Kryetari i PD, Lulzim Basha takoi sot në Korçë, me qindra qytetarë, të cilët i ftoi t’i bashkohen protestës së 16 marsit në Tiranë, duke i dhënë një shans ndryshimit dhe Shqipërisë si gjithë Europa.
Qytetarët i treguan nga afër gjendjen e keqe të biznesit të tyre të vogël. “Me biznesin jemi shumë keq. Njerëzia po largohen, gjoba po na vënë për çdo gjë.”- ishin fjalët e çdo tregtari që takoi kreu i opozitës në Korçë.
Basha tha se situata kur shteti është kthyer në një skemë vjedhjeje dhe Shqipëria punon që të pasurohet vetëm një njeri në krye të qeverisë, është e papranueshme. “Çdo vit bëhet më keq. Taksat janë rritur, çmimi i energjisë është rritur, çmimi i naftës është rritur. Njerëzit kanë më pak lekë për të blerë”- u tha Basha qytetareve që takoi në Korçë, duke i njohur me zgjidhjen më të mirë për vendin, platformën e PD.
“Hapat që kemi planifikuar për biznesin e vogël, do të japin efekt të menjëhershëm.
- Ulja e çmimit të naftës me 300 lekë për litër.
- Ulja e çmimit të energjisë me 20 %
- Përjashtim nga TVSH të biznesit me xhiro vjetore nën 140 mln lekë
- Një taksë e vetme prej 0.5 % të xhiros vjetore.
- Ndalimi në biznes i inspektorit tatimor me vendosjen e pullës fiskale.” – u shpreh Kryetari Basha, i cili kërkoi mbështetjen e korçarëve për të larguar atë që pengon ngritjen e ekonomisë për çdo familje.
“Pa larguar pengesën, pa larguar një qeveri që është kapur duke ju vjedhur ju dhe votat tuaja, asgjë nuk bëjmë dot, prandaj më 16 Mars, qytetaria e Korçës të vijë në Tiranë e t’i bashkohet protestës.”- tha Basha.
Një nga tregtarët që kreu i opozitës takoi në Korçë e njohu Bashën me mashtrimin më të ri të qeverisë, për heqjen e tvsh për imputet bujqësore.
“Jo vetëm po na mbysin me gjoba, por na ka gënjyer për tvsh e imputeve bujqësore, 55 mijë lekë e merrja plehun para daljes së ligjit, 55 mijë lekë e marr prapë. Asgjë nuk ka ndryshuar”- tha një tregtar.
Një rast tjetër rast flagrant ishte ai i një pronari të një kafeje të vogël, i gjobitur rëndë pa shkak, me një shkresë, ku mungonin të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Tatimeve.
“Kjo që i ka ndodhur Donaldit, i ndodh shumicës së bizneseve në vend. Po të mos jesh trafikant droge, hajdut, i dënuar, këta të trajtojnë me gjobë si bandë, pa numër protokolli, pa datë. Këto janë vendimet e bandës godasin njerëzit.”- tha Kryetari Basha.
“Për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie – tha Basha – ju ftoj të jeni të gjithë në Tiranë më 16 Mars. Këta nuk përfaqësojnë njerëzit, por vetëm kriminelët dhe oligarkët. Shqipëria si gjithë Europa na thërret në shesh dhe unë ju ftoj të gjithëve në një takim me historinë. Duke hequr këtë hajdut, që i thotë vetes kryeministër, do t’i hapim rrugë një Shqipërie me taksa të ulëta, do t’i hapim rrugës mirëqenies, do t’i hapim rrugë Shqipërisë si gjithë Europa. Dhe këtë betejë ne do ta vazhdojmë deri në fitore.”
FJALA E PLOTË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE NË TAKIMIN ME QYTETARËT E KORÇËS.
Mirë se ju gjej vëllezër e motra, qytetare e qytetarë, të rinj e të reja dhe faleminderit për këtë pritje të jashtëzakonshme në këtë ditë të bukur këtu në Korçë.
E bukur është dita dhe e bukur është shpresa që po lind në zemrat e çdo shqiptari, për një ndryshim të vërtetë për vendin tonë. Por, t’ju them të drejtën, ecja në këtë qytet sot ka qenë e mbushur me halle dhe problem të mëdha që dalin jo vetëm nga goja, por edhe nga shpirti i njerëzve që kam takuar. Përfaqësues të biznesit të vogël, njerëz që meritojnë ndihmën ekonomike, por që ua kanë hequr pa asnjë shpjegim, të punësuar që kanë frikë, sepse nuk kanë siguri a do ta kenë apo jo nesër vendin e punës, fermerë të revoltuar që derdhën mollët në mes të rrugës, të rinj të pasigurtë se çfarë do t’i gjejë, pasi të mbarojnë studimet, maturantë të pasigurtë, nëse prindërit do të kenë mjaftueshëm para për t’i çuar në Universitet.
Kurrë nuk e kam parë këtë gjendje kaq të vështirë, por kurrë s’e kam parë Korçën më të revoltuar, më të zemëruar, më të vendosur.
Qytetarët e Korçës kanë marrë një vendim, njësoj si qytetarët e gjithë Shqipërisë: Të jenë ata, të jeni ju zotër në shtëpinë tuaj, jo më krimi i organizuar, jo më bandat dhe hajdutët që kanë gjashtë vite që jetojnë me djersën tuaj, me të ardhurat tuaja, që i marrin përmes gjobave dhe taksave dhe jetojnë duke shkelur mbi dinjitetin tuaj.
Të gjithë e dinë se për çdo 10 lek që qeveria ka hedhur në Korçë, 5 lek i kanë vjedhur oligarkët, banditët, Edi Rama, Niko Peleshi, Filo dhe bandat e Rragamëve me shokë. Ky është sistemi që kanë ngritur!
Me Edi Ramën nuk ka integrim në Bashkimin Europian. Gjashtë vite dyert e Europës kanë mbetur të mbyllura dhe të mbyllura do të mbeten me një qeveri që ka ardhur në pushtet me krimin dhe që i shërben krimit, kriminelëve dhe oligarkëve grabitqarë.
Me Edi Ramën nuk ka mirëqenie, nuk ka zhvillim, nuk ka punësim. Me Edi Ramën ka vetëm grabitje, vetëm vjedhje, vetëm pasurim të një grupi njerëzish në kurrizn tuaj, të familjeve tuaja, të fëmijëve tuaj, të të ardhmes tuaj.
E gjithë Shqipëria vidhet që të pasurohet Edi Rama dhe banda e tij.
Tani gjithë bota e ka marrë vesh këtë, sepse është kapur me duart në zgjedhje, duart në taksat e shqiptarëve. Vetëm dy afera mjaftuan për t’i treguar botës mbarë, se ky nuk është një kryeministër, por një kryehajdut që bashkë me bandën e tij vodhën votën e shqiptarëve në 2017-ën, në bashkëpunim me krimin e organizuar. Këtë e dini ju këtu në Korçë, këtë e dinë në Elbasan, e dinë në Durrës, e dinë në Shkodër e Vlorë, e dinë në Lezhë dhe në Dibër, e dinë në Tiranë e di gjithë Shqipëria, e di gjithë bota.
Në Europë nuk shkohet pa zgjedhje të lira. Në Europë nuk shkohet me politikanë të lidhur me krimin që ulen në karriget e Parlamentit dhe aprovojnë ligje kundër qytetarëve. Në Europë nuk shkohet me një parlament, me një qeveri që në vend që t’i mbrojë e t’i përfaqësojë qytetarët, i vjedh, i dhunon e pastaj i përqesh, si kryehajduti dhe banda e tij.
Të gjithë e kanë kuptuar këtë, por ne nuk kemi rrugë tjetër. Nuk ka shpëtim tjetër përveç rrugës tonë drejt vlerave europiane, por Europë do të thotë mbi të të gjitha: zgjedhje të lira. Europë do të thotë, një qeveri që është në krahun tuaj. Europë do të thotë vlera, do të thotë liri, mirëqënie, mundësi, punësim, paga dhe kushte dinjitoze për të gjithë dhe mbi të gjitha mundësi për rininë për shkollim dhe për punësim.
Të gjitha këto janë të mundura, nëqoftëse kemi një qeveri që vjen me votë dhe mban premtimet. Qeveria që nuk mban premtimet duhet të largohet, aq më shumë një qeveri që tashmë është kapur dhe provuar para gjithë botës që nuk ka ardhur me votë, por ka ardhur me ndihmën e krimit të organizuar.
Ndaj, kërkesat tona janë të drejta, të thjeshta dhe beteja jonë ka vetëm një përfundim: fundin e hajdutëve dhe fitoren e popullit. Fundin e hajdutëve dhe çuarjen e tyre para drejtësisë, para një drejtësie duarzgjidhur, jo si kjo sot që mbron banditët, mbron Vangjush Dakon me shokë, mbron Saimir Tahirin me shokë, mbron hajdutët e kapur në vjedhje, mbron trafikantët e kapur në vjedhje dhe do të çojë para drejtësisë, denoncuesit, do të çojë para drejtësisë ata që kanë denoncuar krimin.
Të jeni krenarë me djalin tuaj që i keni dhënë votën, me Ervin Salianjin dhe me gjithë deputetët tuaj të qarkut. Ervin Salianji dhe deputetë të tjerë, profesoreshë Vali Duka, inxhinier Hekuran Hoxhalli dhe Klevis Balliu, nuk ka nevojë për imunitet, nuk ka nevojë për privilegje, ata i dorëzuan për të qënë në krahun tuaj. Nuk mund të ishin në krah të kriminelëve, nuk mund të ishin në krah të hajdutëve, por janë dhe do të jenë në krahun tuaj siç do të jem unë dhe gjithë Partia Demokratike.
Kjo sakrificë bëhet për t’i kthyer vendimarrjen njerëzve, kjo sakrificë bëhet për t’i kthyer vendimarrjen popullit. Ju duhet të vendosni! Ju duhet të vendosni për të ardhmen tuaj! Ju duhet të vendosni për qeverisjen që meritoni! Ju duhet të vendosni se duhet të menaxhohen pasuritë publike!
Ju duhet të vendosni!
Ju duhet të jeni zotër në shtëpinë tuaj, jo Edi Rama, jo hajdutët e Korçës, hajdutët e Shqipërisë, të cilët kanë vetëm një qëllim: të pasurohen për vete edhe kur kjo kushton varfëri, jetën, shëndetin dhe emigracionin masiv të shqiptarëve, por e shoh Korçën më të vendosur se kurrë më parë. E shoh Korçën më të vendosur se kurrë më parë dhe dua t’ju them se po kaq e vendosur është Tirana, po kaq e vendosur është Durrësi, po kaq e vendosur është Shkodra, po kaq e vendosur është Vlora, Fierin e patë vetë sesa i vendosur është, Dibra, Mallakastra, Mirdita, Berati.
E vendosur është Shqipëria.
Ndaj, ju ftoj në një takim me historinë i cili na thërret për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa ditën e shtunë në orën 11:00.
Ju ftoj masivisht ta tregoni vendosmërinë tuaj me pjesëmarrje në protestën kombëtare të datës 16 mars.
Fundi i qeverisë së hajdutëve është i sigurt.
Unë ju jap fjalën se kjo betejë nuk do të përfundojë thjesht me largimin e Edi Ramës, por me shembjen e kësaj lloj qeverie që bën pakt me krimin dhe me oligarkinë dhe pastaj hip mbi shpinë dhe mbi qafë qytetarëve.
Unë ju ftoj që të bëheni pjesë e një konsultimi kombëtar për një pakt kombëtar, për një pakt kombëtar për të cilin Shqipëria të ketë një qeveri që ka frikë qytetarët dhe jo qytetarë që kanë frikë qeverinë.
Ju duhet të vendosni për veten tuaj. Ju duhet të vendosi për fëmijët tuaj. Ju duhet të vendosni për qytetin tuaj. Ju duhet të vendosni për shëndetin tuaj.
Sot vendos mafia. Mafia me firmën e Edi Ramës ka firmosur për TEC-in në Korçë. Ja ku e keni.
Qindra milionë tonë dioksid karboni për mushkëritë e korçarëve, ja sa shumë ju do Edi Rama ju. Ja dashuria e Edi Ramës për Korçën dhe korçarët. Siç ka firmosur Edi Rama ka firmosur edhe Niko Peleshi, edhe Sotiraq Filo. Këta janë njerëz të cilët për të mbushur xhepat e tyre në këtë aferë korruptive janë gati t’ju helmojnë ju dhe fëmijët tuaj. Këta nuk janë vetëm hajdutë, këta janë kriminelë dhe duhen larguar një orë e më parë.
Vetëm bashkimi qytetar dhe vendosmëria, pathyeshmëria dhe dhënia e fund e përçarjes dhe indiferencës qytetare do ta fitojë këtë betejë.
Ju të bashkuar më 16 shkurt keni hapur një kapitull të ri për Shqipërinë. Ne u përgjigjem me djegien e mandatave parlamentare, aktin më demokratik, më ligjor dhe më moral që ka ndërmarrë ndonjëherë një opozitë. Sepse ne nuk mund të pranonim më të ishim fasadë e parlamenti kriminal dhe një qeverie kriminale që helmon Korçën me tec-e korruptive, që shkatërron biznesin me taksa korruptive, që po ju nxin jetën qytetarëve me çmime më të larta të naftës dhe të energjisë në rajon dhe në Europë, vetëm për t’u pasuruar Edi Rama dhe një grusht banditësh.
Ne nuk mund të ishim pjesë e një parlamenti i cili ligjin e ka për të goditur të pambrojturit dhe të pafajshmit dhe për të mbrojtur kriminelët dhe trafikantët. Ne i kemi dhënë fund kësaj asambleje të krimit.
Më 16 mars ora 11:00 është ora juaj të merrni vendimin e madh për t’u ndarë një herë e përgjithmonë nga kjo e keqe dhe për të nisur bashkë rrugëtimin tonë të shpresës që do ta bëjë, jo thjesht e duam, por do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa.
Vlerat e Europës jetojnë në zemrat e Korçës, të qytetarisë korçare, jetojnë në zemrat e qytetarëve shqiptarë. Ne do t’i bëjmë realitet.
Asnjë të mos mungojë. Ejani të gjithë siç erdhët më 16 shkurt! Ejani edhe më shumë; merrni miqtë, motrat, vëllezërit, djemtë, prindërit, vajzat, secili të marrë nga një më shumë me vete në bashkimin më të madh të shqiptarëve, në takimin tonë me historinë.
Shqipëria si gjithë Europa na thërret!
E ardhmja e fëmijëve tuaj na thërret!
Ejani më 16 mars në takimin tonë me historinë europiane të Korçës dhe gjithë Shqipërisë!
Zoti ju bekoftë ju!
Zoti e bekoftë Korçën dhe gjithë shqiptarët!
Faleminderit për këtë mikpritje!