- Dialogu kombëtar gjithëpërfshirës për ndryshimin e vërtetë të Shqipërisë, është i vetmi dialog ku unë do të jem pjesë.
- Edi Rama duhet të largohet menjëherë nga Kryeministër, sepse është shkatërrues i zgjedhjeve të lira dhe dhunues i vullnetit të popullit.
- Qeverisja e Edi Ramës ka qenë grabitje, mashtrim dhe dhunim i çdo vlere demokratike. Ai është artist në artin e mashtrimit.
- Sikur tek Rama të kishte pak respekt për qytetarët dhe pak vetëdije demokratike, do të ishte dorëhequr, të paktën 20 herë, këto 6 vjet.
- Ndryshimi i madh që duam të gjithë mund të arrihet vetëm nga një pushtet që buron nga vota e lirë dhe ushtrohet në emër të qytetarëve.
- Ju ftoj të bashkohemi në protestat tona për largimin e Ramës dhe në dialogun kombëtar për të ardhmen Europiane të Shqipërisë.
KOMUNIKIMI I KRTETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA ME QYTETARËT
Të dashur bashkëqytetarë,
Dje, Gjykata e Lartë mbeti vetëm me dy anëtarë dhe praktikisht është asgjësuar, pasi ajo nuk mund të gjykojë më asgjë. Mbi 40 mijë çështje presin të shqyrtohen nga kjo Gjykatë, një pjesë e madhe çështje të të drejtave njerëzore dhe të të drejtës së pronës, shumë prej tyre kundër dhunimeve të qeverisë. Për të gjithë ju që prisni drejtësi ajo do të vonojë të paktën 4-5 vjet dhe më shumë.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë anëtar prej 2 vitesh, duke lënë pa asnjë kufizim pushtetin e kryeministrit, i cili tani qeveris me fermane personale. Pa Gjykatë Kushtetuese, Kryeministri u është lëshuar për të grabitur me “ligje” speciale pronat tuaja private dhe pronat tona publike nga qendra e Tiranës në të gjithë bregdetin.
Dje, pasi shpalli hapur se shqiptarët janë më mirë pa gjykata, Edi Rama më dërgoi mua një letër për të më ftuar në “dialog”, pra, që unë dhe ai të ulemi për të biseduar, sepse, sipas tij, kështu e kërkon demokracia.
Në të vërtetë demokracia e kërkon që pushteti të burojë nga populli dhe të dialogojë me popullin, demokracia kërkon që mosmarrëveshjet që nuk i zgjidh dot politika t’i zgjidhë populli, me votë.
Por për Edi Ramën arti i qeverisjes demokratike është i huaj, ai është artist në artin e mashtrimit. E gjithë qeverisja e tij ka qenë grabitje dhe mashtrim i popullit, i pasurive publike dhe dhunim i çdo vlere demokratike e perëndimore.
Sikur Edi Rama të kishte qoftë edhe një fije respekt dhe vëmendje për popullin, sikur tek ai të kishte vetëm një fije vetëdije demokratike, ai do ta kishte dhënë dorëheqjen të paktën 20 herë këto gjashtë vitet e fundit.
Ai duhet ta kishte dhënë dorëheqjen:
- kur u zbulua se kriminelët i kishte bërë deputetë;
- kur Elvis Roshi doli trafikant e përdhunues;
- kur Shqipëria u bë hambari i drogës në Europë;
- kur ylli i qeverisë së tij, Saimir Tahiri, doli që ishte trafikant droge;
- kur kompania e Qazim Sejdinit u kap me drogë;
- kur Fatmir Xhafaj u zbulua që mbronte vëllain trafikant;
- kur u zbulua se Olsi Rama ishte i lidhur me grupin e Xibrakës;
- kur plasën njëra pas tjetrës skandalet e koncesioneve qindra milionëshe;
- kur u zbuluan 30 milion eurot që ai donte t’i vidhte dhe pastronte në Amerikë me një kompani fallco.
- Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen, kur u zbulua se ai i vodhi zgjedhjet e 25 qershorit me Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin dhe kriminelët më famëkeq të vendit.
Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen:
- kur njerëz të varfër u rrahën dhe vdiqën në qelitë, ku mbaheshin për fatura dritash apo shtesë banese pa leje;
- kur qytetarëve të Shkozës, Bulevardit të Ri, të Himarës e kudo në Shqipëri u prishi shtëpitë pa shpërblim dhe pa proces ligjor;
- kur helmoi me gaz qytetarët që protestojnë për të drejtat e tyre.
Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen:
- sa herë që Shqipërisë iu refuzua hapja e negociatava nga BE;
- kur shqiptarët filluan të emigronin në masë pa asnjë shpresë;
- kur investitorët perëndimorë filluan të largohen njëri pas tjetrit nga Shqipëria për t’u zëvendësuar me oligarkë vendas apo me kriminelë rusë apo lindorë;
- kur qeveritë europiane u alarmuan, sepse Shqipëria u shndërrua në bazë të sigurtë të krimit të organizuar.
- Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen, kur u zbulua se kishte negociuar kufijtë e Shqipërisë, sikur Shqipëria të ishte pronë e tij private.
- Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se kishte negociuar kufijtë e Kosovës sikur Kosova të ishte prona e tij private.
Edi Rama nuk e dha asnjëherë dorëheqjen, por e mbajti pushtetin me çdo mjet, me kriminelë, me para, me oligarkë, me media dhe po e shkreton vendin çdo ditë. I konsumuar tërësisht nga pushteti, i degraduar nga krimi dhe korrupsioni, i shteruar nga çdo ide e dëshirë për të qeverisur, ai sot po mban peng të ardhmen europiane të shqiptarëve.
Të dashur bashkëqytetarë,
Vendi ynë ka shumë plagë të thella, të cilat duan ide, vullnet dhe punë të shërohen. Sot, Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë politik, ekonomik e shoqëror. Ne duhet të çlirojmë politikën nga paratë e pista dhe autokracia, të çlirojmë ekonominë nga oligarkët, nga monopolet e dhuna shtetërore, të krijojmë mundësi që çdo shqiptar të ketë shanset të gëzojë punën dhe talentin e tij; të krijojmë një shoqëri të drejtë për të gjithë.
Kjo është një sfidë e madhe që na takon të gjithëve, para së gjithash ne politikanëve. Për këto sfida ne kemi filluar një dialog kombëtar gjithëpërfshirës. Ky është i vetmi dialog që ndryshon Shqipërinë dhe i vetmi dialog ku unë do të jem pjesë.
Qëndrimi im i prerë dhe i palëkundur është se Edi Rama duhet të largohet menjëherë nga Kryeministër, sepse ai është shkatërrues i zgjedhjeve të lira dhe dhunues i vullnetit të popullit.
Ndryshimi i madh që duam të gjithë, standardet europiane në Shqipërinë tonë mund të arrihen vetëm nga një pushtet që buron nga vota e lirë e qytetarëve dhe ushtrohet në emër të tyre.
Prandaj, ju ftoj që të bashkohemi të gjithë në protestat tona për largimin e tij dhe në dialogun kombëtar për ndryshimin e vërtetë që duhet të sjellim për të garantuar të ardhmen Europiane të Shqipërisë.
Sinqerisht
Lulzim Basha