• Banda kriminale në pushtet, në ditët e saj të fundit është vërsulur si kurrë ndonjëherë në histori dhe ato që po luhen janë paratë e vogëlushëve shqiptarë, është buka e gojës së tyre, është djersa e prindërve të tyre

 

  • Bota iu ka vënë emra të ndryshëm rrugëve tregtare, rruga e gurtë, rruga e mëndafshtë, por sot Edi Rama po bëhet gati të ndërtojë rrugën e florinjtë, jo për popullin por për grusht hajdutësh të babëzitur dhe për vetin e tij. 296 milion euro për 17 km rrugë.

 

  • Taksat që biznesi i ka paguar këto 4 vite qeverisë dhe Uriah Heep të bashkisë, që janë 7 deri në 11 herë më të larta se para 4 vitesh, janë të barabarta me shumën që Edi Rama po e jep me një dorë për 17 km rrugë.

 

  • Edi Rama e ka lidhur fatin me 6-7 oligarkë, me disa pronarë mediash pas tyre, dhe me një grusht kriminelësh. Këta janë doktorët që e mbajnë në këmbë kufomën politike të Ramës, janë serumi që e mban akoma në koma organizatën kriminale të “Rilindjes”.

 

  • Dorëzimi zyrtar i kërkesës së Hollandës drejtuar Komisionit Evropian për të rivendosur vizat për qytetarët shqiptarë është një lajm i hidhur, është turpi i Edi Ramës, ky është krimi i Edi Ramës dhe i bandës së tij të babëzitur

 

  • Programi i PD do të vendosë taksë 9 përqind mbi të ardhurat personale për rrogat mbi 300 mijë lek, 0 për ato nën 300 mijë lek. Ulja e çmimit të energjisë për familjet dhe për bizneset prodhuese. Ulja që ditën e parë të karburantit me 300 lek duke eleminuar taksën Rama

 

  • Kush pret reflektim nga njeriu i kapur duke vjedhur zgjedhjet me krimin, kush pret reflektim apo ndryshim kursi nga njeriu i kapur duke vjedhur bukën e vogëlushëve, e ka të kotë dhe i përket një pakice që do të zhgënjehet thellë.

 

  • Kur vjen fjala te kriminelët e kapur në flagrancë me politikanët e tij duke vjedhur vota, thotë: Ku e di unë se nuk po flisnin për ushqim qensh?! Në fakt, ushqim qensh është për të dhe bandën vota e lirë e shqiptarëve, si ushqim qensh e kanë trajtuar

 

  • Ka vetëm një forcë që që do ta ndalojë; ajo është forca që derdhet bulevard, javë për javë dhe më e madhe, javë për javë dhe më e vendosur. Kjo forcë ka vetëm një emër: pjesmarrje, bashkim, vendosmëri, deri në rrëzimin e kësaj kupole mafioze.

 

 

  • Të fitojmë betejën që nesër fëmijët tanë mos të thonë: E lanë demokracinë të shkatërrohej, i lanë zuzarët ta merrnin në dorë vendin edhe njëherë, siçe kishin 50 vite me rradhë, por të thonë jemi bijtë e një brezi që u ngrit, qëndroi, luftoi dhe fitoi për Shqipërinë, për Europën

 

  • Ka vetëm dy rrugë: Ose ta hamë turpin me bukë para fëmijëve tanë, ti pranojmë këta horra dhe ti quajmë qeveritarë, ose të çohemi dhe të bashkohemi, të përballemi dhe të luftojmë orë e minutë, deri sa ta largojmë këtë bandë!

 

  • Për ata që pyesin se kur do ta rrëzojmë Edi Ramën, kam vetëm një përgjigje: Ejani të dielën në orën 19.00 në protestën tonë, bashkohuni me lëvizjen tonë, bëhuni pjesë e çlirimit të Tiranës, e çlirimit të Shqipërisë, nga kjo bandë hajdutësh dhe kriminelësh.

 

 

 

FJALA E KRYETARIT LULZIM BASHA SOT NË TIRANË

 

Mirë se ju gjej vëllezër dhe motra,

Zonja dhe zotërinj

Mirë se ju gjej përfaqësues të Partisë Demokratike të kryeqytetit, të kësaj zone të kryeqytetit,

Së pari dua t’ju falënderoj nga zemra për punën e jashtëzakonshme që keni bërë në këto javë, në këto muaj përballje, beteje, bashkimi, vendosmërie dhe fitore e cila po buzëqesh nga dita në ditë.

Të githë e pamë se si radhët e protestës popullore shtohen nga dita në ditë. Për fat të mirë gjatë këtyre javëve kam qenë anembanë vendit, për fat të keq jo kaq shumë në Tiranë. Por përmes lëvizjes nëpër Shqipëri, kam patur mundësinë dhe rastin jo vetëm të shoh me sytë e mi, por shpresoj që përmes jo vetëm syve, por edhe video-selfiet, aq sa ja kam marrë dorën “Facebook”-ut, t’ju bëj të shikoni se si është atmosfera jo vetëm në Tiranë, por anembanë vendit. Një atmosferë e ndezur shprese, shpresë e rigjetur tek shqiptarët, kurajo për të qëndruar, për të luftuar në një betejë që për herë të parë duket se e ka të sigurt përfundimin, fitoren e popullit të bashkuar.

Por një betejë që vazhdon dhëmb për dhëmb me bandën e qeverisë, që e ngre gjithmonë e më larg stekën e grabitjeve, qindra milionë euro që luhen çdo ditë, paratë e taksapaguesve shqiptarë, paratë e taksapaguesve të Tiranës, që dikush thoshte sot se qeveria i luan në kumar. Jo, jo nuk i luan në kumar. Kjo bandë kriminale në ditët e saj të fundit duke përfituar nga avujt e furrnaltës politike që ka ndezur populli nga protestat e përditshme e të përjavshme, kjo bandë kriminale është vërsulur si kurrë ndonjëherë në histori dhe ato që po luhen janë paratë e vogëlushëve shqiptarë, është buka e gojës së tyre, është djersa e prindërve të tyre. Stekat janë të larta miqtë e mi, 296 milionë euro është njëra prej këtyre stekave për vetëm 17 km rrugë. E dini për çfarë e kam fjalën apo jo?!

Për Milot-Balldrenin, rrugën e florinjtë. Bota ju ka vënë emra të ndryshëm rrugëve tregtare, rruga e gurtë, rruga e mëndafshtë, por sot Edi Rama po bëhet gati të ndërtojë rrugën e florinjtë, jo për qytetarët, jo për popullin, jo për lezhjanët, jo, jo. Por për grusht hajdutësisht të babëzitur dhe për vetin e tij. 296 mln euro për 17 km rrugë.

Miqtë e mi, e di se shumë prej jush, shumica jush këtë javë keni qenë derë më derë tek biznesi i vogël, keni shkuar atje, keni trokitur për t’i njohur me platformën tonë, me programin tonë për të ndalur krizën ekonomike, për të ndalur represionin qeveritar dhe për t’i dhënë një dorë jo vetëm për të dalë nga kriza, jo vetëm për të nxjerrë kokën mbi ujë, por për t’i dhënë një program shprese që të jetojnë dhe punojnë me nder dhe dinjitet dhe t’ia shohin hajrin punës. Dhe jo sot kur i merr tmerri të shkojnë të hapin derën e dyqanit apo biznesit.

Keni shkuar derë më derë dhe keni prezantuar këtë program apo jo?! Të gjithë e dimë se cili është ky progam, është detyra jonë që ta dinë të gjithë Tirana, gjithë Shqipëria. Para se të futem tek programi dua t’i drejtohem çdo biznesi në Tiranë, çdo biznesi të vogël dhe të mesëm e t’ju them se gjithë taksat që keni paguar këto 4 vite qeverisë dhe Uriah Heep i Bashkisë që siç më keni thënë vetë janë 7 deri në 11 herë më të larta se para 4 vitesh. Të gjitha këto taksa bashkë janë të barabarta me këtë shumë që Edi Rama po e jep me një dorë për 17 km. Me një dorë po jep të gjithë taksat tuaja në 4 vite.

(salla nis brohoritjet “Basha, Basha) Një sekondë, se s’ka vend për brohoritje këtu, aq më pak emrin tim, se nuk po i jap unë këto lekë, po i jep Edi Rama. Në ditët e fundit, ndërkohë që “Rilindja” është në vdekje klinike, ndërkohë që laku i është ngushtuar si nga lëvizja popullore, ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar, nga ata që me të vërtetë kujdesen për Shqipërinë dhe nuk e shohin Shqipërinë nga xhepat, në këto ditë të fundit, krimet korruptive të Edi Ramës, po marrin përmasa realisht të papërfytyrueshme. Në Tiranë ndodhen sot 40 % e biznesit të vogël të të gjithë Shqipërisë. Imagjinojeni pra që të gjithë taksat, detyrimet, tarifat, gjithçka që paguajnë ata, qeverisë dhe Uriah Heep-it të bashkisë, të mbledhura të gjitha bashkë, jo në një vit, as në dy vite, po në 4 vite të marra së bashku, të gjitha këto taksa të dhëna me një dorë, me një garë fallso, njësoj si tek Unaza e Re, por tashmë nuk bëhet fjalë për 30 e për 40 milionë euro, po për 290 milionë euro.

Ja ku na çon makutëria, babëzia, kriminaliteti i një bande që vetëm qeveri nuk është. Dhe pse na çon këtu? Sepse nuk erdhi si produkt i votës së lirë, se nuk e ka lidhur fatin as me qytetarët e Tiranës, as të Balldrenit e as të Milotit, as të Konispolit, as të Orikumit. E ka lidhur fatin me këta 6 apo 7 oligarkë, me disa pronarë mediash që qendrojnë pas tyre e nganjëherë edhe para tyre, dhe me një grusht kriminelësh. Këta janë doktorët që e mbajnë në këmbë kufomën politike të Edi Ramës, këta janë serumi që e mban akoma në koma organizatën kriminale të “Rilindjes”.

Dhe efektet duken qartë, Tirana lëngon, me përjashtim të 3-4 kantiereve ku ndërtohen kullat luksoze të pastrimit të parave të pista. Biznesi i vogël falimenton, 20-30 biznese në ditë mbyllen në Tiranë, 50 anembanë Shqipërisë. Papunësia është ulur këmbëkryq, kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme, dhe në momentin kur Shqipëria më në fund pas pas 3 rekomandimesh pozitive duhet të priste dritën jeshile të hapjes së negociatave, jo vetëm që vjen dritë e kuqe, por sot kemi një tjetër lajm të hidhur. Komisionit Evropian zyrtarisht i është dorëzuar kërkesa e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, e Holandës, për të rivendosur vizat për qytetarët shqiptarë. Ky është turpi, ky është krimi i Edi Ramës dhe i bandës së tij të babëzitur.

Ne jemi sot këtu të vendosur për ta çuar betejën tonë deri në fund. Dhe kjo është një betejë shprese për çdo shqiptar, kjo është një betejë ndryshimi për të gjithë njerëzit dhe jo vetëm për një grusht njerëzish. Ndonëse i ngremë me krenari dhe i valëvisim kudo flamujt tanë blu me stemën e bardhë, me të bardhën e shpresës të Partisë Demokratike, ne e dimë fare mirë se kjo betejë dhe kjo bardheblu përfaqëson një qiell të ri shprese për shqiptarët.

Disa prej jush, me të cilët pata rastin të flas pak para se të futesha në këtë takim e t’ju pyes se si shkuan takimet me biznesin, më thatë se të gjithë mirëpresin platformën tonë. Dhe s’ka si mos ta mirëpresin, një platformë solide dhe konkrete, e cila ka një dhe vetëm një qëllim, të arrestojë krizën, të ndalë krizën pra, t’i japë frymëmarrje, injeksion, kapital e mundësi sipërmarrjes.

Të gjithë e mirëpresin planin tonë ekonomik, ku shqiptarët, qytetarët e Tiranës, të na besojnë me votë qeverisjen, duke bërë të mundur që Shqipëria të jetë në radhë të parë kompetitive me vendet e rajonit, e të mundësojë kështu që biznesi i vogël të jetë jo më një mallkim për pronarët, por një bekim për ta, familjarët dhe punëmarrësit që ata do të marrin në punë. 140 milionë lekë të vjetra do të jetë kufiri për biznesin e vogël, dhe çdokush me xhiro nën 140 milionë lekë të vjetra do të kualifikohet si biznes i vogël e do të përfitojë nga regjimi special fiskal për biznesin e vogël, i cili përmblidhet shkurtimisht në një taksë të vetme jo dhjetëra taksa e tarifa bashkiake e qeveritare, në një të vetme, 0,5 % e xhiros vjetore, e cila, e paguar në këste dhe e provuar përmes një pulle fiskale, do t’i japë fund makthit të tatimorëve dhe të dhjetëra inspektorëve të tjerë që vijnë nga mëngjesi deri në darkë, duke ju nxirë jetën njerëzve të punës.

Pra, nxjerrja nga skema e tvsh-së, i vetmi detyrim 0,5 % e xhiros vjetore do të jenë masat që do të nxjerrin biznesin e vogël nga kulari i shtrëngesës, e do ta kthejnë edhe njëherë në një gjenerator mirëqenieje, në një gjenerator punësimi, qarkullimi të parave.

Nuk do të ndalemi me kaq e nuk mund të ndalemi me kaq. Taksa e sheshtë 9 % do të zbatohet për të gjithë biznesin tjetër me xhiro mbi 140 milionë lekë.

9 përqind do të jetë taksa edhe mbi të ardhurat personale për rrogat mbi 300 mijë lek, 0 për ato nën 300 mijë lek, dhe për diferencën midis 300 mijë e sipër do të zbatohet i njëjti rregull. Ulja e çmimit të energjisë për familjet konsumatore, ulja e çmimit të energjisë për bizneset prodhuese, ulja ditën e parë të karburantit me 300 lek duke eleminuar taksën Rama mbi karburantin.

Gjej rastin ti përsëris sot, në këtë format se në fomratet e tjera është e pamundur, sepse këto janë pikat të palëvizëshme të planit dhe programit tonë ekonomik. Por meqë thirrjet nga salla janë që të kalojmë drejtëpërdrejt tek aktualiteti akut politik, le ta përmbledh atë që më thanë edhe në hyrje të sallës por dhe gjatë ditëve të kontaktit me sipërmarrjen e vogël shumë prej jush. Ndërkohë që mirëpresin platformën tonë, 98 përqind e sipërmarrësve kanë një pyetje:   Kur do ta hidhni, kur do ta rrëzoni?

Sot është rasti këtu në Tiranë, të flas fare hapur e sinqerisht me këdo që e bën këtë pyetje, sepse i ka ardhur aty ku smban më.

Pyetja nuk i drejtohet vetëm Partisë Demokratike dhe vetëm Lulzim Bashës as edhe vetëm opozitës. Rrëzimi i të keqes është detyrë kombëtare, ndaj përgjigjen po e jap unë, në emër të gjithë atyre që keni pyetur të dashur bashkëqytetarë se kur do ta rrëzojmë: Ejani të dielën në orën 19.00 në protestën tonë, bashkohuni me lëvizjen tonë, bëhuni pjesë e çlirimit të Tiranës, e çlirimit të Shqipërisë, nga kjo bandë hajdutësh dhe kriminelësh.

Protestat dhe bashkimi popullor janë rruga e vetme e rezistencës, e përballjes, e largimit të të keqes, e rrëzimit të bandës kriminale në pushtet.

Në cilin vend, prindërit mund të ulin kokën kur një njeri i vetëm, me dekret, kundër Kushtetutës, ju merr me një dorë taksat e 4 viteve të të gjithë familjeve e sipërmarrësve të Tiranës, për të ja dhënë një njeriu e për ti ndarë paratë me të!

Kjo nuk është vjedhje, kjo është qenëri.

Kjo është skllavëri e krimit. Kjo është babëzi kriminale.

Ka dy rrugë: ta hamë turpin me bukë para fëmijëve tanë, ti pranojmë këta hora dhe ti quajmë qeveritarë ose të çohemi dhe të bashkohemi, të përballemi dhe të luftojmë orë e miniutë, deri sa ta largojmë këtë bandë!

Është në dorën e njerëzve, ne e kemi bërë zgjedhjen tonë kur u larguam nga strofkulla e krimit, kur u rreshtuam krah për krah njerëzve, dhe njerëzit janë përgjigjur.

Nuk ju them kot, se orë e fitores po afrojnë, se orët e Tiranisë po numërohen mbrapsht, por kurrë më parë, nuk ka qënë kaq shumë sa sot në dorën tuaj përfundimi me sukses dhe me fitore i kësaj beteje për të gjithë shqiptarët e ndershëm, pavarësisht dallimeve politike.

Natyrisht, kush pret reflektim nga njeriu i kapur duke vjedhur zgjedhjet me krimin, kush pret reflektim apo ndryshim kursi nga njeriu i kapur duke vjedhur bukën e vogëlushëve, kush pret reflektim tani që paniku nga lëvizja popullore që po e rrëzon këtë klikë kriminale, në vend që ta shtyjë drejt pendesës, e shtyn drejt vjedhjes rekord, si afera Milot-Balldren, e ka të kotë dhe i përket një pakice që do të zhgënjehet thellë.

E dëgjuat se çfarë tha kur u pyet: po këta që i ka kapur prokuroria more, Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin, Taulant Ballën me shokë, i ka kapur duke bashkëpunuar me krimin e organizuar, me Niçet me shokë, çfarë do bësh ti me këta? Si mund të pranosh të vazhdosh të jesh kryeministër, ndërkohë që të është zbuluar skema se si i vodhe votat? Njeriu që kërcënon këdo me burg, burg për infermierët, burg për mjekët, burg për studentët, burg për profesorët, burg pë rata që shesin majdanoz e domate në rrugë, burg pë rata që nuk lëvizin në vizat e bardha, por kur vjen fjala te kriminelët e kapur në flagrancë me politikanët e tij duke vjedhur vota, e dëgjuat se çfarë tha?!

“Ku e di unë se nuk po flisnin për ushqim qensh?!”

Në fakt, ushqim qensh është për të dhe bandën vota e lirë e shqiptarëve. Si ushqim qensh e kanë trajtuar. Dhe kjo është arsyeja se sot në mungesë të të gjitha institucioneve të vendit, gjykatave, prokurorisë, livadhis dhe shtrin dorën për të vjedhur edhe kacidhen e fundit.

Ka vetëm një forcë që mund ta ndalojë, ka vetëm një forcë që do ta ndalojë; ajo është forca që derdhet Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, javë për javë dhe më e madhe, javë për javë dhe më e vendosur. Në dimensionin e saj të vendosmërisë, është edhe bashkimi, është edhe shpresa, është dhe çelësi i fitores.

Ka vetëm një emër: pjesmarrje, bashkim, vendosmëri, deri në rrëzimin e kësaj kupole mafioze.

Ndaj sot që na ndajnë vetëm 2 ditë, me mirënjohjen më të thellë ndaj asaj që universalisht u vlerësua si pjesmarrja rekord e qytetarisë së Tiranës, në veçanti e rinisë, të rinjve dhe të rejave të Tiranës që dua ti falendëroj me mirënjohje, ju bëj thirrje miqtë e mi; në këto ditë e hetë të shenjta, ta kthejmë shenjtërinë hyjnore në një bekim tokësor për kombin tonë, për vendin tonë, për qytetin tonë, për kryeqytetin, për qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë.

Asnjë çast mos të pushojmë së qeni të dobishëm, siç e kërkojnë dhe e porosisin librat e shenjtë në këtë muaj të shenjtë, për të mbledhur çdo pikëz energjie njerëzore dhe për ti dhënë një grusht të fuqishëm ditën e dielë tiranisë. Për të ndihmuar në afrimin e të pashmangëshmes, e të pandalshmes, fitores së popullit të bashkuar, shporrjes së tiranisë dhe hapjes së rrugës tonë për Shqipërinë si gjithë Europa.

Orët dhe ditët që vijnë, janë deçiizive, jo thjeshtë dhe vetëm për fitoren e kësaj beteje, por për të përcaktuar të ardhmen e një gjenerate të tërë, të këtyre vogëlushëve që kemi përpara, barra është mbi shpatullat tona, që kur të jenë në moshën tonë e të shikojnë pas, mos të thonë; gjithë kjo zezane erdhi sepse prindërit tanë dhe vëllezërit e motrat tanë më të rritur, ulën kokën para skllavërisë së krimit, pranuan hajdutërinë e një kopeje zuzarësh dhe e lanë këtë vend vidhej. E lanë demokracinë të shkatërrohej, i lanë zuzarët ta merrnin në dorë vendin edhe njëherë, siçe kishin 50 vite me rradhë. Por jo, të thonë jemi bijtë e një brezi që nuk e uli kokën, nuk e pranoi errësirën, u ngrit, qëndroi, luftoi dhe fitoi për Shqipërinë, për Europën, për të ardhmen tonë, për rininë.

Zoti ju bekoftë ju!

Të gjithë masivisht ditën e dielë, në betejen tonë për Shqipërinë si gjithë Europa.

Fitore!