DEKLARATA E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE GAZMENT BARDHI DHE E SEKRETARIT PËR ÇËSHTJET LIGJORE, ÇLIRIM GJATA.

 

Gazment Bardhi: Përgjimet e BILD faktuan se Edi Rama nuk di të fitojë zgjedhje, por vetëm t’i manipulojë ato, duke përdorur krimin dhe çdo mjet tjetër të paligjshëm për pushtetin e tij.

 

Përgjimet e reja, të publikuara nga gazeta gjermane Bild, që plotësuan skemën e vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër, zbuluan para opinionit publik se manipulimi i rezultatit të zgjedhjeve në të gjithë Shqipërinë, është mënyra e vetme që Edi Rama të mbajë pushtetin.

 

Përgjimet faktojnë se përmasat dhe mënyrat e vjedhjes së zgjedhjeve janë masive dhe të shtrira gjatë gjithë kohës që Edi Rama ka organizuar zgjedhje. Dosja 184 e Dibrës e vitit 2016 dhe dosja 339 e Durrësit e vitit 2017-të e provojnë këtë përtej çdo dyshimi.

 

Përgjimet tregojnë se për vjedhjen e zgjedhjeve dhe mbajtjen e pushtetit me çdo kusht, në skemën kriminale të Edi Ramës janë përfshirë nga ai vetë tek qeveria, Partia Socialiste, institucionet shtetërore, pushteti lokal, policia dhe kriminelët.

 

Bild shpalosi para shqiptarëve radiografinë e një pushteti të shkrirë me krimin për të vjedhur zgjedhjet.

 

Çdo dëshmi e publikuar nga BILD-i për masakrat elektorale të organizuara nga Edi Ramës, shfaq bashkëpunimin e qeverisë me vrasës, me trafikantë droge,  me grabitës.

 

Aty faktohet skema e një krimineli gjakftohtë si Edi Rama, që, për hir të pushtetit të tij, përdor çdo makinacion për të blerë vota me para në dorë, për të kërcënuar qytetarë që të votojnë për PS-në, për të penguar dhunshëm votimin e kundërshtarëve politikë, për të ndëshkuar çdokënd që nuk u bindet urdhrave të paligjshëm për të nxjerrë Edi Ramën fitues në të gjithë Shqipërinë.

 

Shqiptarët kanë dëgjuar me veshët e tyre atë që përflitej në çdo zgjedhje të organizuar prej Edi Ramës, se e gjithë administrata përdoret si ushtri elektorale, në funksion të mbajtjes së pushtetit me çdo mjet të paligjshëm. Edi Rama ka urdhëruar përdorimin e nëpunësve civilë në çdo nivel, të punonjësve të ndërmarrjeve shtetërore, të mësuesve, të policëve dhe të çdokujt që i shërbente realizimit të objektivit të vet kriminal.

 

Krimet zgjedhore të Edi Ramës nuk mund dhe nuk do të kalojnë pa u ndëshkuar. Dhënia fund e pandëshkueshmërisë së politikanëve dhe kriminelëve që kanë vjedhur zgjedhjet, është rruga e vetme për të garantuar se në Shqipëri nuk do të ketë më masakra elektorale me bashkëpunimin e qeverisë me krimin.

 

Vetëm duke çuar para drejtësisë dhe prapa hekurave të burgut secilin prej politikanëve të përfshirë në vjedhjen e zgjedhjeve me krimin, në blerjen e votave me paratë e pista të drogës dhe korrupsionit, shqiptarët nuk do të drejtohen më nga qeveri dhe Kryeministër që i vjedh e i varfëron.

 

Zgjedhjet e lira e të ndershme, nuk janë vetëm themeli i bashkëjetesës demokratike. Ato janë kushti numër një që një qeveri dhe një kryeministër të mos punojë për pasurimin e vet dhe të një grushti kriminelësh e oligarkësh, por të punojë për zhvillimin e vendit, për interesin dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve.

 

 

Çlirim Gjata: Në Dibër, s’kishim thjesht krim elektoral, por një krim të organizuar, ku përfshihej kupola më e lartë e shtetit

 

Nga biseda e biznesmenit Bekim Krashi, i cili pas zgjedhjeve do të gradohet si Shef i OSHEE-së së Dibrës, me shefin e policisë së Dibrës, Robert Ago dhe me ministrin e Infrastrukturës Damian Gjiknuri, jepet gëzimi i tyre për suksesin që kishte patur skema e përdorur nga shefi i policisë së Dibrës, e cila kishte garantuar një diferencë për rreth 1000 votash në një zonë të veçantë të bashkisë Dibër. Vetë Ministri Damian Gjiknuri e përgëzon shefin e policisë për angazhimin e tij, duke i deklaruar se për punën e bërë, ai e konsideronte atë një komisar politik.

 

Çlirim Gjata: Këtu kemi të bëjmë me krim të organizuar, aty flitet për strategji për të arritur rezultatin fiks me 1 mijë diferencë, sepse nën këtë shifër ata nuk e pranojnë. Kemi të bëjmë jo me një krim të thjeshtë elektoral të një individi, por me një krim të organizuar, në të cilin janë të përfshirë pushtetarët më të lartë, deputetë dhe ministra. “Strategjia ime funksionon, thotë drejtori i Policisë së Dibrës, ndërkohë që bashkëbiseduesi e konsideron atë një komisar politik. “E di që e ke deklaruar, ti je një komisar politik” i thonë drejtorit të Policisë së Dibrës. E gjithë biseda është një bisedë që konsumon elementët e krimit të organizuar zgjedhor, në të cilin janë të përfshirë deputetë dhe ministra.

 

 

Gazment Bardhi: Shefi i Policisë dhe drejtuesit e PS kanë kryer krim elektoral në bashkëpunim

 

Nga biseda e shefit të policisë së Dibrës Robert Aga me drejtues të Partisë Socialiste (Xhemal Qefalia, Ulsi Manja) janë shkelur disa ligje. Shefi i komisariatit i thotë: Unë jam pjesë e PS dhe nuk e ndërroj as për 1 milion vjet. Këtë e thotë shefi i policisë së Dibrës.  Në këtë rast është shkelur Ligji për Policinë e Shetit dhe neni 248 i Kodit Penal, shpërdorim i pastër i detyrës si shefi i policisë ashtu edhe deputeti Xhemal Qefalia. Në bisedë del se aty janë të gjithë eksponetët e PS, përfshirë këtu edhe Gramoz Ruçi dhe Blerina Gjylameti dhe shefi i Policisë kërkon ngritje në detyrë për shërbimin që ka bërë. Çfarë ka bërë ky? Ka vjedhur dhe ka blerë vota. Po të bëhet një hetim serioz jemi para veprës penale të krimit elektoral në mënyrë të organizuar. Megjithë këto shkelje të rënda, nuk është marrë asnjë masë sepse këta njerëz i duhen Partisë Socialiste në çdo zgjedhje  të blejnë e të vjedhin vota.

 

Gazment Bardhi: Policia ka për detyrë të garantojë barazinë e subjekteve zgjedhore në një fushtë zgjedhore. Përgjimi na tregoi se Policia e Shtetit me urdhër nga Edi Rama te ministri i brendshëm, te antari i Komisionit të Sigurisë, te kryetari i Komisionit të Ligjeve, kanë përdorur Policinë e Shtetit kundër kundërshtarëve politikë. Kanë përdorur Policinë e Shtetit për të blerë vota dhe për të hartuar një strategji që i siguron fitoren Partisë Socialiste. Ky është krim zgjedhor i kryer nga një organizatë kriminale dhe për të cilën Prokuroria nuk ka nevojë të ketë fakte apo prova të tjera.

 

 

Çlirim Gjata: Përdorimi i parave në zgjedhje ka shkaktuar tërmetin për të cilin flet Damian Gjiknuri. 

 

Nga biseda e Damian Gjiknurit me Imer Lalën dhe ajo e Imer Lalës me të nipin, kuptohet qartë përdorimi i parave në zgjedhje, madje aq shumë janë hedhur, sa siç shprehet Gjiknuri shpesh, kanë shkaktuar “tërmet” Mënyra sesi flasin tregon bashkëpunimin për vjedhjen e zgjedhjeve me përfshirjen e shumë personave. Janë Arben Keshii, drejtor në Ministrinë e Brendshme, është Krashi  që u bë drejtor i OSHEE, Drini Reçi Drejtor Arsimor i Dibrës, është Bert Aga, shef i komisariatit, është Imer Lala, që i drejton të gjithë këta, si dhe Damian Gjiknuri, shefi politik i bandës. Fakti që janë dhënë para, i përfshin këta në  dispozitën e Kodit Penal 328/a, që, ndëshkohet nga 1 në 3 vjet burg.

 

 

Çlirim Gjata: Përgjimet e Dibrës faktuan se me Edi Ramën nuk ka fshehtësi të votës. Dënohet nga 3 muaj në 3 vjet burg.

 

Përgjimet, ku zbulohet se njerëzit e Edi Ramës në Dibër mund të kontrollojnë dhe të dinë në kohë reale për kë kanë votuar qytetarët, siç është rasti i një përfaqësuesi të FRD-së në Dibër, tregojnë se për Edi Ramën fshehtësia e votës nuk vlen. Përgjimi fakton shkeljen flagrante të nenit 327 të Kodit Penal për shkeljen e fshehtësisë së votimit, që dënohet nga 3 muaj në 3 vjet burg. Çlirim Gjata thotë se nuk mund të shkohet në zgjedhje, kur këta lënë njerëz të posaçëm për të zbuluar votën në mënyrë të paligjshme. Përdorimi i punonjësve të shtetit, që nuk lejohet të merren me zgjedhje, përdorimi i policië, korrupsioni aktiv dhe fshehja e votës janë vepra që parashikohen në Kodin penal dhe janë konsumuar në përgjime. Kjo përfshin edhe mbledhjen e kartave, ku faktohet se njerëzit e Edi Ramës në Dibër I mbledhin ato ose për të mos lejuar të votohet, ose për të kontrolluar se kujt ia jep votën.

 

 

Çlirim Gjata: Babloku Edi Rama i dha garanci Imer Lalës për paprekshmërinë e personave të përfshirë në realizimin e objektivit përmes manipulimit.

 

Përgjimi kur Imer Lala pohon se ka takuar Bablokun, qartëson se personi me këtë nofkë është Edi Rama. Ai e takon atë në kryeministri, pasi ka realizuar që ka marrë përsipër për manipulimin e procesit zgjedhor. Fjalitë e tij tregojnë se ka marrë marrë garanci për paprekshmërinë e aksujt që vjedh zgjedhjet, pavarësisht se PD kishte kërkuar nisjen  e një hetimi në bazë të një kallëzimi të bërë pak ditë m ëparë. Gjata tha se njerëzit e Ramës në Dibër mund të bënin çfarë të donin, pasi ishin të garantuar se mund të vjedhin për llogari të Edi Ramës.

 

 

Gazment Bardhi: Krimet zgjedhore duhet të ndëshkohen. Ata që janë përfshirë në vjedhjen e zgjedhjeve kanë kryer vepra që dënoihen deri në 30 vjet burg.

 

Është jetike për vendin dhe për zgjidhjen e kësaj krize të thellë që shkelja flagrante e ligjit në bashkëpunim mes qeverisë dhe krimit për të blerë zgjedhjet, duhet të hetohet e gjykohet me paanësi dhe me shpejtësi në të gjitha dimensionet e saj, politike dhe ekonomike. Këto janë krime zgjedhore që një drejtësi e pavarur do t’i kishte ndëshkuar me të paktën 30 vjet burg për të gjithë ata që janë përfshirë në shkeljen e ligjit. Ky është një rast për të vendosur drejtësinë që presin të gjithë, kur si Kryeministri, si krimineli, si qytetari i zakonshëm janë të gjithë të barabartë përpara ligjit.