• Gjithçka që është arritur në raport me të përndjekurit politikë, është meritë e PD-së dhe gjithçka që nuk është arritur, është përgjegjësi e Partisë Demokratike. Ndjesa e thellë për gjithçka që nuk është arritur, është e jona. Zotimi është i imi dhe i PD, për të ta çuar deri në fund!
  • Pengesa më e madhe për bashkëpunim me Partinë Socialiste është lartësimi prej I vesit dhe kriminelëve, njësoj si diktatura komuniste. Na pengon jo thjeshtë prej retorikës, por për shkak të falsifikimit brutal të historisë, lartësimit të vesit të kriminelëve
  • Vesi dhe krimi komunist u lartësuan, u rehabilituan, ndërsa vlerat për të cilat u sakrifikuan shumë shqiptarë, u përdhosën dhe u lanë në harresë. Ne e lamë harresën të mbizotëronte mbi kujtesën, dhe kësisoj nuk i dhamë ndëshkimin e merituar moral, total, diktaturës komuniste dhe krimeve të saj
  • Betejën e vlerave mbi vesin e krimit mund ta fitojmë, vetëm nëse rivendosim, si kudo në Europë, hirearkinë e duhur të vlerave mbi vesin dhe jo të vesit mbi vlerat. Ky është dhe vyrtyti më i madh dhe ndërimi më i madh që i bëjmë përmes kujtesës, atyre që dhanë jetën, për besimin në Zot dhe në Atdhe
  • Sot kemi të njëjtin model përballë. Është modeli i krimit, vetëm kësaj rradhe jo i veshur me petkun e ideologjisë vrastare, komuniste, marksiste-leniniste, staliniste. Është petku i vlersimit dhe ngritjes së hiçit, hipokritit, të servilit, të hajnit, të njeriut pa besim në në Zot dhe në Atdhe.
  • Pema e lirisë, vaditet nga gjaku i patriotëve dhe i tiranëve! Kjo thënie e famshme e Thomas Jefferson, më shkon sot ndërmend, teksa përgatitemi për çdo sakrificë, për çdo çmim, për të mbrojtur demokracinë dhe lirinë, dhe kurrë më për të mos lënë një diktaturë të vesit të dhunojë Shqipërinë

 

FJALA E KRYETARIT BASHA NE PERURIMIN E MEMORIALIT TE VIKTIMAVE KOMUNISTE NE SHKODER

 

Të dashur miq, më lejoni të them fare shkurtimisht 3 gjëra, në një përpjekje të kotë për të konkurruar të pakonkurrueshmen, simfoninë që shoqëroi sot këtë monument madhështor që sapo u inaugurua në Shkodër. Në Evropë, por edhe në Shqipëri e kemi zakon, që kur inaugurojmë vepra të tilla, luhen pjesë arti. Simfonia që shoqëroi këtë monument ishin parafolësit, ishte Uran Kostreci, ishte zonja Saraçi, përfaqësuese e familjes Mulleti, dhe të tjerët, parafolësit e mëparshëm, përfaqësues të nderuar të shoqatave të të persekutuarve politikë të Shkodrës, të Shoqatës Antikomuniste, të tjerë personalitete të nderuar, presidenti i Unionit Mbarëkombëtar, të cilët jam i sigurtë se folën për dhjetëra, qindra të përndjekurve dhe pasardhësve të të përndjekurve këtu në këtë sallë.

Ndaj, mendimi i parë që dua të ndaj me ju është se jam shumë i emocionuar dhe shumë i privilegjuar që sot, me ftesë të bashkëorganizatorëve, të bashkisë së Shkodrës, të zonjës kryetare, dhe organizatorëve të tjerë, ndodhem në një moment kaq emocionues, kaq prekës por edhe kaq domethënës, jo vetëm për historinë, por edhe për të sotmen dhe të nesërmen e Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë e të të gjithë shqiptarëve, e në veçanti të brezave që do të vijnë.

Ju falenderoj nga zemra për ftesën e që më bëtë pjesë të këtij aktiviteti.

Ndonëse kryetarja e bashkisë dhe mikpritësit e tjerë i bënë falenderimet, edhe unë dua t’ju shpreh mirënjohje të thellë atyre që kanë ardhur nga larg, drejtueses së institutit të Krimeve të Komunizmit në Gjermani, dhe 20 miqve gjermanë që na bashkohen në këtë ngjarje të veçantë, kontribuesve për arritjen e kësaj vepre kaq prekëse, të cilën dua t’i ftoj të gjithë qytetarët e vendit tim, e në veçanti të rinjtë dhe fëmijët, të gjejnë kohën një ditë dhe të vijnë në Shkodër e ta shohin nga afër, sepse rrallëherë bashkohen në një vepër arti mendimi e emocioni kaq bukur sa në këtë vepër që inauguruam sot. Në veçanti dua të falenderoj ata që kanë kontribuar nga larg, Konferencën e ipeshkvijve Katolikë të SHBA, Arqipeshkvinë Metropolitane të Shkodrës, Renovabis, “Paqe dhe drejtësi”, natyrisht Shoqatën e të përndjekurve politikë, zotin Drangu, dhe të gjitha shoqatat e tjera, dhe natyrisht Bashkinë e Shkodrës, kryetaren Voltana Ademi por edhe ish-kryetarin Lorenc Luka, meqenëse puna nisi edhe më herët, si dhe Këshillin Bashkiak të Shkodrës.

Mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar përmes ideve, pasionit, por edhe donacioneve, për ta bërë këtë projekt të mundur. Mirënjohje të veçantë për klerin, që ndodhet i përfaqësuar sot, krah për krah, siç është gjithmonë, kudo në Shqipëri e në veçanti këtu në Shkodër, për hoxhallarët, për priftërinjtë, për murgjit, të cilët i dhanë dimensionin hyjnor kësaj ceremonie, me lutjen që bënë njëherë pas zbulimit dhe inaugurimit të Memorialit.

Zonja dhe zotërinj, unë jam këtu si kryetar i Partisë Demokratike, ndaj dua t’ju them së pari, se vij këtu me vetëdijen e plotë të peshës dhe përgjegjësisë që kam unë dhe partia ime. I vetëdijshëm  se gjithçka që është arritur në raport me borxhin e pashlyeshëm të mirënjohjes kombëtare, morale, ndaj të përndjekurve politikë, familjarëve dhe pasardhësve të tyre, është meritë e PD-së dhe gjithçka që nuk është arritur, është përgjegjësi e Partisë Demokratike. Nuk mund ta kërkoni, as nuk dua ta kërkoni askund tjetër. Përgjegjësia është e jona. Ndjesa e thellë për gjithçka që nuk është arritur, është e jona.

Zotimi është i imi dhe i PD, për të ta çuar deri në fund!

E them këtë me hidhërim të thellë në zemër, sepse kjo duhet të ishte një nga çeshtjet që duhet të na bashkonte, të gjithë partitë politike, në veçanti partitë kryesore në vend. Por e dimë fare mirë, se diçka na pengon ta bëjmë këtë duke i shtrirë njëri-tjetrit. Akoma na pengon!

Na pengon edhe këto ditë, kur nesër bëhemi gati të përkujtojmë Spaçin e pasnesër 35-vjetorin e Qafë-Barit. Na pengon jo thjeshtë dhe vetëm prej retorikës, por për shkak të falsifikimit brutal të historisë, lartësimit të vesit të kriminelëve, që i shërbyen vesit dhe zhytjes së Shqipërisë në mjerimin më të madh human që ka njohur Europa. Po kështu në sulmet denigruese ndaj atyre që guxojnë të zbardhin të vërtetën, drejtuesit e institutit, Agron Tufës dhe studiuesve të tjerë, Çelo Hoxhës dhe çdokujt tjetër që përpiqet të zbardhë me kurajo të vërtetat e triumfit 50-vjeçar të vesit mbi vlerën.

Na pengon diçka më e madhe se kaq. Triumfi i vesit mbi vlerën vazhdon.

Sot është rasti të hedh një hap pas nga retorika politike që është e nxehur tej mase, sepse e nxehur tej mase është e nxehur edhe kriza politike në Shqipëri dhe që kërkon zgjidhje dhe zgjedhje.

Të hedh një hap pas dhe në praninë e nderuar dhe të ndriçuar të kësaj sale, të kuptojmë se një nga arsyet pse kundërshtarët tanë politikë, vazhdojnë të promoovojnë me këmbëngulje vesin, krimin, është sepse vesi me krimin kurrë nuk u denuan ashtu siç duhet. Në fakt u lartësuan, u rehabilituan, ndërsa vlerat për të cilat u sakrifikuan shumë shqiptarë, burra fisnikë dhe trima të pushkës, të mendjes dhe të penës. Gra kurajoze, si ato që Europa i ka ngritur në mitet e saj këto  400 vjet. Fëmijë që u poqën para kohe dhe që sot i kemi mes nesh me thinja në kokë.

Një nga arsyet kryesore, pra është, se ne e lamë harresën të mbizotëronte mbi kujtesën, dhe kësisoj nuk i dhamë ndëshkimin e merituar moral, total, diktaturës komuniste dhe krimet e saj të përbindëshme. Përtej çdo dëshpërblimi, financiar, moral, personal, që ky komb dhe ky shtet i ka borxh çdo të përndjekuri dhe çdo familjari apo pasardhësi, dhe për të cilin: po, për ti kthyer përgjigje zonjushes që më pyeti nëse do të ketë një ndryshim të ligjit, për të rivendosur atë në binarët e kushtetutshmërisë dhe për ta larguar nga modeli i poshtër që kaloi para disa vitesh, për të ndëshkuar familjarët e të përndjekurve.

Por përtej kësaj bëhet fjalë për diçka shumë më të madhe. Bëhet fjalë për ndëshkimin e krimit, për dënimin e krimit ne nivel kombëtar.

Zonja dhe zotërinj, këtu koha ka ardhur, jo thjeshtë dhe vetëm për të lartësuar monumente si ky në Shkodër, si ai që pata rastin modestisht të ngremë në Tiranë bashkë me të përndjekurit poilitikë dhe artistët, ku ndodhen shtyllat origjinale të galerive shfarosëse të Spaçit, apo për ti ruajtur dhe për ti kthyer në vende peligrinazhi për brezin e ri, vendet e tmerrëshme të torturës dhe të shfarosjes komuniste, siç pata rastin të vizitoj, nën shoqërinë e Simon Mirakës, kampin e Tepelenës.

Pra, për të treguar, jo thjeshtë me fjalë, por me dëshmi të pashlyeshme, vendet mënyrat, kohën, se si, kush e bëri të mundur që për 50 vite krimi dhe vesi të qëndronin mbi vlerat, ti mposhtnin vlerat, ti mundnin vlerat, ti burgosnin ato, ti interrnonin, ti vrisnin, ti pushkatonin dhe ti torturonin.

Sepse vetëm kështu, mund ta mundim këtë model, që përsëri është i njëjti. Është modeli i krimit, vetëm kësaj rradhe jo i veshur me petkun e ideologjisë vrastare, komuniste, marksiste-leniniste, staliniste. Është petku i vlersimit dhe ngritjes së hiçit, hipokritit, të servilit, të hajnit, të njeriut që përbuz familjen, të njeriut pa besim në vete dhe në komunitet, në Zot, në Atdhe, dhe që përbuz thesarin e paçmueshëm shpirtëror që kanë të gjitha ata që nuk lakmojnë as pushtet, as pasuri, por një jetë të ndershme dhe dinjitoze, me djersën e ballit dhe në harmoni me njëri-tjetrin.

Këtë betëjë mund ta fitojmë në afat të gjatë, vetëm nëse rivendosim, si kudo në Europë, hirearkinë e duhur të vlerave mbi vesin dhe jot ë vesit mbi vlerat. Ky është dhe vyrtyti më i madh dhe ndërimi më i madh që i bëjmë përmes kujtesës, atyre dhanë jetën, rininë, për vlerat, për besimin në Zot, në Atdhe, në fjalën e lirë, në votën e lirë, pa të cilat nuk mund të ketë vlera, nuk mund të ketë shoqëri të emancipuar dhe të përparuar.

Së fundmi, miqtë mi më lejoni, në respektin më të thellë të familjarëve, të atyre që u vranë dhe u interrnuan dhe u burgosën, për traumat e papërshkrueshme, të paimagjinueshme, për shumë e shumë shqiptarë dhe që shpresoj se monumente si ky e rrëfime si këto të sotmet, do ti bëjnë paksa të përfytyrueshme, për të kuptuar kalvarin në të cilin kaloi një pjesë e madhe e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në respektin më të madh të atyre që vërtet janë viktima të kësaj dhune, t’ju lus: mos ti quajmë të tjerët  viktima, ata janë heronj. Ata janë martirë, pa të cilët kombi nuk mund të ketë fibrën e kujtesës, të qendresës dhe të ringritjes, siç u kujtua, siç u ringrit dhe siç qëndroi, kur rrëzuam diktaturën në vitin 1990-të.

Ata janë heronj!

Nuk ka fitore të vlerave pa heronj!

Nuk ka fitore të vlerave pa sakrificë sublime!

Pema e lirisë, vaditet nga gjaku i patriotëve dhe i tiranëve!

Kjo thënie e famshme e Thomas Jefferson, një prej baballarëve themelues të SHBA, më shkon sot ndërmend, teksa përgatitemi nën frymëzimin e heronjëve, që diktatura i donte të harruar, por qëë sot janë më të gjallë se kurrë në këtë monument, në këtë simfoni të sotme kujtese, nën frymëzimin e tyre pra, teksa përgatitemi për çdo sakrificë, për çdo çmim, për të mbrojtur demokracinë, për të mbrojtur lirinë, dhe kurrë më për të mos lënë një diktaturë të vesit të dhunojë Shqipërinë dhe shqiptarët.

Zoti ju bekoftë ju!

Zoti e bekoftë Shkodrën martire!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!