·         PD dhe opozita janë shumica e re qeverisëse e vendit. Ne kemi legjitimitetin moral, legjitimitetin politik për t’iu përgjigjur kësaj klike. Këta nuk janë më shteti, këta janë antishteti.

·         Më 13 Prill, beteja do të vazhdojë për të garantuar që kurrë më një grusht njerëzish të mos jenë në gjendje ta trajtojnë Shqipërinë si çifligun e tyre. Largimi i Ramës, emergjencë kombëtare.

 

TAKIMET E KRYETARIT BASHA NË DURRËS DHE ELBASAN

 

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ftoi shqiptarët të bashkohen në protestën kombëtare para kryeministrisë të shtunën, në mënyrë që zëri i kujtdo që ndjehet i pasigurtë, i braktisur, i mashtruar, i vjedhur nga kjo qeveri, të bashkohet me zërin e opozitës për t’i dhënë fund kësaj situate. Gjatë takimeve me demokratë në Durrës dhe Elbasan, Kryetari Basha vuri në dukje rritjen e besimit tek opozita pas vendimit për djegien e mandateve dhe mosnjohjen e legjitimitetit të qeverisë.

 

“Ja ku jemi sot, në një kurbë rritëse, në një trajektore rritjeje, e cila demonstrohet nga të gjitha sondazhet, tonat, të kundërshtarëve, apo të pavarura qofshin. Sot Partia Demokratike dhe opozita janë shumica e re qeverisëse e vendit. Ne kemi legjitimitetin moral, legjitimitetin politik për t’ju përgjigjur kësaj klike kriminelësh. Këta nuk janë më shteti, këta janë antishteti. Këta nuk mbrojnë më ligjin, këta janë shkelësit më të mëdhenj të ligjit. Këta nuk janë drejtësia, këta janë padrejtësia. Ndaj, është në dorën tonë t’i vendosim gjërat në vend, duke filluar me protestën e të shtunës, me 13 prill, në orën 18.”

 

Basha tha se largimi i Edi Ramës është vetëm çështje kohe dhe se sfida kryesore është transformimi i sistemit politik në vend, ku qeveria të mos ketë prioritet vjedhjen e pasurive të vendit për të pasuruar kryeministrin dhe disa oligarkë dhe banditë që e rrethojnë.

 

“Ne nuk mund të mjaftohemi thjesht me largimin e tij, se kjo është thjesht dhe vetëm çështje kohe. Ne duhet të varrosim fenomenin “Rama” njëherë e përgjithmonë, për të gjithë brezat që vijnë. Ndryshime politike që do të shkatërrojnë hendekun e gërmuar nga Rilindja kriminale midis fatit të qytetarit të thjeshtë dhe fatit të politikanit kriminel dhe kriminelit politikan, që sot, as vetë nuk e besojnë se jetojnë në të njëjtin vend ku 290 mijë shqiptarë hanë një herë në ditë, nuk e besojnë se jetojnë në të njëjtin vend ku 350 mijë shqiptarë paguajnë 25 mijë lekë në muaj kamatën abuzive, që do ta anulojmë që ditën tonë të parë në pushtet, nuk e besojnë se qytete të tëra marrin për ndihmë ekonomike aq sa bën një makinë e tyre, që e ndërrojnë çdo muaj. Se ata s’jetojnë në Shqipërinë tonë, nuk jetojnë në Shqipërinë e përjashtimit, e pamundësisë, e falimentit. Se ata vetë jetojnë si sheikë, si derra të majmur mbi djersën, gjakun, paratë e grabitura popullit më të varfër të Evropës. Kjo do të marrë fund.”

 

Partia Demokratike ka një plan të qartë për të ndarë qeverisjen nga krimi dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve me pasuri marramendëse që, me babëzinë e tyre, kanë shkatërruar punësimin dhe kanë varfëruar më shumë shqiptarët.

 

“Do të japin llogari dhe nuk do të gëzojnë asnjë qindarkë që u kanë vjedhur durrsakëve dhe që kanë vënë mbi gjakun, djersën dhe pronat e durrsakëve. Vangjush Dakon e pret burgu. Edhe kryetarin e ri të shtabit elektoral të Partisë Socialiste, Damian Gjiknurin, burgu e pret edhe atë. Drejtësia e pavarur dhe burgu i pret të gjithë ata që menduan se mund ta kthenin Shqipërinë në zemër të Evropës në një biçim-republikë postsovjetike, me një palo-kryeministër me 5 oligarkë që kanë kapur e zaptuar gjithçka dhe me 10 kriminelë. Ndaj beteja do të vazhdojë për të garantuar që kurrë më një grusht njerëzish të mos jenë në gjendje që ta trajtojnë Shqipërinë si çifligun e tyre. Ky është mision ynë, që i tejkalon parametrat e një gare normale politike. Po në fund të fundit ne nuk jemi një parti normale politike, ne jemi Partia Demokratike e Shqipërisë, e cila rrëzoi diktaturën e Enver Hoxhës dhe do rrëzojë e shkulë me themele Edi Ramën dhe kriminelët e tij.”

 

Kreu i opozitës tha se PD është e vetmja forcë morale që po rikthen tek shqiptarët besimin dhe shpresën dhe, bashkë me ta, do t’i tregojë botës më 13 Prill se largimi i Edi Ramës është një emergjencë kombëtare.

 

“Le të bëjmë së bashku të mundur që mesazhi të oshëtijë po kaq i qartë sa oshëtiu sonte, nga kjo sallë: Rama ik! Për të afruar ditën dhe orën kur bashkë do të hapim rrugën e Shqipërisë Europiane.”