Paketa e censurës së Edi Ramës kundër medias online është goditje ndaj demokracisë dhe pengon nisjen e negociatave.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ALBANA VOKSHI
I refuzuar, i bojkotuar, nga 85% e shqiptarëve në votimet moniste të 30 qershorit. I braktisur edhe nga mijëra socialistë të ndershëm, Rama ka miratuar me nxitim e fshehtësi të plotë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave paketën e censurës së medias online.
Me këtë paketë, Rama kërkon t’i mbyllë gojën çdo mediaje kritike ndaj tij, çdokujt që nuk mendon si ai, çdo gazetari që do të guxojë të publikojë aferat e tij korruptive apo lidhjet e tij me krimin e organizuar. Kjo paketë vendos gjoba të papërballueshme, parashikon mbyllje të portale dhe deningrimin e tyre publik. Kur të vendoset ndëshkimi i portalit, në vend të lajmeve, aty do të shfaqet fletërrufeja e shkruar nga Rama për të damkosur çdo kritik të tij.
Këtë mekanizëm censure, Edi Rama do ta drejtojë nëpërmjet Autoritetit të Medias, të cilin tani e ka vendosur nën kontroll, pas hakmarrjeve dhe shkarkimeve politike të dy anëtarëve të tij.
Të nderuar qytetarë,
Rama po instalon diktaturën në Shqipëri.
Pa liri të medias, pa liri të shprehjes, nuk ka demokraci.
Pa liri të medias nuk ka hapje të negociatave as në tetor.
Këtë paralajmëruan Reporterët pa Kufij në raportin për indeksin e lirisë së medias, ku vunë alarmin se media në Shqipëri është e kërcënuar nga mafia dhe qeveria.
Edi Rama dhe kllouni i tij Erjon Veliaj, u shpallën zyrtarisht armiqtë e medias në Shqipëri edhe nga koalicioni i 7 organizatave të medias që erdhën para disa ditësh në një mision faktmbledhës. Çensorët e gazetarëve dhe diktuesit e politikave editoriale u kritikuan si diktatorë të lirisë së medias dhe u paralajmëruan nga organizatat ndërkombëtare të gazetarëve.
Miratimi ne KM të ligjeve të censurës së mediave, duke injoruar rekomandimet e Koalicionit të organizatave te medias, është këmbanë alarmi për lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes në Shqipëri.
Paketa e censurës së medias është antikushtetuese!
Nëse ajo miratohet nga parlamenti i dalë prej votave të krimit, Partia Demokratike angazhohet se do ta anullojë menjëherë atë, sapo të marrë besimin për të qeverisur vendin!