- PD ka luftuar çdo ditë dhe dëshiron hapjen e negociatave, që po refuzohet prej tre vjetësh dhe do të refuzohet sërish nga vendet anëtare.
- Edi Rama duhet t’u kishte kërkuar sot ndjesë shqiptarëve për gënjeshtrën e një viti më parë, kur hapi shampanjë për të festuar hapjen e negociatave.
- Negociatat nuk janë hapur sepse vendet anëtare i dinë lidhjet e qeverisë me krimin, aferat korruptive, asgjesimin e institucioneve kushtetuese.
- Partnerët tanë ndërkombëtarë ia kanë bërë të qartë atij, siç kanë informuar edhe kryetarin e opozitës, se në gjendjen aktuale, Këshilli Evropian i qershorit do të votojë për mos hapjen e negociatave për Shqipërinë.
- Edi Rama e ka frikë hapjen e negociatave. Në vendet e tjera ku ka ndodhur kjo, ata si Edi Rama kanë shkuar të parët para drejtësisë.
- Koha është tani për Shqipërinë Europiane, jo të politikanëve të korruptuar, kriminelëve dhe oligarkëve.
- Zgjidhja është e thjeshtë. Nëse Edi Rama do të vendosë të parin interesin tuaj dhe jo karrigen e tij, duhet të largohet, për t’i hapur rrugë zgjidhjes politike.
- Një qeveri e integrimit euopian do të mundësojë zbatimin e kushteve që Edi Rama nuk i zbatoi. Zgjedhje të lira e të ndershme, dënimin e poliikanëve të kapur me krimin në shitblerjen e votave.
- Nuk ka vend që i hapen negociatat pa zgjedhje të lira. Largimi i Edi Ramës, qeveria tranzitore, zgjedhje të lira e të ndershme janë rruga jonë drejt Bashkimit Europian.
- Oligarkisë po i numërohen orët mbrapsht. Çmontimi i saj është prioritet i priroriteve. Janë më pak se 10 njerëz të babëzitur që grabisin taksat e shqiptarëve.
- Ajo që pritet nga ne sot është të mos bëjmë asnjë kompromis me Shqipërinë e standardeve europiane. Nuk do të ketë asnjë kompromis dhe pazar me të keqen.
- Beteja po shkon drejt fitores. Atë nuk e ka më në dorë pakica në pushtet. Fitorja varet nga vendosmëria e popullit të bashkuar për ta çuar betejën deri në fund.
- Largimi i Edi Ramës është i panegociueshëm. Ju ftoj që këtë entuziazëm e vendosmëri ta sillni të shumëfishuar në Tiranë ditën e diel në orën 19. 00.
- Ne dogjëm mandatet, ne jemi në krahun tuaj. Në krahun tuaj e nisëm këtë betejë, në krahun tuaj do ta përfundojmë me fitore për çdo shqiptar dhe për gjithë Shqipërinë.
FJALA E PLOTË E KRYETARIT LULZIM BASHA NË TAKIMIN E FIERIT
Mirë se ju gjej vëllezër dhe motra,
Mirënjohje për këtë pritje kaq emocionuese këtu në Fier, në zemër të Fierit, në zemrën e qytetarisë fierake, në kryeqytetin e Myzeqesë gjej sot pritjen më të jashtëzakonshme, që është mesazhi më i qartë, më kuptimplotë i shpresës që ka lindur e është shtrirë si një bekim anembanë vendit, ka mbuluar çdo cep të qyteteve dhe fshatrave tona, ka bekuar shpirtin e çdo shqiptari të ndershëm. Sepse sot për herë të parë në Fier, përshëndetjen me shenjën e fitores e kam parë të ngrihet jo vetëm në duart e demokratëve fierakë, por tek të gjithë qytetarët fierakë, edhe socialistët fierakë, sepse do të jetë fitorja e çdo shqiptari.
Miqtë e mi, ju po e shikoni vetë në këtë sallë, po e shikoni anembanë Shqipërisë, e patë dje në Elbasan, e pa gjithë bota të shtunën e kaluar në Tiranë bashkimin tonë të pandalshëm, fuqinë tonë të papërballueshme, fuqinë e bashkimit.
Dhe bashkimi ynë rritet nga dita në ditë, radhët e protestës popullore shtohen nga dita në ditë sepse e gjithë Shqipëria ka përqafuar kauzën tonë të drejtë. Ne nuk luftojmë për karrige, ne nuk luftojmë për pushtetin e një partie, ne luftojmë që pushteti t’i takojë çdo qytetari shqiptar. Ne luftojmë për çlirimin e Shqipërisë nga banda kriminale, nga oligarkia e kusarëve, nga padrejtësia e zuzarëve, për Shqipërinë si gjithë Europa.
Ne e luftojmë këtë betejë që kurrë më e njëjta bandë oligarkësh të pangopur e të babëzitur, e njëjta bandë kriminelësh të mos marrë më peng kryeministrin e radhës dhe qeverinë e radhës. Ne luftojmë jo vetëm të largojmë Edi Ramën, por të varrosim një herë e mirë fenomenin e shëmtuar të rilindjes, të kapjes së gjithë pushteteve, të kapjes dhe dhunimit të Kushtetutës. Ne luftojmë t’i japim fund tranzicionit dhe të hapim rrugën e Shqipërisë Europiane.
Miqtë e mi, ditën e sotme, për të tretën herë radhazi, në tre vite radhazi, Komisioni Evropian rekomandon hapjen e negociatave për Shqipërinë. Ne kemi luftuar çdo ditë për hapjen e negociatave, sepse kjo do të rriste kontrollin dhe llogaridhënien e çdo qeverie. Aq më shumë të një bande që i thotë vetes qeveri dhe s’ka të bëjë asgjë me shtetin e së drejtës, me kushtetutën, me ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që janë themeli i Evropës. Ne dëshirojmë dhe urojmë që Shqipërisë t’i hapen sa më parë negociatat, por ka tre vite miqtë e mi që hapja e negociatave është refuzuar. Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë të gjithë raportet e tyre individuale për zhvillimet në Shqipëri, kanë raportet e agjencive të tyre të ligjzbatimit, kanë raportet e agjencive financiare ndërkombëtare që monitorojnë korrupsionin, kanë raportet e shërbimeve të tyre sekrete për gjendjen e kriminalitetit, për lidhjet e krimit të organizuar me qeverinë, për korrupsionin. Parlamentet dhe vendet e Bashkimit Evropian marrin vendime, bazuar mbi raportet e institucioneve të cilat raportojnë në mënyrë besnike gjendjen në vend.
Sot Edi Rama duhet t’u kishte kërkuar ndjesë shqiptarëve për gënjeshtrën e një viti më parë. E mbani mend fare mirë besoj, një vit më parë hapi shampanjën për të festuar hapjen e negociatave. Ju kujtohet apo jo? Le t’ja kujtojmë çdo shqiptari se çdo shqiptar paguan për shampanjën e Edi Ramës, për qindra mijëra euro që hidhen në festa dhe orgjira qeveritare, për të festuar gënjeshtra dhe mashtrime. Një vit më parë u tha shqiptarëve: negociatat u hapën.
Ja ku jemi sot pas një viti, negociatat nuk janë hapur. 5 kushtet e luftës kundër krimit, luftës kundër korrupsionit, reformës së administratës publike, reformës në drejtësi, që nuk i mbron por i ndëshkon kriminelët dhe politikanët e lidhur me krimin, respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut. Në asnjë nga këto fusha progresi nuk është i mjaftueshëm.
Më shumë kushte i janë shtuar Shqipërisë nga vendet anëtare që kanë parë afera të tmerrshme korruptive, si afera me Unazën, 30 milionë euro, si kjo afera tjetër 281 milionë euro për 17 kilometra, çmimi më i shtrenjtë, babëzia më e madhe korruptive e regjistruar në historinë e Evropës. Dhe akoma më keq, asgjësimin e çdo institucioni kushtetues që kontrollon pushtetin e kryeministrit. Vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë, Prokurorinë që mbyll apo vonon dosjet hetimore që provojnë se pushteti i sotëm ka buruar nga krimi dhe jo nga qytetarët. I dinë këto të gjithë qytetarët shqiptarë, të djathtë e të majtë, i dinë të gjithë në Bruksel, edhe ata që bëjnë sikur nuk i dinë. I di edhe Edi Rama. Partnerët tanë ndërkombëtarë ja kanë bërë të qartë atij, siç kanë informuar edhe kryetarin e opozitës, se në gjendjen aktuale, Këshilli Evropian i qershorit do të votojë për mos hapjen e negociatave për Shqipërinë. Dhe ky është një lajm ndëshkimi për çdo shqiptar, ndëshkim i pamerituar që ka një fajtor, ka një emër, Edi Ramën dhe qeverinë e tij antievropiane.
Edi Rama e ka frikë hapjen e negociatave, e ka frikë hapjen e negociatave sepse e di fare mirë se ç’ka ndodhur në ato vende ku janë hapur negociatat, se të parët që kanë shkuar para drejtësisë kanë qenë pushtetarët që kanë abuzuar me pushtetin. Se pa ndodhur kjo nuk ka hyrje dhe afrim në Evropë, se në Evropë nuk shkohet me drejtësi me dy standarde, por me një standard të vetëm.
Ndaj Edi Rama po bën çdo përpjekje për ta shtyrë momentin kur Shqipëria të futet në Evropë.
Ja pra miqtë e mi si është përvijuar fronti ynë i betejës. Nga njëra anë një kryeministër ilegjitim, i ardhur në pushtet me votat e krimit të organizuar, me paratë e drogës, me shitblerjen e parave që oligarkët ju kanë grabitur shqiptarëve, një njeri që po bën gjithçka ta vonojë momentin e hapjes së negociatave, sepse është momenti i darës së standardeve evropiane.
Ky është në njërën anë të llogores. Në anën tjetër jemi ne, është Partia Demokratike, është opozita e bashkuar, janë të gjithë shqiptarët, të djathtë e të majtë, të gjithë bashkë. Jemi të gjithë bashkë dhe ne e bëjmë këtë betejë për vlera evropiane, ne e bëjmë këtë betejë për standarde evropiane, ne e bëjmë këtë betejë për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve, jo për Shqipërinë e një grushti hajdutësh, e një grushti kriminelësh, që kanë zënë pushtetin me votat e blera të krimit.
Ndaj ka vetëm një rrugë drejt Shqipërisë evropiane. Edi Rama duhet të largohet sepse është kapur duke bashkëpunuar me krimin, sepse i futi kriminelët në parlament dhe në qeveri, sepse Elvis Rroshi i doli trafikant dhe përdhunues, sepse Shqipërinë e shndërroi në hambar të drogës, sepse Saimir Tahiri u provua se ishte jo kampion i ligjit, por kampion i trafikuar të drogës. Sepse i kanë dalë miliardat e koncesioneve të vjedhura, sepse Fatmir Xhafa e vuri shtetin në mbështetje të trafikantëve të drogës, duke nisur nga vëllai i tij, sepse bëri aferën 30 milionë euro me kompaninë fallco në Amerikë, sepse ekonomia shqiptare u kap nga paratë e krimit, sepse shkeli ligjin dhe shkatërroi shtëpitë e njerëzve të pambrojtur, sepse helmoi fëmijët me gaz lotsjellës, kur prindërit mbronin pragun e derës së tyre, sepse bllokoi dhe mban të bllokuar rrugën tonë drejt Evropës, sepse dëboi nga Shqipëria investitorët e huaj dhe ju dha oligarkëve çdo pasuri publike, sepse tradhtoi integritetin e Kosovës, sepse tradhtoi integritetin e Shqipërisë, sepse buxhetin e përdor për luksin e tij, sepse e ka lënë vendin pa gjykata, duke sabotuar reformën në drejtësi, sepse nën hyqmin e tij ra demokracia, ra drejtësia, ra shteti ligjor, sepse ai me Dakon dhe Gjiknurin vodhën votat.
Boll më me Shqipërinë që duan ata, kriminelët, oligarkët dhe shushunjat që kanë kapur shtetin, pushtetet dhe ekonominë. Koha është tani për Shqipërinë e shqiptarëve. Të përfitojnë të gjithë nga pasuritë tona publike, të ndihen të gjithë shqiptarët zot në shtëpinë e tyre, të kenë të gjithë mundësi për mirëqenie, ta gëzojnë të gjithë vendin tonë të mrekullueshëm, dhe jo më vetëm një grusht horrash dhe banditësh.
Zgjidhja është e thjeshtë nëse Edi Rama një herë në jetën e tij, një çast në jetën e tij, do të vendoste interesin tuaj, për interesin e vendit, interesin e qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi, jo të oligarkëve jo të banditëve, jo të vetës dhe pushtetit të tij, jo të pasurisë së tij, por interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, mbi interesat personale, mbi karrigen e tij.
Zgjidhja është e thjeshtë: largimi i tij i hapë rrugë zgjidhjes politike, një qeverie të integrimit europian që do të mundësojë zbatimin e kushteve që Edi Rama dhe banda e tij, nuk i zbatojnë, sepse janë në konflikt interesi me to.
Zgjedhje të lira e të ndershme, dënimin e politikanëve të kapur me krimin në shitblerje votash.
Nuk ka vend që i hapen negociatat në BE pa zgjedhje të lira. Nuk ka vend në BE që i hapen negociatat me shitblerje votash me krimin.
Largimi i Edi Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira dhe të ndershme, janë rruga jonë drejt Bashkimit Europian.
Ndaj jam sot këtu, së pari për t’ju shprehur mirënjohjen më të thellë për këtë mbështetje të jashtëzakonshme, mahnitëse, që keni demonstruar në këto tre muaj transformues për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe t’ju them se ora po afron për fitoren e kësaj beteje për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha e krimit.
Se koha ka mbaruar, ka marrë fund kur një njeri i vetëm vendos për fatin e gjithë shqiptarëve. Ndaj dialogu mbarëkombëtar që ka nisur do të bëjë të mundur që duke përfshirë të gjithë shqiptarët, të djathtë e të majtë, ti japim fund jo vetëm kësaj krize, por edhe këtij tranzicioni të tejzgjatur. Propozimet tona në këtë dialog mbarëkombëtar do të diskutohen e do të debatohen kudo në Shqipëri. Një parlament që ju përfaqëson ju, me deputetë që e lidhin fatin me ju, që përgjigjen para jush, jo para kryetarit të partisë, që merren peng vetëm nga ju dhe vota juaj. Një parlament me një apo me dy dhoma, me deputetë të zgjedhur drejtpërdrejt apo proporcional me lista të hapura, një president me kompetenca të plota kushtetuese, një president të zgjedhur nga populli, ndarje dhe balancim pushtetesh, drejtësi të vërtetë e të pavarur, që nuk I mbron por I ndëshkon politikanët e lidhur me krimin. Referendum popullor si e drejtë e patjetërsueshme e qytetarëve të lirë, në nivel kombëtar dhe në nivel vendor, që të mos ketë askush fuqinë apo guximin të imponojë afera të tmerrshme për shëndetin tuaj vetëm për të mbushur xhepat e tij, si inceneratori i Fierit dhe afera të tjera korruptive. Referendum popullor kombëtar dhe vendor me fuqi të plotë mbi çdo vendim tjetër dhe të çdo institucioni tjetër. Financimin e partive politike, transparencën dhe organizimin e tyre, për të dekriminalizuar njëherë e mirë zgjedhjet, për të bërë të mundur që asnjë parti më të mos merret peng nga trafikantët e drogës, trafikantët e vajzave dhe grave shqiptare. Një paketë masash për ti dhënë fund sundimit të krimit, Ligji Antimafia kundër oligarkisë.
Oligarki, sa emër të madh ka, por janë 6 apo 10 të babëzitur që kanë shtënë në dorë gjithçka në këtë vend, gjithë buxhetin, gjithë pasuritë.
Oligarkisë po i numërohen orët mbrapsht, çmontimi I saj është prioriteti I prioriteteve.
Kurrë s’ka qenë më i madh një bashkim njerëzish, për një transformim që e tejkalon agjendën e një partie politike. Unë jam i vetëdijshëm për këtë. E di se kam folur me kolegët e mi në PD dhe opozitë.
Ne jemi të vetëdijshëm se ajo që pritet dhe kërkohet nga ne sot, është: të mos bëjmë asnjë kompromis me atë që deshëm dhe kërkuam, por nuk arritëm këto 30 vite, Shqipërinë e standardeve evropiane.
Jam këtu për tu zotuar para jush, vëllezër dhe motra: asnjë kompromis me të keqen, asnjë Pazar me të keqen.
Sot është më e rrethuar se kurrë, sot e keqja është më e zbuluar, më e ekspozuar se kurrë. Nuk fshihet dot. As pas miliardave që ka vjedhur nga goja e vogëlushëve tuaj, as pas ekraneve të mediave të blera e të dhunuara, as pas propagandës idiote të një njeriut të çoroditur nga paniku që e ka kapur, nuk fshihet dot lemeria e kësaj pakice, që është një pikëz ishulli, rrethuar nga oqeani i zemërimit popullor, i vendosmërisë popullore për të marrë fatin e tyre, në duart e tyre. Fatin tuaj në duart tuaja, që çdo shqiptar të jetë Zot në shtëpinë e vet, Zot në parlamentin e vet, Zot në qeverinë e vet. Kjo është beteja.
Ham-hamet, lehjet, kërcënimet, për të kryer një tjetër krim zgjedhor, me një tjetër grup trafikantësh, zyrtarësh e politikanësh të kapur në përgjimet e prokurorisë, pra këto lehje që gjoja duan ti shtinë frikën popullit në palcë, janë grahmat e fundit të një regjimi kriminal dhe ilegjitim që po jep shpirt. Ato kanë për synim të ndalin e të mpakin të pashmangshmen, të ndalin e të shfuqizojnë fuqinë e bashkimit tonë, ndaj ka shumë rëndësi që energjia e zemrave tuaja, kurajo me të cilën jeni bashkuar në këtë betejë, të bëhet çdo orë e më e fortë, çdo orë e më e madhe, çdo orë e më e vendosur, të derdhet në Tiranë, ditën e diel.
Po apo jo?
Qytetarët: Poooo
Dua të jem fare i qartë, i ndershëm dhe i drejtëpërdrejtë me ju; beteja po shkon drejt fitores, por fitorja nuk është vendosur akoma. Atë si asnjëherë në këto 6 vite e gjysmë, nuk e ka më në dorë pakica e hajdutëve, kriminelëve dhe politikanëve të bërë njish me krimin. Atë e ka në dorë populli i bashkuar.
Fitorja është në dorën tonë, është në dorën tuaj, është në vendosmërinë tuaj, për ta çuar betejën deri në fund, deri në fitore.
Kjo do të kërkojë që t’i përgjigjemi këtij plani kriminal, me fuqinë e bashkimit të zemrave tona në çdo qytet, në çdo rrugë, në çdo shesh, sepse vetëm kështu do të japim mesazhin e qartë dhe të prerë, se lojërat me Sovranin kanë marrë fund dhe se largimi i Edi Ramës është i panegociueshëm.
Ndaj ju ftoj që këtë klimë dhe këtë emocion të papërshkrueshëm pozitiviteti, shprese dhe optimizmi, por dhe vendosmërie për të mos lejuar asnjë hap pas për lëvizjen tonë për liri e demokraci, ta sillni të shumëfishuar ditën e diel në Tiranë, në orën 19.00.
Ju jap fjalën se do zhgënjehet çdokush nga kjo pakicë, nga kjo bandë e vogël që shpreson e uron dhe vënë bast të ju ç’kurajojë ju, t’ju mposhtë ju, t’jua ulë përsëri kokat, nuk ka forcë që na ndan.
Ne dogjëm mandatet, ne jemi në krahun tuaj. Në krahun tuaj e nisëm këtë betejë, në krahun tuaj do ta përfundojmë me fitore për çdo shqiptar dhe për gjithë Shqipërinë.
Zoti e bekoftë Fierin!
Zoti i bekoftë shqiptarët!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Fitore!