- Edi Rama po miraton sot në parlamentin e tij ilegjitim dy koncesione me vlerë 328 milionë euro për dy rrugë me gjatësi vetëm 31 kilometra.
- Koncesionet Milot-Balldren dhe Orikum – Dukat janë pjesë e projektit kriminal “1 miliardë euro”, që po e shndërron Shqipërinë në parajsën e pastrimit të parave të pista
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ALBANA VOKSHI
Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e vjedhura, në bashkëpunim me krimin, po noterozon sot një tjetër grabitje të madhe të shqiptarëve për të pasuruar miqtë personalë të Edi Ramës.
Janë 328 milionë euro për dy rrugë me gjatësi vetëm 31 kilometra, afërsisht sa distanca mes Tiranës dhe Durrësit. Thënë ndryshe, me vendimin e sotëm kriminal të këtij parlamenti ilegjitim, 1 kilometër rrugë, do t’i kushtojë popullit më të varfër të Europës 10.5 milionë euro.
Kompania që përfiton pjesën e luanit, prej 258 milionë euro për 17 kilometra të rrugës fushore Milot- Balldre është ajo e Ndue dhe Agim Kolës, të njohur për lidhjet e ngushta familjare me Edi Ramën. Ndërsa kompania tjetër, Gjikuria, e koncesionit për Orikum – Dukat, njihet për numrin e madh të tenderave publikë që ka përfituar gjatë qeverisë së Edi Ramës.
Vendimi i Edi Ramës për të mos u tërhequr nga këto dy koncesione vjen pak ditë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit e klasifikoi Shqipërinë si vendi më i korrupuar në Europë për shkak të procedurave të PPP-ve dhe koncesioneve të Qeverisë së Edi Ramës. Ato u cilësuan si koncesione klienteliste, të pastudiuara dhe jo në interes të publikut.
Me koncesionin për Milot Balldre, Edi Rama thyen çdo rekord korrupsioni dhe klientelizmi. Brenda 1 viti, Edi Rama i ka dhënë familjes së mikut të tij personal, Ndue Kola, 526 milion euro ose gati 5% të Prodhimit Kombetar nëpërmjet koncesiont të sotëm dhe atij të rrugës së Arbrit, që ndërtohet nga e njëjta familje.
Koncesioni Milot-Balldren dhe Orikum – Dukat është pjesë e projektit kriminal “1 miliardë euro”, që po e shndërron Shqipërinë në parajsën e pastrimit të parave të pista, koston e së cilës e paguajnë qytetarët shqiptarë.
Partia Demokratike paralajmëron klientët oligarkë të Edi Ramës se nuk kanë për t’i marrë paratë e shqiptarëve.
Me ligjin antimafia, që do të miratohet ditët e para të ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike, çdo qindarkë që po grabitet sot, do t’u kthehet shqiptarëve. Përgjegjësit do të paguajnë me pasurinë e tyre çdo dëm që u kanë bërë financave të shtetit.
Këto koncesione janë një vjedhje masive që u bëhet qytetarëve. Prandaj, ata e refuzuan masivisht Edi Ramën, sepse kanë kuptuar që Qeveria e tij punon vetëm për t’u pasuruar duke grabitur shqiptarët.
Shqipëria e ka emergjente çlirimin nga oligarkia e krimit dhe qeveria që i shërben kësaj oligarkie kundër interesit publik.