• Përqasja e stabilitetit mbi demokracinë ka dështuar. Si rezultat i tolerimit të Edi Ramës me kriminalizimin e politikes, kanabizimin dhe blerjen e zgjedhjeve me krimin e organizuar, është shkatërruar stabiliteti i vendit.

 

  • Edi Rama ka premtuar stabilitet dhe, në emër të stabilitetit, ka shkatërruar demokracinë dhe shtetin e të drejtës në Shqipëri. Me idetë millosheviçiane për krijmin e shteteve etnike, po rrezikon stabilitetin në rajon.

 

  • Gara për të zbuluar të vërtetën është në pozita fituese. Pjesëmarrja qytetare dhe mbështetja që kanë dhënë për zgjidhjen politike të opozitës, janë fakt i pambulueshëm nga propaganda helmuese e Edi Ramës.

 

  • Opozita e Bashkuar u prezantuar eurodeputetëve gjendjen kritike të demokracisë shqiptare, ku bashkëpunimi me krimit të organizuar ka çuar në një parlament ilegjitim.

 

  • Opozitës nuk iu la asnjë mundësi, ose të bëhet fasadë e një qeverie të bërë njësh me krimin e organizuar dhe oligarkinë, ose të tregojë rënien e sistemit dhe rrugën politike për të dalë nga kjo krizë.

 

  • Largimi i Edi Ramës, një qeveri e përkohshme, tranzitore dhe zgjedhje të lira e të ndershme janë zgjidhja e vetme politike që do t’u kthejë legjitimitetin politik institucioneve.

 

  • Nuk ka asnjë komunikim midis meje dhe Edi Ramës. Nuk do të ketë një 2017 tjetër me Edi Ramën. Edi Rama e mori 2017-ën, një përpjekje për të shmangur konfliktin civil dhe e ktheu në Dosjen 339.

 

PRONONCIMI I KRYETARIT TË PARTISË DEMORATIKE, LULZIM BASHA PAS TAKIMIT ME DELEGACIONIN E PARLAMENTIT EUROPIAN.

 

Së pari, dua të falenderoj eurodeputetët për mundësinë që i dhanë Opozitës së Bashkuar për të prezantuar gjendjen kritike të demokracisë shqiptare, falë bashkëpunimit të hapur e të provuar të krimit të organizuar për të tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve, çka ka çuar në një parlament ilegjitim dhe një qeveri, e cila nuk punon për njerëzit, por punon për krimin dhe për hajdutët me të cilët ka ardhur në pushtet.

 

Natyrisht, një nga problemet më të mëdha që vendi ka është mungesa e informacionit apo dezinformimi, për të cilin Edi Rama, me paratë e drogës dhe të korrupsionit, ka ndërtuar një makineri propagande, të shtrenjtë dhe të shtrirë kudo në botë, të ngjashme edhe me atë që ka bërë këtu në Shqipëri.

 

Prandaj, në këtë kuptim ishte e rëndësishme që të flisnim hapur dhe shkoqur me miqtë tanë, t’u shpjegonim atyre gjendjen ku ndodhet vendi dhe sesi opozitës, si përfaqësuese e interesit publik, nuk i është lënë asnjë mundësi tjetër – ose të bëhet fasadë e një qeverie të bërë njësh me krimin e organizuar dhe oligarkinë, që vjedh dhe dhunon shqiptarët, ose t’u tregojë shqiptarëve dhe botës mbarë se ky sistem ka rënë dhe të tregojë rrugën politike për të dalë nga kjo krizë.

 

Kjo rrugë politike është ajo përmes kthimit të legjitimitetit politik përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme të parakohshme, të organizuara nga një qeveri e palidhur me krimin që, po kështu do t’i zgjidhë duart drejtësisë për të vepruar në të gjitha ato raste ku krimi i organizuar dhe politikanët e lartë socialistë janë kapur duke vjedhur votat në zgjedhjet e vitit 2017.

 

Kjo, natyrisht, nuk mund të ndodhë si një përpjekje fasadë, siç është përpjekja për të arrestuar Gjush Dakon sa për sy e faqe, por duhet të ndodhë, duke treguar para shqiptarëve një reflektim të thellë, i cili vjen me një akt të ndarjes së Partisë Socialiste nga krimi dhe tutela kriminale e përfaqësuar nga Edi Rama. Largimi i Edi Ramës, një qeveri e përkohshme, tranzitore dhe zgjedhje të lira e të ndershme janë zgjidhja politike që do t’u kthejë legjitimitetin politik institucioneve, në mënyrë që të zgjidhen nga njerëzit dhe të punojnë për njerëzit dhe me njerëzit.

 

Pyetje: Ndërkombëtarët kanë qenë të ashpër në deklaratat e mëparshme për vendimin që ka marrë opozita. A ka pasur një ndryshim në qendrimin e tyre, pas takimit që patët me ta dhe a kanë kërkuar ata dialog mes jush dhe kryeministrit Rama?

 

Lulzim Basha: Detyra jonë është të shpjegojmë me fakte të pakundërshtueshme realitetin që e njohin shqiptarët në kurriz, në tavolina dhe në xhepat e tyre. Shqetësimi kryesor i faktorit ndërkombëtar për një kohë të gjatë ka qenë stabiliteti dhe kjo është fare e kuptueshme. Por, në këtë fazë të rëndësishme ku ndodhet vendi ynë, ku synon të hapë negociatat për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian, detyra jonë është t’u shpjegojmë se përqasja e stabilitetit mbi demokracinë ka dështuar; se, si rezultat i tolerimit të Edi Ramës në futjen e kriminelëve në parlament në vitin 2013, mbjelljen e vendit me drogë në vitin 2015, kalimin nga kanabisi tek heroina dhe kokaina dhe tani tek pastrimi i parave dhe kthimit të krimit të organizuar në një faktor vendimtar elektoral, ka shkatërruar stabilitetin e vendit. Si? Ka shkatërruar ekonominë, ka shkaktuar varfëri, papunësi, emigracion, zemërim të qytetarëve.

 

Pra, Edi Rama, në mënyrë perfide, ka premtuar stabilitet dhe, në emër të stabilitetit, ka shkatërruar demokracinë dhe shtetin e të drejtës dhe pas kësaj u është lëshuar shqiptarëve. Pra, ky është një proces, i cili ndërvaret nga dy momente. E para, që miqtë tanë, që duan të mirën e Shqipërisë, hap pas hapi do ta kuptojnë se përqasja e stabilitetit mbi demokracinë ka çuar në një dështim total, se humbet në radhë të parë demokracia e pastaj edhe stabiliteti. Jo vetëm kaq, por, pastaj, autokratët e korruptuar dhe të inkriminuar si Edi Rama nuk mjaftohen me stabilitetin e vendit, që e kanë bërë copë e çikë, por fillojnë e japin mend edhe për stabilitetin e rajonit, duke përqafuar përqasje antieuropiane, antiNATO e antiamerikane, siç janë ato të futjes së rajonit në procese millosheviçiane të shteteve etnike e ndryshimit të kufijve.

 

Pra, ky është një proces, sepse vetë Evropa është në proces zgjedhor, është në kriza të ndryshme politike. Shqipëria është një vend i vogël, jo i parëndësishëm për stabilitetin, por megjithatë një vend i vogël dhe një makineri e fuqishme e propagandës që punon natë e ditë, duke vjellë fake-news me intensitet edhe më të lartë seç e bën me propagandën këtu në Shqipëri, për t’i helmuar. Megjithatë, kjo garë për të zbuluar të vërtetën tashmë është në pozita fituese. Pse? Qytetarët, pjesëmarrja qytetare dhe mbështetja që kanë dhënë për rrugëdaljen e prezantuar nga opozita, janë një fakt i pambulueshëm edhe nga propaganda e Edi Ramës.

 

Prandaj, ne me durim dhe shumë mirënjohje për ndihmën që faktori ndërkombëtar i ka dhënë ndër vite Shqipërisë për t’u tkhyer nga një diktaturë komuniste, më e ashpra dhe e izoluara e Europës, në një vend anëtar të NATO-s, që synon të hapë negociatat me BE, t’u shpjegojmë

 

  • Se ne po e bëjmë këtë betejë, sepse ne ndajmë të njëjtat vlera me ta.
  • Se ne e dimë që në Europë nuk shkohet me një qeveri që vjedh zgjedhjet me krimin e organizuar.
  • Se në Europë nuk shkohet kur një parlament i kapur nga krimi bën ligje për t’u dhuruar oligarkëve Teatrin Kombëtar apo prona publike për të pastruar paratë e drogës.
  • Se në Europë nuk shkohet, kur të drejtat themelore të njeriut, liria, shprehja, jeta, prona shkelen dhe ata nuk kanë mundësi as të shkojnë në gjykatat normale, as në Gjykatën Kushtetuese, sepse e fundit nuk ekziston dhe të tjerat janë të kapura nga Edi Rama.

 

Pra, është një proces, i cili po vazhdon dhe unë jam me shumë besim se këtë proces opozita, bashkë me qytetarët, do ta çojnë në fund. Kur them bashkë me qytetarët, kam parasysh, jo vetëm ata që na mbështesin ne dhe na votojnë ne, por edhe socialistët e ndershëm, që u ka ardhur në majë të hundës zgjedha e krimit të organizuar në institucionet shtetërore dhe brenda partisë së tyre.

 

Pyetje: A u mirëkuptua ky skenar nga eurodeputetët, sepse edhe dje ka patur një deklaratë të ashpër nga OSBE.

 

Unë, kurrë, nuk do të komentoj deklaratat e askujt, sepse kam një punë shumë më të rëndësishme në raport me qytetarët shqiptarë. Mjaft i kanë komentuar qytetarët dhe kolegët tuaj disa prej këtyre deklaratave. Unë nuk merrem me komentet e deklaratave të misioneve të huaja. Ky është një proces në të cilin, ne, me durim dhe me vendosmëri do t’u shpjegojmë:

 

  • Se përqasja stabilitet mbi demokraci ka dështuar.
  • Se sot në Shqipëri nuk ka as demokraci, as stabilitet.
  • Se kjo ka rrënjosur këtu një autokrat të korruptuar, të lidhur me niçet e krimit, që jo vetëm po hedh në erë stabilitetin e Shqipërisë, ekonominë e Shqipërisë, fatet e shqiptarëve, por, po kështu, po rrezikon edhe stabilitetin e rajonit.

 

Pyetje: Zoti Basha, ambasadori i BE, Luigi Soreca tha një ditë më parë se ka një përpjekje mes palëve për të komunikuar. A jeni ju në një përpjekje me maxhorancën në kanale komunikimi?

 

Basha: Nuk ka asnjë komunikim midis meje dhe Edi Ramës. Komunikimi i vetëm është ai i qytetarëve shqiptarë, vendimi i vetëm është ai që kanë diktuar qytetarët shqiptarë.

 

Pyetje: Zoti Basha a diskutuat me delegacionin në lidhje me qeverinë tranzitore? Si do të funksiojë ajo? Sa do të jetë afati që do të rrijë në detyrë? Paraqitët një datë për zgjedhjet e parakohshme që pretendoni dhe a u diskutua mbi shtyrjen e zgjedhjeve lokale, duke qenë se nuk dihet, nëse opozita do të hyjë në zgjedhje?

 

Basha: Pati interes për mënyrën sesi një nga hapat e rëndësishëm për të dalë nga kriza, ajo e qeverisë tranzitore do të funksionojë. U bëmë të qartë se për ne qeveria tranzitore ka dy detyra: të distancohet nga krimi i organizuar dhe të luftojë krimin e organizuar, pra t’i shpallë luftë, dhe së dyti, t’ia zgjidhë duart prokurorisë, që të gjithë politikanët e kapur duke blerë zgjedhjet e vitit 2017, në bashkëpunim me krimin e organizuar, të shkojnë para drejtësisë.

 

Pyetje: Zoti Basha, a është e gatshme opozita të pranojë një negocim ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës, njësoj siç ndodhi në 2017, kur erdhi zoti McAllister?

 

Basha: Nuk do të ketë një 2017 tjetër me Edi Ramën. Edi Rama e mori 2017, një përpjekje për të shmangur konfliktin civil dhe e ktheu në Dosjen 339,  që është maja e ajsbergut dhe provon si Edi Rama dhe hierarkët e tjerë, vartës të tij, shkatërruan procesin zgjedhor, bashkë me krimin e organizuar, që të kapnin tepsinë, e cila sot është në duart e Edi Ramës dhe të krimit të organizuar. Pra, e vetmja zgjidhje politike është një qeveri tranzitore pa Edi Ramën, e cila të demonstrojë mjaftueshëm vullnet për t’u distancuar nga krimi i organizuar, për t’i shpallur luftë krimit të organizuar dhe që t’i zgjidhë duart prokurorisë, që të gjithë këta që janë kapur, nga Vangjush Dako tek Damian Gjiknuri, tek Safet Gjici, tek Taulant Balla me shokë, janë kapur, janë përgjuar duke bashkëpunuar me krimin e organizuar për të vjedhur votat, të shkojnë para drejtësisë.