DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA
Kënaqësi të takoja sot mikpritësin e Kongresit të EPP në Zagreb, kryeministrin e Kroacisë Andrej Plenkovic. Presidenca e BE nga Kroacia në Janar 2020 është një lajm shumë i mirë për Shqipërinë dhe gjithë rajonin.
Për Shqipërinë nuk ka dhe nuk mund të ketë alternativë tjetër veç integrimit në BE dhe për këtë, Partia Demokratike dhe unë jemi të vendosur të ndërmarrim çdo vendim dhe hap të nevojshëm.
Zbatimi i drejtë i reformës në drejtësi, reforma zgjedhore dhe zbatimi i saj sipas udhërrëfyesit gjerman, garantojnë shtetin e së drejtës, ndan politikën nga krimi, i jep fund pandëshkueshmërisë, dhe garanton zgjedhje të lira e të ndershme.
Me mikun tim dhe të shqiptarëve diskutuam hapat për kapërcimin e krizës politike në vend, e cila konsiderohet nga vendet anëtare të Bashkimit Europian si pengesë serioze për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ramë dakort të koordinojmë veprimet dhe vendimet tona për të realizuar të gjitha detyrat e shtëpisë dhe për të mundësuar hapjen sa më parë të negociatave. Kryeministri Plenkovic më garantoi se Kroacia do të vijojë të jetë avokate e fuqishme e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE.