• Shqiptarë që jetoni në BE, votoni në zgjedhje për PPE, forcën e vërtetë të integrimit europian.
  • Vota për PPE ju përmirëson pozitat si shtetas dhe rezidentë në vendet e BE-së.
  • PPE do të çojë përpara standardet europiane në Shqipëri, që të hapim rrugën e bllokuar drejt Europës.

 

MESAZHI I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, PËR SHQIPTARËT QË JETOJNË NË VENDET ANËTARE TË BASHKIMIT EUROPIAN

 

Të dashur miq

Ju përshëndes nga selia qëndrore e Partisë Demokratike të Shqipërisë në Tiranë.

Ky mesazh u drejtohet të gjithë bashkatdhetarëve tanë dhe të gjithë bashkëkombësve tanë kudo ku ndodhen në shtetet anëtarë të Bashkimit Europian.

Vëllezër dhe motra!

Të dashur bashkëatdhetarë!

Të dashur bashkëkombas!

Në Shqipëri po zhvillohet një betejë për jetë a vdekje për standardet dhe vlerat europiane të zgjedhjeve të lira të ndershme, të lirisë dhe të demokracisë, të votës së lirë, të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, të drejtësisë me një standard dhe të barazisë para ligjit, të lirisë ekonomike dhe të dinjitetit për të gjithë qytetarët shqiptarë. Këto janë vlerat europiane për të cilat lufton Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar.

Por këto ditë një betejë tjetër po zhvillohet në të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian, zgjedhjet për Parlamentin Europian janë një  betejë për vlerat europiane, janë një betejë për ta mbajtur Europën të fortë e të bashkuar, demokratike dhe të lirë, mendjehapur dhe të vendosur për të siguruar integrimin europian dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Kërkesa ime ndaj jush, vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, të rinj dhe të reja, është që të ndani pak minuta nga koha juaj, t’i drejtoheni kutive të votimit dhe të zgjidhni Partinë Popullore Europiane, partitë tona simotra!

Të votoni për partitë simotra të Partisë Popullore Europiane  kudo ku ndodheni, në vendet fqinje, në Itali dhe në Greqi, në Gjermaninë mike dhe aleate, në vendet e tjera mike dhe aleate të Shqipërisë, kudo në Bashkimin Euorpian, në vendet skandinave dhe kudo tjetër, të zgjidhni partitë simotra të Partisë Popullore Euorpiane, të partisë më të vendosur për vlerat europiane, të lirisë dhe demokracisë, të partisë që ka udhëhequr Europën drejt kohërave të lirisë, demokracisë, dhe prosperitetit më të pashembullt në këto 70 vite.

Votoni për partitë simotra të Partisë Popullore Europiane dhe në këtë mënyrë do të keni votuar për të përmirësuar pozitat tuaja si shtetas apo si rezidentë në vendet anëtare të BE-së, do të keni votuar për një parti të vizionit europian, të një Europe të plotë, në paqe dhe prosperitet dhe të integruar me të gjitha vendet e saj përfshirë edhe Shqipërinë tonë të dashur, përfshirë Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi edhe Serbinë, ku jetojnë bashkëkombasit tanë në Luginën e Preshëvës.

Ndaj, ju bëj një thirrje nga zemra: ndani disa minuta të çmuara nga koha juaj për diçka shumë më të çmuar, një Parlament Europian, ku Partia Popullore Europiane, forca e vërtetë e progresit europian, e vlerave dhe idealeve europiane të jetë dhe të mbetet përsëri, forca kryesore vendimmarrëse, me anë të së cilës do të arrijë që, në të gjitha vendet e në veçanti, këtu, në Shqipëri, të çojë përpara standardet europiane dhe të hapim rrugën e bllokuar drejt Europës, drejt integrimit europian.

Në emër të PD, në emrin tim personal, ju ftoj të votoni partitë simotra, të Partisë Popullore Europiane dhe kandidatin tonë për Kryetar të Komisionit Europian z.Manfred Weber.

E sotmja, e nesërmja dhe e pasnesërmja do të jenë ditë deçizive për një Parlament Europian dhe më pas institucione europiane që do ta çojnë përpara vendosmërinë dhe axhendën e përfshirjes së të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë në BE.

Kjo është një betejë e përbashkët.

Është beteja për Europën e vlerave, është beteja për Shqipërinë e vlerave europiane.

Ndani kohë nga koha juaj, votoni për partitë simotra të Partisë Popullore Europiane.

Të dashur bashkëqytetarë kudo ku jeni, nga Athina në Selanik, nga Roma në Milano, në Gjermani dhe në të gjitha vendet e tjera europiane, thirrja ime e përzemërt është: drejtojuni kutive të votimit, merrni pjesë në zgjedhjet për Parlamentin Europian, votoni partinë simotër të PPE në cilindo vend ku jetoni.

Kështu do të keni kontribuar për një Europë të fortë, për një Europë të vlerave, kështu do të keni kontribuuar për një Shqipëri të vlerave europiane që është beteja duke bashkuar sot të gjithë shqiptarët, betejë që do të fitohet në emër të Shqipërisë, në emër të demokracisë, në emër të të ardhmes sonë europiane. Ju përshëndes nga zemra, ju falënderoj për dëgjimin e këtij mesazhi dhe ju uroj ju dhe familjeve tuaja, gjithë të mirat, mbarësi dhe shëndet.