• Ndryshimi i ligjit të pushtetit lokal, që zhbën shumicën e cilësuar për tjetërsimin e pronave, është grabitja më e rëndë me ligj e pronës së bashkive.

• Heqja e shumicës së cilësuar shkon paralel me ligjin tjetër korruptiv, të Korporatës së Investimeve. që u rrëmben pronat bashkive për t’ua dhënë pa garë klientëve të Ramës.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DHURATA ÇUPI

Edi Rama, bashkë me përfaqësuesit e oligarkëve në parlament vendosën dje të grabisin me ligj pronat e pushtetit vendor.

Me rrezimin e dekretit të presidentit për ligjin e qeverisjes vendore, Edi Rama në parlament i hapi rrugë tjetërsimit të pronave të bashkive me shumicën e thjeshtë të votave, duke hequr pengesën e shumicës së cilësuar që ata, deri para 30 qershorit, nuk e kontrollonin, në pjesën dërrmuese të bashkive.

Neni 54 detyronte dakortësinë me shumicë të cilësuar të të gjitha forcave politike në këshill për të garantuar që prona e tjetersuar apo e dhënë në përdorim do të kishte impakt për qytetin dhe nuk ishte abuziv dhe korruptiv.

Vendimi për t’i shkuar deri në fund ndryshimit të ligjit të qeverisjes vendore është grabitja më e rëndë me ligj e pronës publike.

Asgjë nuk ndodh rastësisht. Shqiptarët janë dëshmitarë sesi Bashkia e Tiranës, për shkak të kundërshtimit të opozitës në Këshilin Bashkiak, dështoi që t’ia kalojë në pronësi kompanisë Fusha pronën e Bashkisë pas Teatrit. Por me shfuqizimin e ketij neni, asgjë nuk e ndalon më Edi Ramën dhe uzurpatoret e tij në bashki që të vjedhin pasurinë publike, duke ua dhënë atë klientëve, me të cilët ndajnë fitimet.

Shfuqizimi i shumicës së cilësuar për tjetërsimin e pronës së bashkive është projektuar disa muaj më parë. Ajo është pjesë e strategjisë për plaçkitjen e pasurive të vendit dhe shkon paralel me ligjin tjetër korruptiv, klientelist dhe antikushtetues të korporatës së investimeve.

Ky është një tjetër ligj që u rrëmben pronat bashkive për t’I vendosur në fondin e Korporatës së Investimeve, të drejtuar de facto nga Edi Rama dhe që nëpërmjet këtij ligji, lejohet t’u japë oligarkëve, klientëve, miqve dhe familjes se tij pasuritë e bashkive pa garë, pa prokurim publik, madje edhe pa votë.

Plaçkitja, vjedhja e zgjedhjeve dhe e pasurive të shqiptarëve është i vetmi projekt i Edi Ramës. Prandaj, vendi ka nevojë urgjente të çlirohet nga kjo qeveri dhe ky kryeministër , që po rrënon shqiptarët dhe pasurohet për vete!