- Protesta simbolike, BE refuzon Edi Ramën, Indrit Hoxha: Ky mandat është mandat i të rinjve dhe demokratëve. Unë nuk mundem dot të marr një mandat ilegjitim duke hyrë fshehurazi në këtë parlament.
Dhjetëra të rinj të veshur me bluza ku mbi to ishin flamujt e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, protestuan përpara Parlamentit.
Të mbështetur nga të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe Lëvizja Rinore për Integrim, 28 të rinjtë treguan kartonin e kuq si mesazh simbolik se BE refuzon Edi Ramën.
Simbol i protestës ishte edhe muri i cili pasqyronte bllokimin që qeverisja e Edi Ramës po i bën vendit për t’u anëtarësuar në BE.
Teksa parlamenti ishte i rrethuar me forca policore, kandidati i listës së Partisë Demokratike Indrit Hoxha, iu drejtua medias pas refuzimit të marrjes së mandatit të deputetit brenda në sallën e Parlamentit.
z. Hoxha tha se nuk mund të pranonte mandatin e një parlamenti ilegjitim.
“Unë nuk mundem dot të marr këtë mandat ku në këtë vend kreu i i kërij institucioni është personi që ka mbi supet e tij vrasjen e katër personave në masakrën e 2 prillit në Shkodër. Nuk mundem dot të marr mandatin e një deputeti ku pjesë e këtij parlamenti janë hetues dhe prokurorë të dikaturës komuniste, siç është z. Xhafa dhe z.Braho. nuk mundem dot të marr mandatin e deputetit ku i jati i kreut të ekzekutivit ka firmosur për varjen e poetit Hafzi Nela. Ky mandat është mandat i të rinjve dhe demokratëve. Unë nuk mundem dot të marr një mandat ilegjitim duke hyrë fshehurazi në këtë parlament. Rroftë Shqipëria, Zoti i bekoftë shqiptarët. Beteja sapo ka nisur dhe më 11 Maj do të jetë akti final i largimit të kësaj klike kriminale që ka pushtuar shqiptarët.
Nuk kam asnjë qëndrim të ndryshëm. Kam ndjekur proçedurën ligjore duke dorëzuar formularin e dekriminalizimit në KQZ. Kam shkuar në Parlament dhe kam refuzuar marrjen e mandatit. Jam qytetar i lirë dhe do të vazhdoj të luftoj që njerëzit e këtij vendi të jenë qytetarë të lirë në një vend demokratik si gjithë Europa”, tha Indrit Hoxha.