Publikohet fatura e luksit në hotelin e Barcelonës, 908 euro nata për nënkryetarin e bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku

 

  • Përfituesi i qindra miliona euro tendera nga bashkia, Shkëlqim Fusha i paguan hotelin zëvëndësit të Erjon Veliajt

 

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DHURATA ÇUPI

 

 

Bashkia e Tiranës nën drejtimin e Erjon Veliajt dhe me bekimin e Edi Ramës, është vendosur tërësisht në shërbim të oligarkëve dhe pastrimit të parave të pista.

Prej 4 vitesh, hapësirat publike të kryeqytetit janë vendosur në dispozicion të kompanive të oligarkëve të afërt me pushtetin e Rilindjes, duke u kthyer në kantierë të abuzimit me pronën dhe taksat e shqiptarëve.

Shembulli më i madh i vjedhjes me oligarkët, është favorizimi që bashkia e Erjon Veliajt i ka bërë që prej vitit 2015, kompanisë Fusha shpk, e cila rezulton përfituesja më e madhe e pasurive publike.

Madje, për këtë kompani partnere në vjedhje të dyshes Rama-Veliaj u miratua një ligj antikushtetues për të grabitur hapësirën publike të Teatrit Kombëtar dhe nëpërmjet kullave të betonit për të pastruar para të dyshimta.

Në bazë të të dhënave zyrtare, Fusha shpk për periudhën 2014-2019 ka përfituar 145 tendera me vlerë 12.1 miliard lekë ose rreth 101 milion euro, nga të cilat, 85 me një operator në garë.

Nga 145 tendera total, në 140 tendera ose 97% të tenderave total, vlera e fondit limit është thuaj se e njëjtë me vlerën e kontratës.

Vetëm nga bashkia Tiranë, gjatë periudhës 2015-2019, kjo kompani ka përfituar 49 tendera me një vlerë mbi 40 milion euro, nga të cilat, 34 pa garë dhe në 47 prej këtyre tendera vlera e fondit limit është thuaj se e njëjtë me vlerën e kontratës.

Shifrat të cilat i keni të publikuara dhe në ekran tregojnë qartë se kjo kompani është e lidhur ngushtë me paratë publike, veçanërisht me paratë publike të qytetarëve të Tiranës.

Pikërisht në kohën kur sapo kjo kompani kishte gllabëruar tenderin e radhës, atë për rehabilitimin e bulevardit Zogu i parë, duket se Fusha shpk e ka hapur qesen për drejtuesit e bashkisë.

Në media është publikuar një faturë e një hoteli luksoz në Barcelonë, ku nënkryetari i bashkisë Arbian Mazniku është akomoduar për të pushuar në një dhomë për të cilën është paguar 908 euro nata.

 

Kjo është fatura e numrit dy të bashkisë i cili për dy net në hotel AlmaBarcelona ka shpenzuar 1816 euro.

Por ajo që përbën skandal përveç çmimit që ia kalon edhe abuzimit të ministrave të Ramës, është fakti se pagesa është bërë nga presidenti i kompanisë Fusha shpk, Shkëlqim Fusha nëpërmjet kartës së kreditit .

Pra, përfituesi më i madhe i parave publike nëpërmjet bashkisë së Tiranës dhe qeverisë së Edi Ramës paguan dhomat luksoze të hotelit për zyrtarët e bashkisë të cilët prej 4 vitesh nuk kanë kursyer firmat për tenderat qindra miliona euroshe për të.

Një skandal që në një vend minimumi aspirant për të qënë pjesë e BE, do të kishte sjellë pasoja publike dhe penale për një zyrtar që përfiton favore të tilla nga oligarkët.

Arbian Mazniku, në një vend europian apo edhe ballkanik me minimumin e standardeve sot do të kishte dhënë dorëheqjen, por ai nuk e bën një gjë të tillë se e mbron Erjon Veliaj dhe Edi Rama.

Por Rama dhe beniaminët e tij në bashkinë e Tiranës nuk thonë asnjë fjalë.

Edi Rama si gjithmonë merr nën mbrojtje të gjithë ata që grabisin pasuritë publike të këtij vendi.

Nuk mund të thonë asgjë, sepse Fusha shpk është kompania me të cilën ata po grabisin Teatrin Kombëtar, dhe dhoma e luksit për Maznikun është vetëm një thërrime e haraçit që duhet ti paguajë pushtetit për tenderat miliarda lekësh të përfituar në 5 vite.

Edi Rama hesht, Erjon Veliaj hesht, sepse nëpërmjet Fusha shpk ata po grabisin Tiranën, pasuritë publike dhe djersën e shqiptarëve për të mbushur llogaritë e tyre në parajsat fiskale.

Është koha që ky model, këto skandale të padëgjuar në vende që duan të hyjnë në BE, të marrin fund.

Për këtë ka vetëm një rrugë: Të largojmë Edi Ramën me Veliajt dhe Maznikët e tij që pushtetin e kanë shndërruar në një sistem grabitje e vjedhje.