. Jo për të zhdukur fondet e shëndetësisë me koncesione, por për të bërë të mundur, që spitalet e klinikat, tona të ofrojnë po të njëjtin shërbim, me të njëjtën cilësi, siç ofrohet në vendet e tjera të rajonit. Jo për të varrosur arsimin dhe për të arsimuar rininë në universitete, që kanë cilësinë më të ulët për çmimet më të larta, por për të bërë të kundërtën, që rinia shqiptare, ajo që do të marrë në dorë fatet e këtij vendi, të ketë arsimin e duhur, profesionin e duhur dhe shanset për punësim, kur të mbarojë shkollën.

 

E vetmja alternativë për ta arritur këtë është alternative evropiane që Partia Demokratike ka hartuar dhe ka bërë publike, është alternativa e zhvillimit, ku objektivi numër 1 është hapja e vendeve të punës me paga dhe kushte dinjitoze për rininë shqiptare dhe për të gjithë popullin shqiptar. Kjo është plotësisht e mundur, kur së bashku të ndërtojmë një qeveri që u shërben njerëzve, kjo është plotësisht e mundur kur miliardat e eurove, të taksave të rritura, të çmimit të rritur të energjisë, të çmimit të rritur të naftës, që sot zhduken dhe bëhen rrush e kumbulla, me pasuri marramendëse për Edi Ramën dhe klikën e tij të korruptuar, t’ua kthejmë qytetarëve shqiptarë, t’ua kthejmë zotërve të vërtetë, që jeni ju.

 

Ne duam, pra, të kemi një qeveri që u shtrin dorën dhe ju ndihmon, ne duam të kemi një bashki, që ju shtrin dorën, ju ndihmon dhe nuk ju braktis.

 

Dhe për këto, edhe Evropa ka dy mënyra: zgjedhjet e lira, sistemin e drejtësisë.

 

Tash dy javë, Zëri i Amerikës ka publikuar fakte tronditëse të drejtësisë shqiptare. Ato tregojnë se në krye të vendit nuk është një qeveri e zgjedhur nga vota, por një kryeministër dhe një bandë e përcaktuar nga paratë e drogës dhe të krimit. Normalisht ata e lidhën fatin e tyre me kriminelët dhe kush e lidh fatin me kriminelët, i braktis qytetarët, i vjedh, i gënjen, i mashtron. Ju e keni provuar këtë në kurrizin tuaj gjatë këtyre viteve e, në veçanti, këtë vit e gjysëm që Shqipërisë i është mohuar e drejta për të zgjedhur qeverinë me votën e qytetarëve.

 

Në çdo vend normal, po të ndodhnin skandale të tilla, do të kishte një veprim të hekurt të drejtësisë. Gjushi dhe shokët e tij do të ishin prapa hekurave. Por Edi Rama i mbron. Në vend që të dënojë këtë akt, të distancohet dhe të arrestohen politikanët që kanë bërë masakrën elektorale, me bandat e krimit, Edi Rama i mbron, për arsyen e vetme që ju e kuptoni të gjithë, se pas kësaj skeme, është vetë Edi Rama. Siç është pas skemës së çdo koncesioni, çdo PPP-je dhe çdo tenderi. Edhe qeveria më e korruptuar e botës do ta kishte futur në burg ministrin e një tenderi si ai tek Unaza, ku me 20 milionë euro/km, bëhej gati grabitja e parave të popullit më të varfër të Evropës për të mbushur xhepat e politikanit më të korruptuar të Evropës, që ka zaptuar karrigen e kryeministrit.

Kjo është arsyeja përse nuk ndodh, sepse pas kësaj vjedhjeje qëndron i pari, shefi i qeverisë.

 

Zonja dhe zotërinj, procesi politik ka mbaruar. Zgjedhjet janë asgjësuar nga një grup kriminelësh të cilët nuk ballafaqohen me drejtësinë. Por një gjë Edi Rama nuk e ka kuptuar dhe ju duhet t’ia kujtoni me 16 shkurt, se zot i fateve të vendit, se pronar i institucioneve të vendit nuk mund të jetë kurrë një parti politike, aq më fort një parti politike e bërë njësh me krimin. Zot i fateve të vendit dhe sovran i institucioneve është populli, janë qytetarët.

 

Ndaj, me 16 shkurt ju ftoj që e gjithë Mirdita, të gjithë së bashku, qytetare e qytetarë, në veçanti të rinj e të reja, shumë prej jush i dhatë tonin, dinjitetin dhe zërin Lëvizjes Studentore – faleminderit dhe mirënjohjen time dhe të të gjithë shqiptarëve, të gjithë së bashku, me datë 16 t’i japim fund këtij grushti shteti.

 

Ky është grusht shteti, jo nga ushtarakët, por nga kriminelët. Kanë marrë shtetin peng, kanë marrë institucionet peng. Ky sistem i kalbur ka marrë peng bukën e fëmijëve tuaj, ka marrë peng paratë me të cilat do të hapen vende pune për ju dhe për rininë shqiptare, ka marrë peng të drejtat tuaja, të drejtat e pronarëve, dëmshpërblimin e të përndjekurve, ka marrë peng sistemin shëndetësor e sistemin arsimor, ka marrë peng bukën e gojës për të papunët e ata që kanë nevojë për ndihmë ekonomike, ka marrë peng Shqipërinë.

 

Ndaj tani, zgjidhjet politike po shterrojnë dhe, çdo ditë që afron Edi Rama nuk reflekton për përgjegjësitë që ka ndaj qytetarëve shqiptarë.

Mua, në emër të Partisë Demokratike nuk më mbetet rrugë tjetër veçse t’ju bëj thirrje që të shprehni vullnetin e lirë të popullit të Mirditës, krahpërkrah qytetarëve të tjerë të Shqipërisë, në Bulevardin e Dëshmorëve të Kombit, me datën 16 shkurt.

 

T’i jepni fund grushtit të shtetit, ta shembim këtë sistem të kalbur, që është, në fakt, një grup grabitqarësh, dhe të ndërtojmë së bashku një shtet dhe qeveri që u shërben qytetarëve.

 

Një qeveri e Partisë Demokratike do t’ju ulë taksat, do të eliminojë taksën Rama mbi karburantet, duke diktuar që çmimi i karburanteve në Shqipëri të ulet që prej ditës tonë të parë të qeverisjes me 300 lekë. Do të bëjë të mundur përmes platformës tonë të taksave të ulura një klimë miqësore për biznesin, sepse objektivi ynë numër një është punësimi i qytetarëve.

 

Por një gjë ju garantoj, pa u futur në detaje për programin tonë, të cilin do të kemi rastin ta diskutojmë, kur të kemi vendosur dhe diktuar zgjedhje të parakohshme dhe një qeveri tranzitore, që do të garantojë votën tuaj. Dua t’ju garantoj sot se ju e meritoni dhe do të keni një qeveri dhe kryeministër,  që do t’ju shtrijë dorën dhe do të punojë për ju dhe do të zgjidhë hallet dhe problemet tuaja.

 

Dhe rruga për këtë fillon duke ia hequr Shqipërinë nga kthetrat një grushti njerëzish dhe për t’ia kthyer atë shqiptarëve, pronarëve dhe sovranëve të vërtetë të këtyre trojeve.

 

Vëllezër e motra, zgjidhja e vetme tani është në duart tuaja.

 

Ju i dini qëndrimet tona, ju i njihni zgjidhjet tona, ju e keni dëgjuar shurdhërinë e qeverisë, përbuzjen dhe mospërfilljen e tyre.

 

Ju e njihni Dosjen 339, e cila është maja e ajsbergut dhe tregon se as Edi Rama e as qeveria nuk janë legjitime.

 

Tani është në dorën tuaj. Është në dorën tuaj dhe me 16 shkurt zëri i vetëm dhe verdikti i vetëm që do të dëgjohet nuk do të jenë fjalimet e politikanëve, zëri i vetëm që do të buçasë, vendimi i vetëm që do të merret dhe do të zbatohet do të jetë vendimi i popullit të bashkuar.

 

Ndaj ju ftoj që t’i japim legjitimitetin e plotë këtij verdikti popullor, të jeni të gjithë të bashkuar, kështu siç u bashkuat sot, në këtë shesh, edhe me shumë, me miqtë, me vëllezërit dhe motrat, me bashkëshortët e bashkëshortet dhe me mbarë rininë e pamposhtur të Mirditës.

 

Të gjithë bashkë për të marrë fatin tuaj në duart tuaja, për të diktuar qeverinë dhe institucionet që ju shërbejnë ju, dhe për një gjë tjetër të madhe, një mision tjetër të madh kombëtar, i cili rëndon me përgjegjësinë e tij mbi shpatullat e çdo shqiptari, rëndon akoma më shumë mbi këtë themel të identitetit evropian të Shqipërisë, që quhet Mirditë, që kurrë nuk u nda shpirtërisht nga Evropa, që nuk e ndau dot as fuqia më e madhe ushtarake e botës. Nga vlerat evropiane të demokracisë dhe të lirisë nuk ju ndau fuqia më e madhe ushtarake e botës, nuk ju ndau dot as diktatura, me gjak i mbrojtët këto vlera këtu në Mirditë, në djepin e vlerave evropiane, e vlerave të krishtërimit evropian.

 

(thirrje E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa)

 

Dhe patjetër do ta bëjmë si e gjithë Evropa.

 

Ky është testament prej ditës së parë të krijimit të saj në Partinë Demokratike, me çdo mirditore dhe çdo mirditor, ne do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa.

 

Zoti i bekoftë Mirditën dhe mirditorët!

 

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

 

Mirupafshim, më 16 shkurt, në Tiranë.