• Asnjë hap pas në betejën tone për Shqipërinë si gjithë Europa. Ne jemi ngritur mbi interesat tona të ngushta politike, kemi dalë në krah të shqiptarëve dhe kemi vendosur ta çojmë këtë betejë deri në fund.

 

  • Ne nuk pranojmë teatër me interesat e shqiptarëve. Ne kemi ndalur çdo kalkulim të vogël politik. Ne nuk luajmë me porta të vogla të krimit dhe të oligarkëve siç bën Edi Rama. Nuk e njohim dhe nuk e pranojmë atë lojë.

 

  • Kush ka blerë zgjedhjet, do të shkojë para drejtësisë dhe do të marrë dënimin e merituar, duke nisur me Vangjush Dakon. Rama, që na propozon pranimin e një tjetër procesi fallc, ështëakoma në krye të manipulimit.

 

  • Balla dhe Gjiknuri heshtin për aktin kriminal të kërcënimit të anëtarëve të KQZ për të mos regjistruar opozitën në KZAZ. Akti i tyre, me urdhër të Ramës, është në tabulatet e dorëzuara partnerëve ndërkombëtarë.

 

  • Edi Rama i shërben vetëm pushtetit të tij paktit me krimin, që e ka sjellë në pushtet. Propozimi i tij për 30 qershorin është kapitullimi i popullit para krimit, dhe para bandave të bëra njësh me pushtetin.

 

  • Alternativa jonë është ajo e përballjes deri në fitore. Nëse tenton më 30 qershor zgjedhje fallco, zgjedhje me krimin, zgjedhje me hajdutët, do të ketë përballje në çdo qendër votimi, në çdo kuti votimi.

 

  • Për shqiptarët e thjeshtë kjo beteje është çështje për jetë a vdekje. Kjo betejë bëhet për t’i dhënë fund një sistemi të kalbur politik dhe ekonomik, që i varfëron, i vjedh dhe i trajton pa dinjitet.

 

  • Edi Rama i ka kapur të gjitha pushtetet, parlamentin, qeverinë, drejtësinë, mediat, ekonominë, por fprca jonë qëndron tek qytetarët. Rama i ka kapur të gjitha, por ka kundër popullin.

 

  • Përballja ka sot nga njëra anë pakicën më të tkurrur të kriminelëve, gangsterëve dhe të politikanëve të korruptuar para shumicës më të vendosur, më të bashkuar dhe më morale që Shqipëria ka njohur.

 

  • Që kurrë më qeveria të mos jetë peng i kriminelëve, kjo betejë nuk do të përfundojë thjesht me largimin e Edi Ramës. Largimi i Edi Ramës është hapi i parë i panegociueshëm, i cili do t’i hapë rrugë zgjidhjes së krizës.

 

  • Propozimet tona për ndryshimin e sistemit politik, duke nisur me sistemin zgjedhor e referendumet, nuk do të kalojnë në pakte kulisash. Do të ketë dialog kombëtar dhe në fund një vendimarrje me referendum nga populli

 

  • PD e ka planin ekonomik për ta nxjerrë vendin nga kriza, por sot beteja është që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo betejë, që ka ngjallur shpresën tek çdo shqiptar, na thërret me 25 maj në Tiranë

 

  • E ardhmja nuk do të jetë e Vangjush Dakos, Taulant Ballës, Damian Gjiknurit, e avdylajve dhe e bajrajve. E ardhmja do të jetë durrsakëve dhe e gjithë shqiptarëve. Ne do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa!

 

  • Le ta shpërndajmë mesazhin e bashkimit dhe vendosmërisë sonë me një kërkesë: Të gjithë me 25 maj në Tiranë. Me pjesëmarrje, me bashkim, me shpresë dhe vendosmëri absolute, të diktojmë: asnjë hap pas!

 

 

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË DURRËS.

 

Vëllezër dhe motra,

Zonja dhe zotërinj,

Të rinj e të reja,

Qytetare e qytetarë të Durrësit,

Drejtues të PD, përfaqësues politikë të saj, Kryetar i Partisë Ambientaliste Agron Duka,

Anëtarë dhe drejtues të partive të koalicionit opozitar,

 

Dje nuk u përmbajta dot nga emocionet që më shkaktoi pritja e jashtëzakonshme në Berat. Sot jam i shtangur dhe i pafjalë nga ky uragan, uragan që nisi në Maminas me pritjen madhështore me rininë durrsake!

 

Mmirënjohje të thellë për mikpritjen tuaj!

 

Dhe ja tek jemi sot nga zërat tuaj, nga kraharorët e durrsakëve të lirë po troket ora shpresëplotë e ndryshimit të madh që po vjen. Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, ditë për ditë, sytë e shqiptarëve janë drejt pasditeve, ku ne bashkohemi në salla dhe sheshe në numra të paparë dhe të padëgjuar prej dekadash, me një qëllim, me një kauzë dhe një përbetim për të mos hedhur asnjë hap pas në betejën tonë kombëtare, në betejën tonë europiane, në kauzën tonë për Shqipërinë si gjithë Europa! Një bashkimi i tillë popullor nuk është parë që në ditët e përmbytjes së diktaturës, ditët që bashkuan shqiptarët rreth ëndrrës së madhe, ëndrrës së lirisë, ëndrrës së dinjitetit, ëndrrës së mirëqenies.

 

30 vite kanë kaluar, rruga jonë drejt Europës është e mbushur me dhimbje, me sakrifica, askush më mirë se Durrësi dhe durrsakët nuk e dinë dhe nuk e njohin kalvarin tonë drejt Europës që nisi mbrëmjen e 5 korrikut 1990, kur mijëra bijë dhe bija shqiptarësh u nisën si refugjatë, u larguan nga vendi më i pashpresë dhe më mizor. Mijëra dhe dhjetëra mijëra të tjerë kapërcyen detin, shumë prej tyre nuk ia dolën dhe shumë të tjerë u larguan në kërkim të ëndrrës për një jetë më të mirë. U zhvendosën në Europë, u bën njësh me Europën. Durrsakët u bënë më italianë se italianët, shqiptarët u bënë më europianë se europianët  dhe ndihmuan familjet e tyre në shtrëngesë të tmerrshme mjerimi, mbi të gjitha, ndihmuan për t’ia hapur sytë një kombi të izoluar, plot dhimbje dhe sakrifica. Por ne dinim atëherë se rrugë tjetër përveç Europës  nuk kishte. Edhe sot e dimë nuk ka rrugë tjetër përveç Europës, por ky bashkim sot ka një tjetër mesazh: Kurrë më shqiptarët nuk do të largohen kokulur nga vendi i tyre, kurrë më si refugjat! Kurrë më si klandestinë ilegal të detyruar nga mjerimi, nga skamja, nga depresioni që ushqen banda në pushtet dhe kryebanditi, kryehajduti, kryekorruptuari në krye të saj. Jo! Tani dhe asnjë minutë më vonë ka ardhur koha e një beteje vendimtare për jetë a vdekje për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa!

 

Vëllezër dhe motra!

 

Vëllezër dhe motra për 6 vite me radhë Europa i ka mbyllur dyert e saj, sepse Edi Rama ka mbyllur derën e progresit drejt Europës, duke asgjësuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke mbushur parlamentin me trafikantë, vrasës, përdhunues, duke emëruar në krye të bashkive të vendit kryehorra, hajdutë për librin Gines, si Vangjush Dako me shokë, duke shkatërruar institucionet, duke përqendruar gjithë pushtet në dorën e tij, duke ia dhuruar buxhetin e shtetit, taksat e shqiptarëve, pasuritë e shqiptarëve, bregdetin, lejet e ndërtimit, minierat, naftën, energjinë, koncesionet, gjithçka një grushti oligarkësh të korruptuar, që nga mëngjesi deri në darkë bëjnë pazaret me Edi Ramën, vjedhin me Edi Ramën si të babëzitur popullin më të varfër.

 

Dyert e Europës i ka mbyllur Edi Rama, sepse në Europë nuk shkohet pa zgjedhje të lira, nuk shkohet pa ndarjen dhe balancimin e pushteteve, nuk shkohet me një parlament të diktuar nga krimi, të krimit dhe për krimin, por shkohet vetëm me një parlament dhe me një qeveri të njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit. Kjo është kauza jonë, beteja jonë për çdo shqiptar.

 

Për gjashtë vite e gjysëm ne kemi luftuar këtë betejë në ditë të mirë dhe të vështira, e kemi luftuar kur ishim pak dhe të vetëm, e kemi vazhduar betejën kur na përqeshnin, kur denonconim kriminelët në parlament, drogën me avionë, kur tregonim me gisht ministrat, nga i Brendshmi tek Kryeministri, i përfshirë drejtpërdrejtë në aferat më të tmerrshme korruptive dhe në trafikun ndërkombëtar të drogës.

 

Ne e kemi luftuar këtë betejë jo për interesat tona politike, shpesh kundër interesave tona elektorale, por të bindur se pa e ndarë politikën nga krimi, se pa  çuar para drejtësisë dhe prapa hekurave kriminelët dhe politikanët e korruptuar, Shqipëria nuk mund të shkojë drejt Europës.

Misioni ynë është një mision kombëtar. Në historinë e shoqërie, në përballje të tilla vijnë momente si ky ku jemi sot, ku një parti e madhe, me një histori të madhe dhe me një mision të madh kombëtar si Partia Demokratike e Shqipërisë duhet të vendosë, nëse do të zgjedhë rrugën e rehatit, rrugën e pazarit, rrugën e kompromisit me të keqen për hir të pushtetit dhe karriges apo rrugën e vështirë, të drejtë dhe hyjnore të betejës për njerëzit, për Shqipërinë, për të ardhmen e saj.

 

Ne e kemi bërë zgjedhjen, ne jemi në krah të njerëzve. Ne jemi në krah të projektit tonë me të cilin lindëm, projektin për Shqipërinë si gjithë Europa. Ne kemi ndalur çdo kalkulim të vogël politik. Ne nuk luajmë me porta të vogla të krimit dhe të oligarkëve siç luan i babëzitur nga mëngjesi deri në darkë Edi Rama. Nuk e njohim dhe nuk e pranojmë atë lojë. Ne nuk pranojmë teatër me interesat e shqiptarëve. Ne jemi ngritur mbi interesat tona të ngushta politike. Sepse ne kemi një mision të jashtëzakonshëm, që nuk i takon një partie të zakonshme dhe ne nuk jemi një parti e zakonshme. Ne jemi bashkimi që hodhëm diktaturën, diktaturën e Enver Hoxhës.

 

Ne jemi sot në ballë të bashkimit që do të shembë tiraninë e krimit, do ta shembë me themele, me çdo kusht, me çdo çmim, me çdo sakrificë.

 

Vëllezër dhe motra!

 

Para nesh janë dy dilema: kapitullim apo përballje deri në fitore.

 

Edi Rama, kriminelët dhe oligarkët me të cilët uzurpoi pushtetin, vodhi zgjedhjet dhe po vjedh Shqipërinë, na propozojnë kapitullimin.

 

Edi Rama na propozon që me 30 qershor ne të bëjmë sehir, teksa ai bën një grusht shteti, një proces zgjedhor fallco, ku 1 milionë e 400 mijë qytetarë shqiptarë nuk kanë karta të vlefshme identiteti, pra kanë karta identiteti të skaduara, potencialisht 1,4 milionë fallsifikime, në një proces zgjedhor, ku serveri i regjistrit të gjendjes civile ka rënë dhe regjistri manipulohet nga mëngjesi deri në darkë, siç e dini fare mirë ju durrsakët, siç e bëri Dako në 2015-n, ku regjistri i adresave është bërë lëmsh nga manipulimet e sejmenëve të pushtetit.

 

Na propozon zgjedhje, ku kriminelë me damkë e trafikantë droge nga Artur Bushi tek Tërmet Peçi e dhjetëra të tjerë rikandidojnë, kur, në fakt, dekriminalizimi duhet t’i kishte nxjerrë nga dritarja e duhet t’i kishte çuar para drejtësisë. Na propozon të kapitullojmë para përzgjedhjes këtu në Durrës, të një asistent-hajduteje të Vangjush Dakos si kandidate për kryetare bashkie. Tani që Vangjush Dakon ka filluar ta përpijë vorbulla për ta çuar atje ku e kam paralajmëruar, para drejtësisë dhe prapa hekurave, e gënjen mendja se do t’i shpëtojë drejtësisë, duke bërë paktin me Ramën dhe duke mbajtur në këmbë prokurorinë e kapur dhe të shitur. Jo Vangjush Dako jo, Rama të gënjen. Fundi yt është siç të kam paralajmëruar, para gjyqtarëve, gjyqtarëve të pavarur, të ndershëm e të pakorruptuar, dhe prapa hekurave, për gjithçka që ke bërë mbi Durrësin dhe mbi durrsakët.

 

Na propozon Taulant Ballën dhe Damian Gjiknurin si rojtarë të zgjedhjeve, dy njerëz që po të hetoheshin, siç do të hetohen 339-a dhe 184-a, po kështu, do të jenë para togave të zeza të drejtësisë për të marrë dënimin e merituar. Dhe meqë ra fjala, keni rënë squk, ka 24 orë që kam kam denoncuar aktin kriminal, ku me urdhër të Edi Ramës, Taulant Balla, Damian Gjiknuri, kanë ushtruar presion mbi 4 anëtarët e KQZ-së, që në mënyrë të kundërligjshme të mos regjistrojnë përfaqësuesit e opozitës në KZAZ. Gjithçka është në tabulatet e dorëzuara partnerëve ndërkombëtarë. Nuk keni shans, nuk keni shpëtim.

 

Pra, na propozon një proces të dalë tërësisht jashtë rregullave të Kodit Zgjedhor, në kundërshtim flagrant me ligjin, në kundërshtim flagrant me kushtetutën dhe mbi të gjitha të kriminalizuara edhe më shumë sesa zgjedhjet e 2017-s dhe zgjedhjet e 2015-s. Na e propozon, pra, kapitullimin na propozon që ne të ulim kokën e të pranojmë një tjetër proces fallc zgjedhor, kësaj radhe edhe pa garë, vetëm e vetëm për pushtetin e tij, për karrigen e tij, dhe për paktin që ka lidhur me krimin dhe me kriminelët.

 

Edi Rama me këtë propozim i shërben vetëm karriges së tij, vetëm pushtetit të tij dhe kriminelëve që e kanë sjellë në pushtet. Dhe për këtë arsye ka shkelur ligjin, ka shkelur kushtetutën, ka shkelur Kodin Zgjedhor dhe do që të shkelë mbi dinjitetin e çdo shqiptareje dhe shqiptari të ndershëm, mbi të ardhmen e fëmijëve tuaj, do që të sakrifikojë fëmijët e Durrësit, të rinjtë e Durrësit, pensionistët e Durrësit dhe të të gjithë Shqipërisë për pushtetin e tij korruptiv. Ky është propozimi i Edi Ramës për 30 qershorin, kapitullimi i popullit para krimit, kapitullimi i popullit para bandave të bëra njësh me pushtetin.

Alternativa tjetër është alternativa e përballjes vendimtare deri në mposhtjen e kësaj bande, deri në fitore. Ky është kushtrimi me të cilët i kemi thirrur shqiptarët në këtë betejë, me 16 shkurt, kjo është kauza për të cilën dogjëm mandatet, më të pastrat, të vetmet të pastra, dhe u rreshtuam në krahun tuaj për kauzën tonë të njerëzve të thjeshtë. Ky është kushtrimi me të cilin shqiptarët janë bashkuar në dhjetëra takime madhështore, kjo është shpresa që po lind e po mbulon anembanë vendin, që ka ngritur në këmbë Shkodër e Vlorë, Tropojë e Berat, Durrës e Korçë. Kjo është alternativa e përballjes në çdo qytet, në çdo shesh, në çdo rrugë, çdo ditë, çdo javë, dhe nëse tenton më 30 qershor zgjedhje fallco, zgjedhje me krimin, zgjedhje me hajdutët, përballje në çdo qendër votimi, në çdo kuti votimi.

 

Vëllezër dhe motra!

 

Nderi dhe detyra jonë si demokratë është t’i prijmë kësaj përballjeje.

 

Për shqiptarët e thjeshtë kjo nuk është thjeshtë një çështje nderi dhe detyre ndaj fëmijëve dhe brezave që vijnë. Për shqiptarët e thjeshtë kjo është një çështje ekzistence, është një çështje për jetë a vdekje, në kuptimin më të vërtetë të fjalës.

 

Pse bëhet kjo betejë vëllezër e motra?  Kjo betejë bëhet për t’i dhënë fund një sistemi të kalbur politik dhe ekonomik, që ju ka varfëruar, që ju ka shpunësuar, që ju ka nxjerrë me të padrejtë nga puna, që ju ka mbyllur bizneset apo ju ka sjellë në prag të falimentimit, që ju ka rritur çmimin e naftës, duke e bërë më të shtrenjtin në Evropë për popullin më të varfër të Evropës, që ka rritur çmimin e energjisë, që i ka sjellë pensionistët në ditën më të zezë, ku paratë e pensionit nuk mjaftojnë për drita dhe ilaçe, jo më për bukën e gojës, që ka sjellë studentët në sistemin më të falimentuar arsimor, me tarifat më të larta dhe cilësinë më të dobët, që ka sjellë njerëzit në nevojë ekonomike në prag të vetëflijimit dhe depresionit, që ka sjellë fermerin shqiptar në nivelet e fermerit afrikan. Pra, për të shembur nga themelet këtë sistem, kjo është beteja jonë, ky është kushtrimi që bashkon sot demokratë dhe socialistë, të djathtë e të majtë, myslimanë e të krishterë, gegë dhe toskë, burra dhe gra, të rinj dhe të reja.

 

Për pushtetin e tij, i ka shkuar në mendje të bëjë atë që s’ka guxuar ta bëjë askush në 29 vite, në Shqipëri dhe në Evropë, zgjedhje fallco, zgjedhje me krimin, shkelje totale të kushtetutës dhe ligjit, asgjësim të gjykatave, kapje të prokurorisë, vetëm për pushtetin e tij.

 

Jemi sot këtu me përgjegjësinë e madhe për t’ju thënë shqiptarëve se kjo betejë për ne nuk është për pushtet, nuk është për karrige, është për ju, për ta çliruar Shqipërinë nga bandat kriminale që i kanë marrë peng qeverisjen, për t’i çliruar zgjedhjet dhe për t’ju kthyer ju të drejtën për të zgjedhur dhe shkarkuar qeverinë. Është një betejë e cila na bashkon dhe nuk na ndan në vendosmërinë tonë për të marrë fatin tonë në duart tona, fatin e shqiptarëve në duart e shqiptarëve.

 

Ndaj edhe propozimi ynë politik, rruga e vetme për të zgjidhur këtë krizë, ka pikërisht parasysh këtë interes kombëtar, këtë interes të të gjithë shqiptarëve.

Kush nuk do zgjedhje të lira e të ndershme, kush do që në vend të përfaqësuesve të vet politikë, të djathtë apo të majtë, të ketë trafikantë të vajzave dhe grave shqiptare, narkotrafikantë, vrasës e përdhunues, Kush do të ketë një qeveri peng të krimit dhe kriminelëve, që vulos dhe firmos vjedhje dhe grabitje, më të mëdhatë, më të thellat, më të hatashmet në 29 vite! E pra, çeshtja e dytë që dua të ndaj sot nga Durrësi është kjo. Por ka edhe një ndarje tjetër.

 

Edi Rama i ka kapur të gjitha. Ka sot qeverinë, pseudo parlamentin, pseudopolicinë, pseudo drejtësinë, mediat kryesore. Ai ka kapur ekonominë me oligarkët. Një grusht njerëzish me në krye Edi Ramën i kanë kapur të gjitha.

Atëherë, ku janë asetet tona? Ku është forca jonë? Ku janë mjetet tona?

 

Po, ai i ka kapur të gjitha, por pikërisht sot e ka të gjithë popullin kundër, të gjithë njerëzit e bashkuar e të vendosur për t’i dhënë fund këtij teatri të shëmtuar politik që na kushton çdo ditë mijëra vende pune, spitale pa ilaçe, arsimin në kolaps, mijëra emigrantë çdo ditë.

 

Përballja ka sot nga njëra anë pakicën më të tkurrur të horrave, zuzarëve, kriminelëve, gangsterëve dhe të politikanëve të korruptuar, pakicën e vesit, pakicën e krimit dhe pakicën e antivlerave, para shumicës më të vendosur dhe më të bashkuar dhe më morale që Shqipëria ka njohur.

 

Për ju është kjo betejë vëllezër dhe motra.

Për ju do të jetë fitorja e kësaj beteje, që kurrë më Shqipëria mos të bjerë më në grackën e një njeri apo një grushti politikanësh që premtojnë mrekulli, premtojnë 300 mijë vende pune, shëndetësi falas, legalizime falas dhe, pasta,j mbyllin qindra-mijëra vende pune, ia dorëzojnë tre oligarkëve paratë tuaja të shëndetësisë, prishin shtëpitë pa ligj, i hedhin gaz helmues fëmijëve në orën 05.00 të mëngjesit për t’i nxjerrë nga shtëpitë e tyre.

 

Pra, që kurrë më qeveria të mos jetë peng i kriminelëve, kjo betejë nuk do të përfundojë thjesht dhe vetëm me largimin e Edi Ramës. Largimi i Edi Ramës është hapi i parë i panegociueshëm, hapi që do t’i hapë rrugë zgjidhjes politik të krizës.

Por, fjalën vendimtare për zgjidhjen njëherë e përgjithmonë të plagëve që shkaktojnë këtë krizë, do ta kenë përsëri shqiptarët.

 

  • Deputetë të zgjedhur drejtëpërdrejt në 100 zona maxhoritare apo sistem kombëtar me lista të hapura.
  • Senat që e ngadalëson dhe e bën transparent procesin legjislativ.
  • President me kompetenca të plota që kontrollon dhe balancon pushtetet, pse jo, president të zgjedhur nga populli.
  • Ndarje dhe balancim të pushteteve që garantojnë gjyqtarë dhe prokurorë të pavarur dhe që zbatojnë ligjin.
  • Referendume popullore lokale dhe kombëtare që, sovrani, populli të ketë gjithmonë mundësinë, levën, për t’iu mbivendosur çdo politikani që humb arsyen dhe kërkon të mashtrojë votuesit. Referendum për gjithçka që kanë të bëjnë me shëndetin, sigurinë, jetën.

 

Këto janë disa nga propozimet, për të cilat angazhohem sot se nuk do të ketë pakte kulisash, do të ketë një dialog kombëtar dhe në fund një vendimarrje me referendum nga populli.

 

Vetëm kështu do të parandalojmë që sëmundja më e keqe këto 29 vite, makthi më i zi i shqiptarëve dhe i vogëlushëve shqiptarë, organizata kriminale e rilindjes dhe Edi Rama, jo thjesht të largohen, por të mbeten në arkivat e zeza të historisë dhe kurrë më asnjë njeri, asnjë grup njerëzish, asnjë parti, të mos kapë më dot të gjitha pushtetet, të mos dhunojë qytetarët, të mos shpunësojë të rinjtë e të rejat, të mos dhunojë Kushtetutën, të mos kapë zgjedhjet dhe të mos e kthejë qeverinë në një instrument dhe në një vegël të krimit, për krimin dhe nga krimi.

 

Vëllezër dhe motra!

 

Propozimet tona, janë propozime për të gjithë shqiptarët. Por, përballë nuk kemi akoma një kundërshtar politik. Partia Socialiste e Shqipërisë është në koma.  Në emër të saj flet sot një njeri dhe një grusht njerëzish të cilët përfaqësojnë interesa kriminale, interesa korruptive, që janë bërë njësh me figurat e krimit, me bosët e drogës, me narkotrafikantët dhe me vrasësit. Ndaj beteja që kemi nisur dhe që ka transformuar Shqipërinë, nga Shqipëri e dëshpërimit në Shqipëri të shpresës, duhet çuar deri në fund. Dhe për këtë, sakrifica që keni bërë deri më sot, duhet të vazhdojë.

 

Nuk kam ardhur sot t’ju premtoj vende pune. Nuk kam ardhur sot t’ju premtoj rritje pensionesh. Nuk kam ardhur t’ju premtoj sot luks dhe mrekulli.

 

Padyshim Partia Demokratike e ka planin për ta nxjerrë vendin nga kriza. Ne i dimë plagët e ekonomisë dhe e kemi shpalosur vizionin tonë.

 

  • Në ditën tonë të parë, ne do të ulim me 300 lek çmimin e karburantit, duke eleminuar taksën Rama.
  • Ne do të ulim çmimin e energjisë për qytetarët dhe aktivitetin prodhues.
  • Padyshim që ne do t’i shkojmë deri në fund premtimet tonë për të anulluar gjithë kontratat e korruptuara të oligarkëve dhe qindra millionë euro që i marrin sot 5-6 të babëzitur dhe i ndajnë me Edi Ramën, do t’i kthejmë në politika që mbështesin biznesin me taksën 9 përqind, me biznesin e vogël nën 140 milion lek me 0.5 përqind të taksës si taksa e vetme kombëtare dhe lokale dhe pullën fiskale të çliruar energji ekonomike, pozitivitet.
  • Ne do ta mbajmë premtimin tonë. Paratë e oligarkëve do t’i kthejmë në rritje pensionesh. Në katër vitet tona të para, ne do ta bëjmë realitet 250 mijë lek pensionin minimal kudo për shqiptarët.

 

Por të gjitha këto vëllezër dhe motra, do të jenë pjesë e një shpalosje rigoroze, kapilare dhe të sinqertë me ju gjatë një fushate për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

Sot beteja është që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

Kjo betejë na thërret me 25 maj të shtunën, në Tiranë, me një kushtrim që buçet nga Durrësi sot për ta dëgjuar gjithë Shqipëria dhe gjithë bota dhe më një zotim; e ardhmja nuk do të jetë e Vangjush Dakos, e ardhmja nuk do të jetë e Taulant Ballës dhe Damian Gjiknurit, e ardhmja nuk do të jetë e Avdylajve dhe e bajrajve, e ardhmja do të jetë durrsakëve dhe e gjithë shqiptarëve.

 

Ne do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa!

 

Vetëm pak minuta më parë, në nisje të këtij takimi madhështor e të magjishëm, një pllumb fluturoi në sallë, si simbol i shpresës. Njësoj si krahët e këtij zogu fisnik, simboli të paqes, shpresës dhe dashurisë, le ta shpërndajmë shpresën në çdo shtëpi durrsakësh, në çdo shtëpi shqiptarësh. Le ta shpërndajmë mesazhin e bashkimit tonë, vendosmërisë tonë me një kërkesë: Të gjithë me 25 maj në Tiranë, për të diktuar me pjesëmarrje, me bashkim, me shpresë në zemrat tona, dhe vendosmëri absolute: Asnjë hap pas!

 

Zoti e bekoftë Durrësin!

Zoti i bekoftë shqiptarët!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Fitore!