- Me mbajtjen e Donika Prelës në sistemin e drejtësisë, vetingu u konfirmua edhe një herë si një vegël në duart e Edi Ramës.
- Prela i duhet Ramës për ta mbrojtur atë nga drejtësia dhe për të mbyllur dosjet e Tahirit, Dakos, Gjiknurit për vjedhjen e votave.
DEKLARATË E DEPUTETIT ENKELEJD ALIBEAJ, NËNKRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE.
Kush ka patur edhe fijen më të vogël të besimit se organet e vetingut do të përjashtonin nga sistemi i drejtësisë prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar e të lidhur me krimin, sot është bindur se vetingu funksionon si një vegël politike në duart e Edi Ramës.
Vendimi për mbajtjen në sistemin e drejtësisë të Donika Prelës është konfirmimi se reforma në drejtësi ka dështuar dhe se për të mbrojtur Edi Ramën nga drejtësia e vërtetë përbuzet dhe poshtërohet edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
Vëzhguesit ndërkombëtarë gjetën se Donika Prela, brenda një kohe të shkurtër, ka shitur prona me çmim 4 herë më të lartë sesa I ka blerë, duke vënë në dukje se me të ardhurat e deklaruara nuk justifikohej as blerja lirë e disa apartamenteve.
Vëzhguesit Ndërkombëtarë gjetën se bashkëshorti i Donika Prelës ka fshehur të ardhurat, ka punuar në të zezë, duke mos paguar taksat për shumë vjet, duke mashtruar shtetin shqiptar, me dyshimin e fortë të pastrimit të parave nga korrupsioni.
Komisioni i vetingut, ndryshe nga rastet e tjera identike me të Donika Prelës, nuk i hetoi këto fakte, por mbajti në sistemin e drejtësisë një prokurore shërbëtore të Edi Ramës, me pasuri te pajustifikuara dhe qe i ka shërbyer krimit, nga Emiljano Shullazi tek banda e Avdylajve dhe deri tek shkatërrimi i dosjes se Saimir Tahirit.
Vendimi për Donika Prelën është marrë në konflikt të pastër interesi dhe në shkelje të plotë të ligjit, pasi nga verifikimi i kamerave të sigurisë të prokurorisë së krimeve të rënda, Komisioni i Vetingut do të kishte zbuluar se Donika Prela është takuar rregullisht me anëtaren e trupit të saj gjykues, Valbona Sanxhaktari në periudhën nëntor dhjetor.
Mbajtja e Donika Prelës është rasti tipik kur drejtësia është e kapur nga krimi dhe politika në shërbim të tij. Partia Demokratike ka denoncuar faktin se me firmën e Donika Prelës, si drejtuese e prokurorisë së Durrësit, është liruar nga burgu drejtuesi I bandës së Avdyljave, Astrit Avdyli, në makinë e të cilit u gjet një armë pa leje janarin e vitit që shkoi.
Shërbimi kriminal që Donika Prela ka kryer për bandën që blinte vota për llogari të Edi Ramës në qarkun e Durrësit gjendet në dosjen 339, si pjesë e përgjimeve të bandës së Avdylajve.
Mbajtja e Donika Prelës në sistemin e drejtësisë është konfirmim se reforma në drejtësi ka vdekur dhe se drejtësia e re është një vegël që i shërben pushtetit e jo të vërtetës.
Së bashku, ne duhet t’i japim fund kapjes së drejtësisë që mbron politikanët e korruptuar, me lidhje kriminale. Data 16 shkurt është një mundësi që ne të mos pranojmë më një drejtësi që i shërben atij që ka më shumë para dhe më shumë pushtet!