- Sot nuk ndjehem i çliruar apo i shpaguar për 6 vjet beteje me pushtetin, që Rama e ka mbajtur përmes bashkëpunimit me krimin. Sot, jam i trishtuar, sepse sot 1 votë kushton 4 mijë lekë.
- Në këtë shtet, edhe nëse ka njerëz të ndershëm, ata dhunohen, çnderohen dhe vihen përditë para zgjedhjes fatale, ose të bëhen hajdutë për partinë ose të flaken në rrugë.
- Edi Rama është krimineli i përsosur i një ambjenti të mbrapshtë, që ka shndërruar Shqipërinë në pazarin e mosbesimit dhe tradhëtisë të politikës ndaj njerëzve të thjehstë.
- Është tragjike për një komb, kur mësuesit e tij kthehen nga edukatorë të së ardhmes, në hajdutë votash dhe kur polici shtërngohet të kthehet në një keqbërës për të ruajtur bukën e gojës së fëmijëve.
- Çdo njeri e ka kuptuar se Edi Rama ka ardhur në pushtet dhe e ka mbajtur pushtetin përmes bashkëpunimit me krimin për të blerë, frikësuar, dhunuar dhe ndëshkuar qytetarët, me qëllim manipulimin e votës,
- Edi Rama është fajtori kryesor për gjendjen ku ne ndodhemi. Por ai nuk është shpjegimi i vetëm i gjendjes. Dështimi për t’u përballur seriozisht me korrupsionin është një nga shkaqet që prodhoi Edi Ramën.
- Opozita nuk do të tërhiqet nga dy objektivat çliruese për vendin. Pa largimin e Edi Ramës dhe pa nxjerrë para drejtësisë klikën kriminale, që vodhi, dhunoi dhe bleu votën, nuk do të ketë asnjë hap përpara.
- Ata që besonin se me këtë bandë mund të dialogohej, sot duhet të flakin edhe iluzionin e fundit, që mund të kishin për metodën e bashkëbisedimit demokratik me Edi Ramën.
- Sot, është e qartë se largimi nga parlamenti dhe braktisja e zgjedhjeve farsë ishin vendimet e duhura. Qëndrimi në Kuvend dhe pjesëmarrja në zgjedhje farsë do të na kthente në fasadë të pushtetit të krimit.
- Me krimin nuk mund të ketë dialog. Ky është standard perëndimor, të cilit ne do t’i qendrojmë deri në fund këtij standardi: Me krimin nuk ka negociata dhe marrëveshje.
- Unë, si çdo politikan, kam gabimet e mia. Por ajo që më ndan mua dhe mijëra shqiptarë të tjerë është fakti se ne besojmë tek njerëzit, nuk ndjehemi padronë të shqiptarëve dhe të Shqipërisë.
- Unë besoj tek demokracia dhe vlerat europiane të qeverisjes së mirë. Unë besoj se Shqiptarët janë në gjendje të përqafojnë dhe të jetojnë me këto vlera.
- Do të bëj çdo përpjekje që në Shqipëri të sundojnë demokracia dhe vlerat Europiane. Prandaj, ftoj të gjithë shqiptarë ditën e premte në një manifestim për vlerat europiane të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
- Demonstrimi më 21 Qershor do të tregojë se ne jemi shumica absolute e shqiptarëvë europianë, ndryshe nga Edi Rama dhe kriminelët e mercenarët e tij.
DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE,
LULZIM BASHA.
Të dashur bashkëqytetarë:
Si njeriu që për gjashtë vjet rresht është përpjekur çdo ditë t’i bëjë njerëzit të shikojnë atë që sot është shpalosur hapur para syve dhe veshëve të gjithë botës, do të duhej që sot të ndjehesha mirë dhe i çliruar nga një barrë e madhe.
Sot, kur nuk ka më njeri që nuk është bindur se i vetmi projekt që ka patur Edi Rama, është plaçkitja e Shqipërisë përmes pushtetit në ortakëri dhe aleancë me çdo keqbërës të mundshëm, nga ata të botës së malavitës tek ata të botës së mercenarëve publikë;
Sot, që çdo njeri e ka kuptuar se Edi Rama ka ardhur në pushtet dhe e ka mbajtur pushtetin përmes bashkëpunimit me krimin për të blerë, frikësuar, dhunuar dhe ndëshkuar qytetarët, me qëllim manipulimin e votës,
Pikërisht sot, unë dhe të gjithë demokratët, duhet të ndiheshim të shpaguar për shpërfilljen, përçmimin, sharjet, sulmet, dhe dhunën e padrejtë që është derdhur mbi ne nga të gjitha anët, që nga nga qeveritarët e korruptuar tek interesaxhinjtë, servilët dhe mercenarët e tyre por edhe nga naivët, edhe të pafajshmit dhe të paanshmit që nuk shikonin dot atë që shikonim ne.
Por unë sot ndjehem keq dhe i trishtuar.
Ndihem keq për gjendjen ku kemi përfunduar si shoqëri, si popull.
Jam i trishtuar, sepse sot një votë kushton 4 mijë lekë në pazarin e mosbesimit dhe tradhËtisë që politika i ka bërë interesave të njerëzve të thjeshtë.
Ky është dënimi më i rëndë që mund t’i bëhet politikës, sepse një politikë që ka humbur besimin e njerëzve ka humbur çdo gjë.
Ky është dënimi më i madh që mund t’i bëhet një shoqërie, sepse kur politika nuk është më mjet në duart e njerëzve, do të thotë se në atë shoqëri nuk ka më liri dhe demokraci.
Së dyti, jam i trishtuar nga niveli ku ka përfunduar shteti i shqiptarëve:
Sot shteti është një lukuni banditësh qëllimi i vetëm i të cilëve është plaçkitja dhe dhunimi i njerëzve, për t’u mburrur dhe gëzuar pastaj në gostitë e financuara me plaçkën e vjedhur.
Në këtë shtet, edhe nëse ka njerëz të ndershëm, ata dhunohen, çnderohen dhe vihen përditë para zgjedhjes fatale, ose të bëhen hajdutë për partinë ose të flaken në rrugë.
Është tragjike për një komb kur mësuesit e tij kthehen nga edukatorë të së ardhmes, në hajdutë votash.
Është tragjike për një shoqëri, kur polici shtërngohet të kthehet në një keqbërës skutash për të ruajtur bukën e gojës së fëmijëve.
Në Shqipëri, një qeveri e mbushur me kriminelë i ka marrë dinjetin, nderin dhe kurajon çdo shqiptari, duke e kërcënuar me bukën e gojës.
Në tokën e mosbesimit ndaj politikës, të politikës grabitqare që ka braktisur interesin publik, në tokën ku ka humbur dinjiteti dhe liria e njeriut, mund të lulëzojë vetëm e keqja, krimi, dhe korrupsioni. Në këtë tokë nuk mund të ketë as mundësi dhe as shpresë për njerëzit e thjeshtë.
Kjo është kriza ku ne gjendemi sot.
Ky është dëshpërimi që ndjejnë shqiptarët që po i çon ata përditë dejt rrugëve të migrimit.
Edi Rama është fajtori kryesor për gjendjen ku ne ndodhemi. Ai është dhe do të shënohet në historinë tonë si një figurë thellësisht kriminale.
Historia nuk blihet me para dhe Edi Rama nuk e blen dot historinë as me paratë e gjithë drogës dhe të krimit të botës.
Por Edi Rama nuk është shpjegimi i vetëm i gjendjes ku ne jemi.
Dështimi për t’u përballur seriozisht me korrupsionin është një nga shkaqet që prodhoi Edi Ramën.
Mungesa e një ekonomie të vërtetë konkuruese dhe të lire është një nga shkaqet që prodhoi oligarkët e sotëm, të cilët, ndonëse nuk lindën me Edi Ramën, u fuqizuan në mënyrë marramendëse në bashkëpunim me të.
Mungesa e vazhdueshme e demokracisë partiake është një nga shkaqet që na solli tek autokracia kriminale e Edi Ramës.
Mungesa e elitave moderne është shkaku që ka prodhuar media të kapura dhe intelektualë të shitur gati për t’i shërbyer çdo qeverie, por, më shumë se kujt, regjimit të Edi Ramës.
Këto janë problemet tona.
Edi Rama është thjesht krimineli i përsosur i këtij ambjenti të mbrapshtë politik, ekonomik dhe shoqëror.
Për të mos e përsëritur më të keqen që po provojmë, duhet të ndryshojmë thellësisht çdo gjë.
Natyrisht, Edi Rama është kriminel me të cilin duhet të merremi para se të merremi me çdo gjë tjetër.
Pa largimin e Edi Ramës dhe të klikës kriminale që është sot në pushtet,
nuk do të ketë asnjë hap përpara.
Pa nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që, nën drejtimin e Edi Ramës, frikësuan, kërcënuan, dhunuan, vodhën dhe blenë votën e shqiptarëve, nuk do ketë asnjë përparim.
Unë dhe demokratët nuk mund të tërhiqemi dhe nuk do të tërhiqemi kurrë nga këto dy objektiva çliruese për Shqipërinë.
Sot, më shumë se kurrë ne ndihemi të sigurt në drejtësinë e kauzës tonë, dhe të rrugës që kemi ndjekur.
Ata që besonin se me këtë bandë grabitqare dhe kriminale në pushtet, mund të dialogohej në Kuvend, mund të bëheshin reforma me konsensus, mund të përdoreshin rrugë institucionale, sot duhet të flakin tutje edhe iluzionin e fundit, që mund të kishin për metodën e bashkëbisedimit demokratik me Edi Ramën.
Sot, është e qartë se largimi nga parlamenti dhe braktisja e zgjedhjeve farsë ishin vendimet e duhura.
Pa asnjë mëdyshje.
Qëndrimi në këtë Kuvend dhe pjesëmarrja në zgjedhje farsë do të na kthente në fasadë të pushtetit të krimit.
Me krimin nuk mund të ketë dialog, nuk mund të ketë negociata dhe as nuk mund të bëhen lëshime. Ky është standart perëndimor.
Unë dhe të gjithë demokratët do t’i qëndrojmë deri në fund këtij standarti: Me krimin nuk ka negociota dhe marrëveshje.
Por largimi i Edi Ramës është vetëm fillimi i rrugës tonë të vështirë të reformave të thella në vetë thelbin e sistemit tonë politik, shoqëror dhe ekonomik.
Çlirimi i politikës dhe ekonomisë nga monopolet dhe nga krimi fillon me reformimin e thellë të partive politike.
Nëse partitë i fitojnë votat me mbështetjen e krimit, nëse partitë financohen nga oligarkët grabitqarë, qeveria që del nga kjo votë do t’i shërbejë krimit dhe oligarkëve grabitqarë.
Ajo që ju keni parë në rastin e Durrësit dhe të Dibrës është vetëm një pjesë e vogël e masakrës elektorale që ka ndodhur në Shqipëri në çdo zgjedhje të organizuar nga Edi Rama.
Shumë prej jush, jeni vetë dëshmitarë se e njëjta masakër elektorale është bërë në Elbasan, në Tiranë, në Lezhë, në Kavajë, në Krujë, në Fier, në Korçë, në Vlorë, në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë.
Nuk ka mbetur kriminel në Shqipëri që nuk ka vjedhur dhe dhunuar në emër të Edi Ramës dhe pushtetit të rilindjes. Prandaj pushteti i rilindjes është pushteti më i kriminalizuar që ka patur Shqipëria pas pushtetit vrastar të Enver Hoxhës.
Pikërisht aleanca zgjedhore krim-politikë:
- Shpjegon pse Edi Rama i bëri kriminelët deputetë dhe kryebashkiakë.
- Shpjegon pse ai i liroi kriminelët nga burgjet.
- Shpjegon pse Edi Rama lejoi dhe bekoi kanabizimin e Shqipërisë dhe trafikun masiv të drogës.
- Shpjegon pse Edi Rama shpiku PPP-të dhe ligjet speciale për të grabitur pronat e shqiptarëve.
- Shpjegon pse Edi Rama mori tre miliardë euro borxh dhe rriti të gjitha taksat, por nuk shtroi asnjë kilometër rrugë, shkatërroi mijëra vende pune, mbylli dhjetëra mijëra biznese dhe zhyti shqiptarët në papunësi dhe varfëri.
Qeverisja që buron nga kriminelët dhe paratë e klientëve u shërben vetëm atyre.
Vetëm një qeveri që del nga vota e lirë e popullit, do t’i shërbejë popullit.
Vetëm një qeveri që varet nga vullneti i njerëzve, u shërben njerëzve.
Dua t’ju them ju, të gjithë bashkëqytetarëve të mi, që të jeni besimplotë për të nesërmen. Se ditë të mira janë përpara nesh. Se hajduti Edi Rama do të ikë dhe do të japë llogari bashkë me gjithë mercenarët e tij të korruptuar dhe kriminelët, me të cilët uzurpoi Shqipërinë.
Unë, si çdo politikan, kam gabimet e mia.
Por ajo që më ndan mua dhe mijëra shqiptarë të tjerë është fakti se ne besojmë tek njerëzit, besojmë tek e ardhmja e Shqipërisë dhe nuk ndjehemi padronë të shqiptarëve dhe të Shqipërisë.
Unë besoj tek demokracia dhe vlerat europiane të qeverisjes së mirë. Unë besoj se Shqiptarët janë në gjendje të përqafojnë këto vlera dhe të jetojnë me këto vlera.
Prandaj, unë do të bëj çdo përpjekje që në Shqipëri të sundojnë demokracia dhe vlerat Europiane.
Për këtë dua t’ju ftoj të gjithë shqiptarëve ditën e premte në një manifestim për vlerat europiane të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Në një demonstrim për treguar se ne jemi shumica absolute e shqiptarëve europianë, ndryshe nga Edi Rama dhe kriminelët e mercenarët e tij.
Mbi të gjitha në një demonstrim të vullnetit tonë të pakthyeshëm e të pandalshëm për të ndryshuar Shqipërinë.
Zoti ju bekoftë ju!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!