• Shqipëria i vetmi vend anëtar i NATO-s me të burgosur politikë. Mbetjet komuniste Edi Rama dhe Sandër Lleshaj, përgjegjës për ndalimin, shoqërimin dhe arrestimin pa asnjë provë të protestuesve paqësorë.

 

DEKLARATË E NËNKRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, EDI PALOKA

 

Shqipëria është sot i vetmi vend anëtar i NATO-s me të burgosur politikë, me qytetarë që përndiqen për një arsye të vetme- ata janë kundërshtarë politikë të kryeministrit të vetëm në Europë që ka ardhur dhe qendron në pushtet me vota të blera në marrëveshje me krimin.

Partia Demokratike dënon me ashpërsi ndalimin, shoqërimin dhe arrestimin e protestuesve paqësorë, kundër te cilëve nuk ka asnjë provë. Janë me dhjetëra qytetarët e ndaluar me urdhrin e Edi Ramës dhe mbetjes komuniste, Sandër Lleshaj, të cilët kanë për qëllim të ushtrojnë terror ose të frikësojnë shqiptarët!

I kanë bërë llogaritë gabim!

Strategjia e përçarjes, e frikësimit, e terrorit dhe dhunës shtetërore ka dashtuar! Që prej 16 Shkurtit Edi Rama është një kufomë politike, ndërsa shqiptarët që i janë bashkaur kauzës për zgjedhje të lira janë edhe më të shumtë, edhe më të vendosur!

Është fakt se shumica e 500 qytetarëve të ndaluar nga policia gjatë këtyre 4 muajve, janë sot të lirë, për arsyen e thjeshtë se kanë qenë të pafajshëm, kanë qënë të burgosur politikë dhe në të drejtën e tyre të protestuar!

I zhytur në panik, Edi Rama po përdor të gjitha institucionet e represionit, duke filluar nga narkopolicët dhe banditët me uniformë që përgatisin raporte të rremë kundër protestuesve tek  prokurorët e Arta Markut,  që ngrenë akuza politike mbi dëshmi të rreme e deri tek ndonjë gjykatës militant si Arben Micko.

Është fakt se në gjyqe kanë rezultuar të ndaluar edhe njerez që janë rrëmbyer në rrugë, pa qenë fare në protestë.

Është fakt se sot kemi dy polici brenda rradhëve të policisë, atë të profesionistëve të ndershëm dhe atë të narkomilitantëve. Video e mbrëmshme tek Spitali i Traumës është dëshmia më e qartë se në ç’gjendje të mjeruar ndodhet policia shqiptare. Si ushtar politik i një ministri sadist dhe enverist, banditi i veshur me uniformë dhunon edhe vetë vartësin e tij, për të larguar me forcë kolegun Bardh Spahia.

Pamjet janë revoltuese për çdo njeri të lirë dhe me dinjitet. Nuk është e largët dita që çdo shërbëtor i Edi Ramës do të mbajë përgjegjësi para ligjit. Kudo qoftë ai, në polici, prokurori apo gjykatë, fundi i tij do të jetë i njëjtë me atë të Edi Ramës.

Sakrifica e asnjë shqiptari të bashkuar në betejën për zgjedhje të lira e të ndershme, për Shqipërinë si Europa, nuk do të shkojë dëm.  Ora e drejtësisë po vjen për ata që dhunojnë e vjedhin qytetarët, për ata që rikthyen të burgosurit politikë ne vendin anëtar të NATO-s.

Dhunuesit do të marrin atë që meritojnë.