• Miratimi i paketës së censurës nga parlamenti i cunguar dhe ilegjitim është një shpallje lufte ndaj themeleve të demokracisë, është atentat ndaj çdo qytetari shqiptar.

 

  • Mosinformimi dhe keqinformimi i qytetarëve është një nga objektivat kryesorë strategjikë të Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Arrestimet arbitrare, presionet financiare e penale janë për këdo që cënon objektivin e kryeministrit.

 

  • Cënimi i interesit publik, duke instaluar me ligj censurën është i papranueshëm, është një vijë e kuqe. Nëse çmenduria për paketën e censurës çohet deri në fund, në ditët e para të qeverisjes sonë, ne do ta zhbëjmë këtë paketë.

 

  • Paketa e censurës ka për qëllim asgjesimin e shtyllave kryesore të një shoqërie të lirë e demokratike, lirisë politike, lirisë së zgjedhjes, shtetit të së drejtës, drejtësinë e pavarur dhe median e lirë.

 

  • Nuk ka ironi më të madhe në historinë e OSBE që shteti i përzgjedhur për të marrë kryesimin e organizatës, e nis atë me një paralajmërim për një sjellje rrugaçërore, kriminale në raport me një nga kolonat kryesore për të cilën kjo organizatë ekziston – lirinë e medias.

 

  • Objektivi ynë është të sigurojmë të gjithë instrumentet për të garantuar standardet europiane për lirinë e shprehjes në lidhje me normat, praktikat e vetërregullimit dhe të autonomisë së medias.

 

  • Bashkë me gazetarët dhe shoqatat e tyre, do të ndërmarrim çdo hap brenda dhe jashtë vendit për të pezulluar, zmbrapsur dhe anulluar çdo masë të tillë arbitrare.

 

  • Kjo betejë do të fitohet!  Nëse opozita dhe mediat e humbin këtë betejë Shqipëria e humb këtë betejë. Këtë ne nuk mund ta lejojmë. Këtë ne nuk do ta pranojmë!

 

FJALA HAPËSE E KRYETARIT TË PARTISE DEMOKRATIKE NË TRYEZËN PER LIRINË E MEDIAS

 

Mirëse keni ardhur të nderuar përfaqësues të medias!

 

Faleminderit që i jeni përgjigjur ftesës sime dhe të opozitës së bashkuar dy ditë para se Kuvendi i cunguar i Shqipërisë të ndërmarrë një akt të paprecedentë jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë hapësirën europiane.

 

Ndërsa presim akoma disa kolegë që po afrohen për shkak të trafikut, me vonesë, më lejoni ta nis me një, ne i themi anekdotë, por në fakt ka ndodhur në të vërtetë, ndonëse çështja nuk është aspak për të qeshur.

 

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, një gazetar e quajti Winston Churchill budalla. Dhe u arrestua. Të nesërmen, në Parlament opozita ishte bërë gati që ta piqte kryeministrin. Çfarë u bë? Britania u kthye në një shtet policor? Winston Churchill mori fjalën dhe tha “Të qartësojmë diçka, personi nuk u arrestua, sepse ofendoi Kryeministrin e Britanisë së Madhe, por sepse nxori një sekret shtetëror.”

 

Nuk e di nëse është e vërtetë apo anekdotë, por kjo me të cilin po ballafaqohemi nuk është anekdotë. Është vazhdimi i pandërprerë kundër medias, kundër gazetarëve, kundër lirisë së shprehjes. Dua t’ju them që në fillim që këtë ftesë nuk e kemi thirrur vetëm për të treguar solidaritetin me ju, as nuk jemi këtu në pozita paternalizmi për t’ju marrë nën krahët e opozitës, sepse ju nuk keni nevojë. Keni bërë luftë të jashtëzakonshme. Ne kemi detyrën, nderin dhe privilegjin të jemi në krahun tuaj në këtë betejë, sepse pa lirinë e medias, pa lirinë e shprehjes, nuk ka liri politike.

 

Dua ta them fare qartë që në fillim, që këtu jemi si partnerë, jo partnerë ne në interesin tonë dhe ju në interesin tuaj, por partnerë në një interes: partnerë në interesin e informimit të qytetarëve. Kjo është ajo që na intereson ne. Kjo është detyra juaj, informimi i qytetarëve.

 

Mosinformimi i tyre dhe keqinformimi i tyre është një nga objektivat kryesorë strategjikë të gjithë sjelljes së kësaj qeverie dhe të këtij kryeministri, të gjithë masave të propozuara, të arrestimeve arbitrare dhe shoqërimeve, presioneve financiare, penale e të gjithanshme, ndaj çdo individi që kërcënon këtë objektiv strategjik të këtij kryeministri, të kësaj qeverie, të ngushtojë çdo ditë hapësirat e informimit të qytetarëve.

 

Kjo për ne është e papranueshme, për PD, për secilin prej aleatëve tanë, për opozitën e bashkuar kjo është një vijë e kuqe, siç do të ishte në çdo vend sadopak demokratik.

 

Nuk dua të marr me radhë shembujt që ilustrojnë përshkallëzimin e kësaj lufte të shpallur kundër medias, kundër gazetarisë, kundër lirisë së shprehjes, sepse këtu në këtë tavolinë kemi mjaftueshëm prej kolegëve tuaj që janë mishërim i këtij degjenerimi të paimagjinueshëm të lirisë së medias në 30 vite dhe të presionit të jashtëzakonshëm, që po bëhet për të kulmuar në propozimin që do të shkojë në Kuvend ditën e mërkurë, propozimin për të instaluar edhe me ligj censurën.

 

Dua t’ju them tre gjëra:

 

  1. Së pari, të vetëdijshëm edhe për mangësitë tona dhe për problemet tona, edhe sot si opozitë, edhe dje si qeverisje, dua t’ju them se synimi ynë, objektivi ynë është t’i japim vendit jo vetëm një kuadër ligjor por edhe të gjitha instrumentet për të mbyllur një herë e përgjithmonë derën e hambarit të shëmtuar të tranzicionit përsa i përket lirisë së medias, për ta zhvendosur median dhe lirinë e shprehjes përfundimisht në hapësirën europiane sa i përket lirisë, standardeve, normave, praktikave të vetë rregullimit dhe të autonomisë, sa i përket legjislacionit të medias, rolit të gazetarëve dhe të shoqatave të gazetarisë.

 

  1. Së dyti, padiskutim që, nëse çmenduria çohet deri në fund, ditën e premte nga parlamenti i cunguar dhe ilegjitim, opozita jo vetëm që nuk do ta njohë, por do të bëjë çdo gjë që sa më shpejt, sapo të ketë mundësinë dhe përgjegjësinë e qeverisjes ta zhbëjë këtë legjislacion. Ndërkohë që do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm në bashkërendim me ju, me shoqatat që ju përfaqësoni, brenda dhe jashtë vendit për të pezulluar, zmbrapsur dhe anulluar çdo masë të tillë arbitrare.

 

  1. Së treti, dua t’ju them se këtë partneritet, për hir të mirë informimit të qytetarëve, pa të cilën nuk mund të ketë demokraci funksionale, nuk mund të ketë një shoqëri të lirë, duam ta përkthejmë në një bashkëpunim konkret, i cili, jo nesër, as pasnesër, por sot, në kuptimin metaforik të fjalës, t’i japë çdo gazetari, çdo punonjësi të medias, çdo qytetari shqiptar konturet dhe përmbajtjen e një korpusi legjislativ dhe rregullator që do të varrosë njëherë e përgjithmonë mundësitë e një qeverie nesër për ta trajtuar pushtetin e katërt – siç jemi mësuar rëndom këto 6 vite, por edhe gjatë tranzicionit apo siç e trajton pushtetin e tretë, apo pushtetin e dytë – si një shtojcë të qeverisë, apo përndryshe, si një bezdi që i duhet mbyllur goja me kërcënime, me para apo me çdo formë tjetër.

 

Kjo që po ndodh është dramatike, por jam dakord me analizën e një prej kolegëve tuaj se është vetëm një akt tjetër në një dramë të madhe që ka nisur të shpaloset dhe që ka për qëllim asgjësimin e të gjithë shtyllave kryesore të një shoqërie të lirë e demokratike, lirisë politike, lirisë së zgjedhjes, shtetit të së drejtës, duke e zëvendësuar me shtetin e fermanit, respektit për kushtetutën dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, drejtësinë e pavarur dhe median e lirë.

 

Po e përfundoj me faktin që nuk besoj se ka ironi më të madhe në historinë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, që shteti i përzgjedhur, në kulmin e një krize politike, për të marrë kryesimin e kësaj organizate, e nis kryesimin e kësaj organizate me një paralajmërim për një sjellje rrugaçërore, kriminale, në raport me një nga kolonat kryesore që kjo organizatë ekziston – lirinë e medias.

 

Me këtë nuk dua të them asgjë më shumë e asgjë më pak sesa mirënjohjen për të gjithë ata përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, që kanë ngritur zërin dhe i janë përgjigjur shqetësimit legjitim nga ju dhe nga shoqatat e organizatat tuaja. Kam dhe një thirrje për të gjithë faktorët politikë, jopolitikë, shoqërore dhe ndërgjegjes qytetare për t’u bashkuar në këtë betejë, në këtë kauzë, që, natyrisht, është e gazetarëve, është e medias, padyshim është e politikës, por, mbi të gjitha, është e qytetarëve.

 

E mbyll duke thënë edhe një herë se këtu nuk na bashkon thjesht dhe vetëm simpatia, dëshira për të mbrojtur gazetarët, për të mbrojtur luftëtarët e fjalës së lirë. Na bashkon diçka shumë më fondamentale, interesi publik.

 

Përpjekja për të shkatërruar një nga instrumentet kryesorë të demokracisë, që është mirë informimi i qytetarëve, është thjesht kriminale dhe duhet të ketë  një përgjigje totale, frontale dhe proporcionale.

 

Ju faleminderit!

 

NDËRHYRJA E DYTË E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, PASI GAZETARI ARMAND SHKULLAKU KËRKOI, MES TË TJERASH, QË OPOZITA TË JETË MODELI MË I MIRË I TRANSPARENCËS, DUKE BËRË KONTRASTIN ME QEVERINË DHE BASHKINË. 

 

Dua të them tre gjëra qartë.

 

E para, që kjo është çështje kulture, kulture e audiencës, dhe interesi ynë kryesor është informimi i qytetarëve, kulture e aktorëve, kryesisht e aktorëve politikë dhe natyrisht e kulturës së medias.

 

Prej kohësh është kërkuar një mea culpa dhe, kur mea culpa është bërë, nuk është dëgjuar.

 

Ta them fare qartë, mea culpa e Partisë Demokratike për gjithçka në këto 30 vite, nuk është thjesht dhe vetëm një deklaratë e imja, si kryetar i Partisë Demokratike për gjithçka në këto 30 vite, edhe për ekseset e periudhës ’92-’97; edhe për pjesën tjetër të borxhit moral ndaj medias, ndonëse mendoj se në periudhën e qeverisjes së kaluar ia kemi dalë të vendosim standarde, ndoshta standarde jo ekzistuese, siç ishin ato të mosçuarjes për shpifje të asnjë gazetari të vetëm në 8 vite të qeverisjes së Partisë Demokratike.

 

Por mea culpa më e fuqishme është ajo që ju kërkoni, me të drejtë, dhe unë jam sot këtu për të konfirmuar se jam sot i gatshëm ta bëj në emër të Partisë Demokratike, në emër të opozitës së bashkuar, një zotim solemn, zyrtarisht, publik:

 

Së pari, për anulimin e këtij akti dhe çdo akti tjetër ekzistues apo potencialisht për sa kohë kjo qeveri është në pushtet, për sa kohë cënon standardet minimale europiane të së drejtës së fjalës dhe shprehjes së lirë.

 

Së dyti, kërkesën për të hartuar së bashku një kuadër rregullator, legjislativ dhe vetërregullues i cili do të hyjë në fuqi që në javët e para të një maxhorance të re të përbërë nga opozita e bashkuar sot.

 

Dhe së treti, zotimin tim personal, jam i bindur do të pasohet edhe nga zotimet e aleatëve, por ata flasin secili për veten e tyre, për t’i dhënë fund çdo praktike që ka për qëllim dobësimin, apo degjenerimin, apo korruptimin e rolit të medias në transmetimin e mesazhit nga aktorët shoqërorë dhe politikë tek publiku, duke nisur me praktikën e kasetave, bllokimin e aksesit të gazetarëve dhe kamerave në çdo lloj aktiviteti apo atë që Koloreto e quajti “listë të zezë,  për të cilin ju siguroj që nuk ekziston, por në rast se perceptimi ekziston atëherë është njësoj sikur ekziston dhe që është bazë për reflektim.

 

Këto tre përkushtime i marr sot zyrtarisht para jush, natyrisht për të parin kërkohen të hidhen hapa të mëtejshëm, të cilat në emër të opozitës së bashkuar konfirmoj se jemi të gatshëm t’i hedhim me të gjitha shoqatat, më të 25 shoqatat e medias dhe të gazetarëve që përfaqësojnë interesin e medias dhe interesin publik nga dita e mërkurë, që është dita kur është planifikuar kalimi i këtij ligji e tutje apo edhe më përpara. Dhe për këtë mirëpres çdo formë konsultimi apo bashkëpunimi me ne, me ekspertët tanë në orët dhe ditët e ardhshme.

 

Faleminderit!

 

 

NDËRHYRJA E TRETË E KRYETARIT BASHA NË MBYLLJE TË TRYEZËS PËR LIRINË E MEDIAS

 

 

Edhe një herë ju falënderoj për praninë tuaj dhe për përgjigjet pozitive ndaj ftesës së Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar.

 

Dua të përsëris shumë shkurt qëndrimet tona.;

 

E para, ligjet kundër fjalës së lirë janë antikushtetuese. Forumi që po i kalon është ilegjitim. Vetë procesi i planifikuar për të mërkurën është një hap më shumë në një shtet ku nuk ka më as demokraci, as shtet të së drejtës, as kontroll dhe balancë të pushteteve dhe as drejtësi të pavarur. Për Partinë Demokratike dhe opozitën e bashkuar ky akt, si shumë akte të tjera të kaluara më përpara, janë nul dhe void (ligjërisht e pavlefshme). Formalisht, ky akt do të shfuqizohet momentin e parë që shqiptarët do të na besojnë me votë të lirë dhe të ndershme për qeverisjen e vendit.

 

Kalimi i këtij akti është një atentat jo ndaj gazetarisë dhe opozitës, por ndaj çdo qytetari shqiptar, ndaj lirisë më themelore ,pa të cilën nuk mund të ketë liri politike, që është liria e shprehjes. Dhe në këtë kuptim është një shpallje lufte ndaj themeleve të demokracisë.

 

Në emër të Partisë Demokratike dhe të opozitës së bashkuar i bëj thirrje sot Partisë Socialiste të tërhiqet menjëherë nga ky plan. Përkundrazi, përgjigjja politike e opozitës ndaj shpalljes luftë ndaj këtij themeli të demokracisë do të jetë proporcionale dhe masive.

 

I bëj thirrje të gjithë mediave dhe punonjësve të mediave të na ndihmojnë dhe të qëndrojnë në krahun tonë dhe ne do të jemi në krahun tuaj për t’i mbrojtur këto liri themelore të qytetarëve. Ne nuk do ta bëjmë për ju dhe ju mos e bëni për ne. Por ejani ta bëjmë bashkë për çdo qytetar shqiptarë sot dhe për të shmangur atë që do të vijë nesër, nëse kjo betejë nuk fitohet.

 

Kjo betejë do të fitohet!  Nëse opozita dhe mediat e humbin këtë betejë Shqipëria e humb këtë betejë. Këtë ne nuk mund ta lejojmë. Këtë ne nuk do ta pranojmë!