- Përpjekja e Edi Ramës për të kapur Gjykatën Kushtetuese, tregon qartë se kush nuk e do drejtësinë e pavarur; cili dhe cila forcë ka investuar tash tre vjet ta kapte, ose ta bllokonte Reformën në Drejtësi. Tregon se kush nuk do e gjyqësorin e pavarur, kush nuk e do SPAK-un dhe drejtësinë, sipas Kushtetutës
- Kurajo me të cilën ky kryeministër u përpoq të shkelë Kushtetutën, që të kapë një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, tregon dimensionin e vërtetë kriminal të këtij plani për kapjen e çdo institucioni. Është mbi të gjitha treguesi i paligjshmërisë totale ku noton vendi.
- Edi Rama e kishte jetike kapjen e Gjykatës Kushtetuese sepse e dimë të gjithë që Gjykata Kushtetuese duhet të gjykojë mbi disa çështje shumë të rëndësishme, disa prej tyre urgjente; siç është çështja e 30 qershorit, farsës kriminale të 30 qershorit
- Partia Demokratike dhe unë besojmë fuqimisht që një drejtësi e pavarur, e mbështetur fort financiarisht dhe me burime njerëzore, e pastër dhe e pa kapur politikisht është themeli i një shteti të fortë, të sigurt, garanci për mirëqenien e qytetarëve, për një qeveri që paratë e taksave të qytetarëve
- Zgjidhja për të dalë nga kjo situatë është t’i japim fund paligjshmërisë. Askush nuk duhet të ketë iluzionin më të vogël: Padrejtësia çon vetëm në padrejtësi, paligjshmëria çon vetëm në thellim të paligjshmërisë. Padrejtësia dhe paligjshmëria vetëm thellojnë krizën dhe varfërinë.
- Ka një rrugëdalje nga ky batak “Ëli”, ku ndodhet vendi sot. Rrugëdalja është kthimi i legjitimitetit duke nisur me zgjedhjet e parakohshme që do t’i japim fund paligjshmërisë në pseudo-parlamentin ku ndodhen akoma figura të krimit të organizuar.
- Kjo përpjekje për të uzurpuar Gjykatën Kushtetuese na shërben si një thirrje dhe apel drejtuar çdo faktori politikë dhe shoqëror se koha nuk pret, se e keqja vetëm i thellon rrënjët dhe se rruga e vetme për të nxjerrë shoqërinë tonë nga ky batak është rruga e marrjes në dorë të fateve të vendit
- Nuk ka Parlament. Ka një strehë të disa kriminelëve. Çdo akt i këtij pseudo-institucioni, për ne është i pavlefshëm, është nul dhe vojt dhe ne do të zhbëjmë çdo akt që ka kryer prej datës 14 shkurt, me efekt prapaveprues
- Edi Rama dikton kapjen e institucioneve, duke filluar me kapjen e prokurorisë, kapjen e Gjykatës Kushtetuese që tentoi këto 3 ditë dhe kapjen e ILD-së. Beteja tjetër është që përmes këtyre veglave, të kapë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë
- Edi Rama e ka zakon të fshihet pas të tjerëve dhe preferon të fshihet pas grave ose pas ambasadave. nuk besoj se ndërkombëtarët i thonë Edi Ramës: kape drejtësinë. E kam të pamundur të besoj se janë ndërkombëtarët ata që e porosisin Edi Ramën të kapë drejtësinë
- Ky parlament është produkt i krimit dhe jo i votës së qytetarëve. Është i paligjshëm dhe një orë e më parë duhet të zëvendësohet përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, nga një parlament që vjen nga vota e njerëzve dhe i shërben njerëzve
- PD ka shprehur gatishmërinë e saj për të kontribuar në të gjitha format dhe mënyrat në procesin e reformës zgjedhore që ti hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet kushtetuese vendore. PS refuzon dhe kushtëzon bashkëveprimin për të plotësuar këtë kusht të Bundestag-ut. Interesi i Edi Ramës nuk është reforma zgjedhore
KONFERENCA PËR SHTYP E KRYETARIT TË OPOZITËS LULZIM BASHA
Të nderuar bashkëqytetarë, të dashur përfaqësues të medias,
Gjatë tre ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të një ngjarje të paprecedentë në historinë 30 vjeçare të Shqipërisë të mbushura me ngjarje të rënda sa i përket aspektit kushtetues, sa i përket marrëdhënieve mes institucioneve dhe përpjekjeve për të kontrolluar politikisht drejtësinë.
Rasti i përpjekjes së Edi Ramës për të kapur Gjykatën Kushtetuese tregon më qartë se kush nuk e do drejtësinë e pavarur; cili dhe cila forcë ka investuar tash tre vjet ta kapte, ose ta bllokonte reformën në drejtësi.
Kush nuk do e gjyqësorin e pavarur, kush nuk e do SPAK-un dhe drejtësinë, sipas Kushtetutës, dhe po kështu ka ekspozuar një nga faktorët kryesorë pse jemi në këtë gjendje të rëndë politike, ekonomike, sociale, institucionale, kushtetuese me pasoja të tmerrshme për ekonominë e vendit, për ju dhe për familjet tuaja dhe me pasoja të përsëritura për futjen e Shqipërisë në Europë.
Shkelja e vazhdueshme Kushtetutës, kapja e çdo institucioni, tani nuk është më përjashtimi, por rregulli. Kurajo me të cilën kjo maxhorancë dhe ky kryeministër u përpoqën të shkelnin dhe dhunoni Kushtetutën, të uzurponin kompetencat e një institucioni tjetër siç është ai i Presidentit të Republikës në mënyrë që të kapnin një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, që me Kushtetutë nuk i takonte të emërohej as nga Edi Rama, as nga Ardjan Dvorani por nga Presidenti i Republikës dhe lehtësia më të cilën u mundua ta kalojnë këtë tregon dimensionin e vërtetë kriminal të këtij plani për kapjen e çdo institucioni. Dhe është mbi të gjitha treguesi i paligjshmërisë totale ku noton vendi.
Parlament i paligjshëm me gjoja me 122 deputetë nga ku vetëm 82 kanë mbetur në përputhje me parashikimet kushtetuese dhe nga mëngjesi deri në darkë bëjnë teatër me fatet e shqiptarëve ose kalojnë ligje që vjedhin dhe kërdisin xhepat e shqiptarëve dhe grabisin pronat e tyre dhe i hapin rrugë pamjeve të tmerrshme siç janë ato të dhunimit të banorëve tek Unaza e Re apo kudo tjetër, që në vend që ligji të garantojë jetën dhe pronën e tyre vihen në lëvizje instrumentet që ligji parashikon të mbrojë qytetarët e tyre dhe jo për të goditur qytetarët, fëmijët, të moshuarit dhe të drejtat e tyre.
Në këtë kuadër duhet parë i gjithë ky teatër tre ditorë me Gjykatën Kushtetuese. Edi Rama e kishte jetike kapjen e Gjykatës Kushtetuese sepse e dimë të gjithë që Gjykata Kushtetuese duhet të gjykojë mbi disa çështje shumë të rëndësishme, disa prej tyre urgjente; siç është çështja e 30 qershorit, farsës kriminale të 30 qershorit, siç është çështja e iniciativës për të kapur institucionin e Presidentit, duke shkarkuar presidentin aktual. Sepse kështu i është tekur për të mos lënë asnjë institucion pa kapur.
Por Gjykata Kushtetuese është një nga kushtet e Bundestagut, një nga kushtet e Europës.
Nëse mendon se mund t’ia hedhë me makinacione Bundestagut Edi Rama e ka shumë gabim. Është mirë t’ia kujtoni atë që ka thënë në parlament, është institucioni më i informuar për atë që po ndodh në Shqipëri.
Ai dhe ata që mendojnë se kushtet e Bundestagut mund t’i gënjejnë me një letër bakalli “U kry!”. Dhe pastaj me letrën e bakallit të trokasin për të hapur derën e Europës, do të kenë të njëjtin zhgënjim dhe të njëjtin rezultat që kemi pasur këto vite. Dhe përgjegjësi është i vetmi njeri që për interesin e pushtetit të tij dhe për interesat e tij personale po bllokon dhe merr peng rrugën europiane të Shqipërisë.
Ndaj duke marrë parasysh se vënia në funksion të Gjykatës Kushtetuese thirrja ime parë ndaj PS është: i thërrasë mendjes dhe të ndalë lojërat e rrezikshme, lojërat politike dhe të lejojë funksionimin normal të kësaj gjykate.
Shqipëria ka nevojë jetike për një gjyqësor dhe për një drejtësi të pavarur.
Sot jemi në një situatë ku prej tre vitesh vonohen hapat që do të mundësonin realizimin e objektivave të reformës në drejtësi.
SPAK dhe BKH janë jetike në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Pse vonohen?
Për të njëjtat arsye që vonohen dhe më pas u deprivua vettingu nga burimet cilësore dhe burimet njerëzore në mënyrë që të jetë nën kontroll politik.
Të gjithë e dimë se kush ka interes për kapjen ose bllokimin e reformës në drejtësi.
Por sa na e kujtoi edhe një njeri i nderuar që quhet Federico Cafiero De Raho që është Prokurori Kombëtar i Antimafies në Itali. Fjalët që do të lexoj tani nuk janë fjalët e mia, nuk është konferencë për shtyp e PD, sepse mund të keqkuptoheni, ngjajnë shumë me konferencat tona për shtyp, por në fakt janë fjalët e Prokurori Kombëtar i Antimafies në Itali, Federico Cafiero De Raho, citoj “Mafiozët shqiptarë kanë krijuar lidhje me eksponentë të politikës për interesat e tyre dhe po administrohen nga zyrtarë të nivelit të lartë.”
Ju e dini farë mirë se çfarë do të thotë kjo, e dinë farë se kjo është ajo që kemi denoncuar ne tash 6 vjet: Kapjen e shtetit për interesa kriminale, kapjen e shtetit për interesa mafioze.
Mjafton kjo deklaratë për të kuptuar se kush nuk është i interesuar për drejtësinë e pavarur, kush tmerrohet nga forca e ligjit, kush investon natën kryesisht, por edhe ditën për të kapur të gjitha institucionet, për të kapur ose bllokuar reformën në drejtësi.
Partia Demokratike dhe unë besojmë fuqimisht që një drejtësi e pavarur, e mbështetur fort financiarisht dhe me burime njerëzore, e pastër dhe e pa kapur politikisht është themeli i një shteti të fortë, të sigurt, garanci për mirëqenien e qytetarëve, për një qeveri që paratë e taksave të qytetarëve, paratë e buxhetit nuk i çon në xhepat e saj por i shndërron në të mira për qytetarët.
Kjo qeveri është kapur tashmë për të disatën herë në flagrancë duke treguar se nuk ka asnjë vullnet për drejtësi të pavarur, për arsyen e thjeshtë dhe të kuptueshme nga të gjithë : Sepse shumica e eksponentëve të saj nga kreu e poshtë do të ishin subjektet e para të një drejtësie të pavarur.
Zgjidhja për të dalë nga kjo situatë është t’i japim fund paligjshmërisë. Askush nuk duhet të ketë iluzionin më të vogël: Padrejtësia çon vetëm në padrejtësi, paligjshmëria çon vetëm në thellim të paligjshmërisë. Padrejtësia dhe paligjshmëria vetëm thellojnë krizën dhe varfërinë.
Nuk mund të bëhen gjerat mirë duke bërë keq, duke shkelur ligjin. Premisa se po e bëjmë këtë shpejt e shpejt se do të ndihmojë për këtë apo për atë, është në fakt arsyetimi i hajdutit, i banditit, i qeveritarit të korruptuar. Gjithçka që lind në shkelje të ligjit, në shkelje të Kushtetutës është premisë për padrejtësi, për varfëri, për plaçkitje dhe për krizë.
Nuk ka pse ky vend të vuajë më shumë, nuk ka pse të rrisë agoninë. Ka një rrugëdalje nga ky batak “Ëli”, ku ndodhet vendi sot. Rrugëdalja është kthimi i legjitimitetit duke nisur me zgjedhjet e parakohshme që do t’i japim fund paligjshmërisë në pseudoparlamentin ku ndodhen akoma figura të krimit të organizuar, figura të emëruar nga krimi i organizuar dhe një pseudo-opozitë antikushtetuese, që siç e ka parë çdo shqiptarë është faqja e zezë edhe e faqes më të zezë të parlamentarizmit shqiptar. Sepse është bërë një shërbëtore e mjerë e interesave politike të një bande plaçkitësish, që sot nuk përfaqësojnë as çerekun e çerekut të socialistëve të ndershëm.
Zgjidhja është e thjeshtë: është zgjidhja rruga që po merr fqinji ynë, Maqedonia e Veriut, një vend i cili u viktimizua për shkak të dështimit total të Edi Ramës për të hapur negociatat. E megjithatë klasa politike atje mori përgjegjësitë dhe vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Loja e mëtejshme me durimin e njerëzve do të ketë pasoja shumë të rënda. Vazhdimi i përpjekjes për të kapur institucionet e pavarura, për të mohuar ekzistencën e rëndë të krizës politike, për të mos bërë përpjekje për ta zgjidhur atë siç e ka kërkuar të zezë mbi të bardhë Europa dhe SHBA-të, Bundestagu dhe e emëruara e Presidentit Donald Trump, për ambasadore të ardhshme amerikane në Tiranë. Vetëm zgjidhja e krizës pra përmes mjeteve të njohura botërisht në demokraci, siç janë zgjedhjet e parakohshme të lira dhe të ndershme parlamentare do të mundësojë edhe hapa të tjerë, do të mundësojë realizimin me sukses të plotë pa ndalesa, pa bllokime, pa falsifikime të reformës në drejtësi dhe një drejtësie të pavarur që nuk i mbron por i çon para ligjit të gjithë shkelësit e saj dhe në veçanti shkelësit me pushtet dhe imunitete, e pandëshkushmëri nga politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin tek bandat e krimit të organizuar dhe ata që sot kanë pushtuar të gjithë hapësirën e bashkëjetesës së shqiptarëve; nga plazhet tek minierat, nga koncesionet tek shëndetësia, tek ekonomia dhe kudo tjetër.
Le të na shërbejë ky tre ditësh i sjelljes më të shëmtuar ndonjëherë i një maxhorance, kjo përpjekje për të uzurpuar Gjykatën Kushtetuese si një thirrje dhe apel drejtuar çdo faktori politikë dhe shoqëror se koha nuk pret, se e keqja vetëm i thellon rrënjët dhe se rruga e vetme për të nxjerrë shoqërinë tonë nga ky batak është rruga e marrjes në dorë të fateve të vendit, të fateve të individëve përmes të vetmit proces që e bën Europën, Europën dhe që do ta bëjë Shqipërinë Europë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të garantuara në tërësinë e tyre, të garantuara në garën politike dhe mbi të gjitha për të garantuar shprehjen e lirë të vullnetit të shqiptarëve.Ky është parashtrimi që doja të bëja sot me rastin e ngjarjeve të fundit dhe tani jam i hapur për pyetjet që do të keni në lidhje me këto tema.
Pyetje: Sot Kuvendi u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme dhe votoi një rezolutë që është e dyta. Cili është komenti juaj për këtë formë të re apo këndvështrim të ri që ka marrë parlamenti?
Lulzim Basha: Parlamenti!? Nuk ka Parlament. Ka një strehë të disa kriminelëve, që me ligjin e dekriminalizimit duhet të ishin larguar. Ka një strehë të disa personave që nuk e dinë se pse janë aty, por e dinë se kush i ka çuar. Ka një dosje që duhet të ishte hetuar, por që prokuroria e kapur politikisht nga Edi Rama nuk e ka hetuar. Dhe ka disa pseudo-parlamentarë që janë aty për të gënjyer vetveten, sepse nuk gënjejnë dot as familjen e tyre, jo më të gënjejnë shqiptarët.
Prandaj e kam thënë dhe dua ta përsëris: çdo akt i këtij pseudo-institucioni, për ne është i pavlefshëm, është nul dhe vojt dhe ne do të zhbëjmë çdo akt që ka kryer prej datës 14 shkurt, me efekt prapaveprues. Pseudo-rezolutat, kuptohet, kanë edhe më pak vlerë.
Pyetje: Presidenti Meta lajmëroi se do të padisë kreun e KED, mendoni se do të jetë në gjendje prokuroria të bëjë një hetim të paanshëm për këtë çështje?
Lulzim Basha: Prokuroria është institucioni i parë që ka kapur Edi Rama, nga institucionet e drejtësisë. Pasi kapi disa prej institucioneve të reja, kapi prokurorinë dhe tani u fut yrysh për të kapur Gjykatën Kushtetuese.
Ndaj, prioriteti kryesor është çlirimi i prokurorisë, ngritja e menjëhershme dhe pa vonesa e SPAK dhe nisja e shplurosjes së hetimeve të dosjeve të trasha e të rënda të korrupsionit qeveritar në këto 6 vite, të cilat duke nisur me dosjet e aferave të mëdha korruptive, duke vazhduar me dosjet e korrupsionit elektoral, të cilat janë arsyeja kryesore pse SPAK-u po vonohet. Janë arsyeja kryesore pse prokuroria është e kapur dhe është nën presion nga kjo qeveri. Dhe padyshim që një prokurori e çliruar nga presioni politik, ka të gjithë mundësitë të hetojë gjithçka. Gjithçka.
Absolutisht asgjë nuk është jashtë hetimit. As arsyeja se pse ka një mos përputhje mes deklaratës së pasurisë së Ardian Dvoranit dhe vendimit të Komisionit të Vettingut. As arsyeja se pse ka 4 vite që qëndron në detyrë, kur Gjykata Kushtetuese ka dekretuar që nuk mund të ishte më anëtar i Gjykatës së Lartë. Por më shumë se sa prokuroria, është e qartë besoj për njerëzit se kjo ka qenë një manovër politike e Edi Ramës për ta përdorur Ardian Dvoranin, siç ka zakon ti përdorë njerëzit, që të diktonte kapjen e institucioneve, duke filluar me kapjen e prokurorisë, kapjen e Gjykatës Kushtetuese që tentoi këto 3 ditë dhe kapjen e ILD-së. Beteja tjetër është që përmes këtyre veglave, të kapë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë
Pyetje: Në sallën e parlamentit Rama deklaroi sot se për të gjitha veprimet që maxhoranca ka kryer për sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ka pasur mbështetjen e atyre që kanë iniciuar reformën në drejtësi, OPDAT dhe EURALIUS, konkretisht BE dhe SHBA. Si e vlerësoni qëndrimin e ambasadorëve në raport me këto institucione edhe për faktin se dy ditë më parë ju keni zhvilluar një takim me 4 ambasadorët më të rëndësishëm?
Lulzim Basha: Trojka dhe ambasadorët flasin për vete, ndërsa Edi Rama e ka zakon të fshihet pas të tjerëve. Dhe preferon të fshihet pas grave ose pas ambasadave. Kjo është historia e tij politike!
Nuk besoj se ajo që ka thënë dhe është në valë me atë që ka thënë më përpara. Unë kam mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar për Reformën në Drejtësi, edhe për faktorin ndërkombëtar që ka kontribuar për një drejtësi të pavarur dhe të fortë, por nuk besoj se ndërkombëtarët i thonë Edi Ramës: kape drejtësinë.
E kam të pamundur të besoj këtë.
Apo që i thonë: Fut kriminelët në parlament. Apo që i thonë: Garo Valdrin Pjetra, Agim Kajmakër, Mark Babanër e lloj lloj njerëzish për kryetarë bashkish. Apo që i thonë: Blej vota apo shndërrojë Shqipërinë në hambar kanabisi! Dhe pastaj pasojat janë se është vendi më i korruptuar dhe më i varfër në Europë. I treti për korrupsion në botë.
Nuk besoj se këto i ka bërë se kështu e kanë këshilluar ndërkombëtarët. Besoj se këto janë dështime të plota dhe të mynxyrshme të një njeriu; Edi Ramës. Pastaj ai fshihet pas të tjerëve, i takon të tjerëve të sqarojnë pozitat e tyre, nuk i sqaroj unë pozitat e askujt dhe as komentoj. I takon atyre të cilët ai i përgojon që të sqarojnë dhe mirë është të sqarojnë pozitat e tyre. Por unë nuk mund të hyj në lojën e Edi Ramës, sepse këtë tha edhe atëherë: ku ka kanabis? Ja ndërkombëtarët thonë se s’ka kanabis! Ku ka kriminelë? Ku janë kriminelët? Po ti nxirrni arkivat, tani i përdorni si filma humoristikë, por nuk janë humor, sepse janë ndërtuar mbi mjerimin e shqiptarëve, mbi korrupsionin që po zhvat shqiptarët. I keni të gjitha. Ku është droga, ku janë kriminelët, ku është kanabisi. Ja, pyesni edhe ndërkombëtarët.
Pra është fshehur gjithmonë pas ndërkombëtarëve.
Unë nuk besoj se janë ndërkombëtarët ata që e porosisin Edi Ramën të kapë drejtësinë, ta mbushë vendin me drogë, ta mbushë parlamentin me kriminelë. Të shkelë ligjin e dekriminalizimit dhe të shkelë Kushtetutën. Nuk besoj se kjo është e vërteta.
Megjithatë siç thashë, secili duhet të përgjigjet për përgjegjësitë që ka. Dhe një gjë është e qartë këtu: Se Edi Rama gjithmonë përpiqet ti ikë përgjegjësive që ka dhe që ka pasur. Siç tha për integrimin se përgjegjësinë e kishte Franca, e kishte Macron-i, e kishte BE-ja, e kishte opozita, e kishit ju gazetarët, vetëm ai nuk kishte përgjegjësi!
Asgjë nuk më larg të vërtetë. Ky është një njeri i cili nuk mban përgjegjësi, është tërësisht përgjegjësi për këto dështime. Edhe këtë pjesë të retorikës së tij politike, nuk e shoh ndryshe nga ajo që ka bërë këto 6 vite. Vidh, bashkëpuno me krimin, ble zgjedhje, fut kriminelë në institucione dhe pastaj pretendon se fajin e ka dikush tjetër apo se i shkelin syrin ndërkombëtarët.
Pyetje: Zyrtarisht PD ka akuzuar se kreu i KED-së e ka paracaktuar garën për sa i përket Gjykatës Kushtetuese. PD a i ka kaluar në filtër këta kandidatë që janë emëruar deri në këto momente?
Lulzim Basha: Nuk është detyra e Partisë Demokratike të bëjë këto filtra. Detyra e partive politike është të rrinë larg reformës në drejtësi, prandaj u bë reforma në drejtësi.
Nga ju si gazetarë dhe çdokush tjetër që është i interesuar, e dini fare mirë nëse ka një rast të vetëm kur PD ka insistuar apo ka futur duart në një nga proceset?! Cilido proces qoftë ai. Ndërkohë që nga mëngjesi deri në darkë Taulant Balla, Fatmir Xhafaj, Ëngjëll Agaçi, Ulsi Manja, në emër të Edi Ramës ndërhyjnë në çdo organ të drejtësisë, të ri dhe të vjetër, për të mbyllur hallet dhe problemet e Edi Ramës. Nga Xibraka tek Unaza e re. Nga Toyota Yaris tek Geron Xhafa dhe kështu me radhë.
Pra, kontributi më i madh që mund të bëjnë partitë politike, është ti rrinë larg drejtësisë. Mos të fusin duart tek drejtësia.
Partia Demokratike ka bërë dhe do të bëjë pikërisht këtë: do respektojë ndarjen e pushtetit, sigurisht aty ku do të ndeshemi me shkelje të Kushtetutës, me shkelje të ligjit, me kapje të institucioneve, do të përballemi me të gjithë fuqinë tonë, fuqinë e zërit, fuqinë e argimentave dhe fuqinë tonë politike, për të parandaluar, denoncuar, dhe në çdo rast për të mos pranuar diçka të tillë.
Pyetje: Ju deklaruar se parlamenti është i paligjshëm, ndërsa presidenti ka deklaruar sot se përmes një dekreti mund të shpërndajë parlamentin. Ju e mbështesni këtë iniciativë të presidentit Meta dhe a e gjeni të mbështetur në Kushtetutë?
Lulzim Basha: Parlamenti shqiptar, legjitimitetin e merr nga qytetarët. Në qoftë se nuk ka legjitimitet nga qytetarët, nuk është parlament i ligjshëm. Jo vetëm shqiptarët, por e gjithë bota e ka parë se si është zgjedhur ky parlament. Ka dëgjuar gjithë Europa përgjimet zyrtare të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe rolin e kriminelëve, policëve të korruptuar dhe të politikanëve, nga Edi Rama, Damian Gjiknuri e Taulant Balla me shokë, deri tek figurat e botës së nëndheshme.
Të gjithë e dinë se vetëm në Qarkun e Durrësit ke të paktën 3 deputetë që janë produkt dhe derivat i drejtë për drejtë i krimit:
Rrahman Rraja, Jurgis Çyrbja dhe Ilir Ndrazhin.
Vetëm në një qark, për shkak të përgjimeve e dimë që ke 3 deputetë që janë ose përfaqësues të krimit ose bedelë të krimit.
Ne u investuam fort për një zgjidhje institucionale, Edi Rama u investua që kjo zgjidhje të mos vinte. Ndryshoi prokurorët, çoi dosjen 184 në Dibër, kapi Prokurorinë e Krimeve të Rënda, sabotoi komisionin tonë hetimor për lidhjet e politikës me drogën dhe blerjen e zgjedhjeve me paratë e drogës. Hodhi poshtë iniciativën për vettingun e politikanëve dhe nuk la asnjë shteg tjetër përveç vendimit që ne morëm, që është një vendim që i shërben interesit publik dhe i shërben demokracisë nesër.
Prandaj, padyshim që ky parlament u konceptua si i paligjshëm nga shkelja flagrante e ligjit dhe Kodit Zgjedhor në zgjedhjet e vitit 2017-të, që prodhuan një rezultat të deformuar, produkt i krimit dhe jo i votës së qytetarëve. Është i paligjshëm dhe një orë e më parë duhet të zëvendësohet përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, nga një parlament që vjen nga vota e njerëzve dhe i shërben njerëzve.
Pyetje: Ditën e martë të javës së ardhshme OSBE ka thirrur një tryezë të forcave politike për të diskutuar mbi Reformën Zgjedhore, konkretisht mbi financimet e partive politike. Do të marrë pjesë PD dhe opozita e bashkuar në këtë tryezë?
Lulzim Basha: Partia Demokratike ka shprehur gatishmërinë e saj për të kontribuar në të gjitha format dhe mënyrat, bashkë me aleatët, në procesin e reformës zgjedhore. Kjo është e para.
E dyta dhe më e rëndësishmja, është se prej më shumë se një muaj e gjysmë, PD ka bërë një propozim konkret që do të çonte drejt një produkti të konsultuar mes opozitës së bashkuar, Partisë Socialiste dhe me praninë e faktorit ndërkombëtar.
Dua ta përsëris sot atë që ju kam thënë disa herë, se Partia Socialiste refuzon dhe kushtëzon bashkëveprimin për të plotësuar këtë kusht të Bundestag-ut, që është reforma zgjedhore. Pra është PS dhe Edi Rama, siç e dinë fare mirë edhe përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar, ata që janë bërë pengesë për çuarjen përpara të punës për reformën zgjedhore. Interesi i Edi Ramës nuk është reforma zgjedhore, por është shtyrja e reformës zgjedhore sa të jetë e mundur. Është fajësimi i opozitës dhe të kalojë një palo reformë, ashtu siç do ai vetë. Ndaj përpjekjet tona do të vazhdojnë të jenë të gjithëanshme, që kjo reformë të kalojë sa më shpejt dhe ti hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet kushtetuese vendore.
Faleminderit!