·       Mirënjohje për qëndresën qytetare në mbrojtje të Teatrit, kundër regjimit të hajdutit psiqik, që synon të shkatërrojë për të grabitur.

 

·       Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, krenari, frymëzim dhe etalon i ri i qëndresës së pathyeshme të qytetarëve të bashkuar kundër së keqes.

 

·       Shteti mafioz dhe kriminal është vënë në shërbim të një hajduti psiqik, që, për të paratë e drogës, do që të shkatërrojë gjithçka.

 

·       Beteja e qytetarëve do të vazhdojë deri në fitoren e vlerave europiane, të ligjit mbi antiligjin, të kulturës mbi antikulturën, të qytetarisë mbi këtë regjim hajdut, antiqytetar, antipopullor dhe antikombëtar.

 

·       Të bashkohemi nesër në firmosjen e marrëveshjes me Aleancën për Teatrin Kombëtar, do të bëhet realitet ditën e parë që vendi të ketë një qeveri nga njerëzit, të njerëzve dhe për njerëzit.

 

 

 

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË MBRËMJE TEK TEATRI KOMBËTAR

 

 

Të dashur bashkëqytetarë nga Tirana, kryesisht nga Tirana, por edhe nga e gjithë Shqipëria, pasi këtu kemi edhe qytetarë nga qendra të tjera të vendit.

 

Të dashur artistë, anëtarë të Aleancës për Teatrin,

 

Dua, së pari t’ju falenderoj nga zemra për shembullin e jashtëzakonshëm, heroik, evropian dhe qytetar, që i treguam sot mbarë botës me qëndresën tonë krah krenarisë tonë kombëtare, elitës së shpirtit dhe mendjes, Aleancës për Teatrin, aleancës me kauzën më fisnike dhe më qytetare që luftohet sot, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan e në Evropë, mirënjohje për sakrificën tuaj, zonja dhe zotërinj, artiste dhe artistë të ndertuar!

 

Ju jeni krenaria dhe frymëzimi, për çdo qytetar që e do Shqipërinë si Evropa, jeni krenaria dhe frymëzimi për rininë dhe për fëmijët dhe jeni, që sot e tutje, edhe etaloni i ri i qëndresës së pathyeshme të qytetarëve të bashkuar kundër së keqes.

 

Miqtë e mi, e kuptoj çlirimin dhe gëzimin e shumë prej jush dhe është plotësisht i përligjur për shumë prej jush që e nisët rezistencën që në orët e para të mëngjesit dhe nuk i jeni ndarë asnjë çast mbështetjes për artistët.

 

Kemi parë sot brutalitetin e një shteti mafioz dhe kriminal në shërbim të një hajduti psiqik, që për të vjedhur dhjetëra millionë euro dhe për të pastruar paratë e drogës, do që të shkatërrojë gjithçka. Do që të shkatërrojë edhe këtë truall fisnik, këtë godinë që është më shumë se shtëpia e Teatrit Kombëtar, është kujtesë e trashëgimisë kulturore dhe është tregues i qytetarisë së Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.

 

Dua, pra, që, bashkë me falenderimin për sakrificën tuaj, të kujtoj se ka edhe një të nesërme, edhe një të pasnesërme dhe beteja duhet dhe do të vazhdojë deri në fitoren e vlerave qytetare, të vlerave europiane, të ligjit mbi antiligjin, të kulturës mbi antikulturën, të qytetarisë mbi këtë regjim hajdut, antiqytetar, antipopullor dhe antikombëtar.

 

Duke filluar me të nesërmen, ku kërkoj nga të gjithë qytetarët e Tiranës, nga të gjithë mbështetësit e Aleancës për Teatrin dhem natyrisht, nga mbështetësit tanë, të PD, të opozitës së bashkuar, të jemi të gjithë këtu, sepse, brenda kësaj godine do të nënshkruajmë Marrëveshjen me Aleancën për Teatrin, marrëveshjen për Teatrin Kombëtar, për kulturën kombëtare, e cila që do të bëhet realitet ditën e parë që vendi do të ketë një qeveri nga njerëzit, të njerëzve dhe për njerëzit.

 

Edhe njëherë, mirënjohje për qendresën tuaj. Nesër në orën 11.30 do të bëhet nënshkrimi këtu. Të jemi të gjithë bashkë këtu, të tregojmë forcën tonë, fuqinë tonë, fuqinë e qytetarëve të bashkuar për Liri, Demokraci dhe vlera europiane.  

 

Ju faleminderit!