FJALA E PLOTË E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA GJATË PREZANTIMIT TË SHTYLLAVE KRYESORE TË PROGRAMIT EKONOMIK TË PD.
Të nderuar të ftuar,
Përfaqësues të Shoqatave të Biznesit të Vogël dhe të Mesëm,
Përfaqësues të Dhomave të Tregtisë, Konfederatave të Industrisë Shqiptare,
Të nderuar drejtues të Shoqatave të Investitorëve të Huaj në Shqipëri,
Përfaqësues të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, të bujqësisë dhe të grupeve të interesit,
Kam kënaqësinë e madhe që në praninë tuaj t’i uroj mirëseardhjen një prej personaliteteve më të shquara të Partisë Kristian Demokrate, të Unionit Kristian Demokrat në Gjermani dr. Martin Henzes për herë të dytë në Shqipëri, në kapacitetin e tij si një nga drejtuesit dhe frymëzuesit e programeve ekonomike dhe të infrastrukturës gjermane dhe si një mik i çmuar, i cili në bashkëpunim me partinë tonë simotër KristianDemokratët Gjermanë dhe me Fondacionin Kondrad Adenauer, drejtuesit të tij Valter Gloss, po kështu, dua t’i uroj nga zemra mirëseardhjen në këtë aktivitet, kanë dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme në përpilimin e programit dhe alternativës ekonomike të Partisë Demokratike për Shqipërinë.
Po kështu dua t’i uroj mirëseardhjen edhe drejtuesve dhe anëtareve të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave dhe Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese të Partisë Demokratike të opozitës, sikundër të përshëndes pjesëmarrjen edhe të të ftuarve të tjerë, ekspertë ekonomikë, njerëz me kontribute të çmuara në reformat e thella ekonomike, që vendi ka patur në këto 3 dekada dhe kontribuues në këndvështrim kritik, por edhe me propozime të frytshme për alternativën ekonomike të Partisë Demokratike.
Zonja dhe zotërinj!
Koha që kemi zgjedhur sot mund të duket pak e çuditshme.
Vetëm dje patë edhe një herë se si parlamenti u konsumua nga batareja vulgare e një njeriu, i cili ndonëse formalisht është në krye të ekzekutivit, nuk ka çfarë ofron më përveç sharjeve, vulgaritetit, banalitetit dhe ofendimit. Nuk ka çfarë ofron më shumë në Parlament. Natyrisht, biznesi e di që për biznesin po ofron më shumë se kaq, po ofron zgjedhë, po ofron harbutëri, arbitraritet, taksa të rritura dhe një klimë të rënduar, më të keqen sot në Ballkan, ndër më të këqijat në Europë dhe në botë.
Arsyet e vulgaritetit të djeshëm janë një dhe vetëm një; tashmë jo vetëm opozita, jo vetëm media e vendit, por edhe media ndërkombëtare, media prestigjioze, për të cilat Shqipëria ka qenë burim reference edhe në kohët më të errëta të këtij vendi, si Zëri i Amerikës, po tregojnë me gisht rrënjën e së keqes: faktin që kemi një qeveri, e cila nuk ka buruar nga vota, por ka buruar nga bashkëpunimi me bandat kriminale, me krimin e organizuar me të cilin ka marrë pushtetin.
Këtë tha as më pak e as më shumë Zëri i Amerikës. Dhe ishte pikërisht ky konkluzion të cilin Edi Rama u mundua ta fshijë nga diskursi politik dhe nga vëmendja mediatike me një sjellje vulgare dhe rrugaçërore, do të thoja që, padyshim, i shërben qëllimeve të tij afatshkurta, por nuk i shërben analizës dhe vendimeve që na takojnë që ne të marrim si shoqëri, si popull, si njerëz të lirë, natyrisht, edhe në sektorin e biznesit.
Jemi në këtë situatë; kemi një qeverisje, e cila i është dorëzuar krimit të organizuar dhe oligarkisë. Kemi një qeveri dhe një kryeministër që nuk gëzojnë legjitimitetin as formalisht. Pra, as formalisht nuk mund të ulen në karriket, ku ulen për të marrë vendime në emër të shqiptarëve. Ndërsa vendimet që marrin janë vendime të cilat favorizojnë vetëm një grusht njerëzish, realisht vetëm një grusht njerëzish.
Pasojat për këtë i ndjejmë përditë.
Vendi është zhytur në një krizë të trefishtë: ekonomike, politike dhe psikologjike.Të dhënat e fundit janë jashtëzakonisht shqetësuese.
Gjendja e ekonomisë, punësimit, sipërmarrjes dhe mirëqenies së shqiptarëve, pas 6 vitesh bashkëqeverisje me krimin nga Edi Rama, është në kolaps.
Padyshim viktima më e madhe dhe dëmi më i madh është vrasja e shpresës. Shqiptarët kanë humbur shpresën, qindra mijëra kanë braktisur vendin dhe të tjerë bëhen gati ta braktisin më mundësinë më të parë që u jepet.
Rinia është e papunë, është e pashpresë. Rinia është dijedashëse, por me sistem arsimor në rrënim, me çmimet më të larta në Europë dhe cilësinë më të ulët të arsimimit. Rinia është në protestë, ndërsa qindra mijëra të rinj shpresën e gjejnë vetëm në emigracion.
Sipërmarrja e vogël, e mesme apo e madhe ka humbur mundësitë për zhvillim, për shkak të pushtimit të tregut nga një grusht oligarkësh të lidhur me Edi Ramën. Vendin e sipërmarrjes së ndershme dhe punës së ndershme në treg e kanë zënë banditët me paratë e tyre të drogës dhe krimit, të cilët janë faktor i vetëm i ndryshimit të kursit të këmbimit midis euros dhe lekut dhe pasojave shkatërrimtare që ka për sektorë të tërë të ekonomisë.
Sipërmarrja vuan çdo ditë dhunën fiskale, gjobëvënëse dhe korruptive të bandave inspektuese banditesko-politike të Edi Ramës, që në fakt fjalën inspektuese nuk e meritojnë sepse janë banda grabitëse dhe gjobëvënëse.
Investimet e huaja janë në pikiatë pas mbarimit të disa projekteve të mëdha, të trashëguara nga qeverisja demokrate. Dhe ne e dimë se me përfundimin e gazsjellësit TAP dhe investimit në Kaskadën e Devollit dhjetëra mijëra shqiptarë do të humbin vendin e punës.
Të huajt që tentuan të investojnë në Shqipëri u goditën nga sistemi oligarko-banditesk i Rilindjes, deri edhe fizikisht. Ata janë larguar dhe po vazhdojnë të largohen. Investitorë të rinj, seriozë, strategjikë nuk ka dhe as nuk po duken.
Fermerët vuajnë nga konkurrenca e pandershme e sistemit oligarkik të importeve, grumbullimit, shitjes dhe nuk marrin asnjë ndihmë shtetërore. Janë fermerët e vetëm në Europë që nuk kanë marrë asnjë ndihmë shtetërore. Sepse ato pak para që ndahen për subvencionet në bujqësi kanë shkuar në xhepat e oligarkëve dhe janë ndarë me zyrtarët dhe politikanët e korruptuar.
Pasojat e një gjendje të tillë ekonomike bien mbi çdo shtresë shoqërore. Të varfrit, mosha e tretë, por edhe shtresa e mesme, të gjithë sot, pas 6 vitesh janë në gjendje të përkeqësuar. Blejnë më shtrenjtë, nuk kanë rritje për pagat dhe pensionet, janë përjashtuar nga ndihma ekonomike, nuk kanë shpresë për punësim, për kurim apo përkujdesje.
Kjo është shkurt, në mënyrë konçize gjendja e vendit, gjendja e ekonomisë.
Pasiguria ka mbushur shoqërinë, zemrat, shpirtrat, shtëpitë dhe bizneset e shqiptarëve. Realiteti i njerëzve është mbijetesa.
Këto probleme Partia Demokratike i ka denoncuar dhe vazhdon ta bëjë me këmbëngulje e vendosmëri. Por sot jemi mbledhur këtu sepse pikërisht në një moment të tillë dëshpërimi dhe kolapsi më shumë se thjesht dhe vetëm denoncimi i problemit ka rëndësi vizioni, shpresa dhe besimi për ta kapërcyer.
Ndaj jemi sot me miqtë tanë europianë, me miqtë tanë gjermanë për të dhënë së pari një mesazh shprese për çdo shqiptar e në veçanti në takimin tonë sot një mesazh shprese për sipërmarrjen shqiptare, gjeneratorin e punësimit dhe mirëqenies në Shqipëri.
Ky mesazh shprese nuk mund të mbetet thjesht një inkurajim emocional, por ka marrë trajtën e një programi të qartë, të përbërë nga masat emergjente të çlirimit të ekonomisë nga zaptuesit e saj dhe të masave të plota për ndezjen e motorëve të ekonomisë për një rritje ekonomike të lartë, të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse e të shanseve të barabarta, për një rritje ekonomike që prodhon mirëqenie për shtresat e gjera të shoqërisë dhe ndihmon për daljen nga varfëria të shtresave të lëna në harresë e të braktisura.
Dua të parashtroj shkurtimisht para se të nisim bashkëbisedimin tonë shtyllat kryesore të këtij plani ekonomik.
Së pari, sistemi ekonomik duhet dhe do të çlirohet nga zaptimi i trefishtë i tregut; nga zaptimi nga krimi, nga zaptimi nga oligarkia dhe zaptimi nga burokracia.
Partia Demokratike arriti të imponojë axhendën e dekriminalizimit të institucioneve shtetërore, ndonëse Rilindja bëri çdo përpjekje për ta shmangur dhe ndalur atë. Qindra kriminelë janë larguar nga zyrat e shtetit.
Ne kemi shpallur fazën e dytë të dekriminalizimit, vetingun e politikanëve të lidhur me fije të dukshme e të padukshme me krimin, produkt i cili është edhe beteja që po zhvillohet tani. Ajo që u shfaq nga Zëri i Amerikës nuk është gjë tjetër, veçse konfirmimi nga një media ndërkombëtare i fakteve zyrtare, ligjore të prokurorisë shqiptare për një denoncim të kahershëm të opozitës.
Denoncimi është ky: prej zgjedhjeve të vitit 2013, i vitit 2015 dhe në veçanti të vitit 2017, duke përfshirë edhe zgjedhjet e pjesshme të Dibrës në shtator 2016 asgjë nuk është produkt i votës së shqiptarëve. gjithçka është produkt i bashkëpunimit i krimit të organizuar me një parti politike që ka vënë interesat e disa individëve mbi interesat e gjithë shoqërisë.
Ndaj vetingu i politikanëve është dhe mbetet një prioritet absolut të cilin ne do ta bëjmë realitet.
E detyruar të largojë kriminelët nga zyrat e shtetit, me ligjin e dekriminalizimit Rilindja bashkëpunon me ta në prapavijën politike dhe ekonomike. Dosja 339/1 është vetëm maja e ajsbergut, tregon kryebashkiakët kryesorë si ai i Durrësit dhe deputetë e ministra, padyshim, sipas informacioneve tona vetë kryeministrin, në transaksione të drejtpërdrejta me bandat e krimit të organizuar, transaksione që nisin me një natyrë politike; “na blini vota”, “na siguroni vota”, “do të keni favore” dhe, pastaj, kthehen në transaksione ekonomike duke shtyrë gjithë sipërmarrjen e ndershme jashtë tregut, duke shkatërruar tregun.
“Shqipëria Kolumbi e Europës” janë titujt e përjavshëm të mediave ndërkombëtare, është damka që na ka vënë Edi Rama, nëpërmjet të cilës, për fat të keq, na njohin sot kancelaritë perëndimore, mediat ndërkombëtare dhe investitorët për të cilët kemi kaq shumë nevojë për të siguruar punësimin me paga dinjitoze për shqiptarët.
Është provuar ajo që kemi thënë prej fillimit se krimi dhe paraja e krimit në ekonomi nuk sjell zhvillim, por sjellin rrënim. Ndaj ne kemi denoncuar që sot në opozitë dhe do të marrim të gjitha masat për ta spastruar nesër në qeveri, nga politika dhe ekonomia.
Asnjë masë e Bankës së Shqipërisë dhe asnjë politikë ndërhyrëse e qeverisë së ardhme shqiptare nuk do të jetë aq e efektshme për të ristabilizuar kursin real midis euros dhe lekut që po rrënon sektorë të veçantë të ekonomisë, po rrënon fasonët që janë sot përgjegjës për dhjetëra mijëra familjarë si të vetmit që sjellin të ardhura, të vetmit që sjellin të ardhura për familjet e tyre të varfëruara që sjellin bukën në tavolinën e familjeve të tyre. kjo kërkon luftë pa kompromis.
Paketa jonë ligjore e propozuar është e plotë. Ajo do të zbatohet e plotë dhe do të jetë e plotë vetëm nëse zbatohet e plotë dhe integrale.
Oligarkia meriton të njëjtën luftë si krimi. Oligarkia do të ketë të njejtën luftë si krimi, me të njëjtat instrumenta siç luftohet krimi i organizuar, me të njëjtat instrumenta siç do të konfiskohet pasuria e krimit të organizuar, me të njëjtat instrumente do të konfiskohet edhe pasuria e oligarkisë. Sepse ajo vjedh dhe grabit të sotmen dhe të ardhmen njësoj si krimi.
Një grusht oligarkësh dhe rrjetit i tyre fitojnë të gjithë tenderët shtetërorë, kontratat PPP, lejet e licencat, me çmime favorizuese për ta, me fonde limite që shpeshherë i caktojnë vetë dhe i fitojnë vetë në ato fonde limite. Grabitje e financave publike, rritje e borxhit për çdo shqiptar.
Oligarkia, në bashkëpunim me regjimin e Edi Ramës, po rrënon biznesin e vogël e dhe të mesëm, po dekurajon edhe biznesin e madh, që nuk është pjesë e tepsisë së pushtetit.
Ne kemi shpallur një platformë të qartë e të plotë për çmontimin, për shkatërrimin e sistemit oligarkik të Edi Ramës dhe shpurës së tij.
Këtë vit, sipas projeksioneve të institucioneve të besueshme ekonomike kombëtare dhe ndërkombëtare, ky grusht oligarkësh bëhet gati të hedhë 1.5 miliardë euro në projekte fantazëm, projekte të cilat pastaj duhet të financohen nga buxheti i shtetit, nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Dua t’i bëj edhe një herë thirrje atyre drejtpërdrejtë dhe sistemit bankar të ndalin menjëherë këtë marrëzi.
Dua t’i paralajmëroj se asnjë prej kontratave të lidhura me qeverinë korruptive të Edi Ramës nuk do të zbatohen. Dua t’i paralajmëroj në veçanti në sektorin bankar mos t’i futet kësaj aventure. Sepse do të ketë pasoja jashtëzakonsiht të rënda.
Në qoftë se ne gjendemi para një zgjidhje të financojmë këto kontrata abuzive dhe të lëmë pensionistët pa pensione, vogëlushët pa ngrohje, shëndetësinë në kolaps, të jeni të sigurt që zgjidhja jonë është e qartë dhe e vendosur; do të falimentojmë shpurën e oligarkëve dhe jo Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ndaj iu bëj thirrje institucioneve financiare të mos bëhen pjesë e kësaj piramide nëse nuk duan që kjo piramidë t’i marrë me vete.
Çdo kontratë koncensionare, PPP-je e lidhur me këto oligarkë, gjithsecila prej tyre do të shfuqizohen. Ky nuk ëstë kërcënim, ky nuk është premtim, ky është vendim dhe ne do ta bëjmë realitet.
Asnjë kontratë, asnjë leje, asnjë licencë e fituar në mënyrë abuzive nuk do të mbetet në fuqi. Çdo pasuri e vënë abuzivisht do të hetohet me barrën e provës së ligjshmërisë mbi oligarkët dhe zyrtarët që kanë dhënë këto kontrata dhe e gjetur në kushtet e keqbërjes ndaj popullit të vendit dhe interesit publik, do të konfiskohet.
Çdo pjesë e rrjetës së lidhjeve të oligarkisë me politikën dhe burokracinë shtetërore do të shkatërrohet e do të çohet para një drejtësie të re, të reformuar që nuk mbron por ndëshkon politikanët dhe zyrtarët e korruptuar dhe këdo që përfiton nga interesi publik për shkak të lidhjeve të tyre korruptive.
Ne, po kështu do të adoptojmë kritere favorizuese për bizneset e vogla e të mesme, që të përfshihen në furnizime në sektorin publik bazuar në garë të ndershme e transparente në mënyrë që të gjithë do të kenë një shanc të barabartë në rrethana të ngjashme. Me fjalë të tjera, praktika ku të gjithë shpenzimet e vendit janë në dorë të pesë oligarkëve dhe nënkontraktorëve që ata caktojnë në kushte skllavëruese do të marrë fund.
Burokracia represive e sistemit oligark e kriminal të Edi Ramës, sa për interesat personalë korruptive të çdo politikani e zyrtari, ka ushtruar e vazhdon ushtron terror administrativ e fiskal mbi sipërmarrjen e vogël, të mesme e të madhe, që nuk është në tepsinë e pushtetit. Me fjalë të tjera nuk mjaftohen që marrin tenderat, favoret dhe licencat, por, duke përdorur lidhjen e tyre të shkurtër me politikanët, bashkë me pushtetarët, me Edi Ramën dhe me ministrat, po shtyjnë jashtë tregut çdo ndërmarrje tjetër të ndershme. Po shtyjnë jashtë tregut ndëmarrjet shqiptare dhe po pamundësojnë futjen në treg të investitorëve të huaj. Sepse prania e invetitorëve të huaj seriozë e bën shumë më të vështirë, në shuëm rastë të pamundur zbatimin e skemave të tilla korruptive.
Të nderuar të pranishëm derregullimi do të prekë çdo pjesë të administratës shtetërore nën drejtimin e Partisë Demokratike.
Çdo leje, licencë apo autorizim, i cili nuk justifikon veten, do të shfuqizohet brenda 100 ditëve të para të qeverisjes tonë.
Do të zbatojmë parimin “silence is consent” (miratim në heshtje), ku barra e provës do t’i kalojë administratës dhe jo biznesit. Do të lehtësojmë çdo barriere administrative të hyrjes dhe daljes nga tregu, si indikator i fortë për përmirësimin e klimës së biznesit.
U munduam bashkë me bërthamën ekonomike të Partisë Demokratike dhe ekspertët e shquar që na kanë ndihmuar të bënim një bilanc të numrit të lejeve, të autorizimit që kjo qeveri ka shtuar në këto 5 vite e gjysëm, ishte e pamundur. Por dimë t’ju themi që ka kaluar shifrën e 400 të tillave. Dhe se çmimet, tarifat imponohen për secilin prej tyre akteve të panevojshme, pengesave që janë bërë për një qëllim, për të justifikuar monopolizimin e vendimmarrjes, rriten jo nga viti në vit, por çdo tre mujor.
Inspektoratet e çdo lloji, që janë kthyer në banda grabitqarësh dhe që po lemerisin këdo që ka një aktivitet tregtar, mbushur me injorantë partiakë, hajdutë ordinerë, që vendosin gjoba dhe vetëm gjoba për të mbushur xhepat e tyre dhe të shefave të tyre do të riorganizohen me anë të një reforme prioritare, e cila po kështu do të përfundojë brenda 100 ditëve të para të administratës së ardhshme, qeverisjes së Partisë Demokratike.
Inspektoriatet e reja do të ringrihen mbi bazën e ligjshmërisë, meritës profesionale, etikës dhe transparencës. Inspektoriatet do të veprojnë vetëm, kur kjo është e domosdoshme për të mbrojtur interesin publik apo të palëve të treta. Inspektoriatet do të veprojnë vetëm mbi metodën e vlerësimit të riskut. Asnjë biznes nuk do të shpenzojë më shumë se 5 ditë pune në vit për të pritur inspektorët, nga mbi 100 ditë që është mesatarja sot.
Gjatë qeverisjes tonë, në vetëm një mandat, synimi është që Shqipëria të renditet në 30 me nivelin më të ulët të burokracisë në botë.
Qëllimi ynë final është ta kthejmë Shqipërinë në një klimë të biznesit, në një pol tërheqës së investimeve të huaja direkte. Thithja e investimeve të huaja direkte në funksion të rritjes së punësimit është objektivi më i rëndësishëm prioritar i kësaj platforme.
E gjithë energjia e bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, me ekspertët dhe politikanët e kristiandemokratëve të Angela Merkelit, me ekspertët dhe kuadrot që po ndihmojnë Partinë Demokratike nga aleatët e tjerë të Partisë Popullore Europiane dhe Institutin Republikan Amerikan konsiston në përpilimin dhe shpalljen e një plani special kombëtar për investimet e huaja në funksion të rritjes së punësimit dhe punësimit me paga dinjitoze për shqiptarët. Për këtë, do të ngrihet edhe një institucion i veçantë i cili do të ketë përbërje nga ekzekutivi dhe sektori privat. Jo më thjesht dhe vetëm me funksione këshillimore por me aftësi vendimarrëse për të gjitha reformat ligjore dhe institucionale.
Çfarë synon reforma jonë fiskale? Cilat janë arsyet e masave që ne do të ndërmarrim?
Rritja e punësimit dhe kujdesi për sipërmarrjen.
- Së pari, një sistem tatimor të thjeshtë, që të japë fryte si për tatimpaguesin, ashtu edhe për administratën.
- Së dyti, vendosjen në piedestal qytetarin, tatimpaguesin dhe kthimin e inspektoriatit tatimor në shërbëtor të qytetarit.
- Së treti,duam të lëmë sa më shumë para në xhepin e njerëzve, duke besuar fort së këto para kanë më shumë vlerë, nëse administrohen nga vetë njerëzit dhe sipërmarrësit, sesa nga burokratët e administratave.
- Së katërti, shkurtimin e duarve të gjata të inspektorëve dhe kontrollorëve. Po kështu reforma fiskale e konceptuar nga ekspertët më të mirë, nga skuadra më e mirë e fiskalistëve më të mirë në Shqipëri dhe në Ballkan synon të ulë kostot e vetëdeklarimit nga ana e tatimpaguesit.
Konkretisht, për Biznesin e Vogël, brenda 100 ditëve të para, do të realizohet:
- Rritja e kufirit të regjistrimit për TVSH nga 2 milionë lekë xhiro vjetore në 14 milionë lekë ose 140 mijë dollarë në vit. Qëllimi është krijimi i një kufiri të vetëm prej 14 milionë lekësh si për TVSH, ashtu edhe për Tatimin mbi të Ardhurat.
- Kalimi i tatimit mbi biznesin e vogël në tatim lokal, me kuota fikse sa 0,5% xhiros vjetore.
- Pagimi i kuotave fikse nga Biznesi i Vogël do të shoqerohet me marrjen e një pulle fiskale, ngjitja në vitrinë e së cilës, do t’i thotë stop kontrolleve e inspektimeve korruptive e abuzive.
- Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme. Uljen e kontributit të sigurimeve shoqërore nga rreth 24% në 18% për të vetëpunësuarit, ndërsa për të punësuarit 9%.
Biznesi i madh, Manifaktura dhe Investitorët e huaj
- Taksa “Rama” për karburantet, prej rreth 30 lekë/litër, 300 të vjetra do të shfuqizohet menjëherë. Kjo nisëm do të japë efektet tek biznesi i madh, tek biznesi i vogël dhe tek ekonomia në tërësi.
- Tatim i sheshtë në nivelin 9% për: tatimin mbi fitimin, tatimin mbi të ardhurat nga paga mbi 30 mijë lekë, sepse nën 30 mijë lekë do të mbetet zero, tatimin mbi të ardhurat e tjera personale dhe kontributin e punëdhënësve dhe punëmarresve për sigurimet shoqërore.
- Në tatimin mbi fitimin do të ruhet mekanizmi i parapagimit të kësteve tremujore, por, në ndryshim nga skema e sotme, ato do të përllogariten nga vetë biznesi. Kjo është përqasja jonë e re. Si do ta menaxhojmë riskun? Nëse biznesi gabon në parashikim më shumë se 20% në tatimi përfundimtar do të mbajë përgjegjësi financiare e cila do të jetë e barabartë me interesin për pjesën e dhenë më pak. Proporcional, e drejtë dhe që garanton kushte të barabarta për biznesin.
- Rimbursimi i TVSH-së, plagë e hapur, e vjetër, tani e majisur nga kjo qeverisje, por natyrisht plagë edhe gjatë qeverisjes tonë të mëparshme. Do të marrë një zgjidhje urgjente dhe thelbi i zgjidhjes do të jetë alokimi i një fondi të veçantë, të barabartë me nevojat vjetore për rimbursim. Ky fond do të menaxhohet nga një trupë e përbashkët administratë – biznes, e cila do të trajtojë automatikisht çdo kërkesë për rimbursim.
- Prezantimin e shkallëve të reja, shumë më të larta dhe më atraktive të amortizimit, duke e kthyer Shqipërinë në vendin me shkallët me interesante në Evropë, përsa i përket zëvendësimit dhe marrjes mbrapsht në kohë rekord të shumave të investuara për asetet kapitale. Një masë e cila do të prekë drejtpërdrejtë manifakturën dhe biznesin prodhues shqiptar dhe që do të nxisë interesin e investitorëve të huaj.
- Ulje për taksën abuzive, skllavëruese të ndikimt në infrastrukturë. Vetë emërtimi e thotë se çfarë duhet të jetë: taksa e ndikimit në infrastrukturë. Është kthyer në një taksë zhvatjeje. Ajo do të zëvendësohet me një tarifë të barabartë me koston që përballon shteti për të lidhur parcelën e ndërtimit me rrjetin elektrik të ujërave të bardha dhe të zeza dhe aspekte të tjera infrastrukturore të shndërrimit të parcelës, qoftë kjo urbane apo jashtë vijave të verdha.
- Metodologjia e caktimit të çmimit të energjisë për biznesin por edhe për popullatën do të reformohet rrënjësisht. Çmimi i energjisë për biznesin prodhues do të jetë 30%-40% më i lirë se sot. Ne do të mbështesim iniciativën private për të investuar dhe ndërtuar burime të reja të energjisë së rinovueshme dhe për të mbështetur ato biznese që tashmë operojnë në sektorin e nergjise. Mos harroni: falë strategjisë sonë për të mbështetur këtë sektor, mbi 30% e energjisë që prodhon dhe konsumon sot Shqipëria, vjen nga investitorët privatë që morën të gjithë riskun e investimit përsipër për të ndërtuar centralet e energjisë, të cilët pas 25 vitesh do të jenë pronë e shqiptarëve, jo e privatëve. Të gjitha aferat me fitimin e tenderave të medhenj nga oligarkët dhe shitjen e këtyre tenderave pasi I fitojnë, me çmime skllaveruese për të vegjlit, do të marrin fund dhe do të jenë subjekt hetimi.
Thelbi i cdo ligji dhe përqasjeje për mbrojtjen dhe thithjen e investimeve të huaja, është garantimi që ata do të trajtohen minimalisht si investitorët vendas. Realitetin e dimë të gjithe. Zero investime të huaja në 5 vite e gjysëm. Asnjë investitor serioz nuk ka ardhur vitet e fundit. Shume prej tyre janë larguar. Edhe ata pakë të cilët kanë rezistuar, janë përballur me represion, me dëbim, rryshfete, madje edhe me dhunë fizike duke I rrahur deri për vdekje.
Përvec bindjes time që masat e sipërpërmendura, kam edhe një mesazh për investitorët e huaj. Plani special për investimet e huaja do të bëjë të mundur që Shqipëria, në kuadrin e masave fiskale, në kuadrin e bashkëfinancimit të trajnimit profesional, në kuadrin e çmimit të komoditeteve bazë të aktivitetit ekonomik, do të ofrojë paketën më tërheqëse në Europën Juglindore.
Dua t’i drejtoj së fundmi vëmendjen edhe 2 sektorëve. Njëri drejtpërdrejt I lidhur me temën e sotme të ekonomisë, bujqësia dhe tjetri arsimi profesional.
E kemi thenë dhe e përsëris. I qëndrojmë platformës sonë se e vetmja rrugë për të garantuar prodhimin vendas është subvencioni i drejtpërdrejtë për fermerët.
- Qeveria jonë do të shpenzojë çdo vit 150 milionë usd për subvencione dhe investime në bujqësi, që do të thotë, 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. 100 milionë usd do t’u jepen fermerëve si subvencionim direkt, jo nëpërmjet duarve të dyta apo të treta. 50 milionë usd do të investohen në infrastrukturën e prapambetur të ujitjes, kullimit dhe aksesit në treg.
- Do të mbrojmë prodhimet vendase nga prodhimet e importuara, të subencionuara nga vendi I origjinës që rrënojnë fermerin shqiptar. Që do të thotë, djersa dhe mundi I fermerit shqiptar, do të arrijë në tregun shqiptar me të njëjtën vlerë, siç arrin mundi dhe vlera e fermerëve të Maqedonisë së Veriut apo të Vendeve të tjera të rajonit apo europiane. Që do të thotë se konkurenca do të jetë në kushte të barabarta. Asnjë kokërr qepë, mollë apo domate nuk do të konkurojë mundin e fermerit shqiptar. Këtë do ta arrijmë me mjete tarifore dhe jotarifore, me politika sektoriale dhe buxhetore. Duke zbatuar praktikat më të mira të konkurencës, do të mundësojmë jo vetëm të ndalim këtë konkurencë të pandershme, edhe për shkak të mangësive të shtetit shqiptar, të braktisjes totale të kesaj qeveria ndaj fermerit shqiptar. Do të mundësojmë reversimin e situatës, që do të thotë rritje e aksesit në treg të prodhimeve shqiptare dhe rritjen e aftësisë konkurruese të eksporteve bujqësore dhe blegtorale shqiptare në tregjet e huaja.
Si rezultat I emigracionit masiv të 5 viteve të fundit ka filluar një rënie e ndjeshme e forcës së punës së kualifikuar, e cila për momentin nuk ka të ndalur. Mungesa e investimeve në arsim, ka sjellë rënien e cilësisë së arsimit dhe forcës së punës së kualifikuar. Tre janë masat e emergjencës që do të marrim.
- Së pari, dyfishimin e buxhetit për arsimin e lartë. Tarifa zero për student që vijnë nga familje me të ardhura deri 64 mijë lekë. Paketë të veçantë mbështetje për student nga familje në nevojë dhe investime serioze rrënjësore që do të ndryshojnë tërësisht infrastrukturën akademike dhe konviktore.
- Së dyti, për 10.000 mijë student do të ofrohen çdo vit stazhe 1 vjeçare punësimi me pagë 300 mijë lekë në muaj. Ky projekt-zhvillimi prej 30 milionë eurosh në vit I financuar nga buxheti I shtetit, do të realizohet në bashkëpunim me biznesin.
- Së treti, fokus të veçantë për arsimin profesional për të cilin kemi diskutuar e do vazhdojmë të diskutojmë me miqtë tanë gjermanë, që kanë shembullin më të suksesshëm sot në Europë dhe në botë. Do të zbatojmë këtë model gjerman të trajtimit dual, ku 50& e formimit të të rinjve do zhvillohet në klasa dhe 50% do të zhvillohet në treg, pranë biznesit. Natyrisht për këtë ne do të nxisim dhe monitorojmë ato lëndë që kërkon tregu, duke filluar me sektorët prioritarë, teknologjinë e informacionit, agropërpunimin, turizmin, inxhinierinë, e kështu me radhë. Natyrisht, edhe biznesi që është komponenti tjetër, duhet që në këtë kuadër të funksionojë si një partner dhe jo si kontrabandist i subvencionimit të punës nga fondet buxhetore. Jam i bindur që do të prevalojë e para. Sistemi gjerman i trajnimit profesional, i zbatuar në kushtet tona, do të rrisë cilësinë e krahut të punës. Do të bëjë të mundur thithjen e investimeve të huaja.
Ne do t’ju ofrojmë profesionistëve të talentuar dhe të aftë për tregun e punës kushte për punësim me paga dinjitoze, këtu në vendin tonë.
Në mënyrë konçize, këto janë piketat kryesore në të cilat jemi gati të lëvizim menjëherë me vendosmëri, me shpejtësi. Disa prej këtyre masave do të kenë efekte të menjëhershme dhe jo vetëm do të largojnë pengesat e shtuara që kanë rënduar klimën e biznesit dhe klimën ekonomike-sociale në tërësi në vend, por, mbi të gjitha, do të ndalim këtë epidemi të vrasjes së shpresës. Vendi i ka mundësitë, kapacitetet. Shqiptarët i kanë mundësitë.
Me këtë plan ndalim arsyet kryesore të vrasjes së shpresës së shqiptarëve.
Të rikthejmë besimin te ekonomia.
Të rikthejmë besimin tek njëri tjetri.
Të çlirojmë energji pozitive për ekonominë shqiptare.
Ju faleminderit!