• PD ka zbuluar prova të pakundërshtueshme nga filmimet e tavolinave të numërimit, që faktojnë manipulimin me votimet e 30 Qershorit nga PS.

 

  • Videot tregojnë se përfaqësuesit e PS kanë shtuar votat me çdo formë të mundshme, përfshirë edhe fletët e votimit të pavlefshme, të cilat janë numëruar për PS.

 

  • Disa shkelje janë: fletët e votimit merren në grup pa numëruar secilën prej tyre, në kuti ka fletë votimi pa vulë, numërim i kryer pa kamera, plotësim i fletëve bosh.

 

  • Shkeljet janë shkelje subtanciale, të cilat bëjnë të pavlefshëm të gjithë procesin e tabulimit dhe nxjerrjes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për bashkitë përkatëse.

 

  • Edhe raporti i OSBE/ODIHR pohon se prokuroria ka forcuar frymën e pandëshkueshmërisë, duke mos çuar përgjegjësit e manipulimit para drejtësisë.

 

 

DEKLARATË PARTIA DEMOKRATIKE, OERD BYLYKBASHI

 

Përshëndetje! Sot jemi para jush për të vazhduar denoncimet e PD në lidhje me procesin skandaloz të votimeve të datës 30 qershor 2019. Tashmë raporti i OSBE/ODIHR është lajmërimi për vdekjen e zgjedhjeve në Shqipëri.

 

Raporti i OSBE/ODIHR ka shkuar në një thellësi të tillë që nuk ka parë vetëm problemet teknike të procesit zgjedhor, por ka hyrë në gurët e themelit që garantojnë jo vetëm procesin zgjedhor, por garantojnë demokracinë dhe provon që tashmë i tërë sistemi, i cili garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, ka rënë dhe, për rrjedhojë, në 30 qershor nuk kishte zgjedhje.

 

Që prej asaj date ju e keni parë që Kryeministri Rama ka heshtur, sepse askush nga qeveria “Rama” nuk është në gjendje që të mbrojë atë që raporti i ODIHR e ka faktuar në një raport, i cili është raporti më i keq që OSBE/ODIHR-i ka shkruar ndonjëherë për zgjedhjet në Shqipëri.

 

Raporti evidenton qartë se në Shqipëri administrata publike është e politizuar dhe nën presionin politik, madje ka shkuar aq larg sa ka rekomanduar reformim për depolitizimin e administratës publike.

 

Raporti është fare i qartë se KQZ dhe Kolegji Zgjedhor vepruan si celula politike dhe nën presionin e qeverisë dhe Kryeministri Rama.

 

KQZ është një organ, i cili nuk garanton as minimumin e një pavarësie dhe një paanshmërie në vendimmarrje dhe vendimet e marra prej tij kanë qenë haptazi me qëllimin politik për të zhvilluar zgjedhje, që OSBE/ODIHR-i i cilësoi si zgjedhje që zhvilluan pa marrë në konsideratë interesin e elektoratit.

 

Një nga problemet kryesore dhe një nga rekomandimet kryesore që del nga këto zgjedhje është presioni mbi zgjedhësit.

 

Për fat të keq përsëri OSBE/ODIHR-i rekomandon masa të forta edhe pse në 2017 u tha për të siguruar sekretin dhe lirinë e zgjedhësve në votim. Lirinë e zgjedhësve për të votuar pa frikë nga ndëshkimi.  Këto janë shkelje të angazhimeve themelore të shtetit shqiptar karshi OSBE. Pra, janë shkelur standardet ndërkombëtare për organizimin e zgjedhjeve.

 

Në mënyrë të veçantë OSBE/ODIHR-i ndalet mbi presionin që është ushtruar mbi administratën, mbi zgjedhësit e administratës publike, presion për t’u bërë pjesë e aktiviteteve të PS; një fushatë pa kundërshtarë. Presion i cili është jo vetëm i dokumentuar nga opozita, por edhe i denoncuar vazhdimisht, por i vërtetuar dhe faktuar edhe raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR.

 

Shantazhe deri në largimin nga vendi i punës dhe më pas edhe masa të marra drejtpërdrejtë mbi personat. Tashmë siç thotë edhe ODIHR në raportin e tij, zgjedhësve u ishte lënë vetëm një mundësi, të merrnin pjesë në votim ose të mos merrnin pjesë në votim. Dhe të gjithë janë dëshmitarë, gjithçka është faktuar në këtë dokument, që zgjedhësit kanë qenë të detyruar përdhunshëm për të marrë pjesë në votim.

 

Edhe pse ishte një proces i organizuar vetëm nga Partia Socialiste, fushatën e bëri e vetme, votimin e organizoi e vetme, duke refuzuar pjesëmarrjen në administrimin e zgjedhjeve komisioneve të opozitës të cilëve iu takonte me ligj të merrnin pjesë dhe OSBE/ODIHR-i e konsideron si një shkelje, duke qenë se edhe numërimin e bën vetëm tashmë ne kemi prova dhe do t’ua paraqesim provat për manipulimin skandaloz të procesit të numërimit të votave nga PS.

 

Nëse në vitin 2009 raporti i ODIHR-it përveçse tha se zgjedhjet arritën shumicën dërrmuese të standardeve dhe nuk pati prova për manipulim në votim, pavarësisht se Edi Rama pretendonte këtë.

 

Kësaj rradhe provat janë në sytë e të gjithëve për atë manipulim skandaloz që ka ndodhur në procesin e numërimit të votave. Ju tashmë jeni në dijeni të asaj që është denoncuar dhe është faktuar, sesi Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka manipuluar në mënyrë të vazhdueshme pjesmarrjen në votim. Ndërkohë që pjesëmarrja ishte 15 përqind dhe shpesh herë shumë më e ulët, KQZ e manipuloi këtë pjesmarrje. Ajo që është më e rëndë, janë provat që kemi zbuluar drejtëpërdrejtë nga filmimet e tavolinave të numërimit që disponojmë nga KQZ, ku rezulton që Grupet e Numërimit dhe KZAZ-të e kontrolluara vetëm nga Partia Socialiste kanë manipuluar shifrat e numërimit që kanë dalë nga numërimi i çdo tavoline.

 

Kemi parë shkelje të llojeve të ndryshme, shkelje që dalin nga filmimet që ju mund t’i merrni dhe t’i verifikoni vetë.

 

  • Është parë në mënyrë të rregullt që shpesh herë fletët e votimit janë marrë në grup dhe nuk janë numëruar veç e veç.

 

  • Vendoseshin mbi tavolinë dhe hiqeshin pa u numëruar.

 

  • Fletë votimi, të cilat janë numëruar jashtë kamerave të numërimit që është detyrim për transparencë nga Kodi Zgjedhor.

 

  • Janë plotësuar fletëvotimi bosh në tavolinat e numërimit.

 

  • Siç do të shikoni dhe nga videot, në kutitë e votimit janë gjetur fletë votimi pa vulat e Komisionit. Pra thjesht janë futur fletë votimi në kuti jashtë procesit standard të votimit.

 

Ne e kemi denoncuar rregullisht faktin që kutitë e votimit janë mbushur me fletë votimi nga komisionerët socialistë vetëm e vetëm për të arritur objektivin e PS dhe ju sot keni provat për këtë.

 

Të gjitha këto  Partia Demokratike i ka denoncuar, por deri më sot nga Prokurorja e Përgjithshme dhe nga Prokuroria e Republikës së Shqipërisë nuk ka asnjë veprim për të filluar hetimet ndaj atyre që manipulojnë me votat e shqiptarëve.

 

Provat janë përpara prokurorisë, por tashmë e kemi të dokumentuar edhe në raportin e OSBE-ODIHR i cili konstaton që pavarësisht asaj që u pa dhe u provua, prokuroria, policia dhe organet e tjera ligjzbatuese nuk ndërmarrë asnjë veprim për të nxjerrë të vërtetën dhe për të vënë para drejtësisë personat që manipulojnë, duke ndikuar në këtë formë, duke ndihmuar krijimin e frymës së mos ndëshkimit e cila është në themelet e përkeqësimit të standardeve zgjedhore deri më sot.

 

Ne jemi këtu sot edhe procesverbalet e disa Komisioneve të Administrimit Zgjedhor, KZAZ-ve, të cilat gjatë numërimit kanë deklaruar shifra në tabelat zyrtare të manipuluara dhe nga verifikimi i videove të numërimit, rezultati është krejt i ndryshëm.

 

Për ilustrim do t’ju jap disa raste:

 

Kemi rastin e KZAZ-së numër 62 në Urën Vajgurore, ku rezultati i publikuar nëpërmjet manipulimit nga KZAZ përkatëse është 8035 vota, ndërkohë që nga numërimi i votave një më një, nëpërmjet videoregjistrimit zyrtar, janë vetëm 5958 vota.

 

Po ashtu në KZAZ-në 67 në Pogradec janë zyrtarisht 17986 vota, ndërkohë të numëruara fletë votimit një më një janë 15487.

 

Pra, jo vetëm kanë manipuluar me shifrat e ojesmarrjes në votime, por kanë mbushur kutitë e votimit me fletë votimi të cilat nuk i përkasin realitetit.

 

OSBE-ODIHR e thotë që “shpesh herë u panë firma nga e njëjta dorë, e cila është indikatori i drejtpërdrejtë i mbushjes së kutive nga komisionerët.

 

Shkojmë më tej në një element tjetër shumë të rëndësishëm që fakton manipulimin që i është bërë procesit të numërimit të votave dhe shpalljes së rezultatit.

 

Në KZAZ-në numër 3 në Shkodër, numri i fletëve të votim të pavlefshme, të deklaruara në procesverbalin zyrtar është 121 vetëm për këtë KZAZ, që do t’i korrespondonte një përqindje pavlefshmërie prej 4,3 %, ndërkohë që e vërteta është 230 vota të pavlefshme, pra thuajse dyfishi, ose 9,5 %. Pra, është manipuluar numri i votave të pavlefshme dhe ato vota që s’janë deklaruar si të tilla, i janë transferuar kryesisht Partisë Socialiste. Ndërkohë në të shkuarën, në vitin 2017, ka qenë 2, pra kemi 4,7 herë rritje të numrit të votave tëpavlefshme.

 

Në KZAZ-në numër 40 në Tiranë, ku kandidonte Erion Veliaj, kemi të deklaruar zyrtarisht 352 vota, ose vetëm 5,7 % e fletëve të votimit të pavlefshme, ndërkohë që realiteti tregon 756 vota, ose 13 %, ndërkohë që në të shkuarën ka qenë 2,1 %, numri i votave të pavlefshme në atë KZAZ.

 

Në KZAZ nr.50 në Elbasan kemi 422 vota të pavlefshme të deklaruara zyrtarisht, por nga numërimi me video dalin 815 vota të pavlefshme.

 

Në KZAZ nr 67 në Pogradec, kemi 680 fletë votimi të pavlefshme, të deklaruara zyrtarisht, por nga numërimi në video faktikisht fletë votimi të pavlefshme janë 1025. Pra, kemi rregullisht përgjysmim të votave të pavlefshme në tabelat zyrtare të KZAZ-ve.

 

Jemi përpara manipulimit të votimit, që është vepër penale e veçantë, jemi përpara faktit se fletët e votimit të pavlefshme, të cilat nuk janë deklaruar si të tilla janë transferuar kryesisht Partisë Socialiste.

 

Këtë po e ilustrojmë me një shembull, me rastin e Erion Veliajt në Tiranë. Partia Socialiste rezulton me 5853 vota rezultatin zyrtar, ndërkohë që nga numërimi në atë KZAZ dalin 3831 vota, pra janë shtuar votat, me çdo formë të mundshme, përfshirë edhe fletët e votimit të pavlefshme.

 

Por nuk ndalet këtu. Kemi një fenomen i cili drejtpërdrejt me atë që thamë më përpara. Partia Socialiste ka ushtruar në mënyrë brutale presion mbi administratën publike, mbi zgjedhësit që janë të punësuar në administratën publike, të detyruar për të marrë pjesë në votim, përndryshe kërcënoheshin me vendin e punës. Fakti që kemi një rritje dramatike me disa herë të numrit të fletëve të votimit të pavlefshme është i lidhur drejtpërdrejt me faktin që punonjësit në administratën publike janë detyruar të shkojnë të votojnë dhe, më pas, kur kanë patur mundësinë, kanë prishur fletën e votimit.

 

Partia Socialiste, Edi Rama kryeministër, Erion Veliaj dhe të gjithë zyrtarët e tjerë të Partisë Socialiste janë kujdesur që nëpërmjet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe administratës zgjedhore, që e kishin totalisht nën kontroll, të fshihet numri i fletëve të votimit të pavlefshme, sepse është denoncues i këtij presioni që i është bërë administratës publike, për të marrë pjesë në votim.

 

Kemi manipulim të numërimit, transferim të votës së pavlefshme tek subjektet zgjedhore, kryesisht Partia Socialiste dhe e gjithë kjo është e lidhur drejtpërdrejt me presionin e ushtruar mbi administratën publike i cili ka prodhuar këtë rritje dramatike, siç është në rastin e Shkodrës me rritje 4.7 herë rritje të numrit të votave të pavlefshme në krahasim me 2017-ën, 6 herë në Tiranë në KAZAZ-në nr 40 në raport me 2017-ën, apo 6.4 herë në Elbasan në raport me 2017-ën.

 

Nuk ka ndodhur kurrë. Mesatarisht ka qenë 1.8 deri në 2%, kësaj rradhe ka shkuar në nivelet 10-13% fleta të votimit të pavlefshme.

 

Ne kemi vënë në dispozicion dokumentacionin zyrtar të marrë nga KQZ, gjithashtu videot të cilat janë përdorur për të numëruar një më një fletët e votimit në këto KZAZ do të bëhen të disponueshme për gazetarët.

 

Fakti është se kemi Prokurorinë e Republikës së Shqipërisë, e cila e kapur tërësisht nuk ka bërë asnjë veprim deri më sot, për të hetuar dhe për të vënë përpara përgjegjësisë penale ata që kanë panipuluar rezultatin zgjedhor tashmë në vetëvete farsë që për shkak të procesit, por i manipuluar tashmë edhe me fletët e votimit.

 

 

DEKLARATË SEKRETARI PËR ÇËSHTJET ZGJEDHORE  TË PARTISË DEMORKATIKE, IVI KASO

 

Përsa u përket filmimeve, të cilat do t’jua vëmë në dispozicion, të cilat tregojnë tipologjitë e shkeljeve që ne kemi denoncuar, të cilat kanë ndodhur në tavolinat e numërimit, si psh kalimi i disa fletëve bashkë, mund të lexohet vetëm e para, ose numërimi dhe tabulimi i fletëve, të cilat nuk kanë kaluar përmes procesit të kamerave. Në rradhë të parë është shkelje e dokumentuar dhe e vërtetuar nga ana jonë që nuk mund të përdoret sot për konsumim publik, por ju ftojmë që të verifikoni saktësinë e të dhënave të cilat ne ju vëmë në dispozicion.

 

Së dyti, shkelja që ato vërtetojnë, filmimet dhe dokumentimi i kamerave, nuk është thjeshtë i një aspekti thjesht formal ose e një aksesori të procesit dhe të votimit dhe numërimit, por detyrimi për grupet e numërimit që tabulojnë fletët e votimit, pasi janë numëruar në prezencë të kamerave ka një qëllim të shumëfishtë që lidhet drejtpërdrejt me vlefshmërinë e të gjithë procesit të votimit në atë qendër votimi.

 

Kalimi i fletës së votimit nga të dyja anët, nga anë e pasme ku verifikohen vulat, dhe nga ana e përparme ku verifikohet shprehja e vullnetit që është shprehur vetëm një herë, është një element substancial i procesit të numërimit që lidhet drejtpërdrejt me vlefshmërinë e procesit të votimit.

 

Jo vetëm kaq por ai bën lidhjen e fletës së votimit dhe vullnetit të shprehur në qëndrën përkatëse të votimit e cila presupozohet që të jetë nuke numëruar.

 

Verifikimi i procesit të vulës tregon që ajo fletë votimi dhe ai vullnet i shprehur ka kaluar përmes procesit të rregullt të votimit në qendrën e votimit ku zgjedhësit i është dhënë në dorë një fletë e vulosur dhe për më tepër e lidh atë votë e cila shënohet në proces verbalin përfundimtar me një qëndër të caktuar votimi.

 

Numërimi në grup i fletëve të votimit  ose numërimi jashtë prezencës së kamerave të fletëve të votimit, është një proces totalisht i paligjshëm që bën nul jo vetëm rezultatin dhe tabulimin e atij rezultati në një qendër përkatëse votimi, por të gjithë procesin e votimit dhe të administrimit të vullnetit të zgjedhësve në një qendër të caktuar votimi.

 

Pra shkeljet që ju bëjmë sot me dije janë shkelje subtanciale të cilat në një pjesë të madhe të rasteve invalidojnë dhe bëjnë të pavlefshëm të gjithë procesin e tabulimit dhe nxjerrjes së rezultatit përfundimtar në një KZAZ të caktuar ose në një zonë zgjedhore të caktuar që në rastin konkret është bashkia.