• Mesazhi nga Samiti i Berlinit është i qartë: me autokratë të korruptuar si Edi Rama nuk ka as zhvillim, as siguri. as integrim në Europë. Rruga jonë për t’i dhënë vendit demokraci të vërtetë, jo demokraci fallco, është rruga më e drejtë.

 

  • Nuk mund të ketë hapje negociatash në një vend ku qeveria është kapur duke vjedhur dhe hajdutët, në vend që të ndëshkohen, promovohen. Rama është kërcënim për kthimin e vendit në kohën e vizave për shqiptarët.

 

  • Negociatat nuk hapen, sepse nuk ka hapa para, por ka hapa prapa për demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Jemi kthyer në një narkoshtet me një narkoekonomi, që vret vendet e punës dhe shpërblen kriminelin.

 

  • Për ta zgjidhur këtë problem të madh ka vetëm një rrugë:.rruga europiane për të cilën qëndron PD. Është rruga që nis me dorëzimin tek i zoti të sendit të vjedhur. Sendi i vjedhur është vota, i zoti i saj janë qytetarët.

 

  • Hapi i parë është rikthimi i legjitimitetit politik në vend, është rikthimi, përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, i një parlamenti që përfaqëson qytetarët, i mbron dhe nuk i godet për të pasuruar oligarkët dhe kriminelët.

 

  • Nuk ka asnjë ndryshim nga pozicioni ynë dhe i aleatëve tanë. Pa votë të lirë, nuk ka demokraci. Që të kemi votë të lirë, duhet që përdhunuesi serial i zgjedhjeve shqiptare, të largohet një orë e më parë.

 

  • Largimi i Edi Ramës është i panegociueshëm. Qeveria tranzitore është e vetmja rrugë e zgjidhjes së krizës politike për të garantuar votën e qytetarëve, një parlament të qytetarëve dhe një drejtësi të vërtetë.

 

  • Djegia e mandateve ishte vendimi më i pastër moral, politik dhe legjitim i opozitës. Ne jemi shumica morale e vendosur për ta çuar deri në fund betejën për zgjedhje të lira e të ndershme, për fitoren e çdo shqiptari.

 

  • Vetëm duke çliruar zgjedhjet nga krimi, duke çliruar qeverinë nga bashkëpunimi me rrjetet kriminale dhe oligarkët, duke çliruar ekonominë nga korrupsioni do të mund ta hapim derën e Europës.

 

  • PD dhe unë e dimë si hapet dera e Europës. E kemi hapur këtë derë, kur futëm Shqipërinë në NATO, kur luftuam kundër krimit të organizuar dhe bëmë të pamundurën të mundur, heqjen e vizave, kthimin e dinjitetit të shqiptarëve.

 

  • PD gjithmonë ka ditur, ka dashur dhe ka mundur ta hapë derën e Europës për të mirën e shqiptarëve. Bashkë do të hedhim edhe hapin tjetër për të çliruar qeverisjen nga krimi, ekonominë nga oligarkët dhe monopolet.

 

  • Porosi e veçantë për çdo degë të PD, të hapim partinë, në veçanti, drejt brezit të ri. Misioni më i rëndësishëm yni është të shtrojmë rrugën që rinia shqiptare të marrë në dorë fatet e Shqipërisë për ta bërë atë si e gjithë Evropa.

 

 

FJALA E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, NË PRANIMIN E DHJETËRA ANËTARËVE TË RINJ NË DEGËN 12, TIRANË.

 

 

Më lejoni ta nis me një falenderim nga zemra për të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike dhe të FRPD-së, për pritjen e jashtëzakonshme në hyrje të territorit të degës 12-të, degë e cila përfshin disa prej njesive administrative, komunave deri para se ato të fshiheshin pa ju pyetur fare, siç janë Farka, Petrela, Berzhita, Krraba dhe Baldushku.Dua t’ju falenderoj nga zemra jo vetëm për punën e jashtëzakonshme që keni bërë në këto 10 javë aksioni politik të paprecedentë, ku keni qënë në ballë të përpjekjes fizikisht, numerikisht, familjarisht me shpirt dhe me zemër.

 

Për të gjithë ata që nuk e njohin këtë zonë, këtu nuk ka punë përgjysëm. O bëhet puna me zemër, o nuk bëhet fare! Dhe unë e di që jeni njerëz qytetarë dhe familjarë, të cilit keni hequr dhe duruar shumë mbi shpinë, në veçanti në këto 6 vite të vështira për Shqipërinë, të vështira për zonat rurale, për bujqësinë, për blegtorinë, të vështira për rininë, për fëmijët tuaj, për arsimin, për shëndetësinë. Ju kam parë dhe ju kam ndjerë në krahun tim, jo vetëm në këto beteja të aksionit qytetar që nisën me protestën e jashtëzakonëshme të 16 shkurtit, por edhe më parë.

 

Ja ku jemi sot, në një ditë shumë të veçantë për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj europiane, në një ditë ku ka një mesazh të qartë kristal, se sa e drejtë është rruga që kemi zgjedhur, rruga për t’i dhënë vendit demokraci të vërtetë, jo demokraci fallco:

  • Me deputetë të vërtetë që ju përfaqësojnë ju dhe jo kukullat e krimit, korrupsionit, oligarkëve, grosistëve grabitqarë, që shohin interesat e xhepit të tyre;
  • Me një qeveri të vërtetë, e cila t’i shërbejë interesave të njerëzve, sepse e lidh fatin e vet me njerëzit.
  • Me një drejtësi të vërtetë, me 1 standard jo me 2 standarte, që godet të pambrojturin, të dobëtin, dhe nuk i jep drejtësi edhe kur ligji ja jep, kjo drejtësi nuk ia jep, ndërkohë që mbron kriminelin, mbron të pushtetshmin, mbron politikanin e kapur me duart në thes, duke vjedhur votat apo duke vjedhur paratë, pronat dhe pasuritë tuaja.

 

Pse e them se është një ditë e veçantë?

 

Sepse, fatkeqësisht, ashtu siç e kishim paralajmëruar, me Edi Ramën nuk ka as zhvillim, as mirëqenie, as siguri.Me Edi Ramën nuk ka integrim në Europë.

 

Nuk mund të ketë Shqipëri në Europë, nuk mund të ketë hapje negociatash në një vend ku qeveria është kapur duke vjedhur dhe hajdutët, në vend që të ndëshkohen, promovohen. Nuk ndodh kjo! Me këto standarde, Shqipëria nuk do të ishte as anëtare e Këshillit të Europës, le më në NATO apo në Bashkimin Europian.

 

Këto nuk janë standarde europiane, këto janë standarde afrikane, madje të atyre vendeve ku sundojnë njerëz që marrin gjithë pushtetet dhe e konsiderojnë popullin e tyre bagëti dhe vendin, çifligun e tyre. Kjo s’mund të ndodhë!

 

Ndaj dhe sinjali që kumbon nga samiti i Berlinit është i qartë për të gjithë autokratët e korruptuar të Ballkanit dhe për njeriun më të korruptuar, më të inkriminuar, më të paaftë, më të dështuar, Edi Ramën, i cili, jo vetëm që nuk ka bërë asnjë hap në drejtim të BE-së, por sot kërcënon të na kthejë 10 vite prapa, të na kthejë në kohën, kur shqiptarëve i duheshin viza për të lëvizur në zonën Shengen. Pse?Sepse bota ka sy dhe sheh, ka veshë dhe dëgjon. Edhe kur derdhet lumi i propagandës, edhe kur derdhen miliona euro për të prodhuar raporte fallco, e verteta del prapë se prapë në pah dhe e vërteta është kjo që dini ju, kjo që del haptazi në shtëpitë tuaja, në gjendjen e katandisë së mirëqenies suaj, të shëndetit tuaj, të punësimit tuaj, të xhepave tuaj, të kursimeve tuaja. Gjendja është kjo: një vend që, në vend që të ecte përpara, ka ecur prapa në secilën prej këtyre fushave.

 

Le ta fillojmë me ekonominë, e cila është në falimentim total.

 

Asnjë investim i huaj në gjashtë vite!

 

Kurrë nuk ka ndodhur kjo.29 vite tranzicion, asnjë person i vetëm që ka qëndruar 6 vite kryeminstër nuk mund të thotë “nuk solla asnjë një investim të huaj”, përkundrazi, i përzuri.

 

Niveli i kreditimit nga bankat për sektorin privat është katastrofë.

 

Po pse ndodh kjo?  Sepse ekonomia i është dorëzuar drogës dhe pastrimit të parave të drogës.Çfarë sjell kjo? Shkatërrim! Dhe ju e dini fare mirë se çfarë do të thotë kjo për bujqësinë, për fermerin, për blegtorin, për prodhimin bujqësor, për agrobiznesin. Sepse nuk ka asnjë lloj stimuli për të punuar dhe jo vetëm që nuk garanton fitimin, por garanton që futesh në borxh. Ndërkohë që, zuzarët e lidhur me qeverinë nuk kanë pse të punojnë fare, sepse sjellin një kontenier me banane dhe blejnë lek sa tre herë buxheti i Policisë së Shtetit, sigurisht jo me banane, por me ato që fshehin poshtë bananeve. Kështu nuk mund të vazhdohet.

 

Ne jemi kthyer në një narkoshtet me një narkoekonomi, që vret vendet e punës, vret konkurencën e ndershme, ndëshkon punëtorin, ndëshkon të ndershmin dhe shpërblen kriminelin, hajdutin, të paaftin dhe politikanët e lidhur me ta.Kjo është arsyeja që fatkeqësisht, edhe këtë qershor, Shqipërisë nuk i hapen negociatat.Nuk i hapen negociatat, sepse as në fushën e ekonomisë, as në fushën e demokracisë, as në fushën e drejtësisë, shtetit të së drejtës nuk ka hapa para, por ka hapa prapa. Kush i vuan këto pasoja?! Shqiptarët e thjeshtë, rinia në veçanti.

 

Cila është rruga për ta zgjidhur këtë problem të madh?

 

Ka vetëm dhe vetëm një rrugë: rruga europiane. Është rruga për të cilën qëndron Partia Demokratike, që u themelua për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Është rruga që nis me dorëzimin e sendit të vjedhur të të zotit. Sendi i vjedhur është vota, i zoti jeni ju, janë qytetarët.

 

Hapi i parë është rikthimi i legjitimitetit politik në vend, është rikthimi i një parlamenti që ju përfaqëson ju, ju mbron ju dhe nuk godet nga mëngjesi deri në darkë njeriun e thjeshtë për të pasuruar oligarkët dhe kriminelët, por bën ligje për të mbrojtur qytetarët, për të zhvilluar ekonominë, për të hapur vende pune dhe për të goditur kriminelët. Që të kemi një parlament të tillë, duhet të kemi zgjedhje të lira e të ndershme.

 

Pa votë të lirë, nuk ka demokraci.

 

Që të kemi votë të lire, duhet që përdhunuesi serial i zgjedhjeve shqiptare, të largohet një orë e më parë.

 

Prandaj sot, gjej rastin ta përsëris dhe njëherë, jo se nuk e kam thënë mjaftueshëm, por meqë herë pas here vala e borive qeveritare në kanalet e propagandës, se televizionet e mëdha ju e dini që i ka kapur të gjitha dhe i ka kthyer si bori makine, jo si bori makinash moderne, po si ato të zisave njëherë e një kohë, vetëm për propagandë qeveritare, pra, le ta themi fare qartë: Nuk ka asnjë ndryshim nga pozicioni ynë. Nuk ka asnjë ndryshim nga pozicioni i Partisë Demokratike, aleatëve tanë, i koalicionit opozitar.Nuk ka asnjë çedim dhe asnjë hap prapa.

 

Jua them sot këtu nga Farka, që largimi një orë e më parë largimi i Edi Ramës është absolutisht i panegociueshëm. Është e vetmja rrugë për t’i hapur dritën jeshile dialogut politik dhe zgjidhjes politike, që tani e ka marrë vesh i madh e i vogël, një qeveri kujdestare, një qeveri provizore, tranzitore:

  • Për të garantuar votën e qytetarëve
  • Për të garantuar një parlament të qytetarëve,
  • Për të garantuar se gjyqtarët dhe drejtësia shqiptare të veprojnë siç e parashikuam në Reformën në Drejtësi, jo siç janë kapur sot. 40 mijë çeshtje para Gjykatës së Lartë, pa Gjykatë Kushtetuese, me prokurori të kapur, me qindra, mijëra, çështje pronash që kanë dhjetëra vjet dyerve të gjykatave dhe grabitje të përditshme, mbi të gjitha një kryeministër dhe një qeveri që e ka braktisur totalisht fatin e njeriut të thjeshtë.

 

  • Largimi i Edi Ramës është i panegociueshëm.

 

  • Qeveria tranzitore është e vetmja rrugë e zgjidhjes së krizës politike.

 

Ne nuk mund të ishim më fasada e teatrit të kukullave, e teatrit të kriminelëve, faktikisht, në të cilin ishte shnëdërruar parlamenti shqiptar. E dëgjuam thirrjen tuaj dhe hodhëm një hap me të vërtetë të paprecedentë, sepse edhe situata është e paprecedentë.

Në cilin vend të botës parlamenti kalon ligje për t’i marrë lekët shumicës dhe për t’ia dorëzuar dy-tre oligarkëve?

Në cilin vend të botës merren lekët e taksapaguesve të vendit më të varfër të Evropës dhe shndërrohen në inceneratorë të financuar me paratë tuaja, për t’ju helmuar ju dhe fëmijët tuaj, se duan të nxjerrin fitime marramendëse me mafian e plehrave?

Në cilin vend të botës,në vend që të rriten rrogat e mjekëve, të infermierëve, në vend që të rritet lista e barnave për t’i rimbursuar, në veçanti për prindërit, të moshuarit, moshën e tretë, për të gjthë ata që kanë nevojë për përkujdesje shëndetësore, këto lekë shkojnë e bëhen koncesione, për 4 koncesionarë?Koncesionar i thënçin pasi njëri prej tyre është thjesht murator.Pas tyre është vetë Edi Rama dhe ministrat e tij të korruptuar, të kapur në korrupsion. Në cilin vend të Europës, madje në cilin vend të Ballkanit, buxheti i shtetit nuk parashikon subvencione për të mbështetur fermerin?

Nuk ndodh, përveçse në shtetet totalisht të dështuara totalitare të Afrikës, në asnjë vend tjetër nuk ka një politikë kaq përbuzëse, kaq hajdute, kaq hileqare ndaj fermerit. Dhe pastaj çuditemi që prodhimi bujqësor bie në rekordet më të ulëta historike dhe tokat mbeten pa punuar.Pse?Sepse sot të punosh tokën nuk është shpëtim, por është mallkim, nuk është fitim, por është futje në borxh.

 

Kjo është arsyeja që ne nuk mund të ishim më pjesë e një parlamenti të dalë nga krimi dhe që i shërben krimit.Djegia e mandateve ka qënë vendimi më i pastër moral, politik dhe legjitim i PD-së dhe i aleatëve tanë dhe unë dua t’ju falenderoj për mbështetjen tuaj, për qëndresën tuaj, për rezistencën tuaj dhe përballjen tuaj, sepse tani jemi në krah të njëri-tjetrit dhe asgjë nuk na ndan.

 

Asnjë privilegj, asnjë imunitet, nuk i diferencon njerëzit tanë nga qytetarët e thjeshtë dhe, njësoj si ju, jemi ballë për ballë me të keqen, Ballë për ballë me paudhësinë, ballë për ballë me dhunën policore, sepse jemi të sigurtë që jemi shumica, jo thjesht e vetëm shumica politike dhe shumica numerike, por jemi shumica morale e vendosur për ta çuar betejën deri në fund për fitoren e çdo shqiptari.

 

Vetëm duke çliruar ekonominë nga korrupsioni, vetëm duke çliruar zgjedhjet nga krimi, vetëm duke çliruar qeverinë nga bashkëpunimi me rrjetet kriminale dhe oligarkët, do të mund ta hapim derën e Europës.

 

Ka një forcë politike që e di si hapet kjo derë.Unë e di si hapet kjo derë.Edhe ju e dini sepse bashkë e kemi hapur këtë derë disa herë. E hapëm kur futëm Shqipërinë në NATO,, vetëm 10 vjet më përpara. Kishte shumë pengesa, shumë probleme, shumë sfida. Në bashkëpunimin e ngushtë që pata me partnerin tonë strategjik, SHBA-të, vendet kryesore të BE-së që janë, po kështu, anëtarë të NATO-s, kishim dhjetra probleme që duhet t’i tejkalonim, por njëri prej tyre nuk ekzistonte.Në luftën kundër krimit të organizuar, Shqipëria ishte model dhe ishte falë kësaj lufte kundër krimit të organizuar që solli sigurinë në vend, solli investime të huaja në vend, disa prej të cilëve akoma japin për ekonominë shqiptare, siç është TAP-i, siç është investimi në kaskadën e Devollit. Të dy sëbashku punësuan dhjetra mijëra njerëz. Është falë këtyre, falë luftës kundër krimit që, pastaj, bashkë, hodhëm një hap tjetër, që shumëkush e konsideronte të pamundur; heqjen e vizave, levizjen e lirë, kthimin e dinjitetit të shqiptarëve.

Kush e imagjinonte deri në vitin 2010 që mund të ndodhë kjo?Që kështu siç jemi të ulur këtu, në këtë ambient të gjelbërt, për qejf apo larg qoftë për hall, kushdo që ka nevojë mund të niset drejt Rinasit të marrë avionin dhe të shkojë në Europë?!E mbani mend si ishin rradhët e ambasadave. Por ne ia dolëm, sepse Partia Demokratike gjithmonë ka ditur, ka dashur dhe ka mundur ta hapë derën e Europës dhe të prodhojë për shqiptarët përfitimet e lëvizjës së lirë dhe të sigurisë.

 

E them këtë, sepse, po kështu, do të hedhim edhe hapin tjetër, për të çliruar ekonominë, për të çliruar qeverisjen nga krimi, ekonominë nga oligarkët dhe monopolet. Jo vetëm do të kthejmë mundësitë për punësim, jo vetëm do t’i kthejmë bujqësisë, sektorit që punëson më shumë se çdo sektor tjetër në vend, sepse gjysma e popullsisë jetojnë në zonat rurale, do t’i kthejmë jo thjesht shpresën, jo thjesht mbijetesën, që të mbajë kokën mbi ujë, por do t’i japim mundësinë, përmes politikës tonë të subvencioneve direkte, të shlyejmë çdo familje mbi bazën e prodhimit, mbi bazën e sipërfaqes së tokës që punon apo numrit të krerëve që mbarështon, pa nipt, pa burokraci. Vetëm me numrin e kartës së identitetit fermeri, në bazë të prodhimit, do të marrë subvencione njësoj siç i jep Maqedonia, njësoj siç i jep Kosova, 100 milionë euro çdo vit.

 

Do t’ju fusim në treg, sepse ju kanë nxjerrë jashtë tregu. Nuk janë tregje ato, ato janë garnizone për t’ju mbajtur jashtë tregut, për t’ju kontrolluar gjithçka, që të shkojë arka e domateve më shtrenjtë se çmimi i domateve vetë. Do ta çlirojmë tregun. Do t’i vëmë traun në doganë çdo prodhimi të subvencionuar, që të mos konkurojnë në mënyrë të pandershme prodhimin e fermerit shqiptar. Çdokush kujdeset për njerëzit e vet.Amerika thotë “Amerika e para”.Dhe e bën.Të njëjtën gjë bëjnë edhe vendet e tjera.Secili ka për detyrë të kujdeset për njerëzit e vet.

 

Prandaj, unë u them sot: Shqipëria e para, fermeri shqiptar i pari. Me subvencione dhe me konkurencë të ndershme në treg, fermerët shqiptarë do të njohin prosperitetin, mirëqenien, vlerën e djersës së ballit, që ju rrjedh çurg, do të kthehet në para, do t’ju kthehet në mirëqenie, do t’ju kthehet në punësim për veten e tyre, për familjarët e tyre, në vend që t’ju kthehet në mallkim e në zhytje në borxh.

 

Programi i Partisë Demokratike është i detajuar.Bazohet në parimet evropiane, mekanizmat evropianë të mbështetjes së fermerit dhe ka mbështetjen e ekspertëve më të zotë shqiptarë e të huaj.

 

Miqtë e mi, nuk dua të zgjatem shumë, sepse unë e di se ju më keni ftuar për një ndodhi të veçantë, të bukur.

 

Zakonisht, anëtarësimi në Partinë Demokratike ndodh në mënyrë të përditshme dhe është kthyer nganjëherë në një proces të vetëkuptueshëm, s’do të thoja rutinë, por me iniciativën e kryetarit të ri të degës tuaj, të cilin dua ta përshëndes e t’i uroj punë të mbarë dhe mbështetjen e veteranëve të betejave politike, të cilët ndodhen sot të pranishëm këtu, veteran e kam në kuptimin se kanë bërë disa beteja, pasi janë akoma të rinj dhe kanë akoma shumë për të dhënë, ia keni dalë të bëni realitet një porosi të veçantë që ka çdo degë e Partisë Demokratike nga unë si kryetar: të hapim partinë e, në veçanti, ta hapim drejt brezit të ri. Misioni më i rëndësishëm i gjeneratës tonë të lidershipit politik është të shtrojmë rrugën që rinia shqiptare të marrë në dorë fatet e Shqipërisë për ta bërë atë si e gjithë Evropa.

 

Para se ta mbyll, dua t’ju falenderoj edhe njëherë nga zemra për gjthçka që keni bërë.Shikoni në 10 javë se si ka ndryshuar peisazhi dhe realiteti politik në Shqipëri.

 

10 javë më parë, para datës 16 shkurt, Shqipëria kishte gjithë këto të zeza që i ka akoma, por kishte edhe dy të zeza më të mëdha, s’kishte shpresë, s’kishte besim dhe s’ia qante hallin askush.

 

Ndryshimi që solli kryengritja popullore demokratike e 16 shkurtit kjo është. Nuk është thjesht djegia e mandateve, nuk është thjesht vendimi për të mos u bërë pjesë e një krimi elektoral më 30 qershor, por është zgjimi për të kërkuar jo thjesht një hap më shumë, “ka progres por duhet më shumë progress”, por për ta prerë me thikë epokën ku qeveris Rama dhe banda e tij e korruptuar dhe për një epokë të re që do të hapim së bashku, ku qeverisja do t’u takojë qytetarëve.

 

Shqiptarët nuk do të pranojnë asgjë më pak se standardi evropian dhe standardi euroatlantik në zgjedhje, në demokraci, në drejtësi, në shtetin e së drejtës, në ekonomi, në shëndetësi, në arsim e kudo.

 

Për ta çuar këtë betejë deri në fund, kemi akoma rrugë për të bërë. Këtë rrugë do ta bëjmë ditë për ditë, të gjithë së bashku, kudo ku ndodhemi, në ambjentet tona të punës, në komunitet, në protestat e përjavshme dhe në protestat kombëtare. Jam i bindur se të shtunën e 11 majit, dega 12-të do të dijë ta tundë edhe njëherë flamurin kombëtar dhe kauzën e demokracisë e të lirisë, siç ka bërë më 13 prill, më 16 mars, më 16 shkurt dhe siç do të bëjmë ditë për ditë e javë për javë deri në largimin e kësaj bande, deri në çlirimin e Shqipërisë, nga krimi, nga Edi Rama dhe nga hajdutët e tij grabitqarë.

 

Ndaj, pa u zgjatur më tej zoti Kryetar, zoti Sekretar i përgjithshëm, zoti Sekretar i Burimeve Njerëzore, doktor Fortuzi, i deleguari për degën, duke shprehur edhe njëherë mirënjohjen që ndodhem sot këtu, se s’ka si të mos isha sot këtu, në një ngjarje të tillë, le të procedojmë me anëtarësimet e reja për degën 12.

 

Faleminderit!Fitore!