• Ne e konsiderojmë regjimin e Edi Ramës të mbaruar, një kufomë politike që pret të kallet. Kemi shprehur vendosmërinë tonë që jo thjesht të largohet Rama, por të shembet ky sistem.

 

  • Hetimi i plotë i dosjes 339 dhe 184 dhe çuarja para përgjegjësisë penale e politikanëve që kanë vjedhur votat bashkë me krimin e organizuar, janë po aq të rëndësishme sa ligjet që shkruhen dhe nuk zbatohen.

 

  • Hetimi i këtyre dosjeve tregon se drejtësia po e bën punën e saj dhe u tregon shqiptarëve se çdo politikan që guxon të ulet me kriminelët për të blerë zgjedhjet do të shkojë prapa hekurave.

 

  • Dy dosjet që po zvarriten, njëra prej 3 vjetësh dhe tjetra 2, vërtetojnë se sot jemi një autokraci, me një parlament të zgjedhur nga krimi, me një kryeministër që është ortak i krimit të organizuar.

 

  • Kështu nuk shkohet në Europë dhe këtë e di çdo shqiptar dhe europian. Sepse futja në Europë e një vendi që sundohet në shumë aspekte, njësoj si Venezuela, do të ishte turpi i Europës.

 

  • Beteja jonë është një betejë për Shqipërinë Europiane dhe Europa e vërtetë nuk ka aleat më të mire dhe garanci më të madhe për këtë se PD, aleatët e saj dhe qytetarët e bashkuar.

 

 

PRONONCIM I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, PAS TAKIMIT TË KOALICIONIT OPOZITAR ME CHRISTIAN DANIELSSON, DREJTOR I PËRGJITHSHËM PËR POLITIKAT E FQINJËSISË DHE NEGOCIATAT E ZGJERIMIT NË KOMISIONIN EUROPIAN

 

 

Takimi me zotin Danielson, i cili kryhet në mënyrë periodike nga opozita është gjithmonë një takim i mirëpritur për të ndarë dhe shkëmbyer me të mendimet, qendrimet dhe faktet e së vërtetës në Shqipëri, e cila sot nuk fshihet dot më, në veçanti, pas vendimit të opozitës së bashkuar për të ekspozuar realitetin e Shqipërisë. Një autokrat i korruptuar, i lidhur me krimin, i kapur në përgjimet zyrtare të prokurorisë shqiptare, i cili po shkatërron reformën në drejtësi, që të mbrojë veten e tij, ministrat e tij dhe kriminelët me të cilët ka blerë zgjedhjet e vitit 2017 dhe ka mbushur kutitë e votimit e ka kërcënuar votuesit e opozitës.

 

Ky është thelbi i të keqes, pastaj mbi bazën e kësaj është ndërtuar gjithçka, kapja e institucioneve, kapja e drejtësisë, kapja e medias, ndërtimi i një shpure grabitqarësh që populli i njeh si oligarkë, të cilët vjedhin buxhetin e shtetit, vjedhin burimet njerëzore. Dhe efektet çfarë janë, emigracion masiv i shqiptarëve, rritje e kriminalitetit shqiptar në Evropë dhe reduktimi i investimeve evropiane në Shqipëri. Këto janë të vërtetat, të cilat nuk mund të fshihen, ndërsa opozita, sot ka patur një mundësi tjetër për të shprehur jo thjesht dhe vetëm vendosmërinë e saj për t’i qendruar kësaj beteje, bashkë me qytetarët, për çlirimin e Shqipërisë nga një qeverisje e kriminalizuar, por, po kështu, gjëja tjetër që kemi bërë sot, është se kemi shprehur vendosmërinë tonë, që jo thjesht të largohet Rama, por të shembet ky sistem.

 

Të shembet ky sistem, dhe kjo kërkon një angazhim të plotë të të gjithë faktorit politik shqiptar, por jo vetëm, të çdokujt që i dhimbset ky vend dhe që akoma e sheh të ardhmen e tij, të saj, apo të fëmijëve të tyre në këtë vend, për të ndërtuar së bashku një sistem vlerash evropiane në vend, i cili:

 

  • Të garantojë që zgjedhjet e ardhshme kurrë më të mos kapen nga krimi i organizuar,
  • Të garantojë një drejësi të pavarur, duart e të cilit të mos i lidhë më as Rama, as ndonjë ripërsëritje e fenomenit Rama me emër e mbiemër tjetër,
  • Të kemi institucione kushtetuese, të cilat përgjigjen para qytetarëve, sepse janë produkt i votës së qytetarëve dhe kontrollojnë njëra-tjetrën. Jo si sot, ku qeveria, parlamenti, drejtësia, prokuroria, SHISH-i, media dhe ekonomia, janë në dorë të një njeriu dhe një grushti klientësh të tij.

 

Për këtë pra, kemi pasur mundësi sot të flasim më shumë, për vizionin tonë për të nesërmen, i cili do të jetë pjesë e bashkëbisedimit edhe me qytetarët, me njerëzit, me grupet e interesit, me shoqërinë civile.

 

Ne na duhet, patjetër, të shembim këtë sistem, duke përfshirë këtu edhe disa probleme të lindura që në vitin 2008 me ndryshimet kushtetuese që zhbalancuan kontrollin dhe balancën e pushteteve, që me qëllimin e mirë për të larguar kandidatë për deputetë kriminelë nga zonat maxhoritare, përqendruan pushtet në duart e kryetarëve të partisë, të cilat pastaj çuan në vitin 2013 e 2017 në numrin më të lartë të kriminelëve në parlament, ndryshimin e sistemit zgjedhor, ndryshimin e sistemit kushtetues, forcimin e institucioneve që kontrollojnë njëra-tjetrën dhe më e rëndësishmja, forcimin e rolit të njerëzve, të qytetarëve, në raport me qeverisjen.

 

Pra, në këtë kuptim, jemi të angazhuar, si opozitë po konceptojmë, do të dialogojmë brenda opozitës dhe me qytetarët, hapat e metejshëm që do të hedhim.

 

Me pak fjalë, ne e konsiderojmë regjimin e Edi Ramës të mbaruar, një kufomë politike që pret të kallet.

 

Formula e zgjidhjes është kjo: regjimi i Edi Ramës ka mbaruar, shqiptarët e kanë përcaktuar rrugën në të cilën do të ecet dhe opozita ka për detyrë që këtë rrugë ta konkretizojë me vizion që edhe në Shqipëri të fillojnë të ndërtohen institucione, ato praktika ku rrespektohet dinjiteti i njeriut, ku nuk shkelen e të drejtave të njeriut, ku qeveria dhe parlamenti janë në krah të njerëzve dhe jo kundër njerëzve, kundër kriminelëve dhe jo në krah të kriminelëve. Për këtë, padyshim duhet një reformë e thellë kushtetuese, duhet një reformë e thellë elektorale, por, mbi të gjitha, duhet vullneti politik.

 

Tani te vullneti politik, meqë pyetët për formulën, hetimi i plotë i dosjes 339, hetimi i plotë i dosjes 184 dhe çuarja para përgjegjësisë penale e politikanëve që kanë vjedhur votat bashkë me krimin e organizuar, janë po aq të rëndësishme, mos të them më të rëndësishme se sa ndryshime në ligj që shkruhen dhe pastaj nuk zbatohen.

 

Kur kjo të ndodhë, e para e punës, të gjithë mund të themi se drejtësia po e bën punën e saj dhe jo si sot, ku donikaprelizimi i drejtësisë e ka shndërruar atë në një bisht dhelpre për Edi Ramën, me të cilën fshin dhe bën propaganda, por s’bën asgjë tjetër. Së dyti, u tregon shqiptarëve, u jep besim që, në zgjedhjet e ardhshme çdo politkan që guxon të ulet me kriminelët për të tjetërsuar vullnetin e tyre, do të shkojë para drejtësië dhe do të shkojë prapa hekurave.

 

Prandaj, është shumë e rëndësishme zbardhja e plotë e këtyre dy dosjeve hetimore. Njëra ka pothuajse 3 vjet, tjetra ka pothuajse 2 vjet, prokurorët ndërrohen. Pse?! Sepse këto dy dosje vërtetojnë se ne sot jemi një autokraci, me një parlament të zgjedhur nga krimi dhe jo nga qytetarët, me një kryeministër që është bashkëpunëtor, vegël dhe ortak i krimit të organizuar.

 

Kështu nuk shkohet në Europë.

 

Kë e di unë, këtë e dinë ju në rradhë të parë si njerëz të medias, në rradhë të dytë si qytetarë. E di çdo qytetar, jam i bindur se këtë e di çdo europian. Sepse futja në Europë e një vendi që sundohet në shumë aspekte, njësoj si Venezuela, do të ishte turpi i Europës. Pra, nuk ka asnjë shans Shqipëria të shkojë në Europë në këtë mënyrë.

 

Pra, për ta përmbyllur, beteja jonë është një betejë për Shqipërinë Europiane dhe Europa e vërtetë, Europa e vlerave, Europa në të cilën duam të shkojmë, nuk ka aleat më të mirë, nuk ka garanci më të madhe për Shqipërinë europiane se Partia Demokratike, aleatët e saj dhe qytetarët e bashkuar me të cilët do të vazhdojmë betejën deri në çlirimin e Shqipërisë nga krimi, korrupsioni dhe hapjen e horizontit europian për të gjithë duke përfshirë dhe lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes.

 

Pyetje: Zoti Basha do të uleni në dialog me maxhorancën me ndërmjetësimin e presidentit ilir Meta, pasi ndërkombëtarët ditët e fundit nuk e kanë përjashtuar përfshirjen e kreut të shtetit në një dialog mes jush dhe përfaqësuesve të maxhorancës?

 

Basha: Nuk jam këtu për të bërë rolin e analistit. Unë flas në bazë të fakteve, në bazë të qëndrimeve, ju kam shprehur qëndrimet e mia, besoj edhe në emër të kolegëve opozitarë, në emër të gjithë aleatëve tanë, për takimin që sapo kemi përfunduar. Pjesën tjetër le ta bëjnë analistët dhe gazetarët e lirë, aq pak sa ç’janë, por që do të jenë gjithmonë e më të shumtë sepse ditë më të mira për Shqipërinë do të vijnë.