·         Ky parlament që po mblidhet në ilegalitet, është tërësisht ilegjitim. Ata mund të marrin vendime në emër të krimit dhe bandave, por nuk mund të vendosin jnë emër të shqiptarëve.

 

·         PD fton qytetarët të jenë para parlamentit sot në orën 16.30 për të protestuar kundër një qeverie ilegjitime. Ne do të zhvillojmë protestën kudo dhe kurdo që të mblidhen.

 

·         Deputetet e PD kanë dorëzuar mandatet dhe nuk kanë asnjë imunitet ndaj drejtësisë. PS ka frikë nga SPAK dhe, me ndryshimet e reja ligjore, nuk lejon arrestimin e deputetëve dhe ministrave të saj.

 

PRONONCIMI I NËNKRYETARIT TË PD, EDI PALOKA PËR GAZETARËT

 

 

Pyetje: Z.Paloka është thirrur sot seancë plenare në orën 17:00. Cili është qëndrimi juaj?

 

Edi Paloka: Siç e kam deklaruar që në mëngjes, për hapjen në mënyrë ilegale të njoftimit për deputetët e maxhorancës që seanca që ishte njoftuar që të enjten do të mblidhet në fakt sot në orën 17:00, është mbledhja e një parlamenti ilegjitim që mblidhet në ilegalitet. Ky parlament nuk përfaqëson më jo vetëm shqiptarët jo e jo, por nuk përfaqëson më as ata të cilët dikur mund ta kenë votuar Partinë Socialiste. Sot ky parlament është tërësisht ilegjitim. Pasi e rrethuan me tela me gjemba, pasi siç u bëtë edhe ju dëshmitarë, i salduan edhe hyrjet për në Parlament, sot kanë kaluar në ilegalitet të plotë për të shpëtuar kokën, politikisht flas, të Edi Ramës, kanë filluar të mbledhin parlamentin, jo vetëm sikur e kanë privat, por në ilegalitet. Ndërkohë që ai tjetri bën antimitingun e radhës në Lushnje, se vetë ikën fare, as nuk rri në parlament, dërgon Taon me Spiropalin në parlament. Sot të jenë të bindur se me këtë taktikë e me këtë strategji, nuk do të arrijnë e nuk do të shkojnë kurrkund. Ne u kemi bërë thirrje të gjithë demokratëve dhe, jo vetëm demokratëve, por të gjithë qytetarëve të Tiranës, të gjithë atyre që kërkojnë prej kaq kohësh largimin e Ramës, që sot të jenë para parlamentit dhe ne do të zhvillojmë protestën, ashtu siç e kemi deklaruar, sa herë të mblidhen, kudo që të mblidhen. Sado që të kalojnë në ilegalitet dhe të fshihet Rama, ne do të na ketë pas.

 

Pyetje: Zoti Paloka, zoti Balla është shprehur se ju keni frikë nga reforma në drejtësi dhe nga SPAK?

 

Edi Paloka: Këto janë banalitete të Taos tashmë. Ne që dorëzojmë imunitetin, kemi frikë nga drejtësia, këta që futin ndryshime ligjore për të rritur mbrojtjen dhe imunitetin, që të mos ia dorëzojnë më deputetët prokurorisë, megjithëse i kanë kapur të gjitha, edhe prokurorinë, edhe drejtësinë, të gjitha, këta qenkan ata që s’kanë frikë?! Ne që kemi 6 vite në opozitë, ne duhet të kemi frikë nga drejtësia. E kuptoni edhe vetë se deri ku kanë arritur? Nuk kanë më jo argumente, por edhe banaliteti u ka shkuar aty ku nuk mban më.

 

Pyetje: Mazhoranca pritet t’i kërkojë sot Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mos kandidohen kryebashkiakët që kanë 3 mandate…

 

Edi Paloka: Kjo s’ka asnjë vlerë për ne. Ne kërkojmë që t’ju krijojmë shqiptarëve kushte për zgjedhje të lira e të ndershme. Kaq! Gjithë të tjerat, ku show i neveritshëm që vazhdon dhe përpiqen ta bëjnë, duke mbledhur një parlament ilegjitim, në ilegalitet, s’ka më asnjë vlerë. Çfarë vendimesh mund të marrë? Nuk mund të marrin më asnjë vendim në emër të shqiptarëve. Mund të marrin në emër të bandave e të krimit, por në emër të shqiptarëve jo. Kështuqë lodhen kot, edhe që fshihen, edhe që bëjnë të gjitha këto akte që bëjnë. Nuk ka më parlament që të përfaqësojë shqiptarët.

 

Pyetje: Ambasadori i BE, zoti Luigi Soreca ka deklaruar sot se palët po tentojnë të ulen dhe njëherësh ka rinovuar thirrjen për protesta paqësore. Keni një koment?

 

Edi Paloka: Protestat janë të qytetarëve. Zoti Basha e ka kthyer një përgjigje dhe ajo përgjigje duhet ndjekur: Mos u kërkoni shqiptarëve asgjë të cilat nuk do t’i pranoni për qytetarët tuaj. Kaq është përgjigjja jonë për këdo.    ​