- Bujqësia për ne është prioritet kombëtar. Qeveria shqiptare e vetmja në rajon që nuk mbështet fermerët duke mbyllur aksesin në treg dhe përqëndruar importin e prodhimeve bujqësore në duart e pesë oligarkëve.
Do të marrë fund, shfrytëzimi i fermerit shqiptar për të favorizuar pesë grosistë, miq të qeverisë dhe kryeministrit, një bande hajdutësh që pasurohen në kurriz të mundit të shqiptarëve.
Në “Rrugëtimin për Shqipërinë” ky ka qenë zotimi i kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për bujqësinë, në bashkëbisedim me fermerët në Urën Vajgurore, teksa theksoi se ashtu siç i dëgjon, i kupton sot, kështu edhe nesër në qeverisje do të jetë krah tyre për një treg konkurues për ta dhe jo falimentues, përballë fermerëve të rajonit.
“Bujqësia është në kolaps. Fermerët janë të prag të falimentit. Prodhimet tona në vend që të furnizojnë tregun e brendshëm, kalben sepse nuk arrijnë tek konsumatori dhe nuk konkurojnë dot me produktet e importit, me një skemë mafioze oligarkësh të cilët për të mbushur xhepat e tyre kanë hapur portat e importit duke dëmtuar në palcë prodhimin vendas. Kjo krizë ka zgjidhje. Nuk është pa zgjidhje. Zgjidhja fillon nga një qeveri që ju dëgjon, nga një kryeministër që ju dëgjon dhe kupton hallet tuaja.
Zoti Basha duke renditur 5 pikat e programit për bujqësinë, tha se Partia Demokratike ka një plan të qartë dhe të detajuar sipas modeleve europiane të cilat kanë dhënë rezultat konkret dhe jo premtimeve e fjalëve propaganduese pa asnjë rezultat.
“ 1. Ndryshimet e TVSH-së do të marrin fund. Terrori për të pajisur fermerin me NIPT do të marrë fund. Fermeri do të indentifikohet me nr personal të indentifikimit.
- Çdo vit do të ndajmë 100 milionë euro në buxhet vetëm për t’ju subvencionuar dhe që nuk do të kalojë nëpërmjet grumbulluesve por dretpërdrejt tek fermeri në bazë të prodhimit. Subvencionim fiks për çdo tonelatë prodhim. Ky subvencion do të paguhet drejtpërdrejt tek fermeri pa asnjë kufizim. Nqse çertifikohet prodhimi, do të marrësh drejtpërdrejt subvencion.
- Në paketën tonë për arsimin e lartë do të zerohen tarifat për bachelor dhe master, bursë mbështetëse për fëmijët tuaj të cilët duan të marrin aftësi profesionale në sektorët që i shërbejnë zhvillimit rural.
- Aksesi i prodhimeve tuaja në treg do të jetë i garantuar. Nuk do të kletë më barriera, monopole dhe trarë të fshehur që çojnë në kalbjen e produkteve. Fermeri shqiptar nën qeverisjen time nuk do të ketë asnjë pengesë për ta çuar prodhimin në treg dhe për ta shitur e marrë fitimin që i takon.
- Në infrastrukturë, siç do të rezervojmë 100 milionë euro për subvencionet, do të rezervojmë 50 milionë euro çdo vit. Ky do të jetë mkinimumi. 50 milionë euro infrastrukturës në shërbim të bujqësisë, duke filluar nga rrugët kryesore, në sera dhe ara, në vaditje, kanalizimet, mbështetja me energji elektrike, mbështetje me impiantet e përpunimit bujqësor, çdo vit 50 milionë euro infrastrukturës ndihmëse”, tha Basha në bashkëbisedim me fermerët.
Basha: Fermeri nuk merr asnjë qindarkë subvencion. Përparësi absolute që ditën e parë të qeverisjes për problemet që kanë çuar në kolaps bujqësinë.
Zoti Basha theksoi se subvencionimi i bujqësisë është në zemër të programit sipas standardeve europiane, ndryshe nga kjo qeveri e ky kryeministër të cilët dëmin më të madh ia ka bërë bujqësisë duke e braktisur edhe nga financimet e trashëguara nga qeverisja e Partisë Demokratike.
“100 milionë euro suvbvencione marrin fermerët e Kosovës. 100 milionë euro suvbvencione marrin fermerët e Maqedonisë së Veriut, prodhimet e tyre jo vetëm furnizojnë tregun vendas, por eksportohen në Shqipëri. 15 milionë euro të cilat subvencionoheshin nga qeveria e Partisë Demokratike për bujqësinë sot tretet nga viti në vit. Vjet ishin 7 milionë euro dhe 4 milionë u disbursuan dhe ato i shkuan 5 klientëve të Edi Ramës”, tha Basha, duke siguruar fermerët se të gjitha problemet që kanë çuar në këtë kolaps të bujqësisë do të trajtohen me përparësinë më absolute që ditën e parë të marrjes së mandatit qeverisës nga vota e lirë e qytetarëve.
“Thirrja e parë që kam është që të mos dorëzoheni. Kanë qenë vite të vështira, jo prej Zotit as prej motit, por prej qeverisë. Një ditë e mirë po vjen për ju dhe familjet tuaja. Zotimi im është që qeveria e ardhshme nuk do t’ju ketë prapa listës apo në fund të listës, por do ta ketë fermerin shqiptar dhe bujqësinë shqiptare në krye të listës me buxhet, me financa, me masa konkrete dhe jo me fjalë. Çdo pikë djerse e fermerit shqiptar të mos shkojë dëm, mos të shkojë në kanal por të kthehet në punësim, para, mirëqenie, kreditim për ju dhe fëmijët tuaj” tha Basha .
Basha: Me planin tonë për arsimin e lartë dhe profesional të rinjtë nuk do të largohen por do të financohen për edukim në fusha përkatëse të bujqësisë për t’i shërbyer familjes së tyre në vendin e tyre.
“Bujqësia është goditur edhe nga largimi i të rinjve. Por me planin tonë për arsimin e lartë dhe profesional, një pjesë shumë të madhe të subvencionimit të arsimit të lartë në fushën e agronomisë, veterinarisë, zooteknikës, inxhinierëve të pyjeve dhe mjedisit, peshkimit, bletarisë do të marrë subvencionim me para të fëmijëve tuaj për arsimin e tyre në këto fusha. Të kemi bujqësi konkurruese me rajonin, që sjell prodhimin e freskët dhe cilësor në tavolinat e shqiptarëve, që tepricën nuk e derdh në kanal por e eksporton”.
Basha: Kriza politike zgjidhet me votën e shqiptarëve. Po të bëheni bashkë të gjithë, kjo qeverie bie për 24 orë.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha theksoi se kjo qeveri ka ndërtuar një mekanizëm me kriminelët që blejnë votën.
“Dolëm nga Parlamenti me njerëzit në rrugë dhe sot Bundestagu thotë se në Shqipëri ka një krizë të rëndë politike, pa zgjidhur këtë krizë nuk ju hapim derën. Arresto ata që vodhën votat, garanto votën e shqiptarëve, bëj zgjedhje, pastaj të hapim derën e Europës. Këtë që arritëm me Bundestagun e arritëm me gjithë Europën dhe me SHBA. Sot në tryezë është shtruar për zgjidhje kriza politike shqiptare. Kjo krizë zgjidhet me votën tuaj, me zgjedhje zgjidhet kriza. Nëse të gjithë bëhemi bashkë dhe nuk lejojmë e nuk pranojmë shitjen e votës, nëse të gjithë bëhemi bashkë me shpirt dhe me mendje për një Shqipëri të vlerave të vërteta dhe jo të krimit, kjo qeveri bie për 24 orë. Qëllimi është të bëhemi të gjithë bashkë të sjellim sa më parë ditën e votimit për të sjellë një Shqipëri europiane. Unë kam për detyrë t’ju them se përpara keni një alternativë europiane, një parti europiane, një kandidat për kryeministër europian që është gati t’ju ndihmoj, që di t’ju ndihmoj, që do t’ju ndihmoj, që ka vendosmërinë t’ju ndihmoj”, tha Basha, në bashkëbisedim me fermerët e Urës Vajgurore.