• Për herë të parë në historinë e vëzhgimit të zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR në raportin final, nuk specifikohet që zgjedhjet ishin demokratike, që zgjedhjet ishin legjitime apo që zgjedhjet përmbushën standardet ndërkombëtare

 

  • Raporti specifikon shprehimisht: Se veprime dhe sjellje të qeverisë, veprime dhe sjellje të institucioneve të tjera përfshirë prokurorinë apo gjykatën kanë qenë tërësisht në kundërshtim me ligjin

 

  • Nuk mund të jetë kurrsesi përgjegjëse opozita e vendit për sjelljet kriminale, anti-shtet dhe antiligjore të qeverisë apo administratorëve të zgjedhjeve dhe nuk ka asnjë përgjegjësi, fjala vjen se KQZ dhe Kolegji Zgjedhor ka shkelur në çdo vendimmarrje të tij ligjet e këtij shteti

 

  • Shqiptarëve në 30 qershor, sipas OSBE/ODHIR, dhe jo raportit që shkruan zëvendësi i Edi Ramës në Ministrinë e Jashtme, votuesve shqiptarëve nuk iu dha mundësia të zgjidhnin dhe kjo jo se opozita bojkotoi zgjedhjet por sepse opozitës nuk iu garantuan kushtet që të marrë pjesë në zgjedhje

 

  • Raporti skanon se si organi i prokurorisë nga një institucion që do të duhet të zbatojë ligjin dhe të ndëshkojë krimet elektorale, është shndërruar në një institucion që mbron kriminelët që vjedhin zgjedhjet

 

  • Opozita u detyrua të dorëzonte në bllok mandatet e veta parlamentare, pas rrëzimit të iniciativës për Vettingun në Politikë nga ana e maxhorancës dhe rrjedhimisht doli nga Komisioni i Reformës Zgjedhore

 

  • Nuk ka asnjë përgjegjësi opozita pse Edi Rama tentoi të krijonte opozitë “fake” duke regjistruar në kundërshtim me ligjin dhe me praktikat e mëparshme të vetë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një parti satelit të tij

 

  • Skanimi që raporti i bën sjelljes së institucioneve shtetërore në Shqipëri është një analizë objektive që tregon se këto institucione nuk japin asnjë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

  • Kodi Zgjedhor nuk pengon dot Avdylajt të përfshihen në bashkëpunim me Partinë Socialiste për të ushtruar presion mbi votuesit e Partisë Demokratike.

 

KOMUNIKIMI ME GAZETARËT I SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PD, GAZMENT BARDHI

 

Të nderuar bashkëqytetarë!

Jam sot këtu përpara jush për të dënuar sjelljen e papërgjegjshme, absurde dhe fëminore të qeverisë, e cila fajësoi opozitën se raporti i OSBE/ODIHR-it delegjitimoi zgjedhjet e 30 qershorit.

Në fakt të gjitha interpretimet e bëra sot në emër të Edi Ramës nga zëvendësi i tij në Ministrinë e Jashtme janë citime të gabuara që nuk gjejnë pasqyrim në raportin e OSBE/ODIHR-it. Në asnjë rresht të këtij raporti i cili tashmë është publik, qytetarët nuk kanë nevojë për interpretime të gabuara dhe fëminore të tij, sepse dinë ta lexojnë vetë raportin.

Për herë të parë në historinë e vëzhgimit të zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR nuk specifikohet që zgjedhjet ishin demokratike, që zgjedhjet ishin legjitime apo që zgjedhjet përmbushën standardet ndërkombëtare.

Përkundrazi për herë të parë në raportin për zgjedhjet lokale edhe në vendin tonë specifikohet shprehimisht: Se veprime dhe sjellje të qeverisë, veprime dhe sjellje të institucioneve të tjera përfshirë prokurorinë apo gjykatën kanë qenë tërësisht në kundërshtim me ligjin.

Për këtë nuk mund të jetë kurrsesi përgjegjëse opozita e vendit. Opozita ka  detyrën t’i denoncojë sjelljet kriminale, anti-shtet dhe antiligjore të qeverisë apo administratorëve të zgjedhjeve dhe nuk ka asnjë përgjegjësi, fjala vjen se KQZ ka shkelur në çdo vendimmarrje të tij ligjet e këtij shteti. Nuk ka opozita asnjë përgjegjësi pse gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor kanë qenë nën presionin e qeverisë për shkak të procesit të vettingut. Nuk ka opozita asnjë përgjegjësi që sipas OSBE/ODIHR-it punonjësit e administratës shtetërore dhe ndërmarrjeve shtetërore kanë qenë nën presion për largim nga puna, apo siç thotë raporti, dëshmi të qytetarëve që kanë treguar përpjekje apo shantazh nga qeveria për t’i hequr ata nga skema e ndihmës ekonomike.

Në fakt raporti nuk është një skanim i një procesi antikushtetues i votimeve të 30 qershorit, ai skanon të gjithë shtetin privat që ka ndërtuar Edi Rama.

Raporti nis me fjalinë se “votimet lokale të 30 qershorit u mbajtën pa u marrë shumë në konsideratë interesin e elektoratit”.

E në fakt mospjesëmarrja e opozitës në  zgjedhje farsë ishte pikërisht për këtë arsye, sepse në zgjedhjet që organizohen nën drejtimin e Edi Ramës, nuk merret në konsideratë interesi i qytetarëve, por merret në konsideratë interesi i bandave që ndihmojnë qeverinë të vjedh zgjedhjet dhe më pas duke qeverisur me zgjedhjeve të vjedhura, të vjedhin dhe grabisin qytetarët shqiptarë.

Raporti skanon se si organi i prokurorisë nga një institucion që do të duhet të zbatojë ligjin dhe të ndëshkojë krimet elektorale, është shndërruar në një institucion që mbron kriminelët që vjedhin zgjedhjet, kriminelët që shantazhojnë për bukën e gojës punonjësit e administratës, kriminelët që shkelin ligjin hapur vetëm e vetëm për të arritur objektiva të caktuar politike të qeverisë.

Nuk ka, siç thotë raporti, asnjë procedim penal ndaj anëtarëve të KQZ-së apo administratës zgjedhore për shkelje flagrante të ligjit.

Nuk ka asnjë procedim penal, thotë raporti i OSBE/ODIHR-it, për ato që vëzhguesit kanë konstatuar me sytë e tyre, presionin ndaj qytetarëve për të marrë pjesë në votime apo për të votuar në një formë të caktuar.

Shqiptarëve në 30 qershor, sipas raportit të OSBE/ODHIR-it, dhe jo raportit që shkruan zëvendësi i Edi Ramës në Ministrinë e Jashtme, votuesve shqiptarëve nuk iu dha mundësia të zgjidhnin dhe kjo jo se opozita bojkotoi zgjedhjet por sepse opozitës nuk iu garantuan kushtet që opozita të marrë pjesë në zgjedhje.

Ne nuk mund të kandidojmë përballë një trafikanti droge në Shkodër sepse nuk jemi në politikë për tu përballur në zgjedhje me trafikantët e drogës. Me trafikantët e drogës duhet të përballemi në drejtimin e institucioneve ligjzbatuese. Sepse ata nuk e kanë vendin në qeverisje, por e kanë vendin në burg.

Leximi i raportit nga ana e qeverisë duke faturuar të gjithë përgjegjësinë mbi delegjitimimin e 30 qershorit opozitës, kur në fakt kjo e fundit nuk ishte fare pjesëmarrëse në zgjedhje, nuk ka asnjë përgjegjësi në administrimin e zgjedhjeve, tregon jo vetëm papërgjegjshmërinë e qeverisë, jo vetëm papërgjegjshmërinë e Edi Ramës, por mbi të gjitha tregon mungesën e vullnetit që ka kjo qeveri për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Nuk ka asnjë përgjegjësi opozita pse Edi Rama urdhëroi anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të shkelin ligjin për të mos pranuar komisionerët që me ligj i takojnë opozitës, kjo bëri që administrata zgjedhore ishte tërësisht e pa balancuar dhe kishim një proces votimi ku një parti merrte pjesë në zgjedhje, e njëjta parti administronte procesin, e njëjta parti numëronte dhe e njëjta parti nxirrte rezultatin e votimit.

Kjo nuk është përgjegjësi e jona, kjo ishte përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisë që me një urdhër politikë të katër anëtarëve të qeverisë në KQZ i mohuan një të drejtë ligjore dhe kushtetuese opozitës për të administruar procesin zgjedhor.

Nuk është përgjegjësi e opozitës, por është përgjegjësi e qeverisë që organizoi dhe mbajti votime pa një dekret në fuqi të Presidentit të Republikës dhe raporti i OSBE/ODIHR-it është i qartë e shkruar e zeza mbi të bardhë se mbi kushtetueshmërinë e dekreteve të Presidentit nuk gjykon dot as Denar Biba në KQZ, as 6 apo 7 anëtarët nën presionin e vetingut, shumica prej tyre kanë kaluar vetingun dhe janë në proces apelimi për shkak të shkeljeve skandaloze që kanë të bëjnë me ligjshmërinë e pasurisë së tyre marrin përsipër në shkelje të ligjit të gjykojnë mbi dekretin e Presidentit. Raporti thotë qartë që mbi këto dekrete mund dhe duhet të gjykojë vetëm Gjykata Kushtetuese. Dhe pa u shprehur Gjykata Kushtetuese mbi kompetencën kushtetuese të Presidentit për të zhvilluar zgjedhje, në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje legjitime.

Nuk është përgjegjësi e opozitës që në papërgjegjshmëri totale dhe në vullnetin e vetëm për të marrë pushtet dhe për të përfituar pushtet Edi Rama injoroi interesin e qytetarëve dhe i detyroi ata që në vend që të zgjidhnin për kryetarët e tyre të bashkive të ishin përpara zgjedhjes nëse duhet apo jo të merrnin pjesë në votim, ky është thelbi i votimeve të 30 qershorit sipas raportit të OSBE/ODIHR-it.

Dhe është e qartë se rezultati në këtë rast është zhgënjyes për qeverinë, më pak se 15% e qytetarëve, pjesa dërrmuese e tyre me detyrim dhe nën presion morën pjesë në votime.

Nuk është përgjegjësi e opozitës që raporti shprehet qartë se administratorët socialistë të zgjedhjeve apo të votimeve të 30 qershorit jo gjithmonë i kontrolluan gjurmët e bojës apo jo gjithmonë shënjuan me bojë përpara dhënies së fletëve të votimit. Madje sipas ekspertëve të ODIHR-it provohet edhe pretendimi i opozitës për shtim fiktiv të numrit të votuesve. Sepse raporti shprehet se në listën e zgjedhësve u konstatuan nënshkrime dukshëm identike që janë pro votimeve me përfaqësim nga të tjerët.

Nuk ka asnjë përgjegjësi opozita pse Edi Rama tentoi të krijonte opozitë “fake” duke regjistruar në kundërshtim me ligjin dhe me praktikat e mëparshme të vetë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një parti satelit të tij, e cila, edhe pse afati i regjistrimeve skadonte me 23 prill, arriti që të regjistrohej në gjykatë vetëm 4 ditë më vonë, konkretisht, me 27 prill. Raporti flet qartë se punonjësit e administratës publike dhe ndërmarrjeve shtetërore ishin nën presion të drejtpërdrejtë e indirekt, për t’u përfshirë në veprimtari politike, gjatë dhe pas orarit zyrtar, dhe se punësimet në sektorin publik varen përkatësisht nga bindjet politike. Nga ana tjetër ekspertët e ODIHR-it shprehen se ata ishin dëshmitarë të rasteve të kërcënimit të votuesve, dhe shkeljet së fshehtësisë së votës në qendrat e votimit, mirëpo për këto raste nuk është regjistruar zyrtarisht asnjë procedim penal nga prokuroria. Ka një shqetësim thonë ekspertët e ODIHR-it për mungesën e përgjithshme të efektivitetit të hetimeve penale që kontribuojnë në perceptimin e përhapur të pandëshkueshmërisë mbi krimet elektorale të kaluara, duke përfshirë votimin dhe presionin ndaj votuesve.

Opozita prej dy vitesh kërkon vetëm një gjë, ndëshkimin e kriminelëve që kanë vjedhur zgjedhjet, siç treguan përgjimet e publikuara nga Bild, në dosjen 184 dhe në dosjen 339. Deri më sot, qeveria jo vetëm nuk është distancuar nga vjedhësit e zgjedhjeve, dhe nuk ka si të distancohet, sepse është ajo që i vjedh zgjedhjet, por kryehajdutin e zgjedhjeve në Dibër e ka vënë dhe e ka promovuar si kryetar të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Pra, jo vetëm nuk lejon ndëshkimin e krimeve elektorale, por me veprime politike, i merr ato në mbrojtje.

Skanimi që raporti i bën sjelljes së institucioneve shtetërore në Shqipëri është një analizë objektive që tregon se këto institucione nuk japin asnjë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Raporti nuk mund të ketë qenë, siç u shpreh zëdhënësi i Edi Ramës në Ministrinë e Jashtme, më shumë për opozitën sesa për zgjedhjet, sepse çdo shqiptar e di se misioni i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it nuk është të monitorojë opozitën, por është të monitorojë proceset zgjedhore apo votimet në vendet anëtare të OSBE-së. Raporti nuk ka nevojë për interpretime, sepse ai është i qartë, i shkruar në mënyrë korrekte, të drejtpërdrejtë dhe që evidenton qartësisht përgjegjësinë e qeverisë dhe detyrimin e saj për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është detyrë dhe përgjegjësi e qeverisë që t’i garantojë opozitës të gjitha kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, sepse qëllimi i ekzistencës së partive politike është padyshim pjesëmarrja në zgjedhje, por jo në zgjedhje të diktuara nga krimi, por në zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Qëndrimi i sotëm i qeverisë, që në fakt vjen 48 orë pas publikimit të raportit të OSBE/ODIHR-it, çka tregon për vështirësinë e tyre për gjetjen e argumenteve, apo për të bërë keqinterpretimet e nevojshme në kuadër të propagandës së tyre, për të bindur qytetarët shqiptarë se OSBE/ODIHR-i i ka njohur si të rregullta zgjedhjet, kur në fakt, raporti i OSBE/ODIHR më shumë se sa një raport që skanon procesin zgjedhor, është skanim i një veprimtarie kriminale të ndodhur përpara, gjatë dhe pas votimeve të 30 qershorit.

Pyetje: Raporti i OSBE/ODIHR thotë se bllokimi i reformës zgjedhore erdhi sipasojë e daljes së opozitës nga Kuvendi dhe një ditë më parë ka pasur një ftesë nga ana e kryeministrit edhe për opozitën jashtë kuvendit, për tu bërë bashkë e për të realizuar këtë reformë. Zoti Basha e vuri dje në krye të prioriteteve të PD. Por kjo vendosje në krye të prioriteteve, a do të thotë që PD do të çojë propozime dhe a do të thotë se do të zërë vend në komisionin ku është ofruar e drejta e vetos? Pra si do të bëheni ju pjesë e reformës zgjedhore në kushtet kur jeni kritikuar në raport për këtë?

Gazment Bardhi: Në fakt, nëse e citojmë korrekt raportin, raporti shprehet qartë “se opozita u detyrua të dorëzonte në bllok mandatet e veta parlamentare, pas rrëzimit të inisiativës për Vettingun në Politikë nga ana e maxhorancës.” Ju e mbani mend që ne propozuam fillimisht një masë legjislative për të garantuar shkëputjen mes politikës dhe krimit të organizuar, veçanërisht me fokus në zgjedhje, dhe Edi Rama refuzoi të miratonte këtë propozim ligjor. Ky ishte shkaku që na detyroi ne që nga një veprim institucional ligjor, të kalonim në një veprim politik që ishte lënia në bllok e mandateve parlamentare. Kjo solli sigurisht dhe largimin tonë nga Komisioni i Reformës Zgjedhore. Janë tre raporte të OSBE/ODIHR që kanë lënë rekomandime konkrete për ndryshime ligjore. Por edhe nëse ato ndryshime do të bëhen dhe sigurisht që do të bëhen, përsëri nuk janë garanci e mjaftueshme për zgjedhje të lira e të ndershme. Të gjithë e dimë që sot vjedhja e votave në bashkëpunim me krimin e organizuar, shantazhin ndaj punonjësve të administratës publike, janë vepra penale. Pra ka ligj në Shqipëri për këtë. Problemi është se ky ligj nuk zbatohet. Sigurisht ne mund të kemi një kod, siç e kemi në pjesën dërmuese të tij, një kod me standarte ndërkombëtare, por kjo nuk mjafton për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.   Pikë së pari, më shumë se sa Reformë Zgjedhore garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme, është vullneti politik.

Nuk mundet Kodi Zgjedhor të parandalojë Ramën që një falsifikator të kërkuar në Greqi, ta kandidojë në Bashkinë e Vorës, siç është Agim Kajmaku.

Kjo është çështje e vullnetit politik.

Pra, nëse ti zgjedh krimin për të garantuar, apo zgjedh qytetarë të nderuar që përfaqësojnë interesin e elektoratit.

Nuk i thotë Kodi Zgjedhor Edi Ramës të zgjedhë një trafikant droge në Shkodër, si Valdrin Pjetri, është vullneti i tij politik për të zgjedhur një trafikant droge.

Nuk i thotë Kodi Zgjedhor Edi Ramës të zgjedhë një hajdut, në kuptimin e plotë të fjalës, në një tjetër Bashki në vend, siç do të bëjmë publik rastet në ditët në vijim.

Kjo është çështje e vullnetit politik.

Prandaj pa asnjë dyshim, realizimi i Reformës Zgjedhore, përmirësimi i legjislacionit që lidhet me zgjedhjet, shtimi i garancive që kanë të bëjnë me administrimin e procesit, çështjet që lidhen me financimin e partive sigurisht që kanë nevojë të reformohen dhe kemi thënë gjithmonë që jemi gati për këto çështje, sikundër ju jeni dëshmitarë që ne i kemi prezantuar masat e nevojshme ligjore që do të duhet të ndërmerren në kuadër të Reformës Zgjedhore, qoftë në Komisionin e Reformës Zgjedhore, por edhe në prezantimin për publikun që kemi bërë disa kohë më parë, por qëndrimi logjik dhe i arsyeshëm është që, këto nuk mjaftojnë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kodi Zgjedhor nuk pengon dot Avdylajt të përfshihen në bashkëpunim me Partinë Socialiste për të ushtruar presion mbi votuesit e Partisë Demokratike. Kjo është çështje vullneti. Nëse do të vish në pushtet nga qytetarët për të qeverisur në dobi të qytetarëve, ose do të vish në pushtet me krimin e organizuar për të qeverisur për llogari dhe në ndihmë të krimit të organizuar. Edi Rama qartësisht ka zgjedhur formën e dytë. Qëndrimi ynë është se, duhet të vijmë në pushtet nëpërmjet bashkëpunimit dhe votës së lirë të qytetarëve shqiptarë në funksion të pasjes së një qeverie në interesin e qytetarëve.

Pyetje: Lulzim Basha pas një takimi që pati dje me krerët e partive opozitare doli për një platforemë kombëtare ku përfshihet Reforma Zgjedhore si dhe ndryshimet në Reformën në Drejtësi. A është kjo platformë në fakt një mundësi për nisjen e negociatave me mazhorancën. A po i jepni ju kohë vetes për t’u ulur me shumicën parlamentare?

Gazment Bardhi: Z. Basha ka folur së pari për një platformë që do t’u prezantohet qytetarëve shqiptarë dhe jo mazhorancës. Aty do të jetë vizioni ynë, për Shqipërinë si gjithë Europa, aty do të jenë të propozuara masa konkrete për daljen një herë e përgjithmonë nga tranzicioni i vështirë dhe krizat e her pas hershme që janë shkaktuar në Shqipëri, ku pa dyshim do të ketë propozime mbi çështjet që lidhen me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, mbi funksionimin e pavarur jo vetëm të institucioneve të drejtësisë por në tërësi të të gjitha institucioneve të pavarura përfshirë edhe të administratës zgjedhore, sepse këto votime treguar edhe një herë KQZ nuk është një organ që zbaton ligjin, por zbaton urdhrat politikë dhe dialogun siç e kemi patur, do të vazhdojmë ta kemi me qytetarët shqiptarë.