Ora e Shqipërisë së lirë po troket, tik-tak, tik-tak, tik-tak. Kjo është ora për të cilën mijëra shqiptarë kanë ëndërruar, ora e bekuar e shpresës, ora e bekuar e besimit tek vetja jonë, tek familjet tona, tek vlerat më të mira të shqiptarit, ora e besimit në të madhin Zot dhe në Shqipërinë si gjithë Evropa.
Për vite me radhë, thundra e krimit, e babëzisë, e hajnisë, thundra e korrupsionit, e perversitetit, e mashtrimit, me fytyrën dhe gojën e Edi Ramës, shkeli mbi dinjitetin e çdo shqiptari, të majtë e të djathtë, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë. Ora, kur një njeri i vetëm, me ndihmën e krimit poshtëronte një popull të tërë, pasi i vodhi votën, pasi i vodhi paratë dhe u përpoq t’i vidhte shpresën, kjo orë ka mbaruar.
Këtu, nga ky shesh buçet tash katër javë verdikti i popullit sovran “Rama ik”. Sovrani e ka marrë vendimin dhe minjtë e krimit e të korrupsionit e kanë kuptuar fare mirë. Prej javësh ajo godinë nuk është më godina e Kuvendit të Shqipërisë, por karantina e kolerës së krimit dhe të korrupsionit. Ikëm ne nga ajo karantinë të painfektuar me joshjen e karrikeve të pushtetit.
Ata të mjerë, ata pak të mjerë që futen në atë godinë, shesin shpirtin, përdhosin emrin e tyre, ata janë turpi i familjeve të tyre, turpi i shqiptarëve, tradhtarët që kurrë nuk do t’i falë historia. Zoti pastë mëshirë për shpirtrat e tyre, se fytyrë ata nuk kanë më para shqiptarëve.
Për muaj dhe vite zëri juaj ka kërkuar, herë me ndrojtje e herë me mllef, herë me mirëkuptim, herë me pikëpyetje: kur do t’i digjni mandatet? Zëri juaj tashmë është dëgjuar 10 ditë më parë. Opozita iu përgjigj sovranit dhe unë kam sot nderin dhe privilegjin që, në emrin e popullit sovran, të shpreh mirënjohjen time dhe të falenderoj nga zemra ata qindra zonja, zonjusha dhe zotërinj patriotë, kandidatë të listës vijuese, që djegin sot mandatet e tyre para popullit Sovran.
Kjo është beteja e vlerave. Kjo është beteja për Shqipërinë europiane.
Nuk ka Europë me Shqipërinë si Kolumbia. Nuk ka Europë me qeverinë e bërë njësh me krimin, nuk ka integrim, me korrupsionin në nivelet më të larta. Nuk hapen dyert e Europës për hajdutët dhe kryehajdutin Edi Rama. Maduro i Ballkanit nuk e hap dot derën e Europës, por ne do ta hapim derën e drejtësisë, burgun për të dhe bandën e tij hajdute. Vetëm drejtësia e çliruar nga kjo bandë, vetëm ligji i barabartë për të gjithë, vetëm ndarja dhe balancimi i pushteteve, vetëm rënia në gjunjë e qeverisë së ardhshme para dinjitetit të çdo qytetari shqiptar për ta mbrojtur, respektuar atë, vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme do ta hapin derën e Europës, vetëm ne, të bashkuar e të vendosur si kurrë më parë.
Ndaj vëllezër dhe motra,
Imagjinoni një Shqipëri me qeveritarë të palidhur me krimin, me njerëz që vijnë në pushtet normalisht, qeverin normalisht, ju shërben ju, nuk jua shtojnë hallet, por përpiqen t’jua pakësojnë ato, nuk sillen me arrogancë, nuk ju dhunojnë, nuk ju vjedhin dhe kur gabojnë, shkojnë para drejtësisë.
Imagjinoni një Shqipëri ku paratë e taksave tuaja shkojnë për të rritur pensionet, rrogat, për të ulur taksat, për të krijuar vende pune me paga dinjitoze dhe kushte të mira për rininë shqiptare dhe për çdo shqiptar.
Imagjinoni një qeveri, e cila nuk e ka Europën vetëm në majë të gojës, por në veprimtarinë e saj të përditshme, që nuk i përzë shqiptarët nga vatrat e tyre me çmimet e papërballueshme të naftës, të energjisë, të ujit, me dhunë, terror dhe arrogancë dhe ju shërben, ju ofron shpresë, ju ofron një rrugë për të nesërmen, ju lehtëson jetën, ju shërben me përulësi.
Kjo sot nuk është imagjinatë, sepse ky bashkim këtu i shqiptarëve në këtë shesh është ura që do ta bëjë realitet nesër për çdo shqiptar.
Jemi thirrur në këtë mision, në këtë kauzë të madhe nga e keqja që pllakosi vendin. Jemi të vendosur për këtë mision, nga thellësia e zemrës, nga dashuria për vendin, dashuria për fëmijët dhe besimin në të madhin Zot dhe flamurin kuq e zi do të na udhëheqin.
Nuk ka bandit e trafikant, nuk ka horr e hajdut të na ndajë nga kjo rrugë.
Më 16 Mars populli sovran, edhe më shumë, edhe më të fortë dhe më të vendosur se kurrë më parë në këto tre dekada udhëtim, për të marrë në dorë fatin e tij.
Ne do t’i tregojmë botës mbarë se hajduti që sot qeveris nuk është Zot në shtëpinë tonë madje nuk është as Zot në shtëpinë e tij.
Vëllezër dhe motra,
Kthimi i kësaj godine në një karantinë të krimit, të rrethuar me tela me gjemba, shpallja de facto antikushtetuese e një regjimi të jashtëzakonshëm ushtarak, është shembja e këputjes, e shembjes totale të sistemit kriminal të Edi Ramës.
Është trofeu i parë i qytetarëve të bashkuar!
Sot ai ia ka mbathur, ia ka mbathur të shpërndajë gënjeshtrat dhe mashtrimet e tij në ekranin e Italisë fqinje. Do të sqarojë italianët për atë që nuk e besojnë më shqiptarët. Ose të paktën kështu thotë, sepse burime mike thonë se ka shkuar të negociojë azilin politik. Pak rëndësi ka, fatin e tij e ka vulosur populli.
Regjimi i Edi Ramës ka rënë.
Le të bashkohemi vëllezër e motra në rrugën tonë, rrugën e shpresës, rrugën e besimit, rrugën e së nesërmes, të lirë nga krimi dhe korrupsioni, rrugën e vlerave të vërteta europiane, rrugën e mirëqenies për gjithësecilin prej jush dhe mbarë kombin shqiptar.
Le të hedhim sot së bashku një tjetër hap në këtë rrugë.
Ju ftoj prej fundit atje, e prej fillimit që nuk e shoh, të më ndiqni për të plotësuar hapin tjetër në këtë rrugë, dorëzimin e qindra mandateve të kandidatëve të listave vijuese në KQZ.
Le ta hedhim sot këtë hap historik, të vetëdijshëm për peshën e përgjegjësisë që na ngarkon e ardhmja e fëmijëve tanë.
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Zoti i bekoftë shqiptarët!
Fitore!
FJALA E KRYETARIT BASHA NË SELINË E PARTISË DEMOKRATIKE
Mirë se vini në shtëpinë e lirisë!
Zonja dhe zotërinj, vëllezër e motra, qytetarë dhe qytetare, demokratë dhe demokrate, të djathtë dhe të majtë, misionarë të çlirimit të Shqipërisë nga krimi dhe oligarkia, mirë se vini!
Sot në të katërtën protestë radhazi populli i bashkuar ka përfunduar etapën e fundit të asgjësimit të asamblesë së krimit dhe nxjerrjen e kësaj asambleje lakuriq para botës si kazan i plehrave, i horrave, i hajdutëve dhe i kriminelëve. Por dita e sotme ka një rëndësi që shkon përtej të treguarit të fytyrës së shëmtuar të pushtetit që sundon, vjedh dhe mashtron sot shqiptarët. Ka meritën e ndezjes së shpresës, besimit, të çdo shqiptari për të nesërmen që po vjen.
Ja ku jemi shumë prej jush, prej më shumë se 6 orësh në këtë protestë dhe nuk iu shkohet në shtëpi apo jo?! Por sot e kemi çuar një herë e mirë në shtëpi parlamentin e krimit, parlamentin ilegjitim dhe kemi hapur përfundimisht shtegun e vetëm përmes së cilës do të kalojë e ardhmja e çdo shqiptari.
Zgjidhja e vetmja politike është largimi një orë e më parë i shkaktarit kryesor, autorit dhe përfituesit, kryezullumqarit Edi Rama. Ikja e tij është fundi i pjesës së parë të kësaj beteje e cila do të vazhdojë me bashkimin më të madh të shpresës dhe besimit që shqiptarët kanë njohur në këto 3 dekada.
Edhe miqtë e tij më të ngushtë, edhe ata që janë përpjekur ta mbrojnë me gjysëm zëri, e dinë farë mirë të vërtetën që ju keni buçitur sot në sheshet e protestës, Edi Rama ka mbaruar, regjimi i tij ka marrë fund.
Sado të përpiqet ta zgjasë agoninë e tij, aq më shumë do t’i shtohet makthi dhe fatura para popullit që do ta paguajë para drejtësisë.
Ndaj, dua t’u bëj një thirrje të gjithë qytetarëve të lirë shqiptarë të marrin pjesë në një tjetër akt vendimtar të hapjes të portave të shpresës, të hapjes të portave të Europës, të zgjedhjeve të parakohshme të lira dhe të ndershme pa Edi Ramën dhe horrave e kriminelët e tij, në një akt tjetër të madh që do të na bashkojë dyfish, trefish më shumë se më 16 shkurt: më 16 mars në protestën vendimtare për ta përcjellë kufomën politike të sektit kriminalë të rilindjes, për të çliruar Shqipërinë, për të shpëtuar të ardhmen tonë, për të çliruar zgjedhjet, për të çliruar ekonominë, madje dhe për të çliruar edhe Partinë Socialiste.
Edhe një herë dua të falënderoj të gjithë ata burra dhe gra me integritet, që sot dorëzuan në një akt solemn në KQZ mandatet vijuese duke i dhënë vulën e pakthyeshme betejës popullore për liri dhe demokraci.
Dua t’i drejtohem çdo nëne e çdo prindi e çdo babai, mos kini frikë! Asgjë nuk do ta ndalë popullin nga vullneti për të marrë në dorë fatet e tij. Ajo që po vjen është çlirimi i juaj, ajo që po vjen është liria juaj, ajo që po vjen është sovraniteti juaj, ajo që po vjen është fundi i arrogancës, fundi i hajdutërisë, fundi i krimit të bërë njësh me qeverinë, ajo që po ndërtojmë të gjithë ne sëbashku është Shqipëria e shqiptarëve me dinjitet, me mirëqenie dhe më mundësi sot e sa të jetë jeta.
Ndaj, mbushini zemrat me kurajon e shpresës që ju ndezët!
Kurrë më errësira e krimit, perversiteti i hajdutërisë nuk do të vendosë për ju dhe fëmijët tuaj.
Ora e Shqipërisë europiane po troket.
Ora e largimit të Edi Ramës po troket mbrapsht tik -tak, tik -tak!
E duam Shqipërinë si gjithë Europa!
Mirënjohje për këtë bashkim të jashtëzakonshëm dhe gati për uraganin e pamposhtshëm popullor më 16 mars që do të pastrojë horizontin e do t’ia kthejë Shqipërinë zotërve të saj të vërtetë, shqiptarëve të lirë dhe të bashkuar.
Zoti ju bekoftë ju!
Zoti e bekoftë Shqipërinë !
Fitore!