- Edi Rama ktheu vjedhjen në art si qëllimin e vetëm të qeverisjes së tij. Shqipëria vendi i tretë në botë për korrupsion pas Sierra Leones dhe Laosit dhe askush nuk flet.
Politikat abuzive të qeverisë e kanë renditur Shqipërinë në vendin e tretë më të korruptuar të botës, pas Sierra Leones dhe Laosit, duke braktisur premtimet të cilat ishin mashtrime ndaj shqiptarëve dhe në veçanti ndaj bujqësisë e cila nga korrupsioni dhe vjedhja qeveritare është e shkatërruar, e varfëruar dhe e falimentuar.
Në “Rrugëtimin për Shqipërinë” Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, solli në vëmendje nga Devolli situatën tronditëse për ekonominë e vendit dhe korrupsionin e qeverisë të cilën Edi Rama mundohet ta fshehë me propagandë të paguar nga taksat e shqiptarëve, para të cilat më pas ia jep një grushti oligarkësh.
“Të gjitha paratë e taksave tuaja i devijon dhe i bën rrush e kumbulla me të ashtuquajturat konçensione e PPP që në fakt janë emra të sajuar sepse bëhet fjalë për vjedhje të pastra. E shihni si heshtin disa prej mediave kryesore të vendit? Duhet t’ua fikim ekranet dhe të mos i shikoni fare se kanë vetëm një detyrë, t’ju helmojnë mendjen, t’ju mbysin me propagandë, t’ju mbysin me shfaqje të shëmtuara ndërkohë që ata vetë financohen me paratë që ju vidhen ju, nga Edi Rama. Askush nuk flet për këtë. Jemi të tretët në botë për korrupsion. Si erdhëm këtu? Kush ma solli këtu? Ju e sollët? Opozita? Sigurisht, e solli një njeri i vetëm, i cili e ktheu vjedhjen në art, në qëllimin e vetëm të qeverisë së tij”, tha Basha.
Kryetari i opozitës theksoi se dhjetëra milionë euro janë zhdukur pa lënë gjurmë.
“Shikoni Koorporatën e Investimeve, koorporatën e hajdutërisë që është bërë për t’i marrë pronat shqiptarëve, pasuritë publike të shqiptarëve, për t’ia dorëzuar 3-4 miqve të Edi Ramës. Shikoni tenderat që janë pa konkurrencë, sepse janë paracaktuar ata që do t’i fitojnë me çmimin maksimal dhe mbasi i marrin me çmimin maksimal e rrisin edhe më shumë vlerën e kontratës. Kush paguan? Ju paguani. Shqiptarët paguajnë”, tha Basha përballë fermerëve të Devollit të cilët u shprehën se prodhimet e tyre nuk shiten pavarësisht kostos mjaft të ulët të tyre.
- Bujqësia është e braktisur, fermeri i është nënshtruar presionit dhe terrorit të shtetit. Buxheti po tkurret edhe më shumë për bujqësinë. Shqipëria i vetmi vend në Ballkan ku qeveria nuk e mbështet fermerin me para, por ia jep një grushti oligarkësh. Zgjidhja është plani ynë, financim i drejtpërdrejt 100 milionë euro që në vitin e parë.
Fermerët ngritën shqetësimin se produktet e tyre hidhen në kanal, tonelata u mbeten stok, subvencione nuk kanë dhe janë në kufijtë e mbijetesës të goditur edhe nga terrori shtetëror.
“Nga Kapshtica dhe Kakavija, kamionët vijnë drejt Shqipërisë duke mbytur tregun me prodhimet e huaja. Bujqësia e vendit është e braktisur dhe pa mbështetje, pa subvencione, sepse ka taksa të larta dhe çmime të larta në naftë dhe energji duke e bërë të pakonkurueshëm prodhimin tonë me prodhimin e huaj, pasi vijnë në treg me çmime më të larta, me kosto më të larta”, tha Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike risolli në vëmendje se Maqedonia e Veriut dhe Kosova, dy shtete më të reja se Shqipëria financojnë sektorin e bujqësisë me nga 100 mln euro në vit subvencione për fermerin, ndërsa qeveria shqiptare e ka lënë në harresë fermerin shqiptar.
Por zgjidhja, tha Kryetari Basha, është plani ynë:
“Çertifikim i sasisë dhe cilësisë së prodhimit për të hyrë në treg. Me certifikimin e tyre menjëherë fermeri përfiton për çdo kuintal prodhim dhe në funksion të kësaj do të buxhetohet çdo vit që në vitin e parë, 100 milionë euro direkte nga buxheti i shtetit. Gjithçka do të bëhet digjitale pa pasur nevojë të shkohet në zyra. Avantazhi i digjitalizimit me një kartë, me një çip mund të shmanë korrupsionin dhe gjithçka do të jetë transparente”, garantoi Basha.
- Për Edi Ramën është jetike kapja e drejtësisë. Paligjshmëria dhe padrejtësia prodhojnë vetëm varfëri dhe mjerim. Zgjidhja e vetme janë zgjedhjet dhe kthimi i legjitimitetit të parlamentit.
Kryetari i opozitës Basha theksoi se paligjshmëria dhe padrejtësia prodhojnë vetëm varfëri dhe mjerim.
“Edi Rama e ka jetike kapjen e drejtësisë, të bllokojë reformën në drejtësi, duke caktuar prokurorë si kukulla, gjyqtarë në Gjykatë Kushtetuese. Njësoj siç paracakton tenderat, paracakton edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, pa garë, ata që do Ardian Dvorani, simboli i korrupsionit dhe i kapjes së shtetit, vegla dhe masha e Edi Ramës që nuk do të lërë institucion pa kapur sepse ai e ka jetike t’i kapë institucionet. Nqse institucionet funksionojnë i pari që duhet të shkojë për ndjekje penale, për dhjetëra vepra penale është Edi Rama dhe gjysma e kabinetit dhe ish-kabinetit të tij qeveritar” , tha Basha duke fuqizuar bindjen se zgjidhja e vetme për këtë situatë janë zgjedhjet dhe kthimi i legjitimitetit të parlamentit.
“Fuqia është tek njerëzit. Të gjithë bashkë të respektojmë vlerë e votës në demokraci me gjithë vështirësitë dhe problemet që e ka çuar një palo kryeministër. Nqse njerëzit bashkohen dhe janë të vendosur ta ndryshojnë, asgjë nuk na pengon, as krimineli më i keq, as rryshfeti më i madh nuk jua blen dot bukën e fëmijëve për katër vite, nuk jua blen dot dinjitetin për katër vite, nuk ju skllavëron dot nqse kuptojmë vlerën e votës”, theksoi Basha.
Ai theksoi se gjithë bota e ka parë se ky parlament është pjellë e krimit dhe korrupsionit ndaj opozita u largua nga ai parlament, jo për të ikur nga politika, por për t’i dhënë mundësi qytetarëve që të zgjedhim një parlament të qytetarëve, që vjen nga vota e qytetarëve.
“Vota juaj të ndikohet jo nga përrallat e mashtrimet që u zbuluan njëra pas tjetrës, nga shëndetësia falas tek legalizimet falas dhe të gjitha ishin gënjeshtra që një kalçeto maskarenjsh të kapnin pushtetin, por nga platforma politike e cila ju ndihmon, të cilën do e votoni me votë”, tha Basha në bashkëbisedim të hapur me fermerët e Devollit.