• Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO është meritë e madhe e të gjithë faktorit politik, në veçanti e faktorit politik shqiptar, për të cilin anëtarësimi në NATO spikati që në fillim si prioritet i prioriteteve.

 

  • Konfirmoj vizionin e palëkundur të PD se problemi shqiptar në Ballkan merr zgjidhje përfundimtare me Kosovën e pavarur në NATO dhe në BE, të pacopëtuar e të pacënuar në integritetin e saj territorial, me Maqedoninë në NATO dhe në BE.

 

  • Le të mos jemi as hipokritë, as të pasinqertë. Futja a Maqedonisë së Veriut në NATO erdhi pas një përballje të fortë me korrupsionin, krimin e organizuar, shtetin e mafias, përqëndrimin e pushteteve në një dorë, që ishin bërë pengesë totale për hapat e mëtejshëm të fqinjit tonë.

 

  • Skenari i Maqedonisë së Veriut deri para pak kohësh është shumë më i lehtë se ai ku gjendemi sot dhe ky është morti i dytë në të cilën merr pjesë Kryetari i Kuvendot, Talat Xhaferri, morti i rënies së shtetit ligjor dhe demokracisë në Shqipëri.

 

  • Parlamenti është i mbushur me njerëz që kanë ardhur këtu si shprehje e vullnetit të bandave, të krimit të organizuar, të një grushti oligarkësh që kanë kapur qeverinë dhe e kanë detyruar të braktisë dhe tradhtojë interesin publik dhe detyrimet ndaj BE.

 

  • Këto janë arsye pse ne nuk mund të festojmë me fqinjët tanë, ndonëse na bëhet qejfi, kur dëgjojmë miqtë tanë se jeni gati të merrni dritën jeshile për hapjen e negociatave, por me siguri edhe ju e dëgjoni se frika e tyre është se këtë qershor Shqipëria nuk mund dhe nuk do ta marrë hapjen e negociatave.

 

  • Qytetarët do të mblidhen në protestën më të madhe që ky vend ka njohur në 30 vite për të diktuar, përmes bashkimit, atë që nuk e kemi diktuar dot nga kjo sallë, ndarjen e politikës nga krimi, dhënien fund të vjedhjes me ligj të shqiptarëve.

 

  • Qeveria dhe kryehajduti janë kapur në vjedhje në flagrancë, duke vjedhur qytetarët më të varfër të Europës, me ekonominë, taksat dhe votat e tyre. Në Europë, kur qeveria dhe kryeministri kapen duke vjedhur, ndëshkohet qeveria, ikin hajdutët në burg, nuk vuan populli.

 

  • 1 në 3 mandate nuk përfaqëson votën e socialistëve, por votën e kriminelëve, e trafikantëve të drogës, që e kanë shndërruar Shqipërinë në Kolumbinë e Europës. Këto karrige janë vjedhur, janë blerë, por pushtetin e vërtetë e kanë ju, ndaj duhet ta merrni vetë fatin në dorë.

 

  • Kryehajduti, që është kapur duke vjedhur refuzon të japë të vetmen zgjidhje politike për të shmangur krizën, një qeveri tranzitore, me një kryeministër të pakapur nga krimi dhe zgjedhje të parakohshme për të çuar një parlament me të vërtetë të popullit.

 

  • Në Europë shkohet me ligjin e barabartë për të gjithë, me zgjedhje të lira e të ndershme, me punë, me vlera, jo me vjedhje, gënjeshtra dhe hilera. Shpëtimi ynë është të hapim derën e mbyllur të Europës.

 

  • Ju, shqiptarë që e doni familjen tuaj, vendin tuaj, mund dhe do të bëheni shtytësit më të mëdhenj të rrugëtimit. Ju nuk jeni pengesa, ju jeni shpëtimi i vendit nga kjo klikë hajdutësh të kapur në vjedhje. Të heqim qafe këtë sistem të kalbur, që përbëhet vetëm nga një grusht njerëzish. Ky sistem duhet përmbysur, nuk mund të ngremë asgjë të re dhe asgjë të mirë për njerëzit nga ky sistem.

 

  • Ditën e shtunë përballja është e qartë: matanë gardhit të policëve, është kryehajduti i kapur në vjedhje, përballë tyre është populli vjedhur. 16 shkurti është dita e madhe e bashkimit kundër vjedhjes. Derën e Europës, ne do ta hapim të gjithë bashkë me 16 shkurt.

 

 

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA NË PARLAMENT

 

I nderuar mik i shtrenjtë, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferri!

 

Sot kjo nuk është një seancë normale për disa arsye.

 

Akti i mbështetjes konsensuale nga të gjithë partitë politike të Kuvendit të Shqipërisë për ratifikimin e Marrëveshjes së Anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO duhet, edhe në kushtet e krizës totale që po kalon vendi ynë, të ishte një mesazh feste, por ky mesazh feste ndodh në kontekstin e një morti.

 

Aksidenti tragjik i natës së mbrëmshme ka mbushur me dhimbje shpirtrat e familjeve të viktimave dhe ka tronditur thellë popullin shqiptar, popullin e Maqedonisë së Veriut, natyrisht edhe ne këtu.

 

Ndaj, në këto momente, në këto orë të tmerrshme të dhimbjes, dua t’u drejtoj familjarëve të viktimave në emrin tim dhe në emrin e Partisë Demokratike ngushëllimet tona më të ndjera! Ngushëllimet tona edhe ju zoti Xhaferri, si përfaqësues më i lartë i shtetit fqinj, sot i pranishëm në këtë seancë!

 

Zoti ju lehtësoftë dhimbjet!

Ju lëntë me forcën e kujtimit të të dashurve tuaj!

 

Zonja dhe zotërinj!

 

Me të vërtetë momenti që po i afrohemi, ai i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO është një moment i veçantë. Personalisht, rikujtoj shock-un, tronditjen dhe dhimbjen, me të cilën përjetuan 10 vite më parë kolegët tanë nga Maqedonia, refuzimin e ftesës dhe të anëtarësimit në NATO për shkak të rrethanave botërisht të njohura.

 

Ndaj është meritë e madhe e të gjithë faktorit politik të fqinjit tonë e në veçanti e faktorit politik shqiptar, i cili kurrë nuk u lëkund nga kthjelltësia e prioriteteve, ku anëtarësimi në NATO spikati prej momentit të parë si prioritet i prioriteteve. Ky është qëndrimi i partive politike shqiptare në Maqedoni, ky është qëndrimi i shqiptarëve, ky është qëndrimi i kombit shqiptar kudo, kombi më proantlantik, kombi më pro amerikan, kombi më proeuropian i Ballkanit, dhe ndoshta i Europës dhe mbarë rruzullit.

Në ëndrrën tonë për liri kombëtare dhe bashkim kombëtar, ne e kemi formuar pikërisht përmes linjave, parimeve dhe vlerave të europianizmit dhe euroatlanticizmit.

 

Ndaj, më lejoni edhe një herë të konfirmoj këtu vizionin e palëkundur të Partisë Demokratike, prej ditës së parë të themelimit të saj, ku çështje kombëtare është dhe mbetet ylli polar, problemi shqiptar në Ballkan merr zgjidhje përfundimtare me Kosovën e pavarur, në NATO dhe në BE, të pacopëtuar e të pacënuar në integritetin e saj territorial, me Maqedoninë në NATO dhe në BE, në zbatim të plotë të detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshja e Ohrit dhe nga të gjitha standardet e tjera europiane dhe euroatlantike për popullin shtet formues shqiptar që jeton në Republikën e Maqedonisë.

 

Progres domethënës ka patur këto ditë, këto kohë, në veçanti sa i përket Gjuhës Shqipe dhe jam i bindur se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do t’i shërbejë konsolidimit të këtyre standardeve. Ndaj inkurajoj dhe mbështes përpjekjet e faktorit politik shqiptar, e gjithë faktorit politik në Maqedoni për të realizuar plotësisht detyrimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje paqeje dhe të orientuar nga e ardhmja.

 

Por zonja dhe zotërinj le të mos jemi as hipokritë, as të pasinqertë. Procesi i futjes së Maqedonisë së Veriut në NATO erdhi pas një përballje të fortë dhe finale midis jo thjesht dhe vetëm faktorëve që nuk duan Ballkanin në NATO dhe në Europë, por edhe faktorëve që, me korrupsionin dhe me lidhjen e tyre me krimin e organizuar, ishin bërë pengesë totale për hapat e mëtejshëm të fqinjit tonë lindor.

 

Të gjithë i mbajmë mend skenat e shëmtuara në parlamentin e fqinjit tonë, ato nuk ishin thjesht përplasje mes palëve politike. Por përplasje midis një qeverie dhe një shteti të kapur në çdo qelizë nga korrupsioni galopant, nga krimi i organizuar, nga rënia e shtetit ligjor dhe zëvendësimi me shtetin e mafias, nga përqendrimi i gjithë pushteteve në një dorë, në një taraf që kontrollin qeverinë, parlamentin, shërbimet sekrete, drejtësinë, ekonominë, mediat.

 

Po kush jemi ne, të zgjatemi më shumë me hallet dhe problemet e Maqedonisë, aq më shumë tani që duket se i kanë vënë në rrugë të mbarë?!

Skenari që sapo përshkrova është prapë se prapë shumë më i lehtë se ai ku gjendemi sot dhe ky është morti i dytë në të cilën jeni i pranishëm z.Xhaferri, morti i rënies së shtetit ligjor në Shqipëri, morti i rënies së demokracisë në Shqipëri.

 

Ju jeni sot i pranishëm në një sallë, që quhet Kuvendi i Shqipërisë, por që është i mbushur me njerëz që nuk kanë ardhur këtu si shprehje e vullnetit të qytetarëve të Shqipërisë, por si shprehje e vullnetit të bandave të krimit të organizuar, si shprehje e një grushti oligarkësh që kanë kapur qeverinë dhe e kanë detyruar atë të braktisë dhe tradhtojë interesin publik, të braktisë dhe tradhtojë detyrimet ndaj Bashkimit Europian.

 

Dhe kjo është arsyeja se përse në këtë ditë ne nuk mund të festojmë bashkë me ju. Ndonëse na bëhet qejfi, kur dëgjojmë miqtë tanë se jeni gati të merrni dritën jeshile për hapjen e negociatave, por me siguri edhe ju e dëgjoni se frika e tyre është se këtë qershor Shqipëria nuk mund dhe nuk do ta marrë hapjen e negociatave.

 

Ndaj më lejoni z.Xhaferri, duke ju falënderuar për praninë tuaj këtu, ta drejtoj pjesën time të fjalimit tashmë jo thjesht dhe vetëm drejt kësaj salle, por drejt bashkëqytetarëve të mi, të cilët, pasnesër, do të mblidhen në protestën më të madhe që ky vend ka njohur në 30 vite, për të diktuar përmes bashkimit të tyre atë që nuk e kemi diktuar dot nga kjo sallë, ndarjen e politikës nga krimi, dhënien fund të vjedhjes qeveritare, vjedhjes me ligj, vjedhjes me dekret të popullit shqiptar.

 

Sepse sot kemi një problem, kemi një problem të të gjithë problemeve, i cili duhej të ishte zgjidhur e do të ishte zgjidhur, në mos me rrugën europiane, të paktën me rrugën e fqinjit tonë lindor prej kohësh.

 

Këta që kemi prapa nesh janë kapur në vjedhje, në flagrancë. Janë kapur në vjedhje në flagrancë duke vjedhur qytetarët më të varfër të Europës, janë kapur në vjedhje në flagrancë, janë kapur duke vjedhur ekonominë, taksat, janë kapur duke vjedhur votat e shqiptarëve.

 

Kjo qeveri dhe ky kryeministër ka vjedhur studentët, ka vjedhur të pamundurit, ka vjedhur banorët e Unazës së Re, ka vjedhur teatrin, ka vjedhur Tiranën, ka vjedhur Durrësin, ka vjedhur Shkodrën, Vlorën, Dibrën dhe Sarandën. Kjo qeveri ka vjedhur edhe votat, siç tregoi Zëri i Amerikës, vetëm nga maja e përgjimeve të dosjes 339 dhe kjo qeveri hajdute u ka hequr bukën e gojës dhe vazhdon t’u heqë bukën e gojës përditë fëmijëve tuaj, të dashur bashkëqytetarë, për të mbushur xhepat e saj dhe xhepat e banditëve dhe hajdutëve për të cilët punon.

 

Kjo qeveri dhe ky kryehajdut janë sot lakuriq para syve tuaj dhe para syve të botës, sepse janë kapur duke vjedhur.

 

  • Janë kapur duke ju vjedhur ju qytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, kur nisën të prishin shtëpitë e njerëzve, të nxjerrin vogëlushët në rrugë për 18 milionë euro që do të merrte DH Albania, një kompani që nuk ekziston fare. Janë kapur duke vjedhur me OSHEE, që do t’i jepte 12 milionë euro po kësaj kompanie që nuk ekziston fare.
  • Në mes të Tiranës u kapën duke vjedhur për të shkatërruar Teatrin Kombëtar, u kapën duke vjedhur në aferën 200 milionë euro.
  • U kapën duke zhvendosur lumin e Lanës për të prishur 700 shtëpi të tjera, në mënyrë që krimineli, trafikanti i drogës, miku i tyre të ndërtonte dhe të mos i prekej asnjë cm2, një kompleks me vlerë 60 milionë euro.
  • Dhe pastaj e keni parë vetë tek përgjimet e Zëri i Amerikës sesi i vodhi dhe i bleu votat me Gjushër, me Avdylër. E keni parë sesi vetëm një hetim, sesi vetëm disa minuta përgjim tregojnë manipulimin e votave në 4 qarqe të Shqipërisë.

 

Prandaj zonja dhe zotërinj këta hajdutë me këta lekë të vjedhur kanë blerë edhe këto karrige ku ulën përditë. 1 në 3 mandate nuk përfaqëson votën e socialistëve, përfaqëson votën e kriminelëve, e trafikantëve të drogës, e narkokarteleve që e kanë shndërruar këtë në një narkoqeveri dhe Shqipërinë në një narkoshtet, të cilin mediat ndërkombëtarë dhe diplomatët e quajnë Kolumbia e Europës.

 

Ju ftoj të na tregoni se edhe kush është Pablo Eksobari i Europës. Shqiptarët e dinë, por duhet ta thoni edhe ju, keni kohë që e vononi.

 

Këto karrige nuk janë në shitje, këto karrige nuk u përkasin këtyre, u përkasin ju të dashur qytetarë shqiptarë. Këto karrige janë vjedhur, janë blerë por pushtetin e vërtetë e keni ju, ndaj duhet ta merrni vetë fatin në dorë.

 

Në Europë aty ku duam të shkojmë kur qeveria dhe kryeministri kapen duke vjedhur, ndëshkohet qeveria, ikin hajdutët në burg, nuk vuan populli.

 

290 mijë qytetarë shqiptarë hanë vetëm një vakt në ditë. Gjysma e shqiptarëve nuk harxhojnë dot më shumë se 5 mijë lekë të vjetra në ditë, në nivel familje dhe jo nivel individi. Ndërsa këta dhe ky, (tregon nga qeveria dhe Rama) vjedhin miliona. 4.5 milionë euro në 8 orë ka vjedhur kompania të cilin gazetarët sllovenë e lidhin me familjarët e tij vetëm me aferën e KESH, 4.5 milionë euro në 8 orë. Miliarda euro taksa, miliarda euro nga çmimi i rritur i energjisë dhe naftës të zhdukura nga xhepat tuaja, që nuk u kthyen kurrë as në rritje pensionesh, as në rritje rrogash, as në investime për ju, as në hapje vende pune. mjerimi ka mbërthyer vendin nga jugu në veri, nga lindja në perëndim.

 

Por fjalë pistë, fyes, indiferent dhe poshtërues ndaj popullit, kryehajdutit që është kapur duke vjedhur refuzon të japë të vetmen zgjidhje politike që mund të ketë sot vendi.

 

Zgjidhja politike e vetme për të shmangur krizën totale është ajo e një qeverie tranzitore, me një kryeministër të pakapur nga krimi dhe zgjedhjeve të parakohshme për të çuar një parlament me të vërtetë të popullit. Ne kemi bërë përpjekjet për të zgjidhur punët nga brenda.

 

Zonja dhe zotërinj i kemi bërë të gjitha përpjekjet për t’i zgjidhur problemet në mënyrë institucionale dhe ligjore.

 

Ne kemi bërë këto me shpresën dhe besimin që kriza nuk do të thellohet dhe të vinte në një pikë pa kthim. I kemi bërë sepse besojmë se ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë. Sepse nuk mundet që një kryefamiljar të përfundojë në burg dhe të vrasë veten për një faturë të energjisë dhe asnjë qeveritarë të mos mbajë përgjegjësi kur kapet duke vjedhur miliona euro, siç u kapën tek Unaza.

Se nuk mundet që një grua shtatzënë të shoqërohet, sepse mbron pragun e derës nga fadromat shkatërrimtare të korrupsionit dhe gjushërit me shokë të vazhdojnë të bredhin të lirë, edhe kur kapen duke vjedhur votat. Ne besojmë se ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë.

 

Ne besojmë se detyra kryesore e shtetit, arsyeja përse ekziston është:

 

  • Të kujdeset për qytetarët duke u nisur nga ata që s’kanë asgjë,
  • Duke u dhënë dorën njerëzve, jo duke i vjedhur ata,
  • Duke i harxhuar paratë publike për investime që u vlejnë, në radhë të parë njerëzve, jo për të pasuruar një grusht oligarkësh.
  • Duke iu përmirësuar jetën njerëzve
  • Duke ia lehtësuar barrën e jetës
  • Duke i ndihmuar që bizneset të rriten dhe të punësojnë, jo duke bërë projekte luksi.
  • Duke futur në punë shqiptarët që të rrisin mirëqenien e tyre, jo duke vjedhur lekët me korrupsion, bashkë me një grusht oligarkësh, jo duke paguar për projektet personale të shefit.

 

Kështu shkohet në Europë: Me ligjin e barabartë për të gjithë, me zgjedhje të lira e të ndershme, me punë, me vlera, jo me vjedhje, gënjeshtra dhe hilera.

 

Ndaj Europa, këtyre ua ka mbyllur derën.

 

Por ajo derë duhet hapur, sepse ajo derë është shpëtimi ynë. Europë do të thotë liri, Europë do të thotë vlera. Udhëtimi ynë drejt Europës është i dhimbshëm. Duhet të jetë më i shpejtë dhe më i sigurt, por vetëm ky udhëtim, vetëm ky proces do të na çojë drejt shpëtimit, drejt çlirimit tonë nga e keqja që i ka zënë frymën shoqërisë, drejt mirëqenies.

 

Ndaj, zonja dhe zotërinj!

 

Vëllezër dhe motra!

 

Siç jeni mbledhur këtë muaj, duhet të vazhdojmë të mblidhemi rreth njëri-tjetrit.

T’i japim dorën njëri-tjetrit.

Të gjejmë brenda vetes, atë që na bashkon: e sotmja me halle që ne jetojmë të gjithë dhe e ardhmja që të gjithë duhet të ndërtojmë së bashku.

 

Ndaj, duhet të bëhemi të gjithë gati që kjo ditë, mos të vonohet më. Ndaj, duhet që gjithsecili të japë ndihmën e tij, sepse ky është qëllimi ynë madhor si shoqëri.

Ju, shqiptarë që e doni familjen tuaj, që e doni vendin tuaj, mund dhe do të bëheni shtytësit më të mëdhenj të këtij rrugëtimi.

Ju nuk jeni pengesa, ju jeni shpëtimi i vendit nga kjo klikë hajdutësh të kapur në vjedhje.

Ne i kemi të gjitha mundësitë, por në fillim duhet të heqim qafe këtë sistem të kalbur, që në fakt i përket dhe përbëhet vetëm nga një grusht njerëzish.

 

Shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk kanë fituar asgjë prej këtij sistemi. Shumica dërrmuese e shqiptarëve vidhen ditë për ditë nga ky sistem.

Shumica dërrmuese e shqiptarëve varfërohen çdo ditë nga kjo klikë hajdutësh. Shumica dërrmuese e shqiptarëve poshtërohen ditë për ditë nga ky sistem dhe i pari i tij.

 

Ndaj, ky sistem duhet përmbysur. Përmbysur!

 

Ne i provuam të gjitha: ta pastrojmë nga koka, me ligje, me amendamente, me iniciativa, ta pastrojmë nga brenda. Dhe sot, të gjithë e kanë kuptuar se pa e përmbysur këtë sistem, nuk mund të ngremë asgjë të re dhe asgjë të mirë për njerëzit.

 

Ndaj, ditën e shtunë përballja është e qartë: mMatanë gardhit të policëve, është kryehajduti i kapur në vjedhje, përballë tyre është populli vjedhur.

 

Këtu ka përfunduar vendi, këtu e ka çuar kryehajduti. Një shtet i kapur që vetëm vjedh dhe mbron hajdutët kundër njerëzve, kundër shumicës së tradhtuar, kundër popullit të varfëruar në palcë.

 

Por, 16 shkurti është dita e madhe e bashkimit popullor, bashkimit kundër vjedhjes, kundër qeverisë hajdute dhe bashkimit për Shqipërinë si çdo vend europian.

 

Derën e Europës, ne do ta hapim të gjithë bashkë të shtunën me 16 shkurt.

 

Ejani ta çlironi veten tuaj nga kjo humnerë.