Banorët e Tiranës paguajnë çdo vit rreth 7.5 milionë euro vetëm për taksën e arsimit, por tërmeti zbuloi se kjo taksë shpërdorohet. Bashkia e Tiranës nuk e përdor atë për të përmirësuar infrastrukturën në shkolla e kopshtet, duke lënë në mëshirën e e fatit sigurinë e jetës së fëmijëve.
Përfaqësuesit e PD, Jorida Tabaku dhe Klevis Balliu sollën në vëmendje situatën me Shkollat “Musine Kokalari” dhe “Lasgush Poradeci”në zonën e Kombinatit. Ato janë anë dëmtuar rëndë nga tërmeti dhe rreth 2500 nxënës janë shpërndarë në shkolla të tjera.
Në 3 vjet, Erion Veliaj u ka marrë banorëve të Tiranës më shumë se 23 milionë euro, por nuk ka investuar asnjë qindarkë prej tyre në të dyja shkollat, që sot janë të dëmtuara.
Tërmeti zbuloi se nisma “Adopto një shkollë” ishte vetëm fasada e një propagande të shëmtuar dhe të rrezikshme, që, nëse tërmeti do të kishte rënë ditën, mund të kishte pasoja tragjike për fëmijët.
DEKLARATAT E PËRFAQËSUESVE TË PARTISË DEMOKRATIKE NË DY SHKOLLA TË DËMTUARA NGA TËRMETI NË KOMBINAT
JORIDA TABAKU, SHKOLLA “MUSINE KOKALARI”, TIRANË
Sot bashkë me përfaqësues të Partisë Demokratike të Kombinatit jemi pranë shkollës Musine kokalari, një shkollë e cila është shpallur e papërdorshme. Këtu mësimi është pezulluar që në datën 26 nëntor, por, fatkeqësisht, akoma nuk kemi një akt ekspertimi të plotë as nga Bashkia, as nga institucionet përgjegjëse për dëmet që ka pasur kjo shkollë.
Shkolla Musine Kokalari ka qenë e pjesë e programit “Adopto një shkollë”, nga Bashkia e Tiranës, e programit korruptiv që Partia Demokratike ka denoncuar, ku oligarkë, ndërtues të ndryshëm, bënin investime qesharake në këmbim të lejeve të ndërtimit dhe, siç rezulton, sot të gjitha këto ishin fasadë, njësoj si puna e Bashkisë, ishin thjesht propagandë, një lyerje boje, që me tërmetin e 26 nëntorit, i nxori bojën punës që Bashkia e Tiranës bën.
22 milionë euro janë mbledhur nga viti 2016 deri më sot për taksën e infrastrukturës në Arsim, 22 mln euro që duhej të ishin investuar në shkolla, në kopshte, në çerdhe, ndërkohë që Tirana, megjithëse pasojat e tërmetit nuk ishin si në zonat e prekura më rëndë, ka numër të madh të shkollave, të dëmtuara nga tërmeti.
Pothuajse 20 shkolla janë shpallur të papërdorshme dhe sot janë bosh. 1200 nxënësit e kësaj shkolle janë shpërndarë nëpër shkolla të tjera të zonës. Nuk ka asnjë përgjigje se kur do të rifillojë mësimi, por, njëkohësisht, e njëjta situatë është edhe me familjet e prekura nga tërmeti.
Kombinati është një nga zonat me numrin më të madh të familjeve të prekura.
Struktura e Partisë Demokratike dega 6, pothuajse përditë ka qenë në terren duke vizituar zonat më të prekura. Janë banorë që ndodhen sot në tenda dhe janë jashtë shtëpive të tyre dhe nuk u është dhënë zgjidhje.
E vetmja zgjidhje qesharake është një bonus qeraje prej 15,000 lekë të reja, ku familje me 10, 12 persona presupozohet që të marrin në qytetin e Tiranës një banesë me një qera të tillë, që është pothuajse e pamundur.
Ky vit i ri do të jetë shumë i trishtë për këta banorë, do të jetë i trishtë edhe për qytetarë që janë prekur nga tërmeti.
Partia Demokratike nuk e zëvendëson dot qeverinë, megjithëse jemi duke bërë maksimumin e duke iu gjendur pranë këtyre banorëve, por Bashkia, Ministria e Arsimit, të gjitha institucionet duhet të vijnë dhe të marrin përgjegjësi.
Mjaft luajtën me jetën e këtyre njerëzve, me pronën e tyre, mjaft luajtën me sigurinë e institucioneve arsimore, duhet një orë e më parë të investojnë atë taksë që kanë paguar qytetarët e Tiranës, taksën e infrastrukturës në Arsim, për shkollat, kopshtet, çerdhet, të cilat i kanë rikonstruktuar në mënyrë korruptive.
KLEVIS BALLIU, SHKOLLA “LASGUSH PORADECI”, TIRANË
Jemi në shkollën “Lasgush Poradeci “në Kombinat me përfaqësuesit e Partisë Denmokratike Dega 6, për të denoncuar vjedhjen makabre të Bashkisë, ku paratë e qytetarëve të cilat shkojnë për infrastrukturën arsimore, janë çuar dëm, janë vjedhur, pasi në këtë shkollë nuk ëstë bërë asnjë investim dhe pasojat duken qartazi, shkolla sot, për shkak të tërmetit, është mbyllur. Për shkak të mungesës së investimeve, është mbyllur.
Pyetja themelore është: ku shkojnë paratë e qytetarëve.
Në këtë shkollë pak kohë më parë janë bërë disa punime për lyerje bojërash, të cilat i shërbejnë për propagandë dhe fotografi Bashkisë së Tiranës, por nuk është bërë asnjë punim serioz duke bërë matjet e duhura dhe të parashikuara me ligj.
Dhe është kjo arsyeja themelore se përse sot shkolla është e mbyllur.
Bashkia e Tiranës u jep ndërtuesve, që marrin përsipër të lyejnë shkollat për sy e faqe dhe propagandë, atyre ndërtuesve u japin qindra milionë euro leje ndërtimi, ndërkohë që dhjetëra miliona euro të taksave të qytetarëve shqiptarë shkojnë në xhepat e qeveritarëve dhe pushtetarëve të korruptuar.
Ky është një akt bandidesk i cili i ka lënë fëmijët e Kombinatit pa shkollë, ka lënë fëmijët në vështirësi për t’u arsimuar dhe vështirësi të tjera.
Kombinati është një nga zonat më të prekura pas tërmetit dhe është një zonë jo më larg se 2 km nga qendra e Tiranës, kryeqyteti i Shqipërisë. Dhe kur këto probleme ndodhin në shkollat që janë në kryeqytet ju vetë mund ta imagjinoni se në çfarë konditash janë shkollat e tjera jashtë Tiranës.