• Bashkimi i 150 anëtarëve të rinj me PD në Lezhë është një tjetër dëshmi e shpresës, e besimit e bashkimit të shqiptarëve me PD me vendosmërinë se Bashkinë e Lezhës nuk ia dorëzojmë krimit. Shqipërinë nuk ia dorëzojmë krimit.
  • Në betejën për zgjedhje të lira e të ndershme, garancia e vetme për triumfin e vlerave euroatlantike është PD. Për këto vlera ia vlen të luftojmë sy për sy e dhëmb për dhëmb kundër tiranisë.
  • Me Edi Ramën nuk ka zhvillim, nuk ka mirëqenie, nuk ka punësim, nuk ka integrim. Ndryshimi mes nesh dhe Rilindjes është se ata përdorin frikën si instrument, ne kemi shpresën, besimin, mirëqenien.
  • Edi Rama e ka humbur më 16 Shkurt bastin për të instaluar në Shqipëri një republikë të krimit me parlament fallco, me qeveri fallco, me drejtësi fallco, me media fallco, me ekonomi fallco.
  • Me aktin sublim të opozitës për djegien e mandatave, Ramës iu dogj instrumenti kryesor i pushtetit, shkurajimi, frikësimi, përçarja. Iu dogj legjitimiteti i parlamentit të krimit.
  • 11 javë më parë shqiptarët u bashkuan për të ndërtuar Shqipërinë, ku çdo shqiptar të ketë mundësinë të jetojë me punë, me dinjitet, me mirëqenie me mbështetjen e qeverisë demokratike, të zgjedhur me votë të lirë.
  • Lëvizja kombëtare e bashkimit mes opozitës dhe qytetarëve është për t’i dhënë fund tranzicionit, produkt i të cilit është bashkëpunimi i Edi Ramës me kriminelët, oligarkët dhe mediat e blera për të marrë dhe mbajtur pushtetin.
  • Çdo shqiptar duhet ta dijë se në fund të kësaj beteje për jetë a vdekje për demokracinë dhe për liri, nuk ka thjesht rotacion politik, por një program transformues ekonomik dhe shoqëror.
  • Biznesi duhet ta dijë se e pret një qeveri dhe kryeministër, që do të vendosë taksa më të ulëta, çmimin më të ulët të energjisë dhe naftës në funksion të prioritetit absolut të PD: punësimi, punësimi, punësimi.
  • Ulja e çmimit të karburantit, ulja e taksave për biznesin, taksa konkuruese 9% do të ndalin krizën ekonomike. Biznesi do të ketë tek qeveria e PD garanten e kushteve të barazisë në treg.
  • Ne e kemi vizionin dhe vullnetin për t’ia hequr buxhetin e shtetit nga duart 4 apo 5 oligarkëve dhe ta vendosim për të financuar arsimin, si shtylla kryesore e zhvillimit të vendit.
  • Të vetmit që duhet të kenë frikë nga ardhja e PD në krye të qeverisë janë ata 5-6 oligarkë. Paratë që vjedhin oligarkët, do t’ua marrim. Kontratat do të anullohen. Pasuritë e vëna në mënyrë të jashtëligjshme, do të konfiskohen.
  • Pasuritë e grabitura do t’i kthejmë në investim për arsimin, që Shqipëria të bëhet inkubatori më i fuqishëm i teknologjisë së informacionit në rajon dhe punësuesi më dinjitoz për rininë.
  • Braktisja e fermerëve do të marrë fund. Prodhimet shqiptare do të jenë të parat 100 milionë euro subvencione në vit. 50 milionë euro për infrastrukturën rurale dhe aksesin në treg.
  • Subvencionet do të garantojnë zerimin e kostos së prodhimit. Eleminohet burokracia. Fermeri nuk pajiset me NIPT, por me kartë identiteti. Masat janë mbështetje për 360 mijë familjeve që jetojnë me bujqësi dhe blegtori.
  • Nuk ka asnjë milimetër tërheqje nga programi ynë për pensionin minimal 250 mijë lek të vjetra në muaj. Me PD në pushtet kjo do të mundësohet në mandatin e saj të parë.
  • Shëndetësia është prioriteti ynë madhor. Investimet dhe Rritja e pagës minimale për mjekët 1200 euro dhe infermierët 700 euro është masa e parë për  ndalimin e hemoragjisë dhe shkatërrimin e sistemit.
  • Do t’i japim fund mafies farmaceutike, që helmon shqiptarët me ilaçe fallco, duke rikthyer standardet europiane për barnat. Do të ketë dyfishim të listës së barnave të rimbursueshme deri në masën 90% brenda 4 viteve.
  • Ne nuk premtojmë mrekulli. Nuk ka shëndetësi falas. Shëndetësia do të financohet nga taksat, por ne premtojmë dhënien fund të korrupsionit si rruga e vetme për një sistem cilësor shëndetësor publik.
  • 11 maji është përballje e vlerave tona euroatlantike me tiraninë despotike-kriminale-orientale, që kurrë nuk do t’ia dalë të marrë Shqipërinë peng. Nuk do t’ia dalë t’i vërë duvakun popullit më europian të Ballkanit.

 

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA NË TAKIMIN ME QYTETARËT E LEZHËS

 

Mirë se ju gjej zonja dhe zotërinj,

Vëllezër e motra, lezhjane dhe lezhjanë, të rinj dhe të reja

Zoti kryetar i Partisë Demokratike

Zoti kryetar i Bashkisë së Lezhës, znj. Metaliaj, z.Frrokaj, z. Ibro

Të nderuar drejtues të Partisë Demokratike, anëtarë të kryesisë, anëtarë të aktivit, veteranë të beteja për liri dhe demokraci

Zonja të nderuara të Lezhës, vajza, djem, zotërinj të nderuar.

Ju falënderoj nga zemra për ftesën sot në këtë ditë kaq të bukur këtu në Lezhë, ditën ku degës së Partisë Demokratike të Lezhës i shtohen plot 150 anëtarë të rinj.  Kjo është një ngjarje e shënuar për demokratët e Lezhës, por është, po kështu, një ngjarje e shënuar  për të gjithë shqiptarët dhe, natyrisht, edhe për mua si kryetar i PD, si kryetar i opozitës, i koalicionit tonë të bashkuar jo thjesht dhe vetëm për momentin që ilustron shtimi i radhëve, aq më shumë shtimi i radhëve me gjakun e ri, me rininë, me dritën e syrit të kombit tonë, por sepse është një tjetër dëshmi e shpresës, e besimit e bashkimit të shqiptarëve me PD dhe rreth PD.

Ndaj dua të falënderoj edhe djemtë e FRPD për pritjen e jashtëzakonshme që më rezervuan në hyrje të qytetit tuaj e t’ju them se me entuziazmin tuaj ngjitës, me optimizmin tuaj dhe me vendosmërinë tuaj për të shkuar deri në fitore, deri në fund betejës tonë, po rikthejmë shpresën dhe besimin për çdo shqiptar, kurajon për t’u përballur, për të qëndruar, për të luftuar dhe për të fituar të nesërmen, të ardhmen e Lezhës dhe të gjithë Shqipërisë.

Vëllezër e motra, beteja kryesore e Edi Ramës dhe klikës së tij në pushtet ndërkohë që shtrëngonte lakun në fytin e çdo shqiptari; ndërkohë që shkatërronte ndërmarrjet e punësimit dhe i zëvendësonte ato me plantacionet e drogës; ndërkohë që kapi parlamentin, zgjedhjet, shkatërroi Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë, paralizoi Prokurorinë dhe e ktheu atë në një instrument të bindur për të mbyllur dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për të goditur politikisht kundërshtarin; ndërkohë që boritë  e propagandës më të shfrenuar dëgjoheshin e dëgjohen nga mëngjesi deri në darkë, madje më thonë edhe në këto çaste me propagandë të shfrenuar po mundohet t’u mbushë mendjen shqiptarëve se Shqipëria nuk ka asnjë problem, përkundrazi, edhe shqiptarët e ngritur në protestë janë një ftesë për turistët, e kuptoni se deri ku shkon çoroditja e një njeriu të shkëputur totalisht nga realiteti i mjerimit që ka shkaktuar, (ndërhyrje nga salla: I ka ik truni) Po, i ka ikur truri!

Nganjëherë është më mirë të flasim me fjalët direkte të qytetarëëve, i ka ikur truri komplet! Pse i ka ikur truri? Sepse nuk po i funksionon më instrumenti kryesor më të cilin ka marrë  pushtetin: shkurajimi i njerëzve, t’i bëjë njerëzit e vegjël, t’i trembë, t’i frikësojë, t’i dëshpërojë, t’u heqë shpresën. T’u thotë se gjithçka këtu në këtë vend është njësoj dhe nuk ka më mirë se ky sharlatan; se hajdutëria, vjedhja, grabitja, varfëria, papunësia janë një realitet që nuk e ndryshojmë dot, t’i hedhë pak kripë e piper me shakatë e pakripura që e kanë shndërruar në një aktor të dështuar të emisioneve të dështuara të propagandës, që vidhet nga ekranet e blera me paratë që u grabiten shqiptarëve; të ofrojë pra një spektakël bajat dhe me këtë ditë pas dite, javë pas jave ta shtyjë sa ta shtyjë.

Pra, basti i tij kryesor ka qenë shkurajimi i njerëzve, frikësimi i njerëzve, përçarja e shqiptarëve, hedhja e shqiptarëve kundër njëri-tjetrit.

  • Ata që mbrojnë shtëpitë janë shpellarë.
  • Studentët që dalin për të drejtat e tyre janë ngelës.
  • Fermerët që nuk arrijnë dot të shesin prodhimet dhe i hedhin në kanal janë dembelë.
  • Shtresa e mesme që lufton për mbijetesë, profesionistët, mjekët, inxhinierët, sipërmarrësit janë njerëz të cilët nuk meritojnë as të dëgjohen, as të flasin.

Pra, shkurajimi i shqiptarëve ka qenë çelësi i sundimit të paligjshëm dhe antikushtetues, ka qenë formula mbi të cilën është ndërtuar bashkëpunimi i Edi Ramës me krimin për të uzurpuar, në radhë të parë votën e shqiptarëve, përmes uzurpimit të votës parlamentin, përmes uzurpimit të parlamentit qeverinë, ministritë, pushtetin në çdo qelizë, drejtësinë, median, ekonominë dhe gjithçka tjetër.

Basti i Edi Ramës për të shkurajuar shqiptarët, për t’ua ulur kokën, për t’ua hequr kurajon, për të luftuar për veten e tyre, për fëmijët e tyre, ky bast humbi plot 11 javë më parë, më 16 shkurt ditën e nisjes së kryengritjes demokratike popullore për largimin e qeverisë së krimit për t’i dhënë fund paligjshmërisë, për t’i dhënë fund asgjësimit të sovranit dhe instalimit të një republike të krimit me parlament fallco, me qeveri fallco, me drejtësi fallco, me media fallco, me ekonomi fallco.

Kjo ëndërr e Edi Ramës, ëndërr satrapi oriental u thërrmua nga bashkimi popullor i 16 shkurtit, i cili diktoi aktin më sublim që ka ndërmarrë ndonjë opozitë shqiptare ballkanike apo europiane: djegien e mandatave duke djegur kështu legjitimitetin e parlamentit të krimit, duke zhveshur atë nga e vetmja gjë e pastër që kishte brenda që ishte vota e pastër dhe e kulluar e demokratëve shqiptarë.

Ne ju bindëm verdiktit të popullit, pasi shteruam çdo mundësi për të korrigjuar nga brenda këtë sistem të kalbur që nga rrënjët e deri tek fruti.

Ju e dini fare mirë që, në pothuajse dy vjet luftë parlamentare, përdorëm çdo instrument, nga komisionet hetimore parlamentare, të cilat do të vërtetonin se si Edi Rama, kokë e këmbë bashkë me Saimir Tahirin dhe Fatmir Xhafën, bashkë me Taulant Ballën e Damian Gjiknurin, bashkë me Arben Ahmetaj dhe Qazim Sejdinin, bashkë me Pjerin Ndreun dhe Paulin Sterkajn, bashkë me Ymer Lalën dhe Emiljano Shullazin, bashkë me Dritan Dajtin dhe Astrit Avdylajn u përfshinë në ndërmarrjen më kriminale që ka parë Ballkani i mbushur me krim dhe korrupsion. Shndërruan fushatën e elektorale të vitit 2017 në fushatën e korrje shirjeve të krimit, duke instaluar bandat kriminale nga Bajrat e Shkodrës, tek Ndokët e Lezhës, nga Çelët dhe Sanxhaktarët e Elbasanit tek Shullazët e Tiranës, anembanë Shqipërisë si kapitenët e vërtetë të vjedhjes, blerjes dhe tjetërsimit të vullnetit të qytetarëve, duke instaluar kësisoj një parlament nga krimi, për krimin dhe të krimit.

Ky grusht njerëzish bashkë me një grusht oligarkësh janë sot autorët e Shqipërisë së përjashtimit. Ka përjashtuar këta të rinj e qindra –mijëra të tjerë në Tiranë, në Durrës, në Elbasan, në Korçë, në Shkodër, në Vlorë, anembanë Shqipërisë nga e drejta më themelore, e drejta për një arsim të lartë cilësor.

Ka përjashtuar qindra mijëra fermerë shqiptarë, 360 mijë familje fermere, nga ndihma minimale për t’u përballur me punën e vështirë dhe tekat e motit duke zhdukur subvencionet, duke shkatërruar skemën e investimeve dhe duke dorëzuar të gjithë industrinë, tregtinë, importin, eksportin e industrisë ushqimore në duart e një grushti grosistësh, monipolistësh dhe oligarkësh të cilët sot helmojnë popullin me ushqime të skaduara, me ushqime jashtë çdo kriteri sigurie vetëm për të mbushur xhepat e tyre dhe për t’i dhënë padronit të tyre politik pjesën e ryshfetit.

Janë përjashtuar qindra mijëra vogëlushë nga garancitë minimale për një arsim me standarde. Vjen dimri dhe ngrin në shkolla pa ngrohje. Shumë prej tyre detyrohen të ecin me orë të tëra si qëmoti. Sepse vetëm vitin e kaluar ky grusht njerëzish, kjo klikë, ky regjim, kjo bandë, sepse vetëm qeveri që nuk është, mbylli afro 300 shkolla anembanë vendit.

Ky grusht njerëzish ka përjashtuar nga zhvillimi mirëqenien nga pasurimi shtresën e mesme shqiptare, që e takson si askund tjetër në Ballkan, madje do të thoja si askund tjetër në Europën ish-komuniste. 23% shkon tatimi mbi rrogat e mjekëve, inxhinierëve, të ekonomistëve, profesionistëve, specialistëve të teknologjisë së Informacionit që përbëjnë shtresën e mesme shqiptare pjesën që duhet të garantojë, përmes inovacionit, dinjitetit, mendimit të lirë jo thjesht dhe vetëm stabilitetit ekonomik, por edhe stabilitet shoqëror, stabilitet politik.

Është pikërisht pavarësia e mendjeve të tyre, fuqia e intelektit të tyre që Edi Rama nuk e shikon si aset për zhvillimin e vendit, siç e konsiderojmë ne demokratët, siç e konsideron e djathta shqiptare, e djathta europiane, por si një kërcënim për sundimin e tij.  Ndaj i sheh më mirë dhe i do më mirë në emigracion sesa këtu në Shqipëri. Kjo është arsyeja përse po zbrazen spitalet tona nga mjekët. Kjo është arsyeja se përse ndërmarrjet e ndershme, sipërmarrja e ndershme shqiptare sot e ka më të vështirë se kurrë të gjejë njerëz të kualifikuar. Kjo është arsyeja se përse mosha mesatare e inxhinierëve në kompanitë e ndershme shqiptare ka shkuar nga 35 vjeç në 49 vjeç e do të vazhdojë të rritet. Sepse rinia e në veçanti profesionistët e rinj po i drejtohen emigracionit.

Kjo është Shqipëria e përjashtmit që ka ndërtuar Edi Rama, njësoj si në Afrikën e Jugut, një grusht njerëzish kanë në dorë gjithçka dhe shumica dërrmuese janë të përjashtuar nga gjithçka.

Më 16 shkurt shumica vendosi të mos heshtë më!

11 javë më parë shqiptarët u bashkuan, Lezha u bashkua dhe ishte në krye të këtij bashkimi dhe kjo kryengritje demokratike nuk do të ndalë deri sa t’i japim fund Shqipërisë së përjashtimit, derisa të ndërtojmë të gjithë së bashku Shqipërinë e gjithpërfshirjes, ku çdo shqiptar, çdo shqiptare të ketë mundësinë të jetojë me nder, me dinjitet, me mirëqenie, me shanse për punësim, me shanse për pasurim, të ndjekë dhe të realizojë ëndrrat në liri të plotë dhe me mbështetjen e plotë të shtetit dhe qeverisë demokratike të zgjedhur me votë demokratike.

Kjo është arsyeja vëllezër e motra se pse ne jemi së bashku me të gjithë shqiptarët në këtë lëvizje të madhe. Nuk i ngjan dhe nuk mund t’i ngjajë asnjë fushate elektorale, sepse është shumë më shumë sesa thjesht një fushatë elektorale. Është një lëvizje kombëtare për t’i dhënë fund tranzicionit.

Kjo krizë e tmerrshme është produkt i  të zezave më të mëdha të tranzicionit dhe një nga të zezat më të mëdha është bashkëpunimi i Edi Ramës me kriminelët për të marrë pushtetin, për të mbajtur pushtetin.

E dyta është bashkëpunimi i Edi Ramës me oligarkët.  10 njerëz që kanë në dorë gjithë pasuritë e vendit marrin të gjithë tenderat nga buxheti i shtetit që financohet me paratë e taksapaguesve. Marrin të gjithë licencat nga lejet e shfrytëzimit, nga nafta te mineralet, nga bregdetit tek lejet e ndërtimit, marrin të gjitha favoret, zaptojnë tregun, konkurojnë jo me vlerë të shtuar, jo me teknologji të reja, por vetëm sepse garancia për të shitur dhe për të blerë është një njeri: kryeministri i një qeverie të korruptuar, i cili për të avantazhuar këta oligarkë po bën kërdinë mbi biznesin e vogël, mbi sipërmarrjen e ndershme, mbi këdo tjetër që nuk është pjesë e tepsisë së tij të pushtetit.

Dhe së fundmi, në aleancë me një grusht pronarësh mediash, të cilët prej kohësh kanë braktisur interesin publik, kanë braktisur misionin e shenjtë të medias për të bërë transparencën dhe për të kërkuar të vërtetën pas çdo fasade, janë kthyer në konsumator me lugë në brez të favoreve qeveritare, të tenderave qeveritarë, të koncesioneve qeveritare të Edi Ramës, të gjitha korruptive, pra, të grabitjes së shqiptarëve, të marrjes së parave nga xhepat tuaj që, pastaj, në vend që t’ua kthejnë në shërbim, në transparencë në liri mediatike, në hetime gazetareske, ua kthen në propagandë, me trushpërlarje, me fshehje të vërtetës, me mbulim të skandaleve qeveritare dhe me sulme ndaj të vetmes vlerë që ka sot vendi, ndaj të vetmes garanci që ka sot vendi për luftën kundër korrupsionit dhe krimit, ndaj të vetmës forcë që ka sot për transformim Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar.

Këto tre këmbë të karriges po bien njëra pas tjetrës, sepse as përçarja, as shkurajimi, as propaganda nuk pijnë më ujë.

Ne jemi të gjithë bashkë dhe Partia Demokratike po i prin kësaj beteje me dy kolona kryesore, njëra prej të cilave është vendimtare, që e nesërmja të mos jetë thjesht dhe vetëm ndërrim, rotacion karrigesh, por të jetë fundi i tranzicionit dhe transformimi real, që kemi ëndërruar dhe pritur të gjithë.

Ky transformim ka marrë trajtë në të gjitha fushat që prekin shqiptarët në jetën e tyre, por sot është koha dhe detyra jonë si demokratë që propozimet tona, programin tonë, vizionin tonë jo thjesht për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza, por për ta marshuar atë drejt një horizonti shprese, pozitiviteti, produktiviteti, punësimi, mirëqenie dhe pasurimi dhe shanse për pasurim për çdo shqiptar, ta bëjmë pjesë të çdo debati dhe dialogu me të gjithë qytetarët tanë, pavarësisht prej bindjeve politike.

Çdo shqiptar duhet ta dijë se në fund të kësaj beteje për jetë a vdekje për demokracinë dhe për liri, nuk ka thjesht dhe vetëm një rotacion politik, por një program transformues ekonomik dhe shoqëror, që nis me masat më emergjente për ta nxjerrë ekonominë nga gjendja e vdekjes klinike.

  • Me uljen që ditën e parë të çmimit të karburantit për çdo shqiptar me 300 lekë duke eliminuar taksën “Rama” mbi karburantin.
  • Me uljen që muajin e parë të taksave, duke sjellë në Shqipëri modelin konkurues të taksës së sheshtë 9%, 9% të kontributeve shoqërore.
  • Duke sjellë në Shqipëri sistemin më konkurrues fiskal, me mbështetje për biznesin e vogël dhe të mesëm.
  • Duke konsideruar biznes të vogël çdo aktivitet ekonomik nën 140 mln lekë të vjetra në vit, duke hequr menjëherë nga skema e TVSH-së, duke i dhënë 1 dhe vetëm 1 detyrim ndaj shtetit dhe ndaj bashkisë, 0.5% të xhiros vjetore.

Këto masa kanë për qëllim të ndalin menjëherë krizën ekonomike dhe të ndezin impulset e biznesit dhe sipërmarrjes, të japim besimin se qeveria jonë nesër nuk do të ketë një armik, një gjobaxhi, një njeri që e ka lënë truri dhe e ka mendjen vetëm të mbushë xhepat e vet dhe të ministrave të vet, një bandë e cila e sheh biznesin një lopë për ta mjelur, por do të kenë tek qeveria e ardhshme e PD garanten e barazisë dhe kushteve të barazisë në treg, e barazisë para ligjit, jo të goditjes, jo të dhunës dhe represionit, por të qëndruarit në krahun e tyre dhe, padyshim, qeverinë që do të vendosë taksat më të ulëta që njeh sot Ballkani dhe Europa për të ndihmuar sipërmarrjen shqiptare që të punojë, që të prodhojë, që të krijojë vende pune, me paga dhe kushte dinjitoze për shqiptarët.

Nxitja e investimeve të brendshme, nxitja e investimeve të huaja nuk mund të vijë pa krijuar një klimë të tillë.

Pse do të vijnë bizneset këtu kur taksa është 15% mbi korporatat?

Kur taksa mbi fitimin personal shkon mbi 23%?

Kur çmimi i naftës është më i larti në Europë?

Çmimi i energjisë më i lartë në  Europë?

Pa krijuar këto kushte as që bëhet fjalë të kemi investime.

Pa krijuar këto kushte, këtu do të kemi vetëm trafikantët e drogës, shokët e Edi Ramës. Kështu do Edi Rama. Nuk do konkurrencë, do që të jenë vetëm ata. Ata të blejnë gjithë pasuritë e vendit, ata blejnë gjithë trojet me vlerë, ata të ndërtojnë të gjitha pallatet në Tiranë e kudo tjetër. Nuk do konkurrencë.

Prandaj ka 6 vjet nuk tregon dot një investim të vetëm të huaj, sepse i ka përzënë. Jo vetëm që nuk i ka ftuar, po i ka përzënë, sepse janë kërcënim për regjimin e tij, për bashkëpunimin e tij me bandat në politikë dhe në ekonomi.

E pra, ky është prioriteti ynë kryesor dhe çdo sipërmarrje e ndershme shqiptare duhet ta dijë se në fund të kësaj beteje e pret një qeveri dhe një kryeministër, që do të vendosë taksa më të ulëta, çmimin më të ulët të energjisë dhe çmimin më të ulët të naftës në funksion të një dhe një prioriteti absolut të Partisë Demokratike dhe demokratëve shqiptarë: punësimi, punësimi, punësimi.

Vëllezër e motra

Kjo është masa e parë stabilizuese, por ne kemi një vizion të plotë për ta kthyer punësimin jo thjesht në një prioritet absolut, por në një realitet të prekshëm që këta të rinj që kemi këtu, që kanë vendosur të qëndrojnë dhe të bëjnë betejë bashkë me ne deri në fitore, të jenë një shembull për qindra mijëra të tjerë, të cilët sot fatkeqësisht mendojnë të largohen. Që ta bëjmë këtë, nuk mjafton thjesht të zhbëjmë të zezat e organizatës kriminale të rilindjes, duhet të bëjmë një kapërcim të madh dhe të përqafojmë potencialin e jashtëzakonshëm që na ofron sot Europa dhe bota. Duhet ta kthejmë Shqipërinë në vendin më tërheqës për potencialin e huaj. Potenciali është këtu. Vetëm në sektorin e IT, Europa Perëndimore do të ketë nevojë për 2 milion vende të reja pune për vetëm 5 vitet e ardhshme.

Çfarë na duhet ne?

Ne na duhet t’i japim fund lojës së kungulleshave, korrupsionit qeveritar në arsimin e lartë. Ne na duhet urgjentisht të dedikojmë fonde, të trajnojmë një orë e më parë, të nisim trajnimin në fushën e teknologjisë së informacionit, në fushën e inxhinierisë elektronike, në të gjitha fushat profesioniste. Të gjithë të rinjtë shqiptarë, që duan të ndjekin këtë degë  të garantojnë përmes një sistemi me të vërtetë europian si ai që paraqet platforma jonë për arsimin, që këta të mos mbeten thjesht në auditor me dërrasa të zeza me shkumës.

Së pari, të jenë të kenë laborator me kompjuter me lidhje me internet.

Së dyti, të kenë mundësinë të aksesojnë internetin kudo që të jenë.

Së treti, vetëm 50% e kohës së tyre të harxhojnë në auditor, 50% e kohës tjetër të harxhohet në praktikë mësimore.

Çfarë duhet për këtë ?

Së pari vizion. Ne e kemi këtë vizion. Dhe sot pasdite do ta shpalosim me mendjet më të ndritura të botës akademike në praninë e një personaliteti të nderuar, dy herë kryetare e Komisionit të Arsimit në Parlamentin Euriopian, aktualisht Presidente e Fondacionit “Robert Schuman” të Partisë Kristian Demokrate Doris Pack në Tiranë.

Por vizioni nuk mjafton. Vizioni nuk mjafton, duhet vullnet. Duhet që qindra, mijëra studentë shqiptarë që sot janë në kushte më të zeza të arsimit të lartë paguajnë çmimet më të kripura, siç e dini edhe ju vetë. Prindërit e tyre të gëzojnë benefitet e buxhetit të shtetit, që sot i gëzojnë 4 apo 5 oligarkë.

Në planin tonë për arsimin për të arritur që brenda dy viteve e gjithë infrastruktura e universiteteve publike shqiptare të rinovohet totalisht me teknologjinë e fjalës së fundit, sikundër të rinovohet edhe infrastruktura e konvikteve. Në planin tonë buxhetor kërkohet 75 mln euro më shumë çdo vit.

Por sa është fatura e abuzimit të kësaj qeverie?

Vetëm vitin e kaluar 1.7 mld euro. Thënë ndryshe, të vetmit që duhet të kenë frikë nga ardhja e opozitës dhe e Partisë Demokratike në pushtet, janë ata 5-6 oligarkë, të cilëve do t’u marrim ato para për t’ua dhënë rinisë shqiptare, studentëve shqiptarë, universiteteve shqiptare. unë e di që e kanë këtë frikë dhe unë u them: bëni mirë që keni frikë, sepse kjo do të ndodhë, me ndihmën e Zotit, me bashkimin e shqiptarëve brenda një kohe shumë të shkurtër.

Paratë që vjedhin oligarkët, do t’ua marrim.

Kontratat do të anulohen, pasuritë e tyre të vëna në mënyrë të jashtëligjshme, do të konfiskohen me ligjin e ri antimafia kundër oligarkisë dhe do t’u kthehen zotërve të vërtetë të këtyre paratë.

Aty ku i vodhën në fillim do t’i kthehen taksapaguesve shqiptarë në benefite të tilla, ku siç ju thashë, prioritet absolut do të jetë arsimi i lartë që do të prodhojë jo të diplomuar kokëulur, 70% e të cilëve nuk kanë lidhje me atë që punojnë, në ato degë që punojnë, por me degën që kanë studiuar, ndërkohë që mbi 80% nuk kanë punë fare. Arsimi i Lartë duhet të prodhojë inxhinierë, programues, mjekë, infermierë, profesionistë, ekonomistë, të denjë dhe të gatshëm për t’u bërë pjesë e një ekonomie të re, vibrante, pozitive, që krijon vende pune me paga europiane, me kushte dinjitoze për rininë shqiptare.

Sot në gërmadhat që ka lënë Rilindja shumëkush mund të thotë që kjo është një gjë e largët. Ju garantoj që nuk është kështu. Me programin tonë për të mbështetur financiarisht universitetet publike shqptare, ne do të arrijmë të krijojmë vetëm brenda katër viteve të para mijëra mundësi për inxhinierë, programues, ekonomistë, për profesionistë të të gjitha fushave.

Me programin tonë të taksave të ulëta, ne do të krijojmë në Shqipërinë e bekuar nga Zoti, por të mallkuar nga kjo bandë kriminale, vetëm një orë larg Romës, 40 minuta larg Athinës, 1 orë e 20 minuta larg Vienës, 1 orë e gjysëm larg Mynihut, inkubatorin më të fuqishëm të teknologjisë së informacionit të Europën Juglindore dhe punësuesin më dinjitoz për rininë shqiptare.

Po zonja dhe zotërinj,

Ambicia jonë është jo vetëm të sigurojmë kushtet për investime që të punësojmë të rinjtë e Lezhës, të Shkodrës, të Kukësit, të Dibrës, të Tropojës, të Matit, të Vlorës, Korçës, Beratit, Gjirokastrës, Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, por ta bëjmë këtë në mënyrë të tillë që Shqipëria të jetë në Ballkan, udhëheqëse në fushën e inovacionit dhe teknologjisë së informacionit. Të krijojë vende pune për rininë shqiptare dhe për rininë e vendeve fqinje. Ajo që na duhet është vizioni, vullneti dhe vendosmëria për t’i shkuar deri në fund dhe jemi sot për të thënë se nuk na mungon asnjë prej këtyre tre komponentëve.

Vëllezër dhe motra,

100 mijë vogëlushë më pak krahasuar me vitin e kaluar është statistika e tmerrshme, që, në fakt, nuk është statistikë, por është një thikë në zemër të kombit dhe trishtim i madh për çdo prind që e dëgjon. 100 mijë vogëlushë të larguar, do të thotë që vetëm vitin e kaluar janë larguar të paktën 50 mijë familje, kush e  di se sa të rinj që nuk kanë pasur mundësi të krijojnë familje në Shqipëri.

Pjesa kryesore e këtyre të rinjve vjen jo vetëm nga fushat e profesionistëve por edhe nga zonat rurale.

Një analizë e jona tregon se rënia dramatike e prodhimit bujqësor si rezultat i politikave kriminale të kësaj qeverie, ka çuar në braktisjen totale të fshatit. Braktisja totale e fshatit, mungesa e krahut të punës ka çuar në reduktim të aktivitetit prodhues bujqësor dhe blegtoral në shifra të papara e të padëgjuara që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Po përmend vetëm një shifër.

Në Qarkun e Fierit stoku i lopëve ka rënë me 80%. Përse? Se të merresh me blegtori në Fier, sikundër kudo në Shqipëri, të merresh me bujqësi, nuk është bekim, është mallkim. Jo vetëm që nuk nxjerr lekë, por duhet të fusësh lekë për të mbajtur ciklin gjallë, të mbjelljes, të kujdesit, të rritjes, të vjeljes dhe pastaj produktin e vjelur apo të korrur, nuk arrin ta shesësh. Të kalbet, e hedh në kanal apo e çon në tregje të kontrolluara, ku vetëm që të futesh në treg, kushton po aq apo, nganjëherë, më shtrenjtë sesa të ka kushtuar ta rrisësh prodhimin që po çon në treg.

E gjitha kjo është prodhim i një qeverie kriminale në raport me fermerët. Kjo është e vetmja qeveri që do të hyjë në historinë e Europës si shkatërruese e skemës së subvencioneve. Nuk ka vend europian, nuk ka vend në rajon që ta braktisë fermerin siç e ka braktisur Edi Rama. Nuk ka qeveri që ta braktisë në mënyrë të tillë, përveçse në vendet më të pazhvilluara të Afrikës.

7 milionë euro për 360 mijë familje ,dhe këto nuk i marrin ata, por i marrin pesë grosistët që sjellin prodhime konkuruese, prodhime të subvencionuara të futura kontrabandë në doganat shqiptare, pikërisht për ta shndërruar në hiç djersën e fermerëve shqiptarë.

Ndaj bashkimi ynë, beteja jonë, sjell si garanci bashkë me fitoren e saj edhe një politikë krejtësisht të re për feremerët e fshatit shqiptar. 100 milionë euro subvencione në vit. 50 milionë euro për infrastrukturën rurale, duke nisur nga rrugët e aksesit nëpër ara, tek kanalet e vaditjes dhe të kullimit, tek frigoriferët, tek magazinimi dhe mbi të gjitha tek aksesi në treg.

Subvencionimi sipas produkteve me përparësi produkte tipike të një zone që sjell një vlerë të shtuar për tregun e brendshëm, ngritja e mekanizmave për të eksportuar prodhimet shqiptare dhe për të luftuar dhëmbë për dhëmbë me reciprocitet, sepse sot shteti shqiptar ka ulur kokën, ka zgjidhur ushkurin ky që i ka ik truri dhe fut të gjitha prodhimet e Serbisë, Maqedonisë dhe gjithë vendeve të tjera këtu, ndërkohë që nuk arrin të çojë asnjë prodhim shqiptar atje.

CEFTA – Marrëdhënia e tregtisë së lirë midis shteteve tona ka ikur për dreq. Po ç’rëndësi ka, se në fund të fundit kur Edi Rama bën selfie me Vuçiç, aq i duhet. Punë e madhe se fermeri serb mund të sjellë e të shesë çfarë të dojë në Shqipëri e fermeri shqiptar nuk çon dot asgjë as në Serbi, as Maqedoni, as kudo tjetër.

Zonja dhe zotërinj!

Me qeverisjen tonë kjo do të marrë fund. Prodhimet shqiptare do të jenë të parat, fermeri shqiptar do të jetë i pari. Subvencionet tona do të garantojnë zerimin e kostos së prodhimit në bujqësi apo blegtori, kostos së inputeve, ulja e naftës me 300 lekë, eleminimi i burokracisë, ku fermeri nuk do të ketë nevojë më të pajiset me NIPT, por do të njihet vetëm sipas numrit unik të indentifikimit, që ka në çdo kartë identiteti të çdo shqiptari, do t’i japë mundësinë 360 mijë familjeve shqiptare të angazhuara në këtë sektor, jo thjesht të mbijetojnë, jo thjesht të fusin bukën e misrit në gojë e të luten që e nesërmja t’i gjejë gjallë e shëndoshë, por të jetë një faktor i rëndësishëm prodhimi, në rradhë të parë për tregun e brendshëm për të siguruar prodhime cilësore me kosto të përballueshme nga qytetarët shqiptarë dhe së dyti të nisim edhe ne të konkurojmë në rajon dhe në Europë me prodhimet tona.

Kjo është platforma jonë për fermerët.

Kjo është lufta që bëjmë sot dhe që nesër, me fitoren e kësaj beteje, do të sjellë për fshatin shqiptar, për fermerët shqiptarë qeverinë me subvencionet më të larta për çdo familje fermere, për çdo familje blegtore, për agropërpunimin dhe për eksportin e prodhimeve bujqësore.

Vëllezër dhe motra!

Në ballë të betejës sonë është rinia, por, shpeshherë, janë edhe prindërit madje edhe mosha e tretë.

Kësaj moshe të tretë që ka punuar gjithë jetën, pjesën më të madhe në një regjim kriminal si ai i Enver Hoxhës, dua t’i them se nuk ka asnjë milimetër tërheqje nga programi ynë për pensionin minimal 250 mijë lek të vjetra në muaj, si produkt i qeverisjes sonë në mandatin e saj të parë. Po, zonja dhe zotërinj! Kjo mund të bëhet! Kjo duhet të bëhet! Me Partinë Demokratike në pushtet kjo do të bëhet realitet për çdo pensioniste dhe çdo pensionist shqiptar.

Në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, ndërhyrjet tona do të çlirojnë edhe një herë energjitë pozitive. Do të vrasin frikën. Ja ku është ndryshimi kryesor midis nesh, demokratëve shqiptarë dhe kundërshtarit tonë, jo thjesht Partisë Socialiste, por sot organizatës kriminale të Rilindjes që e ka marrë peng PS-në. Ata gjithmonë instrument të qeverisjes kanë patur frikën, frikësimin, shantazhin dhe, nganjëherë, u ka funksionuar. Ja shikoni, 6 vjet ku e sollën vendin. Vendosini emrin një gjëje të mirë që kanë bërë. Çfarë mbani mend? Një vepër publike, një politikë sociale, një sukses ekonomik. Të mos flasim për integrimin europian. E arrestuan e futën në burg integrimin europian. Nuk ka zhvillim, nuk ka mirëqenie, nuk ka punësim, nuk ka integrim me Edi Ramën.

Prandaj largimi i tij është emergjencë kombëtare, është mision dhe detyrë kombëtare e çdo qytetari të ndershëm dhe patriot që e do Shqipërinë dhe do të ndërtojë të ardhmen e tij dhe të fëmijëve të tij në Shqipëri.

Ne kemi shpresën, ne kemi besimin në Zot, besimin në familje, besimin në vlerat e komunitetit, besimin në atdhe, besimin në liri, besimin në demokraci, besimin tek dinjiteti individual i çdo njeriu. Se një parti që niset me besimin në Zot, e di që çdo njeri është i shenjtë, sepse është krijuar nën shmëbëlltyrën e Zotit dhe nuk e trajton si qënie pa dinjitet, nuk e shtyp nuk e flak tutje. E di se njeriu i vetëm nuk mund të bëjë dot asgjë, prandaj për ne është e rëndësishme familja, mbështetja e familjes, mbështetja e prindërve për të rritur vogëlushët e tyre.

Për këtë arsye Reforma e Arsimit të Lartë dhe Reforma e Arsimit Parauniversitar është një prioritet madhor, politik dhe financiar për Partinë Demokratike.

Vëllezër dhe motra!

Të gjitha këto dhe shumë aspekte të tjera të programit tonë, si programit të shëndetësisë, të cilin pata rastin ta diskutoj në praninë e ekspertëve më të shquar europianë javën e kaluar, dua ta përsëris për qytetarët tre shtyllat kryesore të këtij programi.

Së pari, t’i japim fund hemoragjisë së mjekëve dhe të infermierëve dhe të vendosim këtu në Shqipëri standarde të mbështetjes financiare për mjekët dhe infermierët që jo vetëm do të garantojmë që të mbeten dhe të shërbejnë me dinjitet dhe pa korrupsion, me rrogën minimale për mjekun 1200 Euro dhe për infermierët 700 euro në muaj, që nuk janë standardet e Gjermanisë, nuk janë standardet e Zvicrës, por janë standartet e Kosovës. Dhe për atë Zot, të paktën standardin e Kosovës Partia Demokratike do ta arrijë që mandatin e parë dhe pastaj do të shkojmë më tutje.

Së dyti, dhënien fund të mafies farmaceutike, që po helmon shqiptarët me ilaçe fallco, pseudoilaçe, që e kanë cilësinë edhe më të dobët sesa telenovelat indiane dhe që nuk sjellin asnjë efekt, por shpesh herë sjellin efekt të kundërt. Rikthimin e standardeve europiane të cilësisë për barnat, dyfishimin e listës së barnave të rimbursueshme deri në masën 90 përqind brenda katër viteve të para të qeverisjes tonë.

Së treti, ivestimet për të forcuar si shërbimin parësor të mjekëve të shtëpisë, ashtu edhe atë spitalor.

Të treja këto të financuara në mënyrë të thjeshtë dhe transparente nga asgjesimi i skemave korruptive konçensionare, si ajo ku 4 koncensionarë marrin 33 milion euro tuajat vit për vit, pa dhënë asnjë shërbim. Nuk i marrin, por i vjedhin.

Prandaj, mesazhi është fare iI qartë: këto skema do të marrin fund sa më parë. Këto para do të shkojnë për të financuar mjekët, infermierët, spitalet, për të financuar listën e barnave të rimbursueshme, për t’u dhënë shqiptarëve, si fillim, të paktën të njëjtën cilësi të shërbimit shëndetësor publik, siç e kanë vendet e tjera të rajonit dhe jo krimin e standardeve afrikane që ka sjellë ky që premtoi shëndetësinë falas.

Ne nuk premtojmë mrekulli. Nuk ka shëndetësi falas, shëndetësia duhet të financohet dhe do të financohet nga taksat e shqiptarëve. Por ne premtojnë dhënien fund të korrupsionit, që ditën tonë të parë, dhe destinimin e këtyre parave për të filluar shëndoshjen e sistemit shëndetësor publik.

Zonja dhe zotërinj.

Këto dhe shumë arsye të tjera, janë shkaku, se pse sot Partia Demokratike është në një rritje vertikale të mbështetjes popullore. Ne, kurrsesi nuk mund të mjaftohemi, thjesht me rënien e kundështarit si pjesë e një cikli normal politik apo, në rastin e këtij truhumburit, si pjesë e ciklit të kriminalizimit politik.

Ne duhet t’u japim dhe po u japim shqiptarëve alternativën e mirëqënies, dinjitetit, pasurimit. Pasurimit të çdo shqiptari në bazë të punës së ndershme dhe të respektit të shtetit ndaj çdo shqiptari e çdo shqiptarje, në vend të abuzimit dhe të shkeljes së dinjitetit.

Ky është shteti europian, kjo është qeveria europiane. Ky është misioni i çdo qeverie europiane. Prandaj në Europë, janë qeveritë shërbëtore të njerëzve dhe jo njerëzit shërbërtorë të qeverive.

Prandaj, siç e kanë thënë Thomas Jefferson, një nga etërit themelues të SHBA, që në ditët e para të themelimit të demokracisë më të madhe dhe më të suksesshme të planetit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kur qeveria i shërben dhe ka frikë popullin, kemi liri. Kur populli i shërben dhe ka frikë qeverinë, kemi tirani.

Prandaj në këtë betejë e dimë se nuk jemi vetëm.

Vlerat për të cilat luftojmë, janë vlerat e Amerikës.

Janë vlerat e Xhorxh Uashingtonit, Abraham Linkolnit, Tomas Xhefersonit.

Janë vlerat e Europës. Janë vlerat e Robert Shumanit. Janë vlerat e De Gasperit.

Janë vlerat e Konrad Adenauerit, të Ronald Reganit e të Margaret Thaçerit.

Në këtë betejë garancia e vetme për triumfin e vlerave europiane, për triumfin e vlerave amerikane, është Partia Demokratike, janë demokratët shqiptarë.

Vëllezër e motra!

Për këto vlera ia vlen të luftojmë dhe do të luftojmë dhëmbë për dhëmb e sy për sy kundër tiranisë, shesh më shesh e rrugë më rrugë, qytet më qytet.

Lezha ka qënë dhe është në ballë të kësaj përpjekje. Lezha do të vazhdojë të jetë në ballë të kësaj përpjekje.

11 maji na thërret në një tjetër përballje vendimtare të vlerave tona, të lirisë, të demokracisë, Europës dhe Amerikës me tiraninë despotike-kriminale-orientale, që kurrë nuk do ta marrë Shqipërinë peng, nuk do t’ia vërë duvakun popullit shqiptar, popullit më europian të Ballkanit.

Prandaj, le të bashkohemi dhe ju thërras të frymëzoheni nga kjo ditë e bashkimit të mbi 150 të rinjve sot me degën tuaj, që nga kjo ditë, që nga dita e nesërme, e diela e Zotit për katolikët dhe për të gjithë besimtarët shqiptarë, dhe deri të shtunën e ardhshme, derë më derë, ta bëjmë bashkimin e 11 majit, një tjetër kohë monumentale të përballjes tonë popullore për liri, për demokraci.

Bashkinë e Lezhës nuk ia dorëzojmë krimit.

Shqipërinë nuk ia dorëzojmë krimit.

Zoti e bekoftë Lezhën!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Fitore!