• Bashkimi me PD në opozitë, pa interes vetjak dhe në një kohë të vështirë është treguesi më i mirë se qytetarët janë të vendosur për të fituar betejën për rrëzimin e Edi Ramës dhe garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

 

TAKIMI I SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM GAZMENT BARDHI ME AKTIVIN E DEGËS 7 NË TIRANË PËR ANËTARËSIMET E REJA

 

Qytetarë të paangazhuar më pare politikisht i janë bashkuar Partisë Demokratike me shpresën, besimin dhe vendosmërinë për të kontribuar në ndryshimin e qeverisjes së vendit perms garantimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Pas degës 12 në Farkë të Tiranës, dega 7 e PD në Tiranë pranoi disa dhjetëra anëtarë të rinj, të cilët u pritën me mirënjohje nga drejtuesit e PD, duke vlerësuar faktin se ata i bashkohen PD-së në një kohë të vështirë dhe në një betejë të vështirë në interes të Shqipërisë.

 

“Sot ju i bashkoheni PD-së pa interes vetjak, në një moment, kur ne jemi në opozitë, kur nuk ofrojmë as vende pune, as privilegje. Ju i bashkoheni PD, kur Shqipëria ka si drejtues të saj, një kryeministër me tipare diktatoriale, prandaj dhe bashkimi juaj sot me PD-në, jo vetëm na jep më shumë energji dhe shpresë, por tregon se shqiptarët e zakonshëm, si ju, nuk kanë frikë nga Edi Rama. Ju i bashkoheni PD-së në misionin, që ka ndërmarrë për çlirimin e vendit nga një qeverisje kriminale dhe jeni të gatshëm për të na ndjekur në rrugën pa kthim, deri në rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës” – u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.

 

Zoti Bardhi u shpreh se rrëzimi i Edi Ramës është e vetmja rrugë për t’i hapur vendit perspektivën europiane, për ta kthyer vendin në një vend normal. “Nuk ka nevojë që qeveria të bëjë çudira, mjafton të jetë një qeveri normale që qeveris për njerëz normalë” – tha Sekretari i Përgjithshëm, i cili theksoi ndikimin që zgjedhjet kanë në çdo familje. “Pa garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, nuk garantojmë dot një qeveri normale, që nuk vjen në pushtet për veten dhe për pasurimin e paligjshëm të një grupi njerëzish. Me zgjedhje të lira e të ndershme, ne kemi mundësi të kemi një qeveri normale, që zgjidh hallet e njerëzve normalë. Prandaj beteja për zgjedhje të lira e të ndershme, është shtylla themelore që garanton mirëqënien e secilit në shtëpitë e veta” – tha Sekretari i Përgjithshëm, duke vënë në dukje vendosmërinë e demokratëve për ta çuar betejën deri në fund. “Ajo që dua t’ju siguroj, në emër të lidershipit të PD, është se, për sa kohë Edi Rama do të jetë kryeministër i vendit, ne nuk angazhohemi të futemi as në bisedime me Edi Ramën, as në marrëveshje me Edi Ramën, as në tryeza ku Edi Rama paraqitet si kryeministër i vendit. Dua t’ju siguroj që nuk ka asnjë tërheqje, asnjë kthim pas. Pa u rrëzuar shkaktari i kësaj situate, nuk mund të ketë zgjidhje. Ne nuk mund të negociojmë, nuk mund të bisedojmë, me njeriun që e ka çuar vendin në pozitat ku është sot Shqipëria” – tha Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.

 

Albana Vokshi, e deleguar e PD në degën 7, huazoi fjalët e drejtorit të Zërit të Amerikës për të përkufizuar Edi Ramën si një kryeministër të korruptuar, autoritar dhe arrogant, i cili po e izolon vendin duke e çuar drejt një diktature të dytë. “Për fat të keq, Edi Rama mori sërish në Berlin një “jo” për negociatat, si nga Gjermania, edhe nga Franca, vende që na thane sërish se qeveria nuk ka bërë detyrat e shtëpisë për të nisur negociatat e anëtarësimit. Edi Rama po na mbyll çdo derë me keqqeverisjen e tij, kundër interest të qytetarëve, prandaj edhe shumica e shqiptarëve e ka braktisur atë” – tha zonja Vokshi, e cila u shprehu mirënjohjen anëtarëve të rinj të PD, duke i siguruar se kanë bërë zgjedhjen më të mire politike. “Duke falenderuar anëtarët e rinj, që kanë pranuar të jenë pjesë e familjes sonë të madhe, ju ftoj që këtë këmbanë alarmi që ra në Berlin ta përcillni për të zgjuar qytetarët e tjerë për rrezikun që përbën sot Edi Rama për çdo familje shqiptare. Sot është dita për të reaguar, për të treguar se nuk pajtohemi me këtë qeveri, për të mos lejuar një diktaturë të dytë. Në këtë situate lajmi i mire është që këta anëtarë të rinj të PD, si shumica e shqiptarëve, shohin tek PD shpresën për ndryshim nëpërmjet alternatives sonë” – tha zonja Vokshi gjatë takimit me degën 7 të PD në Tiranë.