• Mirënjohje për pritjen entuziaste në Londër. Edhe këtu shqiptarët i gjeta me shpresë dhe besim se rrugëtimi i nisur do ta çojë Shqipërinë drejt një ndryshimi historik, që do të përmirësojë jetën e gjithë shqiptarëve kudo jetojnë.
  • Ka një padurim të madh që ndryshimi të vijë sa më shpejt. Ka një zemërim të madh, por edhe shpresë të madhe se do t’i japim fund jo vetëm qeverisë më të korruptuar në këto 30 vjet, por edhe tranzicionit, duke vendosur standardet europiane përmes një qeverie të zgjedhur me votë të lirë.
  • Ata që mendojnë se kjo është një betejë për të larguar këtë qeveri dhe për të sjellë në pushtet PD, ndodhen akoma në sipërfaqen e një vullkani, i cili po zien shumë thellë. Ky është një vullkan zemërimi dhe zhgënjimi që Shqipëria ka mbetur e fundit në gjithçka, për shkak të qeverisë që ka vrarë votën e lirë.
  • Themeli i demokracisë britanike qendron tek ndarja dhe balancimi i pushteteve, ndërsa në Shqipëri nuk ka asnjë instancë të kontrollojë pushtetin e njëshit. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese prej dy vjetësh.  Nuk ka Gjykatë të Lartë. Të drejtat që ua garanton kushtetuta, qytetarëve ua ka ndalur qeveria.
  • Britania e Madhe është zhvilluar, sepse ka zgjedhjet e lira e të ndershme në themel të demokracisë së saj. Sepse qeveria ka frikë nga qytetarët, jo se dalin më protesta, por së flasin me votë. Në Shqipëri, instrumenti i vetëm i sundimit është frika dhe terrori nga qeveria.
  • Pa patur një parlament që përfaqëson qytetarët dhe jo kriminelët e oligarkët, nuk mund të kemi as liri, as barazi para ligjit, as institucione të pavarura, nuk mund të kemi as zhvillim ekonomik, as siguri juridike për investitorët e brendshëm e të huaj.
  • Themeli i mjerimit ekonomik, i krizës sociale është shkatërrimi i votës së lirë. Vullkani i mbushur me zemërim ka filluar të shpërthejë me një forcë që askush nuk mund ta ndalë. Zgjedhje me hajdutë e kriminelë nuk do të ketë. Zgjedhje me Edi Ramën më 30 qershor nuk do të ketë.
  • Tre instrumentet që ka përdorur Rama për këtë realitet antidemokratik janë marrja dhe mbajtja e pushtetit me krimin, propaganda e shfrenuar, përçarja  e njerëzve dhe shkurajimi i tyre.
  • Merita kryesore e aktit tonë politik të djegies së mandateve dhe e protestave kombëtare ka qenë se i ka bërë edhe njëherë shqiptarët të kuptojnë, të vetëdijësohen, të bëhen të gjithë bashkë. Kur jemi të gjithë bashkë, nuk ka zuzar e kriminel apo politikan të lidhur me ta t’i bëjë ballë forcës së bashkimit.
  • Forca e tretë e vullkanit popullor është se shqiptarët e dinë fare mirë se këtë betëjë nuk po e bëjnë për Lulzim Bashën dhe PD, përndryshe bashkimi në vend nuk do të kishte pasur këto përmasa, këtë forcë goditëse, këtë vendosmëri, këtë vetmohim për të bërë çdo sakrificë për demokracinë.
  • Shqipëria e frikës e Edi Ramës dhe Shqipëria e shpresës që po ndërtojmë së bashku nuk mund të bashkëekzistojnë. Që Shqipëria e frikës të qëndrojë, duhet të arrestojë gjithë popullin, duhet të diktojë votime moniste, duhet t’i detyrojë të gjithë shqiptarët të largohen nga shtëpitë e tyre.
  • Kam bindjen e thellë se me vetëdijësimin, bashkimin dhe vendosmërinë e shqiptarëve, Shqipëria e frikës do të bjerë dhe ajo që do të qendrojë do të jetë Shqipëria e shpresës, e vlerave dhe parimeve europiane, do të jetë Shqipëria e zgjedhjeve të lira e të ndershme, Shqipëria e zhvillimit.

 

FJALA E PLOTË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA NË BASHKËBISEDIMIN ME BASHKËATDHETARË QË JETOJNË DHE BANOJNË NË LONDËR

 

I nderuar avokat Naim Hasanaj, Kryetar i Partisë Demokratike të degës së Britanisë së Madhe.

Të nderuar drejtues dhe organizatorë politik të PD dhe të opozitës,

Të dashur mbështetës dhe anëtarë të Partisë Demokratike,

Të nderuar bashkëatdhetarë, qytetarë mbështetës të opozitës, por jo vetëm,

 

Më lejoni ta nis me mirënjohjen time më të thellë, për këtë pjesmarrje kaq massive dhe entuziaste, me të cilën më nderoni sot, mua dhe delegacionin që më shoqëron këtu në Londër. Dhe, po kështu, t’ju them se e ndjeva këtë pritje të ngrohtë, që në orët e para të fluturimit nga Tirana në Londër, që në momentin e mbërritjes vonë në mbrëmjen e ditës së mërkurë në aeroportin e Gatewick, i rrethuar nga dhjetëra bashkëatdhetarë. Shumë prej tyre jetojnë prej një kohe të gjatë këtu, disa, për fat të keq, në vizitën e tyre të parë, por me gjasa për të kërkuar të ardhmen e tyre këtu. Por të gjithë, ndryshe nga vizitat e tjera të mëparshme, plot me shpresë e besim, se rrugëtimi që kemi nisur është një rrugëtim që do ta çojë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që jetojnë, drejt një ndryshimi historik, monumental, demokratik, drejt një ndryshimi që do të ndjehet dhe do të përmirësojë jetën e gjithë shqiptarëve, në Shqipëri dhe kudo ata jetojnë.

 

Kjo, në vetvete, përbën një frymëzim të jashtëzakonshëm për mua, për PD-në,  për opozitën shqiptare.

 

Entuziazmin, optimizmin, vendosmërinë dhe shpresën, të cilën e kam prekur anembanë Shqipërisë këto javë dhe muaj aksioni politik, opozitar dhe qytetar, në të gjitha dimensionet, madje do të thoja edhe më të ndezura, e gjeta te shqiptarët e Britanisë së Madhe, te shqiptarët e Londrës dhe tek shqiptarët në diasporë kudo që ndodhen.

 

Ka një padurim të madh që ndryshimi të vijë një orë e më parë. Ka një zemërim të madh që ka mbushur rrugët dhe sheshet e vendit tonë, por edhe hapësirën sociale. Ka, po kështu, një shpresë të madhe se ajo që po vjen nuk do të jetë thjesht dhe vetëm një ndryshim politik i rradhës, i merituar siç është, largimi i një qeverie të kapur nga aferat më korruptive që ka njohur 30 vite të pluralizmit shqiptar, por, mbi të gjitha, fundi i një tranzicioni prej tre dekadash, ardhja jo vetëm e Partisë Demokratike dhe opozitës në pushtet, por ardhja e standardeve europiane të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës, ardhja e standartave britanike të drejtësisë, të barazisë para ligjit, të mundësive për të gjithë dhe të mirëqenies së garantuar përmes punës së ndershme, përmes vyrtytit, përmes vlerave, përmes konkurencës.

 

Kjo miqtë e mi është beteja për të cilën luftojmë sot. Ata që mendojnë se kjo është një betejë thjesht dhe vetëm për të larguar këtë pushtet dhe për të sjellë në pushtet Partinë Demokratike, ndodhen akoma në sipërfaqen e një vullkani i cili po zien shumë thellë. Ky në rradhë të parë është një vullkan zemërimi dhe zhgënjimi.

 

Si ka mundësi, 30 vjet pas rrëzimit të diktaturës, po na parakalojnë njëri pas tjetrit të gjitha vendet. Me gjasa, shumë shpejt edhe Maqedonia do të nisë negociatat, vetëm ne jo!

 

Si ka mundësi 30 vjet pas eksodit më masiv që ka njohur ndonjë popull europian, prapëseprapë  shqiptarët mund ta gjejnë dhe ta kërkojnë Europën, standardet europiane, vetëm përmes emigracionit!

 

Si ka mundësi, që 30 vjet kanë kaluar dhe demokracia, që do të thotë ushtrimi i pushtetit nga populli përmes votës së lirë, të vihet në pikëpyetje, jo më nga një bllok ushtarako-politik, siç ishte Bashkimi Sovjetik dhe Traktati i Varshavës, as nga një diktaturë me instrumenta  ideologjik si diktatura e Enver Hoxhës, por nga një grusht politikanësh të korruptuar deri në palcë dhe një grusht kriminelësh dhe oligarkësh të bërë njësh me të.

 

E gjitha kjo, shkakton një zëmërim të ligjshëm, që zemra e këtij vullkani që po zien, sepse duke shkatërruar demokracinë, ky grup njerëzish ka marrë peng institucionet e vendit, ka marrë peng Parlamentin, shpresën dhe garantuesin e vullnetit të qytetarëve. Dhe duke marrë peng Parlamentin, ka marrë peng qeverisjen, ka shkatërruar drejtësinë dhe ka shkaktuar në vend krizën më të thellë ekonomike.

 

Të gjitha vendet e tjera të rajonit po përfitojnë nga revolucioni teknologjik, duke thithur investime, duke hapur vende pune ku transferohet kjo teknologji, ku ndërtohen instalacione, në të cilat të rinjtë dhe të rejat punojnë në teknologjinë e informacionit me paga dhe kushte dinjitoze, ndërkohë që në Shqipëri ekonomia është në kolaps total dhe e vetmja mënyrë për të siguruar mbijetesën, është ose t’i lëpihesh pushtetit për t’u futur në një administratë që nuk u shërben njerëzve, ose të largohesh në emigracion me shpresë se do të sigurosh një vend pune.

 

Shumica prej jush e sigurojnë këtë vend pune në vend të huaj e jo në vendin tuaj, sepse ai nuk siguron as sigurinë juridike, as barazinë para ligjit, as mundësinë për të konkuruar e as një ekonomi që krijon vende pune.

 

Të gjitha këto janë pasojë e kapjes së pushtetit nga një grusht njerëzish, që nuk kanë në mendje interesin e shqiptarëve. Këta janë politikanët që e kanë lidhur fatin e tyre me krimin dhe kështu edhe kanë ndikuar zgjedhjet e 2017-s, nga doli një parlament që buron nga bashkëpunimi me krimin. Ku tjetër veç në Britani, në demokracinë më të vjetër perëndimore, disa orë pasi kam qenë në Dhomën e Lordëve dhe në Dhomën e Komuneve, ku tjetër përveçse këtu, nënën e të gjthë parlamenteve, është rasti të theksoj se kur pushtetari e lidh fatin me qytetarin nuk ka rrugë tjetër përveçse t’i shërbejë qytetarit ose do të largohet me votën e qytetarit. Ky është rregulli i artë kudo, edhe në Britani. Ky është edhe rregulli numër një që do ta diktojmë përmes bashkimit tonë.

 

Zgjedhje me hajdutë nuk do të ketë, zgjedhje me kriminelë nuk do të ketë, zgjedhje me Edi Ramën më 30 qershor nuk do të ketë.

 

Natyrisht, ta marrësh pushtetin me kriminelë është dy herë më e vështirë kur funksionojnë instrumentet e tjera. Psh, kjo është arsyeja pse në Britani ka deputetë që zgjidhen drejtpërdrejt, ka edhe një Dhomë të Lordëve, e cila në masën më të madhe kryen edhe funksionet që në Shqipëri kryen Gjykata Kushteutese.

 

Në Shqipëri nuk ka Gjykatë Kushtetuese, është zhdukur, ka dy vjet që s’ka Gjykatë.

Nuk ka asnjë instancë të kontrollojë pushtetin e njëshit.

Nuk ka Gjykatë të Lartë, nuk ka asnjë garanci juridike.

 

47 mijë bashkëqytetarët tanë, një e treta me probleme pronash, nuk marrin dot drejtësi. Të drejtat që ua garanton kushtetuta, ua ka ndalur qeveria. Kriza thellohet edhe më shumë, po të kemi parasysh se, de facto, prokuroria ka pushuar së funksionuari si e tillë dhe funksionon si repart i kupolës kriminale të “Rilindjes”. Kjo është arsyeja pse është emëruar në mënyrë antikushtetuese prokurorja e përgjithshme e përkohshme para një viti e gjysëm e tani e di e gjithë bota se cila ka qenë arsyeja e këtij emërimi: të mos hetonte krimin zgjedhor, që e zbuloi para dy ditësh gazeta më e madhe e Evropës, gazeta gjermane “Bild”, investigim që e publikoi për herë të parë Zëri i Amerikës në fund të janarit.

 

E kam fjalën, pra, tek kontrolli dhe balanca e pushtetit. Ne e dimë fare mirë sa i është dashur Britanisë së Madhe, shekuj të tërë, për të ndërtuar këtë sistem demokratik vlerash. Ne e dimë edhe se për të mbrojtur këtë sistem vlerash ky popull ka sakrifikuar, ka bërë betejë. E keni dëgjuar të paralajmëroj nga Tirana se për demokraci janë këputur koka mbretërish. Në Ëhite Hall janë këputur. Dhe për t’ia kujtuar çdokujt se me vullnetin e popullit nuk luhet, sa herë që monarku britanik futet në parlament për të bërë prezantimin e qeverisë, i përplaset në mënyrë simbolike dera e Dhomës së Komuneve në fytyrë. Tradita është që duhet të trokasë Monarku. Natyrisht, është një ceremonial, por që bëhet çdo vit, sa herë që Madhëria e Saj Elizabeta II mban fjalën vjetore para parlamentit, për të kujtuar e rikujtuar se themeli i demokracisë britanike dhe autoriteti i parlamentit, nënë të të gjitha parlamenteve, qendron pikërisht tek ndarja dhe balancimi i pushtetit.

 

As Mbreti dhe askush tjetër s’mund t’i ketë të gjitha pushtetet në dorë. Kjo është garancia për lirinë e qytetarëve britanikë, kjo është garancia për pavarësinë e gjykatave britanike, kjo është garancia për trajtimin e qytetarëve britanikë njësoj para ligjit, pavarësisht nëse janë aristokraci apo emigrantë nga Pakistani apo Bangladeshi.

 

Dhe kjo është arsyeja pse bashkëqytetarët vijnë këtu dhe ia dalin që në fushën e tyre të ekspertizës, qofshin inxhinerë, mjekë apo sipërmarrës, brenda 1-2 vitesh të ndërtojnë mirëqenie disafish më të mirë se në shtëpinë e tyre.

 

Nuk ka Britania asnjë resurs më shumë se Shqipëria. Po ju numëroj sonte shumë resurse që ne i kemi e ata s’i kanë, potencialet më të mëdha naftëmbajtëse e minerale, potencialin e jashtëzakonshëm hidroenergjitik, potencial turistik të pashfrytëzuar në 450 km bregdet, për një popullsi prej 3 milionë shqiptarësh. Por atje, 290 mijë shqiptarë ngrysen me një vakt në ditë. Por atje, ndonëse jemi në shtëpinë tonë, përballemi me arbitraritet, arrogancë, me dhunë, me padrejtësi. Atje mund të zgjohesh në mëngjes dhe të gjesh policinë tek dera duke të hedhur gaz lotsjellës, ty dhe fëmijëve të tu, për t’i nxjerrë me zor nga shtëpia dhe për t’u prishur shtëpinë pa ligj e kundër ligjit, si të ishte gjendje lufte.

 

Ndërsa këtu mund të vish, edhe kur nuk e njeh gjuhën, dhe brenda 6 muajsh ta ndjesh veten pjesë të kësaj shoqërie, sepse ligji është i barabartë për të gjithë dhe se qeverinë nuk e keni kundër. Sepse po ta keni kundër, e di fare mirë se çfarë e pret një qeveri që punon kundër qytetarëve. Ky është gardhi që ndan shoqëritë e përparuara nga shoqëritë e prapambetura, lirinë nga tirania. Liria është atje ku qeveria ka frikë popullin. Kur e them kështu, në mënyrë abstrakte, ndonjëri mund të thotë, frikë nga çfarë, frikë nga protesta? Jo jo, frikë nga vota. Ju jeni dëshmitarë se opinioni publik është mbret i vërtetë i Britanisë së Madhe.

 

Çfarë kemi në Shqipëri, frikën dhe terrorin nga qeveria, si instrumenti i vetëm i sundimit.

 

E pra miqtë e mi, ne kemi një mision të madh dhe një mision hyjnor dhe për këtë nuk na duhet as të shpikim rrotën e as të kalojmë një mijë vjet sakrifica e luftë për liri e demokraci, si ky vend, që nga Magna Carta e deri më sot. Mjafton të zbatojmë të njëjtat vlera, norma dhe parime. Për këtë po luftojmë. Bazamenti i kësaj janë zgjedhjet e lira e të ndershme.

 

Pa patur një parlament që përfaqëson qytetarët dhe jo kriminelët, që është peng i votës së qytetarëve dhe jo i ndihmës që merr nga oligarkët që grabisin Shqipërinë, nuk mund të kemi as liri, as barazi para ligjit, as institucione të pavarura, nuk mund të kemi as zhvillim ekonomik, as siguri juridike për investitorët e brendshëm e të huaj.

 

Themeli i mjerimit ekonomik, i krizës sociale është shkatërrimi i votës së lirë. Vetëm kthimi i votës së lirë i hap rrugë zhvillimit ekonomik, i hap rrugë masave që do t’i japin fund krizës dhe mjerimit dhe do të mundësojnë një Shqipëri të pasur, e cila dot sot eshtë e vjedhur, e shtypur dhe e dhunuar.

 

Ne kemi ardhur deri këtu dhe ky vullkan i mbushur me zemërim ka filluar të shpërthejë me një forcë që askush nuk mund ta ndalë edhe për një arsye tjetër.

 

Njerëzit, më në fund, e kanë kuptuar se realiteti që u ka helmatisur jetën këto 6 vite, ku nuk ndiheshin zot në shtëpinë e tyre, nuk ndiheshin zot në shtëpinë e në punën e tyre, as në shkollat e fëmijëve, ky realitet i shëmtuar ka ardhur për shkak të 3 instrumenteve që ka përdorur pushteti:

 

1-marrja dhe mbajtja e pushtetit me krimin

2 – propagandën e shfrenuar

3 – përçarjen e njerëzve, shkurajimin e tyre.

 

Si ka mundësi, një grusht zuzarësh, hajdutësh dhe kriminelësh të jenë më të fortë se 3 milionë shqiptarë? Me anë të këtyre instrumenteve pra, kanë shkurajuar njerëzit, i kanë bërë të ndihen veç e veç.

 

E kishim harruar deri para disa javësh forcën që kemi kur jemi të gjithë bashkë. Kur jemi të gjithë bashkë, nuk ka zuzar e kriminel apo politikan të lidhur me ta t’i bëjë ballë forcës së bashkimit.

Ndaj merita kryesore e aktit tonë politik të djegies së mandateve kjo ka qenë, t’i bëjë edhe njëherë shqiptarët të kuptojnë, të vetëdijësohen, të bëhen të gjithë bashkë.

 

Kjo, në bindjen time më të thellë është edhe merita kryesore e protestuesve kurajozë, që kanë zgjuar shpresën, besimin dhe kanë vrarë frikën në shpirtin e çdo shqiptari, edhe të atyre të cilët e kanë ndjekur protestën nga larg.

 

Kjo është arsyeja se pse protestat bëhen çdo ditë e më të mëdha, çdo ditë e më të fuqishme, çdo ditë e më vendimtare, sepse kjo shpresë nuk do të fiket, nuk do të zbehet, as nga terrori i Edi Ramës me veglat e tij, me një polici të inkriminuar, as nga shiu që ra të hënën 4 orë pa pushuar.

 

Aspekti i tretë i këtij vullkani popullor është dëshira jo thjesht dhe vetëm për të larguar një qeveri të lidhur me krimin, por për ta përdorur këtë krizë të thellë dhe energjinë popullore që rizgjoi edhe njëherë, njësoj si para 30 vitesh, për të ndërtuar diçka të re e të panjohur, të paprekur, por shumë të dëshiruar deri më sot.

 

Jo më një demokraci hibride.

Jo më një shtet ligjor gjysma gjel e gjysma pulë, ca i njerkës e ca i nënës.

Jo më një ekonomi që funksionon për një grup njerëzish, por nuk funksionon për një grup tjetër njerëzish.

Jo më një sstiem arsimor i cili ia del të arsimojë vetëm fëmijët e atyre që kanë para për të paguar nën dorë. Jo më një sistem shëndetësor të niveleve afrikane, por të paktën të niveleve të rajonit.

 

Pra, forca e tretë e këtij vullkani popullor është se shqiptarët e kuptojnë dhe e dinë fare mirë se këtë betëjë, nuk po e bëjnë për Lulzim Bashën, nuk po e bëjnë thjesht dhe vetëm për Partinë Demokratike, përndryshe bashkimi në vend nuk do të kishte pasur këto përmasa, nuk do të kishte pasur këto konture, nuk do të kishte patur këtë forcë goditëse, këtë vendosmëri, këtë vetmohim, për të bërë çdo sakrificë për demokracinë.

30 të burgosur politik ka sot regjimi kriminal i Edi Ramës. Gjithësecili prej tyre me fëmijë të vegjël, disa prej tyre i kam vizituar në shtëpitë e tyre. Janë në burg si të burgosur politikë, por janë në burg me vendosmëri për të sakrifikuar gjithçka për demokracinë, diçka që e dëgjoj ditë për ditë e natë për natë nga protestuesit e në veçanti nga rinia.

 

Miqtë e mi, ka dy Shqipëri përballë njëra-tjetrës, duke ju konsideruar edhe ju një pjesë të  Shqipërisë këtu në Londër.

 

Njëra është Shqipëria e frikës, është Shqipëria e korrupsionit, është Shqipëria e hipokrizisë, e mashtrimit, e hilesë, është Shqipëria e dhunës, është Shqipëria e shpërfilljes për fatin e njerëzve të tjerë, për fatin e bashkëqytetarëve, e shqipërisë ku kemi një kryeministër që duhet sikur gjithë kohës ka tërhequr viza nga hundët.  Është Shqipëria që ka humbur mundësinë që të dhemb shpirti e zemra kur shikon padrejtësi e varfëri, është Shqipëria kur njerëzit ngrihen për bukën e gojës, feston në hotelet më luksoze të Europës me milionat e vjedhura të këtyre shqiptarëve që kanë mbetur pa ngrënë, apo që hanë një vakt në ditë. Kjo është njëra Shqipëri! Kjo Shqipëri përbëhet nga një grusht njerëzish dhe forca e këtyre njerëzve është pushteti i kapur në mënyrë kriminale. Janë institucionet e shtetit të asgjesuara, është praktika despotike, putiniste, lindore, aziatike, por aspak europiane dhe perëndimore, e trajtimit të vendit si çifligu i tyre, si prona që u kanë lënë baballarët. Është Shqipëria e një pakice të cilën mund ta numërojmë me gishtat e dy duarve dhe dy këmbëve, por jo më shumë se kaq.

 

Përballë kësaj është Shqipëria e shumicës absolute, deri para muajsh të dhunuar, kokëulur, të shkurajuar, të zhgënjyer, të tradhëtuar, vazhdojnë dhe sot të jenë të shpunësuar, të varfëruar, të goditur në mënyrë të padrejtë në kundërshtim me ligjin. Por me ndryshim me 3-4 muaj më parë, kjo Shqipëri e Shumicës, është një Shqipëri e shpresës. E shpresës së gjërat, jo vetëm duhet, por do të ndryshojnë, e besimit se fatin tonë e kemi në duart tona. Se koha ka marrë fund, kur Zot në shtëpinë tonë mund të jetë zuzari, trafikanti, i korruptuari, gaztori, karagjozi, narkodipendenti, apo të gjitha këto bashkë me fytyrën dhe zërin e kryeministrit. Plot me shpresë dhe besim, se Zot në shtëpitë tona, dhe nesër Zot të ekonomisë tonë, zotër të bizneseve tona,zotër të gjykatave tona, zotër të shkollave tona, zotër të spitaleve tona, të rrugëve, autostradave, qyteteve dhe fshatrave tona, do të jenë vetëm qytetarët shqiptarë dhe askush tjetër.

 

Një nga këto dy Shqipëri do të qëndrojë dhe tjetra do të zhduket. Këto dy Shqipëri nuk mund të bashkëekzistojnë.

 

Deri para disa muajsh, bastin Shqipëria e frikës, e kishte vënë se do të zhdukte Shqipërinë e shpresës. Diçka magjike ka ndodhur ndërkohë dhe meritën kryesore për këtë e kanë padyshim qytetarët shqiptarë, e kanë demokratët shqiptarë, të cilët u ngritën në protestën e 16 shkurtit dhe diktuan me bashkimin e tyre, aktin e djegies së mandateve, deligjitimimit total të parlamentit të krimit, daljen e opozitës në krah të qytetarëve dhe nisjen e rrugëtimit tonë sëbashku.

 

Një nga këto dy Shqipëri do të qëndrojë dhe tjetra do të zhduket.

 

Që Shqipëria e frikës të qëndrojë, duhet të arrestojë gjithë popullin.

Që Shqipëria e Tiranisë të qëndrojë, duhet të diktojë në 5700 kuti votimi votime moniste, me një kandidat, ose kandidatë të diktuar nga krimi.

Që Shqipëria e frikës të qëndrojë, duhet t’i detyrojë të gjithë shqiptarët të largohen nga shtëpitë e tyre.

 

Nuk do t’ia dalë. Kurrësesi Veçanërisht tani që shqiptarët janë zgjuar, janë bashkuar, janë vetëdijësuar dhe kanë vendosur ta çojnë betejën deri në fund.

 

Jam sonte këtu për të ndarë bindjen më të thellë se Shqipëria e frikës do të bjerë, dhe ajo që do të qendrojë do të jetë Shqipëria e shpresës, do të jetë Shqipëria e vlerave dhe parimeve europiane, do të jetë Shqipëria e zgjedhjeve të lira e të ndershme, do të jetë Shqipëria e lirisë për sipërmarrësit, Shqipëria e dinjitetit për studentët dhe pedagogët, do të jetë Shqipëria që nuk do t’i largojë, por do t’i mbajë mjekët dhe infermierët për t’u shërbyer pacientëve tanë, do të jetë Shqipëria e pensionistëve dinjitozë që, më në fund, do të kenë shpërblimin për një jetë të tërë në sakrificë, do të jetë Shqipëria e fermerëve që nuk i hedhin në kanal, por i shesin produktet e tyre., do të jetë Shqipëria e dhembshurisë për të pamundurit. Mbi të gjitha, do të jetë Shqipëria e ndërtuar mbi të njëjtat vlera që ndërtohet Britania e Madhe dhe demokracia e saj, e zgjedhjeve të lira, e balancimit dhe ndarjes së pushteteve, do të jetë Shqipëria e lirisë dhe demokracisë.

 

Vëllezër dhe motra!

 

Në këtë betejë, unë e kam të pamundur t’ju ndaj në qytetarë rezidentë të Shqipërisë dhe emigrantë. Jo thjesht dhe vetëm se entuziazmi dhe besimi juaj tek fitorja e kësaj beteje në këtë sallë kumbon njësoj si në sallat dhe sheshet e Shkodrës, të Lezhës, Kurbinit, Krujës e Fushë-Krujës, të Tiranës, Durrësit dhe Kavajës, të Lushnjës dhe të Fierit, të Vlorës dhe të Sarandës, të Gjirokastrës dhe të Beratit, të Korçës, të Matit, të Dibrës, të Kukësit, të Tropojës e të gjithë Shqipërisë, por sepse ju jeni dëshmia e gjallë, ju jeni dëshmitarët, me emër dhe mbiemër, me gojë, me sy, e suksesit që pret çdo shqiptar, kur edhe në Shqipëri të sigurojmë një qeveri të dalë nga vota e lirë, një gjyqësor të pavarur, një ekonomi të lirë nga terrori administrative dhe nga taksidarët e bashibozukët rryshfetxhinj.

 

Ju jeni dëshmia e gjallë e suksesit që pret çdo shqiptar dhe Shqipërinë tonë, kur të garantojmë standardet dhe normat britanike, standardet dhe normat europiane të lirisë dhe demokracisë. Kjo është vlera juaj e shtuar. Kjo është edhe përgjegjësia juaj e shtuar kundrejt familjarëve, shokëve e miqve tuaj me Shqipëri, për t’u thënë që “po, e nesërmja do t’u takojë atyre”, jo zuzarë e, do t’u takojë njerezve të thjeshtë dhe, së bashku me ju, PD, opozita, të gjithë së bashku, do të marshojmë drejt këtij destini hyjnor që është Shqipëria si gjithë Europa.

Faleminderit!

Zoti ju beloftë ju!

Zoti i bekoftë shqiptarët  kudo qe janë!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

 

DY NDËRHYRJE GJATË BASHKËBISEDIMIT

 

Basha: Pjesëmarrja në protestën e 25 Majit vendimtare për fitoren

 

Nuk do të ketë më bir nëne të përsërisë për shqiptarët tragjedinë 50 vjeçare që i la 100 vjet pas, i izoloi dhe i ktheu në një rezervat në zemër të Europës. Një nga garancitë për këtë jeni edhe ju këtu, që i dini vlerat e Europës, siç i dinë edhe të afërmit tuaj në Tiranë. Ju ftoj të bëni gjithçka që ky aksion që sapo ka misur të jetë sa më i madh, sa më i vendosur, sa më i fuqishëm, duke nisur me të shtunën e 25 Majit. Bjeruni telefonëve, mobilizoni njerëzit, nxirrini në protestë. U kërkoni që të jenë ata, nëse nuk keni mundësi të shkoni vetë. Sa më e madhe pjesëmarrja, sa më i madh bashkimi, aq më të numëriara do t’i ketë orët Edi Rama.

 

 

Basha pohon për herë të parë: Propozimi për ndryshimin e kufijve të Kosovës më është bërë edhe mua nga serbët.

 

Në lidhje me historinë e hapjes sërish të diskutimit të kufijve. Një miku ynë i përbashkët, ish Minisitri i Jashtëm Besnik Mustafaj tha para pak ditësh se çdo ministri të jashtëm i është propozuar ndryshimi i kufijve të Kosovës. S’e kam thënë më parë, por po e them tani nga Londra: Po, po. Edhe mua më është propozaur. Kanë ardhur, në atë kohë,  autoritetet serbe dhe më kanë paraqitur idenë e ndryshimit të kufijve të Kosovës. Këtë e di unë, e di udhëheqja aktuale e Kosovës, se i kam informuar, e dinë partnerët tanë nga Uashingtoni në Londër, nga Brukseli në Berlin.

Ju thashë më parë që jam i tmerruar nga papërgjegjësia totale, me të cilën ata mendojnë se mund të rikthejnë kohën e Millosheviçit apo kohën e luftrave të periudhës së Kongresit të Berlinit. Këta mendojnë akoma si të jenë në shekullin e 19-të. Po kurrë nuk ma kishte marrë mendja se idetë që do të dëgjoja nga goja e Vuk Jeremiçit dhe Ivica Daçiç, do t’i dëgjoja më vonë si ide origjinale nga goja e Edi Ramës dhe e Hashim Thaçit. Këtë nuk ma kishte marrë mendja