Dhuna e policisë e ushtruar mbrëmjen e 11 tetorit kundrejt protestuesve të “Unazës së Re”, ka sjellë reagimin e Partisë Demokratike pranë Prokurorisë së Tiranës.

 

Pas depozitimit të kallëzimit penal (KALLEZIM) nga PD kundër funksionarëve të lartë të policisë së Tiranës, të cilët në shkelje të të drejtave të njeriut dhe Kushtetutës, arrestuan protestues paqësorë dhe përfaqësues të medias, Gent Strazimiri, Albana Vokshi dhe Oriola Pampuri i bënë thirrje prokurorisë të veprojë dhe të ketë vullnet të indentifikojë dhunuesit me apo pa uniformë.

 

DEKLARATA E GENT STRAZIMIRIT PËRPARA PROKURORISË SË TIRANËS

 

Partia Demokratike ka dorëzuar sot pranë prokurorisë një padi kundër Policisë së Shtetit e cila prej 350 ditësh po sillet si një bandë, që nuk e meriton uniformën, me banorët e Unazës së Re.

 

Prej 350 ditësh, e vetmja gjë e paligjshme që po ndodh tek “Unaza e Re”, është një projekt i cili është mirëmenduar dhe papërgatitur, për të grabitur shqiptarët me një kosto prej 20 milion eurosh, për km, ashtu sikurse është programuar në mënyrë të pashpirtë, për të grabitur banorët e Unazës së Re, për t’i shveshur ata nga gjëja më e shtrenjtë që ka njeriu, nga shtëpitë e tyre, bizneset e tyre, apo çdo tullë apo pëllëmbë toke që kanë kultivuar me djersën e ballit.

 

Jemi këtu sot për t’i bërë thirrje prokurorisë së shtetit, të marrë menjëherë në ndjekje penale, autorët e kësaj shkelje të të drejtave të njeriut dhe Kushtetutës.

 

Autorët e kësaj grabitje të cilët tashmë janë të mirënjohur për opinionin publik dhe të ndalë dorën gjakatare dhe të pamëshirshme të oligarkëve kundrejt banorëve të “Unazës së Re” dhe të ndalë dorën e përlyer në mënyrë të përsëritur, me grabitjen e parave të shqiptarëve, ashtu sikurse do ta bënte një pushtues i pashpirt.

 

DEKLARATA E ALBANA VOKSHIT PËRPARA PROKURORISË SË TIRANËS

 

Po mbrëmë dhjetëra policë me uniformë, ap të veshur civilë kanë kryer një akt tjetër të pashembullt, një akt kriminal ndaj punonjësve të medias.

 

Mbi Ledio Dunin dhe Rigert Kapllanin është ushtruar dhunë fizike, psikologjike dhe verbale, u janë shkatërruar të gjitha materialet filmike, të gjitha fotografitë, janë kërcënuar dhe shantazhuar që të mos denonconin.

 

Bëj me dije se ata ishin në krye të detyrës duke raportuar në kohë reale protestën e banorëve të “Astirit”.

 

Dhuna ndaj medias, dhuna ndaj fjalës së lirë, mostransparenca, ndalimi i informimit të publikut mbi atë çka po ndodh jo vetëm në “Astir”, por edhe në Shqipëri, është jo vetëm antikushtetuese, antiligjore, por përbën edhe rrezik për demokracinë.

 

Ndaj, ne jemi sot këtu, para prokurorisë, për t’i kërkuar asaj, të identifikojë çdo polic me uniformë, apo pa uniformë që mbrëmë ka guxuar të ngre dorën ndaj medias që duhet të jetë e lirë.

 

Pyetje: Çfarë provash keni sjellë?

 

Albana Vokshi: I kemi depozituar të gjitha. Janë dërguar në prokurori bazuar edhe në nenet, shkeljet që kanë bërë policia për dhunën që është ushtruar ndahj qytetarëve, nënave, motrave dhe ndaj punonjësve të medias.

 

Një pjesë e mirë e pamjeve janë shkatërruar me dhunë nga policia me uniformë dhe dhjetëra policë pa uniformë, kanë mbetur disa pamje filmike, por jam e sigurt se prokuroria nëse do të ketë vullnetin dhe do të dojë mund të gjejë pamje, prova, jo vetëm filmike por edhe dëshmitarë okularë.

 

 

DEKLARATA E ORIOLA PAMPURIT PËRPARA PROKURORISË SË TIRANËS

 

 

Prej tre ditësh në “Unazën e Re” ka pasur një situatë shumë të trazuar. Janë marrë disa qytetarë, protestues të pafajshëm. Ata kanë 365 ditë, prej një viti qëndrojnë aty për të mbrojtur banesat e tyre.

 

Dhe në këto tre ditë ata janë marrë pa asnjë justifikim, sepse nuk mund të ketë justifikim të tillë kundrejt protestave paqësore që ata kanë kryer, dhe përveç kësaj, në ditën e djeshme janë thirrur në komisariat edhe përfaqësues të opozitës përfshirë mua, z.Balliu, përfaqësuesin e LSI-së, Z. Brahimllari, për t’u paraqitur në Komisariatin nr.6, kjo e gjitha përse qëndrojnë pranë banorëve të “Unazës së Re”. Dhe të gjitha arrestime, thirrje në Komisariat, ndalime, e gjithë kjo dhunë, kundrejt banorëve është bërë vetëm sepse ata protestojnë për të mbrojtur banesat e tyre.

 

Ne i bëjmë thirrje prokurorisë që të ndalë menjëherë këtë lloj reagimi dhe këtë lloj dhune që ka ndaj qytetarëve, banorëve, protestuesve që protestojnë në mënyrë paqësore prej një viti për të drejtat e tyre.

 

Të ndalin këtë lloj dhune dhe reagimi, pasi reagimi qytetar është normal në një vend demokratik dhe të reagosh në të kundërt, është të shkelësh të drejtat njerëzore.

 

Prej një viti janë duke u shkelur të drejtat njerëzore, duke mos kthyer asnjë përgjigje kundrejt një kërkese fare jerëzore. Banesa streha të cilën ata po mbrojnë. I bëjmë edhe një herë thirrje prokurorisë të jetë e vëmendshme ndaj çdo individi dhe përfaqësuesi të policisë me apo pa uniformë, të marrë masa kundrejt këtyre akteve të papreçendetë që kanë tre ditë që i kryejnë me banorët e “Unazës së Re”.