- Kontrata korruptive 260 milionë euro për 17 km, Milot- Balldre, ku 1 km kushton 15 milionë euro, do të zhbëhet. Edi Rama, Belinda Balluku, Damian Gjiknuri do të shkojnë para drejtësisë.
- Shans nuk keni të vidhni shqiptarët me këtë kontratë krimi. Ju presin prangat! Ccdo bankë që financon projektin hajdut, do t’i konfiskohet ccdo qindarkë. Do të trajtohen si krim i organizuar.
- Apel për ANK-në dhe këdo qëndron pas, tërhiquni! Harrojeni ju se do t’i lëmë fëmijët pa shkolla, pensionistët pa pensione dhe spitalet bosh për të paguar kontratat korruptive. Qindarkë për qindarkë do t’ua marrim.
- 6 apo 7 oligarkë të babëzitur nuk e mbajnë dot gjallë me serum kufomën politike të Edi Ramës, i cili duhet të ishte larguar me qindra herë për skandalet që i janë zbuluar këto 6 vjet! Fundi i tiranisë ka ardhur!
- Vetëm për karrigen dhe pasurinë e tij, Rama refuzon t’i hapë Shqipërisë rrugën e zgjidhjes politike dhe të integrimit evropian. Ai ka vendosur gjithmonë pushtetin e tij kundër interesit të shqiptarëve.
- Largimi një orë e më parë i Edi Ramës, garantimi i standardeve zgjedhore, në mënyrë që shqiptarët të jenë ata që do të vendosin e të zgjedhin. Kjo është një betejë që na bashkon përtej dallimeve partiake.
- Nuk e kalon dot Rama testin e Berlinit. As Berlini e as Brukseli, as Londra e as Parisi, nuk i pranojnë autokratët e korruptuar dhe të inkriminuar.
- Nuk pranon Europa të hapë negociatat me një vend, kryeministri i të cilit është kapur duke vjedhur votat me krimin.
- Për të hapur rrugën europiane të vendit duhet të largojmë Edi Ramën. Të bashkohemi të djathtë e të majtë drejt një zgjidhje politike që e rikthen sovranitetin tek njerëzit.
- Pjerin Ndreu duhet të ishte në burg për shitblerjen e votave në Dibër, por Rama kërkon ta bëjë kryetar bashkie. Askush nuk e pranon këtë. Zgjidhja e vetme është largimi i tij.
- PD ka programin e shpresës për Shqipërinë. Reformim të sistemit, alternativë ekonomike me taksa të ulëta për punësim dhe mirëqenie. Ccdo shqiptar do të fitojë pasi të fitojmë betejën për zgjedhje të lira.
- Ne jemi të vendosur e të bashkuar t’i shkojmë betejës deri në fund. Sa kohë që e keqja qëndron në këmbë, në këmbë do të jemi edhe ne. të demonstrojmë bashkimin tonë të dielën në orën 19.00
FJALA E KRYETARIT TW PARTISW DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NW KURBIN
Të nderuar drejtues dhe përfaqësues të lartë të Partisë Demokratike në Kurbin dhe në Qarkun e Lezhës!
Të dashur vëllezër dhe motra!
Qytetare dhe qytetarë e, në veçanti, të dashur dhe të respektuar të rinj dhe të reja të Kurbinit!
Mirënjohjen nuk mund ta shpreh me fjalë për këtë pritje të jashtëzakonshme që më keni rezervuar sot në hyrje të këtij takimi, brenda këtij takimi, për këtë mesazh që kumbon nga Kurbini, kumbon anembanë Shqipërisë, mesazhin e shpresës, mesazhin e fitores, mesazhin e Shqipërisë europiane. Mirënjohje për ju, mirënjohje për ju vëllezër dhe motra! Keni qenë dhe jeni balli i vlerave në betejën tonë për vlera. Keni qenë dhe jeni kocka dhe palca e kurajës së shqiptarëve, edhe atëherë kur nuk e gjenin dot kurajon brenda vetes. Keni qenë dhe jeni tmerri i tiranisë. Edhe kur flaka e lirisë tundej nën presionin e tiranisë së krimit e të korrupsionit, këtu mbeti gjithmonë e ndezur, duke i dhënë kurajo çdo demokrati e çdo shqiptari që e do vendin e lirë, që do barazi para ligjit, që do shanse dhe mundësi për punësim e për mirëqenie, që do dinjitet. Në ditët e tyre më të errëta sytë i kishin nga kurajo e rinisë e të demorkatëve të Kurbinit.
E dinë fare mirë kundërshtarët, e di fare mirë Edi Rama, sado që me gjuhën e tij të helmatisjes së përçarjes krahinore, mundohet të kthejë tmerrin dhe panikun që e ka zënë, në një shpoti që nuk ia blen më askush, por që tregon një gjë, që fle në subkoshiencën e tij, nga Kurbini do t’i vijë fundi pushtetit kriminal, pushtetit të hajdutëve, regjimit më të korruptuar që ka njohur ndonjëherë Shqipëria. Sepse nuk mund të bashkëjetojë kurrë dinjiteti i njeriut të lirë, me korrupsionin dhe babëzinë, me shkeljet flagrante të ligjit dhe të Kushtetutës, me dhunimin dhe plaçkitjen deri në koren e fundit të bukës së fëmijëve për të pasuruar një grusht hajdutësh me nam dhe me vulë.
Vetëm pak kilometra më këtej po planifikohet një hajdutëri që ia tejkalon në përmasa dhe në pacipësi edhe hajnisë kriminale tek Unaza e Re, 40 mln euro për 2 km. Tani Milot-Balldre, 260 mln euro për 17 km. Hajdutëri të tillë nuk ka njohur dhe nuk ka dëgjuar Europa. Hajdutëri të tillë shohin vetëm vendet ku populli ka mbaruar, e ka ulur kokën dhe e ka pranuar të keqen. Por s’jemi ai lloj vendi. Atëherë, kjo është një tjetër lloj hajdutërie, është hajdutëria e hajdutit që nuk do të ketë të nesërme, të marrim ça të marrim, të kapim ça të kapim.
Tani duhet t’i them ANK-së dhe atyre që fshihen pas ANK-së, çdo banke shqiptare: Mos guxo një lopatë të vetme dheu të lëvizësh, sepse dheu do të mbulojë turpin e kësaj afere korruptive. Kjo kontratë do të varroset, Edi Rama, Belinda Balluku, Damian Gjiknuri do të shkojnë para drejtësisë. Zotohem para kurbinasve, para Kishës së Laçit, shans nuk keni të vidhni shqiptarët me këtë kontratë krimi, ju presin hekurat, ju presin prangat! Por kurrsesi hajdutëria rekord e rrugës Milot -Balldren. Ndaj thirrini mendjen ANK-ra e KNA-ra! Thirrini mendjes banka shqiptare, do t’ju konfiskojmë çdo qindarkë! Do t’ju trajtojmë si bandë kriminale, do t’ju trajtojmë njësoj si krimi i organizuar, se nuk i lini gjë mangut krimit të organizuar me këtë vjedhje. Madje keni tejkaluar krimin e organizuar! Ndaj, tërhiquni, harrojeni ju se do t’i lëmë vogëlushët pa shkollë, pensionistët pa pensione, harrojeni se do t’i lëmë spitalet bosh për të paguar kontratat tuaja korruptive, qindarkë për qindarkë do t’ua marrim. Dhe do të kalbeni në burg. Ndaj tërhiqeni o skotë zuzarësh, ju 6 apo 7 oligarkë të babëzitur, serumin e Edi Ramës, se nuk e mbani dot gjallë kufomën politike! Fundi i tiranisë ka ardhur!
Ujku do mjegull dhe mjegullën e kësaj beteje politike, qytetarë dhe kombëtare, kësaj beteje për Shqipërinë si gjithë Europa, kur të gjithë shqiptarët e ndershëm, kur gjithë forcat politike proeuropiane ndodhen krah njerëzve për të fituar këtë betejë për jetë a vdekje, për liri, për demokraci, për shtetin e së drejtës, në orët e fundit kryehajduti dhe banda e tij zuzare, bashkë me këta 6 apo 7 shushunja të babëzitura, e kanë mendjen të vjedhin dhe qindarkën e fundit. Nga kush? Nga goja e vogëlushëve shqiptarë, më të paushqyerve të Ballkanit, nga goja e prindërve dhe pensionistëve shqiptarë, ku 1 në 3 nuk ushqehet dot më shumë se një herë në ditë, nga pacientët shqiptarë të cilëve iu premtoi shëndetësi falas dhe i degdisi në nivele mjerane, afrikane. Kurrsesi. Ne po e luftojmë këtë betejë e do ta luftojmë deri në fitore.
Por mos kujtoni se nuk ju shohim, teksa përpiqeni nën mjegullën e orëve të fundit të rrëmbeni çfarë të mundeni. Ndaleni dorën hajdute, përndryshe para popullit, para drejtësisë dhe për hundësh do t’ua nxjerrim ato që iu vodhet shqiptarëve.
Vëllezër dhe motra!
E gjithë bota e di si erdhëm deri këtu.
- Jemi i vetmi vend në Europë, ku kapet kryeministri duke futur kriminelë në parlament e duke i bërë kryetarë bashkish dhe nuk largohet.
- Jemi i vetmi vend në botë ku kapet Kryeministri me ministrin e Brendshëm duke bërë trafik droge dhe nuk largohet.
- Jemi i vetmi vend në botë që, kur detyrohet ta heqin ministrin kampion që për katër vjet e bëri përshesh me krimin e organizuar Shqipërinë, edhe ministri i dytë kapet me krimin e organizuar dhe kriministri nuk largohet.
- Jemi i vetmi vend ku kryeministri del në krah të një përdhunuesi e trafikanti droge si Elvis Rroshi dhe kur del e vërteta nuk largohet.
- Jemi i vetmi vend, që kur kapen me vjedhje të tilla që thyejnë çdo rekord historik e nuk largohet.
- Jemi i vetmi vend që kur kapet duke vjedhur votat me Vangjush Dakon e Damian Gjiknurin e nuk largohet.
Dhe ja ku jemi sot, me një njeri që duhet të ishte larguar me qindra herë, për të zezat që i bëri këtij populli. Dhe prapë, për karrigen e tij, për karrigen e tij, vetëm për karrigen e tij, për pushtetin e tij, për pasurinë e tij, refuzon t’i hapë Shqipërisë rrugën e zgjidhjes politike, refuzon t’i hapë Shqipërisë rrugën e integrimit evropian.
Kush ka sy në ballë e ka parë, kush ka veshë e mend e ka dëgjuar, ka një njeri që e mban peng hapjen e negociatave, ka vetëm një përgjegjës, që e shtyn tash 3 vjet hapjen e rrugës tonë Për Shqipërinë si e gjithë Evropa. Dhe ky është njeriu që, sa herë ka pasur mundësi të vërë interesat e shqiptarëve mbi pasurinë dhe pushtetin e tij, sa herë ka patur mundësi të zgjedhë shqiptarët dhe jo banditët e oligarkët, ka vendosur kundër shqiptarëve, ka vendosur kundër kurbinasve, ka vendosur kundër fëmijëve tuaj, ka vendosur kundër rinisë shqiptare.
Ndaj asgjë nuk na e heq fokusin e kësaj beteje. Asnjë ndryshim nuk do të ketë në gjendjen ekonomike të përkeqësuar të shqiptarëve, asnjë vend pune nuk do të hapet, asnjë përmirësim nuk do të ketë për pensionet dhe ndihmën sociale, për çmimin e energjisë apo për naftën,pa zgjidhur problemin e problemeve, pa e zgjidhur varkën e qeverisë nga huri i oligarkisë, pa e lidhur fatin e parlamentit dhe të deputetëve të ardhshëm, dhe të qeveritarëve të ardhshëm, nga kryeministri i ardhshëm deri tek zyrtari më i thjeshtë, drejtpërdrejt me votën e qytetarëve shqiptarë.
Kjo është beteja!
Zgjedhje të lira e të ndershme, largimi një orë e më parë i Edi Ramës, garantimi i standardeve zgjedhore, në mënyrë që shqiptarët të jenë ata që do të vendosin e të zgjedhin.
Prandaj kjo është një betejë që na ka bashkuar dhe na bashkon përtej dallimeve partiake. Unë e di dhe e kam zemrën plot nga dhjetëra e qindra mesazhe që kam marrë, edhe nga socialistë të Kurbinit, të Vlorës, të Fierit, anembanë Shqipërisë, sepse e dinë se këtë betejë e luftojmë edhe për ta. Po, e vërtetë është vëllezër e motra socialistë, do ta çlirojmë edhe partinë tuaj nga krimi, do tw çlirojmë Shqipërinë nga krimi. Ky është misioni, kjo është thirrja, kjo është beteja.
Në këtë betejë sot, i gjithë populli ka kundër vetëm një grusht njerëzish, që mbahen bashkë rreth përfitimeve korruptive miliona euroshe që ju hedh Edi Rama. Kaq e thjeshtë është. Njerëz si këta që u jep dhjetëra milionë euro kilometrin, ua hedh si kockë, natyrisht merr rryshfetin. Me këta dhe për këta e ka pushtetin. Me këta e merr, me këta e mban. Vjedh shqiptarët dhe ushqen ata, ata e ushqejnë me paratë e rryshfetit dhe i thonë: mos ik, jemi mirë kështu!
Dhe në fakt, këta 6 apo 7 mjeranë oligarkë dhe një tufë banditësh janë të vetmit që kanë bërë hajër në Shqipërinë e Edi Ramës. Një popull i tërë vuan, lëngon nga papunësia, nga varfëria, nga pamundësia, nga pasiguria, nga shkelja dhe dhunimi i përditshëm i lirive dhe të drejtave, vetëm e vetëm që të ushqehen këto shushunja, këta zuzarë, me lekët e fëmijëve shqiptarë, me bukën e gojës dhe djersën e ballit të njerëzve të ndershëm.
Ora kur një njeri i vetëm merr peng gjithë popullin e vet ka marrë fund, ka marrë fund me 16 shkurt kur foli Kurbini dhe foli Shqipëria. Ka marrë fund kur e lamë vetëm në strofkën e krimit, dolëm nga strofka e krimit, dogjëm mandatet dhe u rreshtuam krahpërkrah qytetarëve. Dhe nuk ka forcë mbi tokë ta kthejë këtë orë mbrapsht.
Tentativa kriminale për të diktuar një proces fals zgjedhor, tentative për t’i zgjatur orët kufomës politike të Rilindjes, jam i bindur që do të marrë përgjigjen e duhur anembanë Shqipërisë, duke nisur këtu nga Kurbini.
Edi Rama mendon se me gënjeshtra dhe me mashtrime, hilera dhe dredhira do t’ia kalojë miun nën hundë Europës. Nuk ia kalon miun nën hundë Europës. Nuk pranon Europa të hapë negociatat me një vend, kryeministri i të cilit është kapur duke vjedhur votat me krimin, është kapur duke vjedhur qindra millionw euro të qytetarëve të vet. Është kapur duke mbrojtur kriminelët.
Që të kalojë nëpër Europë, duhet tw kalojw nw Berlin, Paris, nw Hagw, Paris, Bruksel e Kopenhagen, kudo ku standardet europiane, vlerat për të cilat luftojmë ne, zgjedhjet e lira, ndarja dhe balancimi i pushteteve, drejtësia e pavarur, liria ekonomike, zbatimi rigoroz i Kushtetutës, janë bibla dhe kurani i qeverive europiane. Nuk kalon Rama testin e Berlinit, sepse nuk kalon dot as testin e Kurbinit. As Berlini e as Brukseli, as Londra e as Parisi, nuk qasin autokratët e korruptuar dhe të inkriminuar. Dhe këtë e kanë bërë të qartë.
Ne duhet patjetër tw hapim rrugën europiane të vendit. Ne duhet patjetër t’i hapim negociatat, ndaj duhet një orë e më parë t’i japim fund kësaj marrëzie. Të largojmë Edi Ramën dhe të bashkojmë të gjithë energjitë tona pozitive, të djathtë e të majtë drejt një zgjidhje politike që e rikthen sovranitetin tek njerëzit. Që ju dhe vetëm ju të zgjidhni parlamentin dhe qeverinë e ardhshme, por vetëm me zgjedhje të lira e të ndershme, vetëm me zbatimin rigoroz të ligjit. Prandaj them që s’e kalon dot Kurbinin!
Ka njoftuar se të shtunën, në procesin fals e kriminal zgjedhor, do të prezantojë kandidatin fals në Lezhë, njeriun që sot duhet të ishte në burg për shitblerjen e votave në Dibër.
Dosjen e shibtlerjes së votave në Dibër e ka kyçur, por të vërtetën nuk e kyç dot as Edi Rama e as Pjerin Ndreu. Duhet të ishte në burg për shitblerjen e votave në Dibër, sepse është kapur si pjesë e organizatës kriminale me dosjen 184. Tani në vend që të ishte para drejtësisë, Edi Rama do ta sjellë kandidatin për burg dhe ta bëjë kandidat për kryetar bashkie.
A mund ta pranoni ju këtë?
Qytetarët: Joooo
A mund ta pranojë Lezha këtë?
Qytetarët: Joooo
Dëgjoje mirë Edi Rama!
Dëgjoje mirë Pjerin Ndreu!
Dëgjoje Kurbinin, se nuk shkohet në Lezhë pa kaluar në Kurbin. As në Lezhë e as në Shkodër, as në Fier e as në Vlorë, as në Durrës e as në Elbasan, as në Korçë as në Tiranë, deri ditën që do t’i japë rrugë zgjidhjes së vetme politike: largimit të tij një orë e më parë dhe kthimit të sovranitetit tek qytetarët.
Por deri në atë moment, do të ketë përballë një popull të vendosur si rrallë herë, të bashkuar si kurrë më parë, me një mesazh. Jepjani atw nga Kurbini.
Qytetarët: Rama ik!
Edhe më fort ta dëgjojë deri në Tiranë!
Ne do ta çlirojmë Shqipërinë nga ky makth. Ju do të vendosni për sistemin e ardhshëm kushtetues dhe parlamentar. Ju do të vendosni nëse doni 100 deputetë të zgjedhur drejtëpërdrejt në zona maxhoritare apo listë kombëtare proporcionale me votim të hapur, lista të hapura, dy dhoma parlamentare, një senat, i cili do të jetë gardiani i Kushtetutës, do të jetë gardiani i legjislacionit transparent. Ju do të vendosni për ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që kurrë më një grusht njerëzish të mos ju marrë peng, ju dhe familjet tuaja, të mos marrë peng fëmijët e shqiptarëve. Ju do të vendosni që këtu, në këtë vend si kudo në Europë, zëri më i lartë të jetë zëri i Sovranit, me referendume kombëtare e lokale për të gjitha çeshtjet që kanë të bëjnë me jetën, sigurinë dhe shëndetin tuaj.
Ndërsa ne jemi gati t’i përgjigjemi kësaj reforme të thellë politike, me programin tonë, programin e shpresës dhe ndryshimit për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo për një grusht politikanësh. Ditën e parë do të vendosim uljen e çmimin e karburantit që ka shkuar në stratosferë. Do të anullojmë taksën Rama, 300 lek mbi çdo litër karburant.
Në planin tonë ekonomik, me uljen e taksave dhe të çmimit të energjisë, me anullimin e të gjithë koncensioneve dhe tenderave korruptivë miliarda euro për një grusht njerëzish, do t’jua kthejmë shqiptarëve me rritje pagash e pensionesh. Me investime të vërteta në shëndetësi dhe mbi të gjitha gjenerimin e vendeve të punës, sepse punësimi është kryefjala e programit ekonomik të Partisë Demokratike dhe punësimi do të jetë e mira e prekshme e çdo shqiptari që do të fitojë nga kjo betejë.
Por miqtw e mi, në fillim duhet fituar beteja.
Kemi bërë një rrugë të gjatë këto gjashtë vite e gjysëm, kemi bërë një rrugë të gjatë këto 4 muaj, dhe falë jush e sakrificës tuaj, për të cilën nuk gjej fjalë mirënjohjeje. Jemi më afër se kurrë një fitoreje me përmasa popullore, që i tejkalojnë kufijtë e çdo partie politike, një fitoreje të vërtetë për çdo shqiptar, për të rinjtë e të rejat e këtij vendi.
Por e keqja nuk ka mbaruar. E keqja vazhdon ta testojë durimin dhe vullnetin tonë, gatishmërinë tonë për të qëndruar bashkë deri në fund të kësaj beteje. Dhe sa kohë që e keqja qëndron në këmbë, në këmbë do të jemi edhe ne, të vendosur, të bashkuar, të qartë e të prerë, deri në fund.
Rama ik!
Duke nisur nga kjo e dielë, në orën 19.00, kur bashkimit popullor nuk do ti mungojë asnjë zemër qytetare, asnjë zemër patriote, nga të rinjtë, nga vogëlushët, tek të moshuarit. Të gjithë do të jenë në shesh dhe natyrisht, përsëri, Kurbini do t’i prijë me vendosmëri totale, me bashkim gjigand vullnetesh, për ta mposhtur të keqen.
Zoti e bekoftë Kurbinin!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Të gjithë bashkë, të dielën në orën 19.00!
Fitore!