• Dështimi me negociatat për herë të katërt ka vulën e Edi Ramës. Për moshapjen e negociatave si Maqedonia, nuk e ka fajin as Europa, as opozita, por vetëm Edi Rama. Shqipërisë i duhet një drejtim i ri!

 

  • 9 kushtet e Bundestagut nuk reflektojnë problemet e politikës së brendshme gjermane, siç thotë Edi Rama. Duke i ikur përgjegjësisë për dështimin, ai faktohet se nuk e do integrimin europian.

 

  • 9 kushtet dhe kërkesat e Bundestagut gjerman përbëjnë një udhërrëfyes për daljen nga kriza e thellë. Nuk kemi kohë për të humbur me njerëz që kanë dështuar, kanë vjedhur dhe nuk duan të mbajnë përgjegjësi.

 

  • Atë që premtoi dhe nuk e arriti dot për dy mandate, nuk ka shans ta arrijë më! Ka ardhur koha të hapë krahun e të lejojë një vizion dhe rrugë të re për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza dhe për t’u shërbyer qytetarëve.

 

  • Shqiptarët nuk e meritojnë të mbeten mbrapa Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi për shkak të udhëheqjes së gabuar 6 vjeçare, një udhëheqje e lidhur thellësisht me krimin dhe e korruptuar deri në palcë.

 

  • Shqipërisë i duhet një drejtim i ri dhe na duhet shpejt! Ky drejtim vjen përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Reforma zgjedhore, që i hap rrugën zgjedhjeve të lira e të ndershme është prioritet i BE, i opozitës, i PD dhe i imi personalisht.

 

  • Plani i propozuar nga opozita i hap reformës së thellë politike dhe zgjedhore në vend, plotësimit të 9 kushteve të Bundestagut, nisjes së negociatave dhe zgjidh krizën, në të cilin ka futur vendin Edi Rama.

 

  • Për hapjen e negociatave është kusht i Bundestagut gjithëpërfshirja e forcave politike në reformën zgjedhore. Edi Rama nuk mund ta bëjë reformën zgjedhore me Tom Doshin dhe Vangjush Dakon.

 

  • Qendrimi i Ramës për një refomë zgjedhore me Doshin dhe Dakon është serum për të mbajtur në këmbë këtë pushtet të degraduar, që ka degraduar zgjedhjet dhe demokracinë dhe na mban larg Europës.

 

 

KONFERENCA E PLOTË ME GAZETARËT E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

 

 

Nga kjo foltore në praninë tuaj ju kam thënë ju dhe përmes jush, shqiptarëve që me mënyrën se si Edi Rama po mbyll dhe rrezikon rrugën shqiptare të integrimit europian, shpejt do të vijë dita kur të tregojë me gisht fajtorët. Dhe fajtor do të jetë çdokush, do të jetë opozita, do të jeni ju mediat, do të jetë Europa, do të jenë partitë politike europian. I vetmi person që nuk do të ketë asnjë përgjegjësi për këtë faj, do të jetë vetvetja. Dhe për fat te keq është bërë kaq i parashikueshëm, saqë fjalimin që ia parashikova para dy muajsh, sapo e mbajti në pseudoparlament.

 

E vërteta është se përgjegjësinë për dështimin për herë të katërt për hapjen e negociatave e ka Edi Rama dhe askush tjetër. Është dështimi i tij personal. Nuk është dështimi i Shqiperisë, nuk është dështim i shqiptarëve. Është dështim i Edi Ramës.

 

Është ky njeri në pushtet prej 6 vitesh, vitin e fundit, me dekret, edhe Ministër i Jashtëm dhe ky dështim ka vetëm vulën e tij përsipër. Premtoi se do të hapte negociatat dhe, siç duket qartë, dështoi, siç ka dështuar në çdo premtim tjetër. Shqiptarët e dinë mirë se ky nuk është dështimi i parë, as i dytë, as i tretë, por është dështimi më i i freskët në kaosin dhe në krizën ku e ka futur vendin në qeverisjen e tij të korruptuar dhe të lidhur me krimin.

 

Për këtë arsye Shqipëria është në krizë, shqiptarët po largohen masivisht nga vendi, ekonomia është në kolaps, ndërsa kushtet e Europës për Shqipërisë, sa vijnë e shtohen. Ishin 5, u bënë 7, tani janë 9, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit ecin përpara. Nëse do të ishte i vërtetë mashtrimi se këto vende janë kundër zgjerimit, pse i thonë Po Maqedonisë dhe Jo Shqipërisë? Arsyeja është fare e thjeshtë. Sepse Edi Rama ka dështuar në secilën prej fushave ku Shqipërisë i është kërkuar progres dhe tani kërkon t’i ikë përgjegjësisë.

 

Edhe sot nuk bëri gjë tjetër veçse i iku përgjegjësisë.

 

Duke i ikur përgjegjësisë për krimin, për drogën, për blerjen e votave, për mbrojtjen e kriminelëve, që u faktuan si pjesë e ekipit Rama në qeverisjen vendore,  nga Valdrin Pjetri tek Kajmaku, tek Babani,  duke i ikur përgjegjësisë për bashkëpunimin e ngushtë dhe mbrojtjen që u bën personave në listën e zezë të autoriteteve amerikane, nga Tom Doshi tek  Vangjush Dako, duke i ikur përgjegjësisë për diktatin e tij për dështimin e hetimit të blerjes së votave, duke I ikur përgjegjësisë dhe duke fshehur faktin se Shqipëria edhe këtë vit ka arritur rekorde të kultivimit të kanabisit, ndërkohë që faktohet sërish si bazë ndërkombëtare për trafikun e drogës, Edi Rama jo vetëm do që të heqë fajin nga vetja, por faktohet para shqiptarëve dhe partnerëve tanë se ai nuk e do integrimin europian. Sepse një vend që kërkon të integrohet në BE, që kërkon të bëhet anëtar i BE, një vend i tillë, një kryeministër që e mbush qeverisjen me kriminelë, që bën ligje për të vjedhur popullin e vet, taksat e popullit të vet, që ua merr tokën pronarëve dhe ua fal oligarkëve, që mban ministra të lidhur me krimin, nuk zgjat dot as 24 orë. Kjo është e vërteta!

 

  • Cili nga 9 kushtet reflekton probleme imagjinare të politikës së brendshme gjermane?!
  • Cili nga 9 kushtet gjermane nuk është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisjes së korruptuar dhe të inkriminuar të Edi Ramës?
  • Cili nga dy kushtet e reja, arrestimi dhe procedimi penal i personave të kapur duke vjedhur votat e shqiptarëve apo shprehja e Gjykatës Kushtetuese akoma jo funksionale e farsës së 30 Qershorit, është përgjegjësi e forcave politike gjermane e CDU-së apo e CSU-së apo e edhe vetë të partisë simotër të PS, të socialdemokratëve gjermanë që, po kështu, votuan për të njëjtin dokument?!

 

Është, pra, një përpjekje e varfër, e shteruar, e lodhur, e dalë boje si vetë Edi Rama për ta hedhur fajin dhe vëmendjen gjetkë, si gjithmonë, kur kapet gafil, kur kapet me presh në duar.

 

Ky nuk është momenti më për të vazhduar këtë lojë 6 vjeçare të hedhjes së fajit dhe të kërkimit të përgjegjësive gjetkë, kur përgjegjësi për këtë dështim ka një dhe vetëm një emër dhe ky është Edi Rama.

 

Shqipëria është në një krizë të thellë, një krizë të thellë ekonomike, një krizë të thellë punësimi, një krizë të thellë politike dhe 9 kushtet dhe kërkesat e Bundestagut gjerman përbëjnë shprehjen më koncize të një udhërrëfyesi, përbëjnë një udhërrëfyes për daljen nga kriza.

 

Nuk kemi kohë për të humbur me njerëz që kanë dështuar, kanë vjedhur dhe nuk duan të mbajnë përgjegjësi.

 

Tani është koha që njerëzit e përgjegjshëm të tregojnë se dinë t’i dalin zot vendit.Në këtë kohë të vështirë, kur biznesi është në kolaps, kur punësimi është zero dhe papunësia po rritet, kur frigoriferët e shqiptarëve janë bosh dhe nuk paguajnë dot faturat mujore të energjisë, ujit dhe taksat e rritura, kur krimi dhe korrupsioni po bën kërdinë dhe rrugët e qyteteve tona kthehen në skena përleshjesh me s’të vetmëve që bëjnë para në Shqipëri, trafikantëve të drogës, ndërkohë që rinia e ka mendjen të largohet nga vendi, vendi ka mbetur në marsh indietro, ndërsa Edi Rama e ka mendjen të krekoset dhe të tregojë me gisht fajtorët imagjinarë.

 

Dështimet e Edi Ramës po i paguajnë qytetarët, po i paguan populli, po i paguan rinia, po i paguajnë pensionistët, fermerët. Janë ata, jeni ju të dashur qytetarë, që po paguani për dështimin spektakolar të qeverisjes së korruptuar dhe të falimentuar të Edi Ramës.

 

  • Në vend që të ndërtojë vendet e punës që premtoi, shkatërroi vendet e punës dhe i detyroi shqiptarët të shkojnë në azil.
  • Në vend që të sillte zgjidhje për problemet, solli më shumë probleme.
  • Në vend që të luftonte korrupsionin, e futi në çdo qelizë të shtetit, në çdo zyrë të shtetit.

 

Është e qartë që atë që premtoi dhe nuk e arriti dot për dy mandate, nuk ka shans ta arrijë më!

 

Ndaj, ka ardhur koha të hapë krahun e të lejojë një vizion të ri, një rrugë të re, me mundësi për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza dhe për t’u shërbyer qytetarëve shqiptarë.

 

Nuk ka pse të jemi në këtë gjendje.

Nuk e meritojnë shqiptarët këtë gjendje.

Nuk e meritojnë shqiptarët të mbeten prapa Maqedonisë.

 

Serbia ka nisur negociatat, Mali i Zi ka nisur negociatat, tani do t’i nisë edhe Maqedonia.

 

Ne nuk e meritojmë të mbetemi mbrapa, sepse kemi një popull të talentuar, një popull të zgjuar, një popull punëtor, por kemi drejtimin, udhëheqjen e gabuar tash 6 vite. Një udhëheqje të gënjeshtërt, me premtime të pa mbajtura, me dështime të shumta dhe, mbi të gjitha, të lidhur thellësisht me krimin dhe të korruptuar deri në palcë.

 

Na duhet një drejtim i ri dhe ky drejtim i ri na duhet shpejt!

 

Ky drejtim vjen përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

 

Reforma zgjedhore që i hap rrugën zgjedhjeve të lira e të ndershme, është prioritet i Bashkimit Europian, është prioritet i shqiptarëve, është prioritet i opozitës, është prioritet i Partisë Demokratike dhe i imi personalisht.

 

Për këtë arsye, përtej llafeve të bukura, batutave dhe fjalimeve boshe të Edi Ramës, ne kemi propozuar një plan të qartë, i cili i hap rrugë ndryshimeve, reformës së thellë politike dhe zgjedhore në vend. I hap rrugë po kështu, plotësimit të 9 kushteve të Bundestagut gjerman, hapjes së negociatave për Shqipërinë, dhënien fund të krizës politike dhe nxjerrjes së vendit nga kriza ekonomike dhe sociale ku e ka futur Edi Rama.

 

Ndaj, dua ta përsëris edhe njëherë: Plani është mbi tavolinë. Ta marrë, ta zbatojë, jo për hirin tim e qejfin tim apo të PD, por për hir të qytetarëve shqiptarë.

 

Ta zbatojë ose të hapë krahun!

 

Kjo nuk është një betejë as për Edi Ramën, as për Lulzim Bashën. Kjo është një betejë për të nxjerrë vendin nga kriza dhe ne me përgjegjësinë maksimale kemi propozuar hapat dhe rrugën për nxjerrjen e vendit nga kriza. Një pjesë e mirë e tyre është materializuar në kushtet e Bundestagut. Sa i përket Reformës Zgjedhore, në planin tonë me 5 pika konkrete. Koha nuk pret. Tani është momenti të marrim përgjegjësitë për vendin tonë, për qytetarët tanë dhe t’i japim fund njëherë e mirë kësaj krize.

 

Pyetje: Zoti Basha, Jolldiz Mitro, Televizioni Klan. Ju sërish i kujtuar kryeministrit Rama që të hapë krahun, por edhe ai nga Parlamenti ua hapi në fakt krahun kur tha se “për reformën zgjedhore nuk i duheni ju për ti vënë kushte që jeni jashtë Parlamentit, mund ta kaloj këtë reformë edhe me opozitën parlamentare”. Një koment lidhur me këtë qëndrim?

 

Lulzim Basha: Po të lexoni kushtet e Bundestagut, flasin ato më shumë se sa fjalët boshe të një njeriu të dështuar dhe të kapur për herë të katërt në mashtrim. A ju tha vjet që i hapi negociatat?! A ishit ju, a ishte TV Klan bashkë me televizionet e tjera që treguat pamjet e shampanjës për hapjen e negociatave. Nxorët dhe titrat e mëdha: U hapën negociatat, apo i nxora unë?! Pra, të mos bëhemi dhe ne pjesë e mashtrimit. Unë jo që jo, as kjo parti, por ju ftoj edhe ju që të mos bëheni pjesë e mashtrimit. Si do ta bëjë ai Reformën Zgjedhore pa opozitën?! E ke në kushtet e Bundestagut. Merreni dhe lexojeni. Keni edhe përkthimin zyrtar, kortezi e autoriteteve gjermane, që e thotë fare qartë. Po të do ju citoj dhe unë, ndonëse dokumentin e keni sepse është shpërndarë dhe është publik: “Konferenca e parë e anëtarësimit të zhvillohet kur qeveria gjermane të konstatojë plotësimin e kushteve të mëposhtme nga Shqipëria.

 

  1. Sigurimi i vënies në punë dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke angazhuar një numër të arsyeshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh të verifikuar.
  2. Të merret vendim për Reformën Zgjedhore që të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe që siguron një financim transparent të partive dhe fushatave zgjedhore, (siç e kemi kërkuar në planin tonë prej 5 pikash). Të bazohet në rezultatet e Komisionit ad hoc të reformës zgjedhore. Rishikimi i draftit duhet të bëhet në dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike, siç rekomandohet edhe në raportin e ODIHR të 5 shtatorit 2019.”

 

E zezë mbi të bardhë nga Bundestagu. Merreni dhe lexojeni raportin e ODIHR se çfarë thotë.

 

Vetëm në mendjen e një njeriu që nuk e do integrimin, që do të fshihet prapë për dështimin tjetër të radhës për hapjen e negociatave, mund të thotë “e marr dhe e bëj unë”. Me kë do ta bëjë? Me Tom Doshin do ta bëjë? Me Vangjush Dakon? Me Avdylajt? Me Ymer Lalën? Me Jurgis Çyrbjen? Me kë do ta bëjë Reformën Zgjedhore? Për kë bëhet reforma zgjedhore? Që kriminelët të vazhdojnë të jenë në Parlament dhe të vazhdojnë të marrin vendime në emër të shqiptarëve dhe të vazhdojnë të grabisin pasuritë e shqiptarëve, bregdetin e shqiptarëve pyjet, guroret, mineralet, naftën, tokat, taksat, tenderat, koncesionet?! Për këtë bëhet reforma zgjedhore? Sigurisht që jo! Kjo nuk është reformë zgjedhore. Ky është serum për të mbajtur në këmbë një pushtet të degraduar, që ka degraduar zgjedhjet dhe ka degraduar demokracinë, prandaj nuk futemi në Europë.

 

Të mos humbasim kohë me fjalimet boshe të një njeriu që, mesa duket, nuk ka se çfarë ofron më. Ky është shansi i fundit për Partinë Socialiste që të kontribuojë në zgjidhjen e krizës së rëndë politike, siç e ka konstatuar edhe dokumenti i Bundestagut.

 

Opozita ka marrë përgjegjësitë e saj, ka hartuar një plan me 5 pika, prandaj, edhe një herë e përsëris: ta zbatojë jo për hir timin apo PD, por për hir të qytetarëve shqiptarë, që e meritojnë integrimin në Bashkimin Europian! Të mos fshihet pas dështimit të radhës dhe të mos tregojë me gisht këdo, përveç vetes, për këtë dështim, se vetëm ai është përgjegjës për këtë dështim. Të zbatojë planin ose të hapë krahun!

 

Pyetje: Ju e thatë sot, e keni thënë edhe në komunikimin e fundit që keni pasur me ne, se Partia Demokratike është e gatshme të bëjë gjithçka për t’i mundësuar vendit tonë hapjen e negociatave. Ripërsëritët qëndrimin tuaj se duhet të plotësohen 5 kushtet për Reformën Zgjedhore që është një nga kushtet e Bundestag-ut, por në kushtet kur Kryeministri i vendit refuzon t’i zbatojë këto 5 pika që ju i keni bërë publike në emër të integrimit dhe zotimit tuaj për të ndihmuar procesin e hapjes së negociatave, a është e gatshme PD të jetë në komunikim me socialistët për të rishikuar ndonjë prej pikave që lidhet me Reformën Zgjedhore?

 

Lulzim Basha: Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar kanë parashtruar një plan me 5 pika. Përgjegjësia jonë si opozitë është tërësisht e materializuar në këtë plan. Përgjegjësia jonë para shqiptarëve për të dhënë rrugën e daljes nga kjo krizë. Nuk është as hera e parë dhe as e dytë që Edi Rama fshihet, dredhon dhe i bën bisht përgjegjësive të tij. Por ne do të bëjmë gjithçka që kjo të jetë hera e fundit.

 

Pyetje: Zoti Basha, kur ju bëtë deklaratën ditën e djeshme për planin tuaj prej 5 pikave që ta pranonte zoti Rama, i thatë prano planin ose hap krahun. Ndërkohë në një deklaratë të kryeministrit Rama ju quajti karrocë me kalë, ndërsa veten tren. Si e komentoni?

 

Lulzim Basha: E komentoi Nard Ndoka, e ke besoj edhe komentin e Nardit, s’i heq asnjë presje. E mori përgjigjen nga z. Ndoka. Tren rrangallë, mbushur me kriminelë dhe oligarkë, tren i dalë nga shinat, kush përfaqëson popullin? Ky që mbron interesat e kriminelëve dhe oligarkëve? Ky që e trajton popullin si dele për t’i blerë votën me 20 mijë lekëshin që ia vjedh popullit. Këto janë faktet, kjo është edhe përgjigja ime.

 

Pyetje: Nëse maxhoranca arrin me opozitën e re që të votojë Reformën Zgjedhore, cili do të ishte reagimi juaj?

 

Lulzim Basha: Kush është opozita e re?

 

Pyetje: Ajo që ishte sot në Parlament…

 

Lulzim Basha: S’ka opozitë të re dhe opozitë të vjetër. Ka vetëm një opozitë dhe një parlament monist në të cilën ka njerëz që përfaqësojnë në rastin më të mirë, veten e tyre dhe askënd tjetër. Termi “opozitë e re” është term i medias së vjetër të kapur dhe të shantazhuar nga qeveria. Ka vetëm një opozitë politike, e cila përfaqëson sot shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë. Edhe me statistikat e zgjedhjeve të vjedhura të vitit 2017, edhe me statistikat e zgjedhjeve të vjedhura të vitit 2015 ka një opozitë politike që është Partia Demokratike dhe aleatët e saj.

 

Pyetje: Ju e cilësoni ilegjitim Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe keni kërkuar në planin e parashtruar në tryezën e organizuar nga OSBE ngritjen e një strukture ekstra-parlamentare në përbërje të ndërkombëtarëve BË-së, SHBA-së, OSBE-ODHIR, e keni marrë mbështetjen nga partnerët ndërkombëtarë për ngritjen e kësaj strukture që ju kërkoni të bëjë Reformën Zgjedhore?

 

Lulzim Basha: Partia Demokratike ka përgjegjësinë bashkë me opozitën që në këtë situatë të rëndë politike të tregojë hapat për të dalë nga kriza dhe ka bërë pikërisht këtë. Sot ju jeni përballur me shfaqen më të shëmtuar të një njeriu që thotë se, nuk po i bllokoj unë negociatat, sepse prapë kam kandiduar kandidatë me rekorde kriminale si Valdrin Pjetri, Jorgo Kajmaku, si Mark Babani, se jam prapë unë që jam pazgjidhshmërisht i lidhur me Vangjush Dakon, me Tom Doshin, jam unë ai që ndikoj që dosjet e blerjes së votave në vend që të shkojnë drejt arrestimit dhe dënimit të personave, siç kërkon Bundestag-u, i marr dhe i degdis në Dibër, që të mbyll hetimet. Jam unë ai që, në bashkëpunim me Sajmir Tahirin ,nga njëra anë 19-vjeçari vret veten për një cigare hashash, ndërsa Ministri i Brendshëm, kreu i trafikut të drogës nuk dënohet me një ditë burg. Këto pra janë të vërtetat. Kemi një opozitë që ka marrë përgjegjësinë dhe ka një plan për daljen nga kriza dhe kemi një njeri që për dështimin që është vetëm i tij, ka vetëm e tij, ka vetëm emrin e Edi Ramës, ka vetëm vulën e Edi Ramës, dështimin për të hapur negociatat, shtimin e kushteve për Shqipërinë, për shkak të përkeqësimit të dukshëm për çdo shqiptar të situatës politike, të korrupsionit, të krimit në Shqipëri, mundohet të gjejë fajtorë kudo, përveçse tek vetja e tij. Sot u shtoi fajtorëve të zakonshëm që janë opozita, mediat, dhe popullit shqiptar, edhe Partitë Popullore Europiane. Dhe këtë e bën një njeri që partinë e tij e ka bërë njësh me krimin, që partinë e tij e ka lënë në mëshirë të trafikantëve të drogës, vrasësve, përdhunuesve. Ky absurd duhet të marrë fund.  Në fakt nuk kemi kohë të merremi më me një njeri tërësisht të dështuar dhe të falimentuar politikisht dhe moralisht përpara shqiptarëve. Për këtë arsye kemi hedhur këtë hap të pazakontë, sepse nuk i takonte opozitës ta hidhte hapin e parë, por e kemi hedhur sepse është e qartë se Edi Rama dhe pushteti i tij kanë falimentuar dhe ka shteruar në çdo aspekt. Plani është mbi tavolinë, plani është i qartë, bazohet në 9 kushtet e Bundestag-ut, bazohet në raportin e OSBE/ODHIR, ta marrë, ta zbatojë, ose nëse nuk ka vullnet ta zbatojë, të hapë krahun se ka kush e zbaton.

 

Ju faleminderit.