• Pjesëmarrja plebishitare në protestën për Shqipërinë si Europa tregon vendosmërinë e shqiptarëve për të mos pranuar më kurrë zgjedhje të vjedhura, Shqipërinë e krimit dhe korrupsionit të Edi Ramës.

 

  • Udhëkryqi ku ndodhet Shqipëria është produkt i asgjesimit të votës nga lidhja e krimit me qeverinë, produkt i babëzisë së Ramës. Ne nuk do ta lejojmë më të na bllokojë rrugën drejt Europës.

 

  • Ora e lojës me popullin dhe fatet e popullit ka marrë fund. Tani ka një dhe vetëm një rrugë: të çlirojmë Shqipërinë nga qeveria e krimit, të çlirojmë zgjedhjet nga krimi. Kjo është beteja për Europën.

 

  • Nuk ka Europë pa demokraci. Nuk ka Europë pa votë të lirë. Nuk ka Europë pa ndëshkuar Edi Ramën dhe politikanët e kapur duke vjedhur zgjedhje, duke shkatërruar vullnetin tuaj.

 

  • Vjedhja e zgjedhjeve është themeli i së keqes. Është themeli i varfërisë, i papunësisë, i babëzisë, i arrogancës, i dhunës. Mbi këtë themel ndërtoi Rama Shqipërinë e frikës, të krimit dhe korrupsionit.

 

  • Rruga e Europës nuk hapet sa kohë krimi qeveris vendin, parlamentin, ka kapur gjykatat dhe mediat, dikton ekonominë dhe, bashkë me pushtetarët, dhunon qytetarët e pafajshëm.

 

  • Kasapi i zgjedhjeve nuk do të mundet më të diktojë zgjedhje me krimin. Ne jemi në këmbë për t’i thënë Ramës se zotër të shtëpinë jemi ju, jo krimi. E duam Shqipërinë si gjithë Europa!

 

  • Efektivët e policisë janë vëllezërit tanë. Ata janë po aq të kërcënuar nga krimi, sepse krimi është komandanti i vërtetë i Policisë së Shtetit. Mos cënoni efektivët e policisë!

 

  • Beteja jonë është me qeverinë e lidhur me krimin. Ora e Shqipërisë Europiane po afron. Forca jonë është pjesëmarrja, forca jonë është bashkimi. Forca jonë është qëndresa

 

  • Nuk ka gaz lotsjellës e brutalitet policor ta ndalë e ta shpërndajë vullnetin tonë sot. Asgjë më kriminale nuk ka që, pasi të vjedhësh taksat popullit, t’i përdorësh ato për të helmuar protestuesit.

 

  • Asnjë prej nesh këtu nuk ka ardhur të lëndojë e të prekë asnjë prej vëllezërve dhe motrave tona me uniformë. Qëllimi ynë këtu është mesazhi për kryebanditin në qeveri: “Rama ik”.

 

  • Këtë betejë ne nuk e bëjmë për pushtet, por për një transformim të thellë politik, kushtetues dhe zgjedhor me standardet europiane dhe amerikane. Misionin tonë nuk ka forcë që ta ndalë.

 

  • Në 12 javë është zgjuar shpresa e një populli të tërë, është rikthyer besimi se ky vend bëhet dhe do të bëhet. Evropën ne do ta ndërtojmë këtu, me zgjedhje të lira e të ndershme.

 

  • Jemi të vendosur: zgjedhje me krimin, zgjedhje me Edi Ramën nuk do të ketë. Nuk do të ketë zgjedhje me 30 qershor. Asnjë hap pas nuk do të ketë në betejën tonë. Qeveri tranzitore për të garantuar se sovrani do të jeni ju.

 

  • Shqipëria e shpresës nuk ka qenë kurrë kaq e madhe dhe kaq e vendosur per Shqipërinë Europiane. Ky oktapod kriminal duhet të marrë fund. Shqipëria e frikës duhet të rrëzohet e do të rrëzohet.

 

  • Askush këtu e kudo në botë që i ka sytë sot tek ne, të mos ketë asnjë dyshim se cili është misioni ynë, vokacioni ynë, vija jonë e kuqe. O Shqipëri Evropiane, o betejë deri në fund. Liri a vdekje, demokraci a vdekje.

 

 

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË PROTESTËN PËRPARA KRYEMINISTRISË

 

 

Zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër,

 

Mirë se jeni mbledhur në Kuvendin dhe referendumin më të madh, në plebishitin popullo, nga Shkodra deri në Vlorë, nga Tropoja në Gjirokastër, nga Korça në Durrës, dhe ju qytetarë dhe qytetare të Tiranës, ju uroj nga zemra mirë se keni ardhur në Kuvendin e sovranit.

 

Jemi mbledhur sonte këtu me një kushtrim, me një qëllim, me një vizion, për të mos pranuar më kurrë Shqipërinë e krimit, Shqipërinë e korrupsionit, Shqipërinë e hajdutërisë, Shqipërinë e duvakut aziatik të Edi Ramës, por për Shqipërinë si gjithë Europa.

 

Për Shqipërinë si gjithë Europa ka 30 vite që shqiptarët bëjnë sakrifica të përditshme dhe të përnatshme. Që të gjithë e dini, jeni dëshmitarë se si në këto 30 vite e vetmja mënyrë për të arritur Europën ishte largimi. Ne luftuam së bashku dhe hapën disa dyer europiane, ne e bëmë Shqipërinë së bashku anëtare të Këshillit të Europës, ne vendosëm Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, ne e futëm Shqipërinë në NATO, krah përkrah me vendet europiane, ne hoqëm vizat dhe i kthyem dinjitetin qytetarëve shqiptarë, e bëmë të gjithë këtë së bashku, kur bashkuam zemrat tona, kur bashkuam votat tona, kur pastruam politikën nga krimi, kur bëmë reformat me mbështetjen e Europës dhe ajo na shpërbleu.

 

Vëllezër dhe motra

 

Ne jemi sot përsëri në një udhëkryq të tmerrshëm, produkt i lidhjes së krimit me qeverinë, duke asgjesuar votën tuaj, produkt i një njeriu që ka vënë interesat e tij dhe klanit të tij të babëzitur, të korruptuar dhe të inkriminuar mbi interesat e vogëlushëve shqiptarë, e fëmijëve tuaj dhe të gjithë Shqipërisë.

 

Ndaj jemi këtu për t’i dhënë një mesazh të qartë dhe të prerë. Nuk të lëmë më ta bllokosh rrugën tonë drejt Europës. Rama ik!

 

Gjashtë vite e gjysëm të sundimit kriminal të Edi Ramës dhe organizatës së tij kriminale, e kanë lënë Shqipërinë jashtë Europës, vendi i vetëm në botë pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, vendi ku janë kapur Prokuroria dhe Gjykatat. Sot, drejtësia shqiptare është më e kapur dhe më e korruptuar se kurrë në këto 30 vite. Kjo është vepra e zezë e Edi Ramës dhe bandës së tij kriminale. Rama ik!

 

Destini ynë europian nuk mund të mbetet më në duart e një klike kriminale, nuk mund të mbetet më në duart e vullnetit të një njeriu të korruptuar nga koka deri në këmbë, të kryeministrit më të dështuar dhe më të paaftë, më arrogant, më gënjeshtar, më të inkriminuar, më të korruptuar që ka njohur Shqipëria dhe Ballkani. Rama ik!

 

Ora e lojës me popullin dhe fatet e popullit ka marrë fund. Tani ka një dhe vetëm një rrugë: të çlirojmë Shqipërinë nga qeveria e krimit, të çlirojmë zgjedhjet nga krimi. Kjo është beteja për Europën.

 

Nuk ka Europë pa demokraci.

Nuk ka Europë pa votë të lirë.

Nuk ka Europë pa ndëshkuar Edi Ramën dhe politikanët e kapur duke vjedhur zgjedhje, duke shkatërruar vullnetin tuaj.

 

Vjedhja e zgjedhjeve, vjedhja e votës suaj është themeli i çdo gjëje të keqe që ka pllakosur ju dhe familjet tuaja. Është themeli i varfërisë, i papunësisë, i babëzisë, i arrogancës, i dhunës.  Mbi këtë themel është ndërtuar Shqipëria e frikës, Shqipëria e korrupsionit, Shqipëria e krimit, që e drejtojnë një grusht njerëzish, nuk janë socialistë, nuk janë të majtë, janë kriminelë, janë të babëzitur. Rama ik!

 

Ata janë themeli i këtij pushteti kriminal. Ata janë njerëzit që kanë marrë peng të ardhmen tonë. Ata janë njerëzit të cilët duan ta kenë Shqipërinë jashtë Europës, sepse Europa autokratët e korruptuar i çon përpara drejtësisë, i çon në burg.

 

Kanë burgosur dhe rrahur baballarë dhe nëna. I kanë mbytur me gaz fëmijët e tyre për t’i grabitur. Kanë arrestuar dhe kanë larguar studentët nga Universiteti, kanë pushuar rektorë e pedagogë, duan të asgjesojnë Akademinë e Shkencave, kanë burgosur dhe çuar drejt vetëvrasjes kryefamiljarë, por kriminelët nuk i prek, prokuroria e kapur nuk i prek, drejtësia e korruptuar i bindet një njeriu, një vullneti kriminal, njeriut që e ka lidhur pushtetin  me krimin dhe me krimin do të fundosë Shqipërië, por kjo nuk ka për të ndodhur. Rama ik!

 

Të çlirojmë Shqipërinë nga zgjedhjet me krimin. Nga qeverisja me krimin dhe kriminelët.

 

Është sot detyra më e lartë patriotike. Është parakushti për të hapur rrugën e bllokuar të Europës. Pa Europë nuk ka shpëtim. Por kjo rrugë nuk mund të hapet sa kohë që krimi qeveris parlamentin, sa kohë krimi është ulur në tryezën e kabinetit qeveritar, sa kohë që krimi ka kapur gjykatat, sa kohë që krimi dikton ekonominë, ka kapur mediat, dhunon bashkë me pushtetarët, qytetarët e pafajshëm të këtij vendi.

 

Ndaj për të realizuar misionin tonë hyjnor, që është Shqipëria si gjithë Europa, duhet dhe do ta fitojmë këtë betejë me patjetër.  Me këtë ëndërr jemi mbledhur shpesh dhe kemi bërë hapa përpara. Me këtë ëndërr “Për Shqipërinë si gjithë Europa”, kemi qëndruar në ditët më të zeza të diktaturës e tiranisë së krimit, kemi propozuar rrugëdalje politike, kemi kërkuar hetimin e atyre që vodhën zgjedhjet e 2017-ës. Propozuam vettingun në politikë, detyrat e qeverisë tranzitore, por bashkimi i Edi Ramës me krimin, ka një përgjigje, t’i dhunojë shqiptarët, të dhunojë zgjedhjet e ardhshme.

 

4 nga 7 anëtarët e të ashtuquajturës Task Force, duhet të jenë sot në burg për Dibrën, për Dosjen 339, për Unazën, për Toyota Yaris, ata janë sot të pandëshkueshëm si të gjithë kriminelët e tjerë, kjo për arsye të pushtetit të një njeriu, pengmarrësit të Shqipërisë Europiane, shkatërruesit të drejtësisë shqiptare, Edi Ramës.

 

Kasapi i zgjedhjeve nuk do të mundet më të diktojë zgjedhje me krimin.

 

Armata e lirisë është ngritur në këmbë, është derdhur në sheshe, ka zbarkuar kudo dhe është gati që sot të bëjë realitet normën e parë të Shqipërisë Europiane.

 

Zotër në shtëpinë tuaj, jeni ju, jo krimi. Rama ik!

 

Le ta dëgjojë kombi anembanë këngën tonë, misionin tonë.

E duam Shqipërinë si gjithë Europa!

 

Sot na nderojnë me praninë e tyre, në këtë protestë madhështore studentët, anëtarët e organizatës studentore të Partisë Popullore Europiane, përfaqësues të partive simotra nga të gjithë vendet e Europës.

 

Europa, zgjedhjet europiane, triumfi i idealit të Europës është sot. (ndërpritet fjalimi dhe iu drejtohet policëve, që po tërhiqnin zvarrë një person me aftësi të kufizuara) Mos provokoni! Ndalni dhunën ndaj invalidit. Nuk vjen e keqja nga invalidi, e keqja vjen nga Edi Rama dhe krimi i bërë njish me të. Rama ik!

 

Brohoritje – E duam Shqipërinë si gjithë Europa.

 

Zonja dhe zotërinj,

 

Efektivët e policisë janë vëllezërit tanë. Ata janë po aq të kërcënuar nga krimi, sepse krimi është komandanti i vërtetë i Policisë së Shtetit.

 

Mos cënoni efektivët e policisë!

 

Vëllezër dhe motra,

 

Beteja jonë është me krimin, beteja jonë është me qeverinë e lidhur me krimin. Asnjë hap pas. Rama ik! E di zemërimin tuaj, të dhunuar, të shfrytëzuar, të papunë. Ora e Shqipërisë Europiane po afron.

 

Forca jonë është pjesëmarrja, forca jonë është bashkimi.

Forca jonë është qëndresa.

 

Fitore, fitore fitore!

 

 

DISA MINUTA MË VONË, PASI FJALIMI NDËRPRITET NGA HEDHJA E GAZIT LOTSJELLËS PREJ POLICISË

 

Nuk ka gaz lotsjellës e brutalitet policor ta ndalë e ta shpërndajë vullnetin tonë sot. Bashkohuni miqtë e mi, vëllezër e motra. Protesta vazhdon e do të vazhdojë. Beteja do të vazhdojë deri në fitore. E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa.

 

Asgjë më kriminale nuk ka që, pasi të vjedhësh taksat popullit, t’i përdorësh ato për të helmuar protestuesit. Prandaj, si garancia e vetme për kushtetutë dhe ligj, me një kërkesë, me një mision, me një qëllim, “E duam Shqipërinë sie  gjithë Evropa”.

 

Asnjë prej nesh këtu nuk ka ardhur të lëndojë e të prekë asnjë prej vëllezërve dhe motrave tona me uniformë. Qëllimi ynë këtu është të dërgojmë një mesazh të prerë dhe final kryehajdutit, kryebanditit në krye të qeverisë së paligjshme, Edi Ramës dhe skotës së tij të hajdutëve. Dhe mesazhi ynë për të është “Rama ik”.

 

Ndaj le të vazhdojmë miqtë e mi qëndresën tonë, misionin tonë, protestën tonë, sepse misionin tonë nuk ka forcë që ta ndalë.

 

Këtë betejë ne nuk e bëjmë për pushtet, këtë betejë ne nuk e bëjmë për parti, këtë betejë ne nuk e bëjmë për karrige, këtë betejë nuk e bëjmë për mandate. Mandatet tona ishin të vetmet mandate të pastra nga krimi dhe paratë e drogës, por ne ua kthyem qytetarëve, sepse nuk mund të ketë e nuk do të ketë më parlament fasadë, qeveri fasadë e zgjedhje fallco, drejtësi fallco, ekonomi fallco, shëndetësi fallco dhe arsim fallco.

 

Ne e dimë se rruga jonë drejt Evropës kalon vetëm përmes fitores së kësaj beteje. 12 vjet më parë, Shqipëria e frikës, e territ, e varfërisë, e arrogancës, e korrupsionit, e hajdutërisë mbizotëronte si natë e zezë anembanë vendit.

 

Shikoni se çfarë kemi arritur dhe jini krenarë, bashkimi më i madh, bashkimi më i vendosur i qytetarëve shqiptarë.

 

Në vetëm 12 javë është zgjuar shpresa e një populli të tërë, është rikthyer besimi se ky vend bëhet dhe do të bëhet. Se për të shijuar Evropën, rruga e vetme nuk do të jetë më largimi nga shtëpitë tona, se Evropën ne do ta ndërtojmë këtu, me zgjedhje të lira e të ndershme, duke u dhënë shqiptarëve një qeveri që ka frikë vetëm qytetarin, që është peng vetëm i juaji, shërbëtore e përulur e qytetarëve.

 

Ndaj jemi këtu jo për një betejë pushteti, po për një transformim të thellë politik, një transformim politik kushtetues e zgjedhor të standardeve të Evropës, të standardeve të Amerikës, kurrë më krimi të mos diktojë zgjedhjet.

 

Ndaj jemi të vendosur: zgjedhje me krimin, zgjedhje me Edi Ramën nuk do të ketë, nuk do të ketë zgjedhje me 30 qershor. Rama ik.

 

Dy Shqipëritë janë përballë njëra-tjetrës, po kurrë nuk ka qenë kaq e tkurrur, kaq e vogël, kaq e trembur Shqipëria e frikës, Shqipëria e oligarkëve, Shqipëria e kriminelëve, Shqipëria e Edi Ramës. Kurrë nuk ka qenë kaq e madhe, me kaq shumë kurajo dhe kaq e vendosur Shqipëria e shpresës që jeni ju, qindra mijëra qytetarë anembanë vendit.

 

Në këtë betejë nuk ndahemi, por bashkohemi. Të djathtë e të majtë njësoj e kanë pësuar në lëkurën e tyre, njësoj në tavolinat tuaja, në shtëpitë tuaja gjëmën e “Rilindjes” kriminale. Jemi të vendosur që shpresën tonë, misionin tonë për Shqipërinë Evropiane ta bëjmë realitet. Këtu kemi ardhur, këtu do qendrojmë, këtu do të bëjmë betejën tonë, këtu do të fitojmë. Për Shqipërinë, për demokracinë, për Evropën.  Rama ik!

 

Asnjë hap pas nuk do të ketë në betejën tonë. Asnjë shans nuk ka ky grusht kriminelësh dhe oligarkësh, nën komandën e Edi Ramës, t’ju vërë këmbën në fyt shqiptarëve, sepse shqiptarët tani janë zgjuar, sepse shqiptarët tani janë vetëdijësuar, sepse shqiptarët tani kanë kurajon, mençurinë, vendosmërinë të luftojnë së bashku për Shqipërinë si e gjithë Evropa.

 

Ndaj rruga e zgjidhjes politike, e parashtruar me përgjegjësi të madhe nga koalicioni i bashkuar i opozitës, maxhoranca e re morale, politike dhe numerike në vend është rruga që duhet të bashkojë çdo faktor të përgjegjshëm politik. Qeveri tranzitore për të garantuar që këtej e tutje, ashtu siç është shkruar në kushtetutë, ashtu do të jetë realitet: sovrani do të jeni ju. Rama ik!

 

Kjo nuk është lojë, ky nuk është thjesht dhe vetëm një rast tjetër për të treguar forcën. Kjo është beteja për jetë a vdekje për Shqipëri evropiane, me zgjedhje evropiane, me drejtësi evropiane, me zbatim të ligjit evropian, me ekonomi evropiane ose betejë deri në fund, deri në fitore. Rama ik!

 

Sakrificat që kjo betejë kërkon nuk bëhen në emër të një partie politike apo një koaliconi opozitar. Ato bëhen në emër të vogëlushëve shqiptarë. Fati i Shqipërisë në 10-15 vitet e ardhshme përcaktohet sonte dhe në javët që vijojnë, prandaj bashkimi ynë është i pathyeshëm.

 

Hapat prapa nuk na çon muaj apo vite, por 3 dekada prapa, por kësaj radhe në një tirani tjetër, në tiraninë e krimit, në tiraninë e oligarkisë, ku gjithësecili prej jush nuk do të jetë më individ, nuk do të jetë më njeri i lirë, por një numër, një statistikë, një njeri për t’u vjelë nga taksat, për t’u futur në burg, kur nuk paguan dot çmimet e kripura të energjisë elektrike, për tu shpunësuar mbi bindjet poltiike apo qejfet e tarafit të Edi Ramës dhe kriminelëve me të cilët qeveris.

 

A mund ta lëmë ne Shqipërinë tani që jemi kaq afër ëndrrës tonë për një Shqipëri si e gjithë Evropa? A mund ta lëmë që kryehajduti i 30 viteve tranzicion t’i hedhë duvakun aziatik, a mund ta lëmë ne Shqipërinë dhe fatin e saj në duart e Edi Ramës, Damian Gjiknurit, Taulant Ballës, Gramoz Ruçit, Ymer Lalës, Emiliano Shullazit, Bajrajve, Abvylajve me shokë? Kurrsesi jo.

 

Ndaj jemi sot dhe do të jemi deri në fund të kësaj beteje të vendosur. Ky oktapod kriminal duhet të marrë fund. Shqipëria e frikës duhet të rrëzohet e do të rrëzohet. Rama ik.

 

Shqipëria e shpresës, shqipëria e pozitivitetit, e njerëzve të ndershëm, që besojnë në Zot, besojnë në vlera, besojnë tek familja, besojnë dhe duan atdheun nuk e tradhtojnë kombin si tradhtari i Kosovës Edi Rama. Rama ik.

 

Ne jemi të gjithë bashkë, diga e pakapërcyeshme për këtë tirani, ne jemi të gjithë bashkë oqeani që do të marrë përpara çdo mur tiranie dhe krimi, sot, nesër dhe deri në fitore.

 

Ndaj, sa më herët t’i thërrasë arsyes, aq më të lehtë do t’ia bëjmë fatin vetes. Nuk ka parë historia një popull të nënshtrohet nga një grusht hajdutësh. Fundi i hajdutëve është i sigurtë, fundi i kriminelëve është i sigurtë. Fitorja e demokracisë, fitorja e lirisë, fitorja e Shqipërisë si e gjithë Evropa është misioni ynë, që do ta çojmë deri në fund.

 

Prandaj sakrifica e bashkimit,e pjesërmarrjes, e qëndresës, e përballjes me tiraninë, sy për sy e dhëmb për dhëmb është garancia që kjo valë shprese do të përfshijë çdo shqiptar, që kjo valë besimi ta marrë përpara depresionin social, psikologjik dhe ekonomik. Kjo është garancia, ju jeni hipoteka e Shqipërisë si e gjithë Evropa.

 

Minutat, orët, ditët dhe javët e ardhshme janë deçizive për vendin. Askush këtu e anembandë rruzullit, qëi i ka sytë sot tek bashkimi i shqiptarëve për liri dhe demokraci nuk duhet të kenë dyshim se cili është misioni ynë, vokacioni ynë, se cila është  vija jonë e kuqe. Le ta bëjmë të ditur sot nga fundi i sheshit Skenderbej, e deri tek fillimi i Sheshit Nënë Terezës: E Duam Shqipërinë si e gjithë Evropa.

 

Ne, Europës i sjellim vlerë unike vlerën e bashkimit në shpirt dhe ne zemër me besimtarë të Zotit. Para se vëllezërit tanë ta thyejnë agjërimin, dua t’u them: Sakrifica juaj e ndriçoftë rrugën tonë, bekimin hyjnor E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa.

 

Ky është bashkimi më i mahnitshëm që ka parë ky shesh, në muzg apo në agim, por ky është muzgu i tiranisë dhe agimi i lirisë së re që po vjen. Dhe ju jeni aksionerët e Shqipërisë si e gjithë Evropa, sepse vëllezër e motra, sonte nga ky shesh, dua të zotohem para jush dhe para kombit, se çdo ndryshim kushtetues, çdo ndryshim elektoral, çdo ndryshim zgjedhor, çdo ndryshim politik do të bëhet realitet vetëm kur ta votoni ju, sovrani, me një referendum kombëtar e popullor.

 

Rama ik.

 

Në shtëpitë tuaja do të jeni vetëm ju, në institucionet shqiptare do të jenë ata që do të caktoni ju. Ju do t’i caktoni, ju do t’i shkarkoni. Kjo është Evropa, një vend ku populli ka frikë qeverinë nuk ka e nuk mund të ketë Evropë. Evropë ka aty ku qeveria ka frikë popullin.

 

Le të vazhdojmë tani së bashku qëndresën tonë, të vendosur, të bashkuar, të përbetuar për Shqipërinë Evropiane.

 

E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa.

 

Të gjithë bashkë jepini dorën njëri-tjetrit, sup më sup me njëri-tjetrin, le të vazhdojmë këtë qëndresë, le ta japim këtë mesazh, ta ngulisim fort në murin e historisë tonë: O Shqipëri Evropiane, o betejë deri në fund. Liri a vdekje, demokraci a vdekje.

 

Të gjithë së bashku në krah të njëri tjetrit, të gjithë së bashku, forca e pathyeshme e sovranit.

 

Zoti ju bekoftë ju! Zoti e bekoftë Shqipërinë!