• Nuk bëj asnjëherë komente as mbi deklaratat dhe as mbi takimet dhe kontaktet periodike që kemi me partnerët tanë strategjikë, në këtë rast me partnerin strategjik të Shqipërisë dhe të PD, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

  • Kam vendosur të sjell standardet e demokracisë perëndimore në Partinë Demokratike dhe për këtë kam mbështetjen e të gjithë botës, kandidatët e ardhshëm për deputetë të PD do të zgjidhen me parimin “një anëtar, një votë”  nga anëtarësia

 

  • Ky është modeli që unë ofroj. Ky është modeli që Partia Demokratike e ka në statutin e saj dhe me ndihmën e partnerëve tanë, shumë shpejt do të nisim hapat për të organizuar “primaret” brenda Partisë Demokratike

 

  • Populli ka folur, ka folur dhe dje, do të flasë në çdo protestë, do të flasë dhe në 16 mars, Edi Rama bën mirë të dëgjojë zërin e popullit dhe ti hapë rrugë zgjidhjes politike, ti zgjidhë duart drejtësisë dhe të lejojë hetimin deri në fund të dosjes 339 dhe dosjes 184

 

  • Zgjidhja kur të gjitha pushtet janë të kapura, mbetet në dorë të popullit dhe populli ashtu siç e ka marrë në dorë, do të vazhdojë të ketë në dorë fatin e tij deri sa të kemi çlirimin e Shqipërisë nga krimi, një parlament dhe një qeveri të zgjedhur nga populli dhe jo nga kriminelët.

 

  • Zgjidhja mund të vijë pa dialog me Ramën, sepse dialogu midis meje dhe zotit Rama provoi të ishte i dëmshëm për interesat e Shqipërisë, në mënyrën se si u keqpërdor nga një njeri që hiqet sikur është kryetar i PS, por është reduktuar në një bashkëpunëtor të krimit të organizuar

 

  • Nuk ka asnjë hap pas në luftën kundër krimit të organizuar që ka asgjesuar zgjedhjet dhe institucionet demokratike, ka vetëm hapa përpara. Këtë i kemi borxh Shqipërisë, këtë i kemi borxh edhe ëndrrës së gjithë shqiptarëve që “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”.

 

PRONONCIM PËR MEDIAN I KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA

 

Pyetje: Z. Basha ju patët një takim sot me Zv.ambasadoren e SHBA –së, çfarë diskutuat?

 

Basha: Pyetja e gabuar njeriut që ua ka bërë të qartë që nuk bëj asnjëherë komente as mbi deklaratat dhe as mbi takimet dhe kontaktet periodike që kemi me partnerët tanë strategjikë, në këtë rast me partnerin strategjik të Shqipërisë dhe të Partisë Demokratike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Por dua të ndaj përmes jush me qytetarët shqiptarë dy ditë jashtëzakonisht të suksesshme bashkëpunimi me institutin Republikan Amerikan, përfaqësuesit e të cilit janë këtu për të ndihmuar Partinë Demokratike në një hap shumë të rëndësishëm jo vetëm për ne por për Shqipërinë.

 

Kam vendosur të sjell standardet e demokracisë perëndimore në Partinë Demokratike dhe për këtë kam mbështetjen e të gjithë botës; kam mbështetjen e instituti Republikan Amerikan, kam mbështetjen e Partisë Konservatore Britanike, partisë tonë simotër në Britaninë e Madhe dhe natyrisht të Fondacionit Konrad Adenauer, të kristiandemokratëve të Angela Merkel. Kjo do të thotë që me modelin që ne do të ofrojmë, deputetët e ardhshëm të Partisë Demokratike, kandidatët e ardhshëm për deputetë të Partisë Demokratike do të zgjidhen me parimin “një anëtar, një votë”  nga anëtarësia e plotë e Partisë Demokratike.

 

Ky pra është një hap që ne do të hedhim, sepse qëllimi nuk është thjeshtë largimi i Ramës por shembja e sistemit që ai ka ngritur. Një sistem që e ka larguar parlamentin dhe qeverinë nga njerëzit e thjeshtë, nga qytetarët, në kuptimin që nuk përfaqëson më njerëzit dhe nuk mbron më interesat e njerëzve dhe e ka kthyer parlamentin dhe qeverinë në një vegël të krimit të organizuar dhe të një grushti  oligarkësh grabitqarë.

Ky është modeli që unë ofroj. Ky është modeli që Partia Demokratike e ka në statutin e saj dhe me ndihmën e partnerëve tanë, shumë shpejt do të nisim hapat për të organizuar “primaret” brenda Partisë Demokratike, me qëllim evidentimin e zonjave, zonjushave, burrave, grave dhe djemve më të zotë që do ti përfaqësojnë në garën e ardhshme për një parlament të lirë nga krimi, për një parlament që do t’i takojë qytetarëve shqiptarë.

Pyetje: Zoti Basha, kur do të flisni me zotin Rama? Ju quajti dje nga “Porta a Porta”: Miku im!

Basha: As komentet e njeriut, shkaktarit të kësaj krize të shumëfishtë, nuk kam ndërmend ti bëj pjesë të këtij komunikimi sot. Populli ka folur, ka folur dhe dje, do të flasë në çdo protest, do të flasë dhe në 16 mars, Edi Rama bën mirë të dëgjojë zërin e popullit dhe ti hapë rrugë zgjidhjes politike, ti zgjidhë duart drejtësisë dhe të lejojë hetimin deri në fund të dosjes 339 dhe dosjes 184. Natyrisht unë e di se ai nuk është në gjendje ta bëjë këtë, sepse është pjesë e kësaj dosje. Por prandaj, zgjidhja kur të gjitha pushtet janë të kapura, mbetet në dorë të popullit dhe populli ashtu siç e ka marrë në dorë, do të vazhdojë të ketë në dorë fatin e tij deri sat ë kemi çlirimin e Shqipërisë nga krimi, një parlament dhe një qeveri të zgjedhur nga populli dhe jo nga kriminelët.

Pyetje: A mund të zgjidhet kjo krizë pa një dialog midis jush dhe zotit Rama?

Basha:  Patjetër që po, sepse dialogu midis meje dhe zotit Rama provoi të ishte i dëmshëm për interesat e Shqipërisë, në mënyrën se si u keqpërdor nga një njeri që hiqet sikur është kryetar i Partisë Socialiste, por është reduktuar në një bashkëpunëtor të krimit të organizuar dhe të oligarkëve grabitqarë që dëmtojnë interesat e shqiptarëve, dëmtojnë interesat e socialistëve, dëmtojnë interesat e demokracisë.

Pyetje: A ju kërkoi Zv. Ambasadorja amerikane të bëni dy hapa pas dhe të uleni në tryezë me Ramën?

Basha: Edhe njëherë po ju përsëris se; nuk komentoj asnjëherë, as deklarata, as bisedat që kam me partnerët tanë, përfshirë këtu edhe partnerin strategjik të Shqipërisë dhe të Partisë Demokratike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nqse do më pyesni për qëndrimin e Partisë Demokratike, dua të jua them qartë: nuk ka asnjë hap pas në luftën kundër krimit të organizuar që ka asgjesuar zgjedhjet dhe institucionet demokratike, ka vetëm hapa përpara. Këtë i kemi borxh Shqipërisë, këtë i kemi borxh edhe ëndrrës së gjithë shqiptarëve që “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, me parlament dhe qeveri të çliruar nga krimi. Me institucione që i shërbejnë qytetarëve dhe që japin llogari para qytetarëve dhe jo para Niçes, apo Bajrave, apo Shullazëve dhe ortakëve të tjerë të bandës aktuale që i thotë vetes qeveri.